Motrat dhe ‘vëllai i madh’

0
47

Arben Rrozhani, 22.08.2010

Vjollca Vokshi do të mërzitej shumë, po ta merrte vesh se sa të famshme iu bënë motrat, pse dolën nja dy herë në televizion. Herën e dytë të Sali Berishës në pushtet, sepse herën e parë kur ajo u bë e famshme, na mbeti pullë poste, në të vetmin ekran, TVSH-në e qeverisë, në zëdhënien e ish-presidentit Berisha, deri kur ra shteti i tij prej kartoni dhe ajo u largua në një shtet të Amerikës Latine ku ndodhet edhe sot e kësaj dite.

Por, ndoshta jo aq për merita të motrave, se sa për faj edhe të opozitës, që ka mbushur axhendën politike të gushtit duke vënë në qendër të sulmeve politike motrat, për ta çuar rikoshet goditjen tek “vëllai i madh” Sali Berisha.

E para, kjo nuk duhet të ishte një histori gushti. Gazeta “Shekulli”, po të hapësh arkivin e saj, e ka qëmtuar me kujdes këtë dosje që para një viti, para se deputetët e PS-së, sot të dalin duke tundur letra dhe dokumente të fotokopjuara, që i janë bërë publikë lexuesit shqiptar shumë muaj më parë.

Së dyti, opozita po merret shumë me naftën dhe vetëm me naftën, kur qeveria e “vëllait të madh” ia ka bërë naftën qeverisjes jo vetëm aty ku ka juridiksion, por edhe jashtë çapeve që mund të hedhë ligjërisht ekzekutivi.

Së treti, pse duhet harxhuar kaq shumë energji duke i rënë me “spondë” shefit të qeverisë shqiptare, kur atë mund të godasësh direkt, sepse ai jo më kot është “vëllai i madh” në këtë vend dhe çdo gjë që ndodh është pjesë e planit të tij, personazhet janë të tijtë, loja që ata bëjnë është ajo që do ai dhe fituesit ai i përzgjedh.

Po të kërkosh me fjalët “Albana Vokshi” në arkivën e gazetës “Shekulli” mund të gjesh artikuj të hershëm, si ai i botuar në numrin e 28 nëntorit 2009, me titull “Qeveria, koncesion firmës së këshilltares së kryeministrit”, ku përmbledhurazi thuhet: “Shoqëria e krijuar prej një viti merr me koncesion ndërtimin e dy hidrocentraleve në Libohovë. Firma, nën pronësinë e bashkëshortit të Albana Vokshit… Berisha i jep me koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve ortakut të Rrahman Selmanllarit.

Vendimi i qeverisë, në kohën kur firma ishte e paregjistruar… Bëhet fjalë për koncesionet e firmosura nga qeveria Berisha në tetor të vitit 2007-të dhe fituese është një firmë që ka për aksionerë dy njerëz të njohur të kryeministrit, bashkëshortin e këshilltares së tij për çështjet ekonomike, Albana Vokshit, dhe mikut të kahershëm të familjes, Rahman Selmanllarit… Në korrik të vitit 2007-të, me vendim të Këshillit të Ministrave, miratohet marrëveshja për dhënien në koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve.

Kanë qenë vendime maratonë të kryeministrit këto, ku ndërmjet tyre është dhe ndërtimi i hidrocentralit në Suha. Firma fituese e koncesionit shpallet “Albanergiaplus” Sh.p.k. Aso kohe, marrëveshja u reklamua si sukseset e radhës së qeverisë dhe se projekti do të ulte ndjeshëm importimin e energjisë elektrike” etj., etj.

Pra, po ato fjalë që recitojnë sot deputetët e PS-së nga selia e opozitës për të bërë pak “lajm” në zbrazëtinë e zhvillimeve reale në këtë fundgushti. Pra, opozita që po i “telendis” motrat Vokshi, është shumë e vonuar dhe nëse do të kishte pasur vërtet synim zbardhjen e qeverisjes me motrat, duhej ta kishte çuar këtë dosje në Prokurori shumë muaj më parë.

Opozita po merret me privatizimet dhe koncesionet, sepse ashtu si në kohën e qeverisjes të së majtës, ato janë pika e dobët e çdo Ekzekutivi. Aty është paraja e papërfillshme që hidhet për të blerë dhe paraja e madhe që bëhet pak më vonë. Siç po ndodh me naftën.

