Ndoc Selimi
Amazona Hajdaraj
06/01/2015
Njëherë si thashethem dhe së fundi e aprovuar me projekte e dokumenta, potencialin arkeologjik të identitetit shqiptar i quajtur ndryshe “Kultura e Komanit” po e dëmtojmë me duart e mëndjet tona. Më 12 dhjetor 2014 Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, i kryesuar nga Ministrja e Kulturës jep aprovimin për kalimin e trasesë së tensionit lartë OST Shqipëri – Kosovë në mes e paralel me vendbanimin mitik të Komanit ose kodrën e sitit arkeologjik, siç e quajnë specialistët.
“Kultura e Komanit” përfaqëson identitetin kombëtar të shqiptarëve, është nyja lidhëse midis ilirëve dhe shqiptarëve të sotëm, pa të cilën hallkës së zënxhirit dymijëvjeçarë do t’i mungonte vazhdimësia. Zbulimi i këtij qytetërimi mesjetar zë fill qysh në shekullin e XIX e pikërisht më 1898 me rënien në gjurmë të varrezës së lashtë iliro – shqiptare që sot klasifikohet si qendra kryesore e mesjetës për Ballkanin Perëndimor.
Qysh në verën e vitit 1961, kur nisën punimet nga arkeologët shqiptarë si Hëna Spahiu e Skënder Anamali, e deri në ditët e sotme, ku prej shtatë vjetësh vazhdojnë kërkimet shkencore nga ekipi ndërkombëtar i arkeologëve, i udhëhequr nga arkeologia shqiptare Etleva Nallbani (Qëndra Nacionale e Kërkimeve Shkencore franceze, shkolla Franceze e Romës, në bashkëpunim me Institutin arkeologjik të Qëndrës së Studimeve Albanologjike në Shqiperi), varreza a Dalmacës mbi Koman nxori në dritë trupin e një qyteti të heshtur mesjetar.
Cilido shtet i zhvilluar në botë do t’ia kishte zili këtij zbulimi, ndërsa ne me duartë tona po e groposim edhe njëherë. Projekti i kalimit të linjës së tensionit të lartë pikërisht mbi këtë pikë arkeologjike me rëndësi të klasit të parë, bën që interesi ndërkombëtar , kërkimet e mëtejshme të ndërpriten, pasi sipas specialistëve pjesë të caktuara të tij do të shkatërrohen gjatë vëndosjes së shtyllave, gërmimeve, rrugëve të transportit, nga ana tjetër fushat manjetike të krijuara do të bëjnë të pamundur përdorimin e teknikave të tyre bashkëkohore të studimit. Siti arkeologjik nuk është një pikë e vogël, por bëhet fjalë për më shumë se 30 ha (disa varreza, 12 kisha, shtëpi banimi, kalaja, punishte prodhimi etj).
Sipas specialistes Nallbani mbështetja financiare, por dhe shkencore e huaj vjen në rënie, sepse nuk hedh kush para e dije në një vend që vetë ne nuk e mbrojmë. Parashikimi i punimeve arkeologjike do të zgjaste edhe për 20 vjet tjera, derisa të nxirrej në dritë qyteti i nëndheshëm, specialistët studiojnë sa arkeologjinë e sa antropologinë, e sa peisazhin historik apo zoo-arkeologjinë, apo zejet e prodhimit të produkteve të ndryshme. Studentët mësojnë në Koman arkeologjinë mesjetare. Shumë nga të rinjtë e zonës (Komanit, Shën Kollit, Qerretit) punojnë pothujse çdo verë me arkeologët për zbulimin e Dalmaces. Pothuajse të gjithë djemtë e Komanit, kanë marrë pjesë në punime.
Kemi ndjekur ekspozitën e organizuar nga misioni i arkeologëve, me materialet e Komanit, në Muzeun Histotik Kombëtar me rastine 100-vjetorit të pavarësisë. Sa ekspozita të tjera planifikoheshin të organizoheshin me synim propogandimin dhe pasqyrimin më drejtë të historisë së Shqiperise dhe vazhdimësisë iliro – shqiptare, ku në qendër do të ishte Komani e mrekullitë e qytetërimit mesjetar. Në këtë vijim ishte planifikuar të ndërtohej “Muze i gjallë në natyrë”, i cili do të ishte pika më e preferuar për turistët e vendit e të huaj dhe mundësia e punësimit të banorëve përreth reale dhe e siguruar. I gjithë lokaliteti i Komanit dhe përreth ka nevojë për një qendër të tillë arkeologjike. Eshtë bërthama e një turizmi të sigurt.
Ju lutemi nuk është akoma vonë për ndreqjën e një gabimi që do ti kushtojë shtrenjt së ardhmës arkeologjike dhe vendit tonë. Boll të devijoni vetëm një km dhe asgjë nuk do të ndodh.
