Mos-Integrimi: Mos-dije apo Mos-dashje?!

0
71

Nga Bilal Kola

Mora shkas për t’i shkuar këto rreshta nga një lajm që pashë në media ku kryetari i qeverisë akuzonte liderin e opozitës se ky i fundit po pengonte procesin e integrimit të vendit në BE! Meqenëse qeveria aktuale proklamohet si e “djathtë” (në fakt 1 qeverie të tillë është gjeagjëzë më vehte t’i gjesh kahun kur ditën me diell shet territor shqiptar, përdhos me makabritet fatal thelbin e kontratës sociale – të drejtën e jetës, nuk votohet në zonat urbane ku kryesisht jeton borgjezia dhe shtresat e mesme por gllabëron vota në zonat rurale – ku për arsye të varfërisë dhe koniukturave vota lehtësisht blihet / kompromentohet / manipulohet) dhe meqenëse grupet e interesit të biznesit njihen botërisht si përkrahës të së djathtës, atëherë do t’i parashtroja lexuesit një pyetje (retorike): Çfarë do të ndodhte nësë administratori i shoqërisë në tre vite rresht dështonte tre herë rradhazi në objektivin e përcaktuar nga më shumë se 95% e aksionerëve të shoqërisë?

Reagimi nga çdo aksioner që ka lidhur të ardhmen e tij/saj dhe të familjes me suksesin në treg të shoqërisë nuk mund të ishte tjetër pervecse: Shkarkimi i menjëhershëm i këtij administratori thellësisht inkompetent dhe të papërgjegjshëm, por kësaj rradhe (shih më poshtë arsyetimin pse i njëjti administrator shkaktoi dështimin spektakolar të mos-integrimit të Shqipërisë në BE përgjatë viteve 90’) referenca dhe motivacioni i shkarkimit do të bënin të mundur që ky syresh kurrë më të mos gjente punë si administrator!

Por, në rrethanat aktuale, frustimi më i madh i mbi 95% të shqiptarëve – të cilët janë populli më europian-dashës në kontinent, me dështimet deliktbërëse të kësaj qeverie që prej kohësh nuk përfaqëson më vullnetin e sovranit, është se ata paradoksalisht nuk mund të thërrasin mbledhjen e jashtëzakonshme të aksionerëve (zgjedhjet e parakohshme) për shkarkimin e administratorit që abuzon me vullnetin e tyre, por në kundërshtim me vullnetin e tyre Sovran (i cili u është marrë peng nga administratori i gjithëpushtetshëm në kundërshtim me cdo norme statutore të shoqërisë) duhet tashmë të presin mbledhjen e zakonshme të asamblesë së aksionerëve (zgjedhjet e vitit 2013).

Të akuzosh opozitën e drejtuar nga Edi Rama se pengon integrimin është më shumë se një demagogji cinike që asnjë nga puthadorët gjysëm-inteligjentë të administratorit omnipotent nuk e besojnë, aq më pak mund t’a besonin këtë akuzë askionerët e shoqërisë, pasi faktet flasin ndryshe.

Referuar fakteve, pasi thuhet se e gjithe dija është empirike, dëshiroj te bëj një analizë të shkurtër të ndodhive kryesore përgjatë 2008 – 2012 si dhe një retrospektivë të viteve 1992 – 1997:

Periudha 2008 – 2012

Një zot e di cfarë do të kishte bërë administratori omnipotent nëse ai do të ishte në pozicionin e Edi Ramës në shpërthimin tragjik të Gërdecit ku zullumhana qeveritare shkaktoi vdekjen e 28 aksionerëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve, ndërsa ky i fundit në cedim të interesave të vogla politike por në interes madhor të shoqërisë dhe kombit dha gjithë mbështetjen e duhur për procesin e integrimit në NATO.

