Mos u krahasoni me Berishën!

0
75


Nga Mero Baze

Në debatin politik në Shqipëri, dhe sidomos në kakofoninë e grave dhe burrave që shfaqen para mikrofonit me një letër me dorë, po shfaqen dy tendenca të cilat herë janë të qarta e herë shkrihen me njëra- tjetrën. Tendenca e parë është përpjekja e Berishës për të shpikur një problem që nuk ekziston dhe që opozita të merret me të për një farë kohe, dhe tendenca e dytë është kur Berisha i frikësohet një lëvizje të opozitës dhe fillon sulmin ndaj liderit të saj për gjëra krejt personale. Kështu, pasi ndodhi vrasja e katër qytetarëve, Berisha shpiku puçin e shtetin dhe jo në pak raste e futi opozitën në spiralen e vet, duke shpjeguar që nuk ishte puç shteti. Shpiku pjesëmarrjen e gazetarëve në puç, dhe kur e pa që ne nuk ramë në spiralen e tij, po filluam të talleshim, u tërhoq. Shpiku përgjegjësinë e dhunës mbi institucione për të legjitimuar vrasjet dhe shpesh opozita fillon e i shpjegon se ajo nuk ka përgjegjësi, që disa njerëz qëlluan policët. Kaq do Berisha dhe e mban debatin pikërisht këtu.

Në një periudhë dy vjeçare kur ai ka bllokuar forcërisht KKRT-në e Tiranës, duke paralizuar industrinë e ndërtimit, ka shpikur që Edi Rama jep leje ndërtimi dhe merr 20 përqindësha, ndërkohë që askush nuk punon dhe askush nuk ndërton, përveç njerëzve që punojnë me lejet e dhëna nga Sali Berisha dhe që janë njerëz të oborrit të tij. Të vetmit që kanë ndërtuar këto dy vjet, pa leje, në Kinostudio janë pronarët e medieve të tij, bile dhe njerëz të familjes së tij. Dhe këtu shpesh opozita rri e sqaron se nuk merret me leje apo nuk merret me 20 përqindësha. Në ekrane shfaqet zëvendëskryeministri që flet për 7 minuta për miliona euro dhe ai shpik faktin, që janë hequr 20 sekonda për të kompromentuar kryeministrin.

E vërteta e hidhur është në fakt se në historinë e atij hidrocentrali, njeriu që pret të marr tenderin është pikërisht njeriu që i ka falur shtëpi kryeministrit. Nuk dua të zgjatem në fakte të tjera për të ilustruar idenë se shpesh opozita jonë futet në spiralen e shpjegimit, se ajo nuk është e korruptuar, siç akuzohet dhe se di t’i bëjë punët më mirë se Sali Berisha. Ky është një gabim që mund t’i kushtojë pasi e relativizon atë shumë në opinion publik. Opozita duhet të injorojë tërësisht spiralen e luftës së Sali Berishës dhe duhet t’u dëshmojë shqiptarëve se nuk është më e mirë se Sali Berisha, por është e ndryshme nga ai. Nuk ka nevojë të dalë një grua pa tru nga PD dhe të thotë, që Ina Rama është fajtore, për të vrapuar një grua me pak më shumë tru nga PS, që të thotë që Ina Rama nuk është fajtore, por është Saliu.

Berisha duhet të vihet me shpatulla për muri për katër të vrarët dhe për asgjë tjetër. Harrojeni betejën e tij kundër prokurores, presidentit, medies dhe pushteteve të tjera. E bën pikërisht për t’i shpëtuar akuzës për vrasje. Ndaj nuk duhet harxhuar asnjë energji për tu futur në spiralen e betejave të shpikura të tij. Ndaj tij duhen kursyer fjalët e tjera të gjuhës shqipe. Ai tani është thjesht një kryeministër që ka vrarë katër qytetarë me urdhër të tij dhe duhet të ikë nga politika si vrasës. Opozita nuk ka pse shpjegon që është më e mirë apo e pastër se ai.

Opozita nuk ka vrarë njeri, dhe krahasimi me një vrasës e dëmton pasi e bën relativ. Ajo është e ndryshme nga ai, pikërisht pse s’ka vrarë dhe kjo duhet të jetë beteja e saj. Nëse njerëzve u thua se je më i mirë apo pak më i mirë se Berisha, nuk u ke thënë asgjë, pasi ajo është një vlerësim relativ. Ai duhet injoruar e izoluar në betejat e shpikura të tij dhe duhet tërhequr zvarrë në betejat reale që ka shoqëria shqiptare, që janë vrasjet politike, korrupsioni, lufta ndaj institucioneve, mungesa e lirisë ekonomike dhe mbi të gjitha sundimi antiligjor i Sali Berishës.

Tendenca e dytë është mënyra se si Berisha u kundërpërgjigjet. Vetëm se gratë socialiste njoftuan një protestë kundër gjuhës së Berishës më 8 Mars, ai ka dy ditë dhe do të vazhdojë dhe ditë të tjera të nxjerrë gratë e PD-së të sulmojnë me një gjuhë të egër Edi Ramën. Mos u shqetësoni se do ta bëjë deri më 8 Mars. Është strategjia e tij, që përshkruam më sipër. Pra, nëse ne themi që Edi Rama është më i mirë se Berisha, ai nxiton të thotë jemi njësoj ose është më i keq. Dhe si për ta bërë më cinike betejën përdor për këtë fjalor pervers, gra të pamësuara të PD-së, kryesisht të ardhura nga provinca që vijnë në Tiranë vetëm të hënë dhe të enjte për të lexuar deklaratat e tij. Dhe këto gra nuk mendojnë ashtu siç flasin.

Unë njoh disa prej tyre, po përfshi dhe më alergjikja e tyre Mesila Doda, nuk mendon aq neveritshëm sa detyrohet të flasë. Ato mund të mos jenë shumë të zgjuara, apo shumë të kulturuara, por janë gra dhe femra normale. Ato nuk flasin as me burrat e tyre siç detyrohen të flasin në emër të Berishës. Dhe ky është një dhunim publik i tyre. Berishës i duhet doemos kjo shkollë politike, i duhet doemos kjo spirale, i duhet doemos të krahasohet me Edi Ramën apo çdo kundërshtar të tij. Nuk ka rëndësi nëse del më i mirë apo më i keq, se atë e zgjidh dhe me vjedhje votash. E rëndësishme është të jenë e njëjta racë. Kjo e qetëson.

Ndaj nuk duhet rënë në spiralen e tij. Ka shumë rëndësi që shpresa të ngjallet nga një model i ndryshëm dhe jo nga një model i krahasueshëm me të. Meqë ai nxjerr gra që shajnë siç nuk flasin me burrat e tyre, nuk ja vlen të nxjerrim gra të kulturuara që t’i thonë “të të vijë turp Sali Berisha” se ai qesh me lot me to. I duhet bërë betejë vetëm për një gjë, për faktin që ka vrarë për të vjedhur qysh nga 15 Marsi i viti 2008 dhe po vazhdon të vrasë për të ndenjur në pushtet. Kjo e bën atë të ndryshëm nga çdo politikan në Shqipëri. Për të vjedhur në këtë vend s’ka vrarë askush. As komunistët. Ata kanibalë kanë vrarë për të sunduar në varfëri këtë vend. Ky ka vrarë për të pasuruar familjen e tij. Ky ka vrarë për të mposhtur opozitën. Ky është hendeku që duhet të shikojnë shqiptarët.