Le të kujtojmë një emision të organizuar nga Marin Mema në Top – Channel.tv kushtuar këtij zbulimi, që mesa duket e kishte parandjerë fundin e punimeve mbi këtë pikë arkeologjike: “Historia e lashtë, edhe pse në mes indiferentizmit të plotë të shtetit shqiptar, po falë një tjetër perlë që tashmë mbetet për tu parë nëse do të renditet aty ku meriton, apo do të lihet si deri dje në mëshiren e fatit.”(shtator 2012)
Me këtë shkrim, ne si komanas, i drejtohemi Presidentit të Republikës, Kryeministrit, ministrave përkatës, Agjensisë së Shërbimit arkeologjik, intelektualëve, inxhinierëve e gjithë shqiptarëve që të sensibilizohemi e të shpëtojmë këtë vend që na jep identitetin e kombit shqiptar.
Linja e tensionit te larte nuk ben asnje lloj demi zones atje e as aparaturave qe do perdoren.. me shume te demshme jan valet e telefonit se sa ajo linje qe do kaloj aty, qe eshte e izoluar me mjetet me bashkohore, per te ulur demet ne kultura bujqesore e aparaturat e shtepive ne maksimum.
Rruget qe do hapen ne ate zone nuk do jene asapak te reja por do shfrytezohen te tera rruget e vjetra qe kan ekzistuar per te shkuar ne shtyllat e vjetra qe aty ekzistojne prej me shume se 40 vitesh.
Panorama e qytetit antik nuk preket sepse qyteti eshte ne maje te malit e linja kalon ne pjesen e poshtme… e s’kan asnje lidhje me pamjen e njera-tjetres.
Sa per info çdo germim qe do behet ne zonen e Komanit, siç quhet ZONA B (akoma nuk e ka marre si status) do te behet nen mbikqyrjen e ASHA dhe Arkeologeve te Shkodres, qe mos te demtohet asnje centimeter i historise 1500 vjeçare.
Pastaj ZONA B (zona qe s’ka marre statusin akoma) eshte zone qe mund te ndertohet, por nen mbikqyrjen e arkeologeve, kështu qe nuk eshte shkelur asnje ligj i shtetit Shqiptar dhe do zbatohen kushtet teknike te ASHA.
Kjo rreth demeve ne shendet: http://news.bbc.co.uk/2/hi/health/4602315.stm
Sa per demet ne arkeologji, e kote me te shpjegu zoti Genci, se ti dashke te jesh ne rregull me shkresat, ze e dore e njejte me anetaret e KKA.
Nuk kam permendur me na i vend dem ne shendet aty… ka distanca sigurie qe perdoren per ndertimet e shtepive dhe njerezit qe duhet te jetojne.
Me sa shof zoti Besim ti nuk qenke fare i informuar per linjen se ku kalon ne ate zone. Zonja Etleva ka bere kerkese per te futur ne zone te mbrojtur qytetin e komanit… dhe ka dy zona qe jan aty. ZONA A dhe ZONA B. Ne zonen A nuk lejohet asnje ndertim e linja nqs. e mbaj mend keq si distance nga çfare kam pare eshte diku tek 300 metra nga kufiri, por ndodhet ne ZONEN B, qe nqs. unë s’e interpretoj gabim ligjin e Arkeologjise thote: Lejohet ndertimi brenda ZONES B, por perhere nen prezencen e Arkeologeve. Dhe miratimi ne ate menyre eshte bere.
Z. Genci do te mundohem t’u pergjigjem me pak fjale. Te kalosh linjen e tensionit larte mbi nje truall arkeologjik mbi 20 ha, mbi nje vend qe neser do te jete qyteti i zbuluar ose metropoli i Ballkanit Perendimor do te thote perçudnim i ketij rajoni. Eshte njesoj sikur ia kalon Tiranes mbi sheshin “Skenderbe” ose edhe ndonje qyteti tjeter. Nder disa mundesite e kalimit te kesaj linje keni gjete me te padrejten per nje qytet turistik te se nesermes dhe me te lehtin per ju. Asnje rruge e vjeter per mjete (veç kafsheve te barres) nuk kalon ne kete drejtim, qe thoni ju dhe te gjitha do te behen te reja (sigurisht kalim traktoresh) dhe po u them se ky monument i histories shqiptare, ky objekt qe na dha emrin shqiptar, duke mbuluar pjesen e erret te historise, ky qytet i nendheshem vlen me shume se kjo linje. Prandaj u lutem mendoni gjerat me gjate. Boll me shkaterrime; shkaterruan barbaret, shkaterruan turqit, shkaterruan sllavet, shkaterruan hajdutet e kultures sone, shkaterroi sa mundi shteti komunist. Te shkaterrojme edhe ne? Historia nuk na e fale kurre.
Comments are closed.