Mos prekni lajmësin!

0
50

Skënder Minxhozi

Nga Skënder Minxhozi

Do të qe e vështirë edhe për partitë e mëdha politike që të mblidhnin më shumë njerëz në sheshin para Kryeministrisë në një dite të zakonshme gri si ajo e djeshmja sesa turma paqësore e gazetarëve dhe qytetarëve që protestoi për incidentin e shëmtuar të parmbrëmshëm, ku gazetari Mero Baze pësoi edhe njëherë tjetër dhunën fizike për shkak të profesionit që ushtron. Një histori e parë edhe në të shkuarën, në të tjera rrethana konkrete e me të tjerë autorë, përveç njërit prej tyre: gazetarit Mero Baze.

Një aliazh i rrezikshëm paraje e pushteti po merr formë sot në Shqipëri. Pikërisht një fabul të tillë Mero Baze ka muaj që ia zbulon shqiptarëve. Ky fenomen e gjen simbolikën e tij më të goditur në Rusinë e Vladimir Putinit, ku, të jesh gazetar, do të thotë të jesh në krye të listës së killer-ave me pagesë. Fatmirësisht ende nuk kemi një Ana Politkovskaja mes nesh, por kemi gjithnjë e me prezente atë përzierje rrethanash që mund të çojnë dikur edhe në raste të tilla ekstreme si ai i gazetares së famshme ruse, të vrarë në mes të Moskës. Shqipëria e viteve ’90, kur gazetat digjeshin, po zëvendësohet ngadalë me realitetin e deformuar të medieve në shërbim të hapur të politikës e biznesit hileqar, i cili i shkon nga pas konjukturës së momentit, për të marrë përfitimin e momentit. Kjo është një situatë e rrezikshme, madje asgjësuese për fjalën e lirë, në të gjitha kuptimet e termit.

Mero Baze nuk është një gazetar komod. Temat që ai ka hedhur ndër vite në mediet shqiptare kanë pasur kryesisht qëllimin e provokimit të një debati të caktuar. Baze nuk ndjehet i qetë me lajmin protokollar, me kronikën formale, me fasadën dhe dukjen e jashtme. Është pra një “specie” gazetareske e destinuar për të qenë në minorancë, në mjedisin e ndrydhur të një medieje, e cila censurën dhe autocensurën i ka kthyer në reflekse të kushtëzuara në jetën e përditshme.

Por ky nuk ka pse të jetë as problemi e aq më pak kalvari i këtij gazetari kurajoz dhe përjetësisht në konflikt me shtetin. Marrëdhënia e Mero Bazes dhe gazetarëve të tjerë me politikën dhe biznesin nuk ka pse të deformohet, as sipas interesave të botuesve, e as sipas shijeve e pazareve të pista që klasa politike ka bërë e bën me komunitetin e biznesit në këtë vend, duke bërë që “Taçi të ngatërrohet rregullisht me Cacin”.

Metafora e lajmësit që nuk ka faj, vlen sidomos për këtë rast, ku për shkak të një realiteti të deformuar dhe të korruptuar, goditen e gjakosen ata që ua bëjnë të ditur njerëzve faktet e historitë e pakëndshme të Shqipërisë së sotme. Nëse mbyllim sot gojën për Mero Bazen, duhet të presim që fatin e tij ta pësojmë të gjithë një ditë. Fat më të mirë nuk kemi pse të presim, pasi fati zakonisht i buzëqesh atyre që dinë ta ndjekin dhe të ndryshojnë, jo atyre që rrinë e presin pafundësisht Godonë.