Por jo vetëm me naftën, sepse Berisha, ia ka bërë naftën mbarë ekonomisë shqiptare dhe zhvatjes së çdo të mire publike të ndërtuar me djersën e brezave të shkuar, apo edhe të punës së këtyre 20 viteve të ekonomisë së tregut të lirë.

Nëse do ta kishte seriozisht në goditjen e korrupsionit qeveritar të motrave dhe vëllezërve të “vëllait të madh”, opozita duhet të kishte demaskuar monopolet qeveritare që nisin nga buka e përditshme e popullit të varfër shqiptar, tek privatizimi mafioz dhe pa asnjë përfitim të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike (OSSH), ndërmarrje ku edhe qeveria ka një përqindje bashkë me çekët dhe ku pas faturave të kripura në kurriz të konsumatorit shqiptar dhe bizneseve të ndershme, po nxirret paraja e madhe, që nuk fitohet nga mirëmenaxhimi, ulja e humbjeve, apo heqja e faturimit aforfe.

Për të kaluar te tarifat private të së vetmes kompani të telefonisë fikse, e cila është shndërruar në gjobëvënëse të konsumatorëve, sepse falë pozitës monopol aplikon tarifa të rritura dhe të pajustifikuara, në këmbim të një shërbimi të njëjtë me kohën kur Albtelekom ishte në duart e shtetit dhe pa u marrë nga turqit e Sali Berishës.

Po ashtu me telefoninë celulare, tarifat e të cilës vazhdojnë të mbeten më të lartat në rajon e më gjerë, falë zbythjes së qeverisë dhe agjencive të saj dhe pozitës triopol që ato kanë vendosur, duke u marrë vesh me njëra-tjetrën.

Për të vijuar me kompanitë e sigurimeve, që kanë kopjuar edhe ato të telefonisë, duke bërë ujdi të përbashkëta dhe duke marrë copat që ka lëshuar e vetmja kompani shtetërore, e cila është katandisur si “kokoshi një thelë”, sipas direktivës kriminale të pushtetit për të ulur vlerën e saj të privatizimit.

Dhe për të mos harruar privatizimin skandaloz të ARMO-s, operacion financiar që nuk dihet nëse i ka çuar ende në arkën e shtetit milionat e vendosura në fund të ankandit të paracaktuar, gjendjen që sa vjen e rëndohet në tregun e hidrokarbureve, zhvatjen që iu bëhet konsumatorëve shqiptarë me cilësinë e munguar dhe çmimet e larta dhe fatit të njëjtë që pret kompaninë shtetërore Albpetrol, nëse privatizohet nga të njëjtët qeveritarë-kusarë.

E fundit, por jo më e parëndësishmja. Pse duhet të merret gjithë ajo opozitë me dy motra, kur kanë përballë “vëllanë e madh”? Mimoza Vokshi, është emri e njërës prej motrave, që akuzohet se ka përdorur qenien e saj si drejtoreshë e privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për t’i krijuar favore motrës dhe kunatit.

Emri i saj është pak i njohur në PD, por çuditërisht shumë në LSI. Sepse, ajo u bë “kalaja” që nuk merrej në METE, kur pas hyrjes së Dritan Priftit si ministër, dhjetëra LSI-stë u bënë drejtorë dhe shefa. Vetëm Vokshi qëndroi, duke u bërë problemi numër një, në partinë që kishte fituar të drejtën e bashkëqeverisjes, në këmbim të 20 përqindëshit të pushtetit, pra 100 për qind të njerëzve të vet në ministritë që do të merrte.

Partia e Metës arriti të merrte, pas shumë muajsh, edhe drejtorin e KESH-it, që ishte mbajtur me shumë fanatizëm nga Berisha, por jo postin e drejtoreshës së privatizimeve, dhe madje kur kjo zonjë shkonte për arsye shëndetësore në Venezuelë, pra te vendi ku jeton motra tjetër, bëheshin plane se si t’ia “merrnin” zyrën, ku ishte dërguar jo aq sa për veten e vet, sesa për të qenë syri, dora dhe mendja e “vëllait të madh”, ashtu siç janë dërguar motrat dhe vëllezërit në të gjitha kthinat e pushtetit, nën orientimet, vëzhgimin dhe shërbimin e “vëllait të madh”.