Post zgjedhjeve te vitit 2009 (ku 1/3 e votave ishin numëruar keq ose shumë keq) e vetmja kërkesë e 50% (natyrshëm ky 50% ishte pjesë e së tërës që u numërua keq ose shumë keq) të aksionerëve ndaj administratorit omnipotent, plotësimi i së cilës automatikisht passillte ndërprerjen e bojkotit si dhe miratimin e ligjeve me 3/5, ishte jo vetëm parimore (opozita deklaronte me forcë se me hapjen e kutive nuk kërkonte ndryshim rezultati por, e thënë me gjuhën e ish-profesionit të administratorit omnipotent – diagnostikimin e sëmundjes me qëllim kurimin permanent të saj) por më rëndësishëm akoma një kërkesë, realizimi i së cilës në mënyrë të pashmangshme do të vendoste një gur të rëndësishëm themeli në sanksionimin e vlerës më të shentjë të sistemit demokratik – votën e lirë! Nëse bojkoti i opozitës nuk kishte arsye dhe kjo mungesë arsye passillte pengesë në procesin e integrimit, atëhere gjëja e parë që do të bëntë cdo qeveri që gëzonte mbështetje në popull ishte shpallja e zgjedhjeve të parakoshme duke iu drejtuar elektoratit për një votë plebishitare – dhe nisur nga fakti se mbi 95% e shqiptarëve duan integrimin qeveria do t’i fitonte zgjedhjet me një rezultat plebishitar ku pa dyshim do të siguroheshin 3/5 e votave në parlament! Ah po…, cështja është se bojkoti i opozitës bëhej për një arsye madhore – votën e lirë!

Jo vetëm që kjo kërkese legjitime e opozitës nuk u realizua, por pas maskaradës së rezultatit për Bashkinë e Tiranës, opozita e drejtuar nga Edi Rama, me kosto personale të këtij te fundit, por me angazhimin imperativ në përmbushje të objektivit të caktuar nga më shume se 95% e aksionerëve te shoqërisë, është tashmë në parlament duke bërë të vetmen gjë që ajo ka në dorë: dhënien e konsensusit për miratimin e ligjeve me 3/5. Por vallë c’po ndodh me prioritetet e tjera të përcaktuara nga BE? Mos vallë ka ndonjë aksioner ndër 95% prej tyre që beson se e ka fajin Rama dhe opozita që kurrupsioni galopant ia ka zënë frymën shoqërisë por më shumë se të gjithëve, bash gjakut të ekonomisë – biznesit; a mund të besohet nga bashkësia e aksionerëve që fajin për gjendjen mjerane të gjyqësorit, i cili sanksionon me vendim pas vendimi kulturën e pandëshkueshmërisë duke zbehur cdo ditë e me shumë besimin e aksionerëve tek vlerat e drejtësisë në shoqëri, e ka Rama dhe opozita?; a mund të besohet nga ndonjë aksioner që fajin për mos-kthimin e pronave dhe mos-zhdëmtimin e të përdnjekurve politikë e ka Rama dhe opozita? Absolutisht jo! Te gjithë e dinë se kush e ka fajin – pasi kultura e sotme e ligjbërjes dhe ligjzbatimit në Shqipëri për analogji perfekte mund të merrte ligjin antiduhan – ligjet bëhen për t’u mos zbatuar, por thjesht për t’i thënë BE-së – ja e bëmë edhe këtë ligj!

Periudha 1992 – 1997

Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen për Tregti dhe Bashkëpunim me BE-në (në rendin e axhendës së bashkëpunimit midis vendeve jo-anëtare me BE-në kjo lloj marreveshje pasohej me Marrëveshjen e Asocimit) në vitin 1992, vetëm një vit pas Bullgarisë dhe Rumanisë. Ndërsa me llogjikë matematikore Shqipëria duhej të nëshkruante Marrëveshjen e Asocimit (atëhere nuk përdorej termi “Stabilizim” pasi ky term u kooptua në përshtatje të realiteteve në vendet e ish-Jugosllavisë të cilat sapo kishin dalë nga lufta) diku nga viti 1994 (plot 12 vjet përpara se në fakt e realizoi) pasi Bullgaria dhe Rumania nënshkruan Marrëveshjet respektive të Asocimit me BE-në në vitin 1993. Për atë pjese të aksionerëve që nuk e dinë ose i kanë harruar ndodhitë e atyre viteve ia vlen t’i kujtojme shkurtimisht, thjesht në funksion të dijes:

