Prend Buzhala
Për njohje të Kosovës është kompetente Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe ministritë e jashtme të shteteve përkatëse, e jo, bie fjala, kardinali austriak Walter Casper, që e shqetësoi shpirtin e mulla Shefqet Krasniqit, si dhe të ndonjë eksponenti partiak.
1. Deklaratat për njohje e mosnjohje të pavarësisë së Kosovës nga ana e figurave tona fetare, si dhe ato të Bashkësisë Islame apo të Ipeshkvisë së Kosovës, nuk janë deklarata shtetërore-zyrtare. Sigurisht që kanë të drejtë të shprehin mendime personale individët apo qëndrimet e veta zyrtare si bashkësi fetare, por jo të marrin përsipër barrën e institucioneve. Ky kardinal ishte shkarkuar nga Vatikani menjëherë më 2010, kur deklaroi se Kosova është Tokë e Serbisë. Kështu deklaroi edhe këto ditë, tash në Rusi, duke shtuar se Vatikani nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës se Kosova na qenka “tokë e shenjtë e Serbisë.”!
Dihet që Kosova është tokë e shenjtë ilire-arbërore-shqiptare që nga antikiteti. Por dihet se kjo deklaratw e pensionistit Casper, nuk është qëndrim zyrtar as i Vatikanit e as i Ipeshkvisë së Kosovës. Por të drejtën për këso prononcimesh e ka Ministria e Jashtme e Kosovës dhe ajo e Vatikanit (Vatikani nuk ka deklaruar gjë kundër pavarësisë së Kosovës dhe as që e ka penguar këtë njohje, mbasi pikërisht shtetet me popullsi katolike, janë më të shumtat që e kanë njohur këtë pavarësi).
2. Këto ditë, bie fjala, Mahmud Abaz zyrtarisht (pra ZYRTARISHT e jo privatisht si Casper), deklaroi në Beograd se Palestina nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe këtu nuk u tha asgjë, përkundër solidaritetit tonë me palestinezët. Djhe këso deklarimesh zyrtare të shteteve aziatike, janë të shpeshta mu në Beograd. Madje, me falënderime e mirënjohje nga Beogradi për kontribut të mosnjohjes së Kosovës! Kurrgjë kurrkujt!
Edhe njëherë: le të mësohemi se çka është DEKLARIM ZYRTAR e çka DEKLARIM JOZYRTAR, PRIVAT… e jo të qëndrojmë ROJE MOS-NDERI për mosnjohje që dikë po e gëzuaka së tepërmi!!!
3. Është e habitshme: përbetohemi në trashëgiminë tonë evropiane; dhe ata që më së shumti, aktualisht, e mohojnë, e fyejnë, e sulmojnë këtë trashëgimi euro-shqiptare, skenderbegiane, buzukiane etj, janë pikërisht disa qarqe brenda Kosovës dhe Shqipërisë e Maqedonisë. Këso mohimesh nuk kanë bërë as serbët e rusët kundruall këtyre qarqeve tona! Madje, ndërrimet neo-otomane të historisë po bëhen edhe institucionalisht ! Asnjë reagim nga partitë politike!!! Mbasi shqetësuaka një deklaratë pensionistësh të shkretë, nuk na shqetësuaka fare gjendja që e krijojmë vetë! Dhe kurrgjë kurrkujt!