Në vitin 1994 e vijim jo vetëm opozita që shkelej brutalisht nga pushteti i administratorit omnipotent të asaj kohe, por paradoksalisht shtresa sociale që me zor i kishin mbijetuar terrorit komunist si ish – të përndjekurit dhe ish – pronarët (them paradoksalisht pasi këto aksionerë në shumicë dërrmuese ia kishin dhënë votën administratorit omnipotent) u rrahën barbarisht pasi guxuan t’i kërkonin administratorit omnipotent realizimin e të drejtave që u takonin me ligj! Në vitin 1996, pasi u grabitën zgjedhjet në ditën me diell (unë nuk ndodhesha në Shqipëri por shikoja lajmet e BBC ku gazetarët britanikë të coroditur dhe cuditur shpreheshin për grabitje të kutive të votimit që në mesditë) pak ditë më pas u rrahën barbarisht në mes të kryeqytetit të Shiptarëve opozitarë të gjithëlloj ngjyrave (ngurroj të përdor termin të majtë e të djathtë pasi në Shqipëri ende nuk ka një force të djathtë dhe për mendimin tim nuk ka për të patur për sa kohë jo vetëm në qeveri por edhe në politikë të mbetet administratori i gjithëjëtshëm omnipotent) si socialistë, social-demokratë, aleancistë, ballistë, legalistë, republikanë, etj.

Mos-funksionimit total te shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri përgjatë këtyre viteve iu shtua edhe kolapsi total ekonomik i shkaktuar nga firmat piramidale në vitin 1997. Këto dështime spektakolare (të cilat edhe me kast të ishin bërë zor se mund të ishin kaq “eficente”) rezultuan që Shqipëria jo vetëm të humbte trenin e integrimit me Bullgarinë dhe Rumaninë, vende të cilat prej 5 vitesh janë anëtarë të BE-së, por edhe të renditej poshtë vendeve të ish-Jugosllavisë të sapodala nga konfliktet e përgjakshme etnike.

Tashmë Shqipëria është vetëm para vëllezërve tanë në shtetin më te ri të Europës – Kosovës dhe është lëne pas nga Kroacia (e cila anëtarësohet në BE vitin tjetër), Maqedonia (e cila statusin e vendit kandidat e ka që prej 2006), Malii Zi (i cili këtë status e mori vjet) dhe së fundmi …Serbia?!Serbia! Ky vend, ndonëse e nisi procesin e integrimit 15 vjet pas Shqipërisë, pasi, gjithsesi me një qeveri tjetër, i vuri flakën ish-Jugosllavisë duke ushtruar në Kosovë dhe Bosnje një genocid të ngjashëm me genocidin hitlerian, merr statusin e vendit kandidat përpara Shqipërisë, e cila në politikën e jashtme tash e 21 vjet mbetet vendi më konstruktiv në rajon?!

Nuk ia vlen të vazhdohet më ky shkrim…. Megjithatë do doja ta mbyllja me një konstatim, një urim, një apel dhe një pyetje:

1. Është më shumë se një fyerje e rëndë e vokacionit mijëra vjecarë të popullit shqiptar mosmarrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE 20 vjet mbas inicimit të këtij procesi – është një delikt, reperkusionet e të cilit vetëm historia mund t’i gjykojë!

2. Fat të mbarë popullit serb në rrugën e integrimit europian – megjithëse aktualisht rreth gjysma e tyre nuk e duan integrimin në BE, por jam i sigurtë se edhe skeptikëve herët a vonë do t’iu pëlqejë kur të shohin dhe shijojnë një jetë me standarde europiane!

3. Në zgjedhjet e rradhës, me qëllimin ndërmjet të tjerash, edhe përmbushjen e objektivit të më shumë se 95% të shqiptarëve – votë plebishitare vizionit europian për Shqipërinë!

4. Nëse Shqipëria do të ishte vend anëtar i BE-së, ose së paku me statusin e vendit kandidat për anëtarësim (në të ardhmen e afërt) a do të ishte me këtë shtet të së zhdrejtës, pseudodemokraci, korrupsion galopant, një vend ku discrecioni i pushtetit kthen në nul absolut cdo ligj të shtetit?