MOS I GJUANI ÇATINË KISHËS, SE GURË KRE’S BOLL NA KANË RA’!

0
53

NERTILA MARKU, 21 Shtator 2012

Sapo mora lajmin e ndërhyrjes së Kishës Katolike mbi shkishërimin e vrasësve, instinktivisht, “Në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”, ishte reagimi i parë që më erdhi nga shpirti. Pas shumë vrasjeve të ndodhura në Shqipëri këtë vit, ajo që të shton frikën më shumë, është mosgjetja e një forme për t’i parandaluar ato. Të paktën, për ato që mbajnë brenda pritshmërinë më të madhe se kanë për të ndodhur, ato për shkak të gjakmarrjes.

Ajo që më çuditi më shumë, është padyshim skepticizmi i atyre që nuk njohin arsyetimin objektiv, i atyre që nga frika, apo nga pazari i historisë, “shitën” të drejtën shekullore për të mos besuar në atë që ndjenin, apo skepticizmi i atyre që drejtojnë institucione laike për pajtimin e gjaqeve.

Diçka duhet të jetë e qartë, pasi të bëjmë ca krahasime: Që këto institucione aktualisht, janë për t’u mëshiruar në raport me reagimin, “imponimin”, për të mos thënë për historitë e pafundme të përfshirjes së tyre në çështje pazaresh materiale me gjakun. Të parët që duhet të jenë mbështetja maksimale e Kishës Katolike si institucione, moralisht, parimisht, por sigurisht edhe institucionalisht për aq sa e lejon ligji, janë pikërisht institucionet simotra të qëllimeve që kanë.

Gjakmarrjet janë të përqendruara në atë pjesë të Shqipërisë, ku që pas shkishërimit që i bënë pushtuesit asaj, historikisht shteti shqiptar në raport me pjesën tjetër të Shqipërisë, është treguar indiferent edhe ndaj copës së bukës, jo më fenomeneve që u ngulitën në kulturën e “larjes së borxheve”.

Tashmë historinë e Kishës Katolike dhe skepticizmin e ndikimit të saj tek besimtarët, skeptikët të shkojnë e ta kërkojnë në kohët edhe më skeptike ndaj frymëmarrjes së lirë. Atëherë kur në emër të fjalës së Zotit, dhe jo diktatorëve, lumenjtë e Veriut u zëvendësuan me gjak shqiptarësh autoktonë. Atëherë kur pranonin t’ju thyenin shpinën dhe jo Kryqin.

Ata që deri më sot, tregojnë skepticizëm të hapur hipokrit ndaj iniciativës së Kishës, të shkojnë e të rrëfejnë mëkatet e tyre për detyrën që i vënë vetes, që të mos japin shpresë për paqe, falje, bashkëpunim, qoftë edhe për një reflektim. Por vetëm për mllef historik apo klientelizëm!

Ruajna Zot! Kushedi çfarë “djalli” u ka hyrë në shpirt, që s’i lejon ta hapin zemrën për të menduar pozitivisht, por edhe s’kanë faj sepse “largqoftja” u pret rrugën e mendjes me maskë-errësirë të pesëqind viteve pushtimi, pesëdhjetë viteve burg dhe njëzet viteve liri zagarësh!

Eksperienca e vjedhjeve, ngjarjeve jo të këndshme, apo edhe keqkuptimeve të vogla mes njerëzve, (të paktën në veri në fshatra), tregon se për të gjetur faljen, përgjegjësit, për t’u betuar për vërtetësinë apo përgënjeshtrimin e diçkaje, njerëzit vënë në be’ njëri-tjetrin në Kishë. Atje ku shteti nuk luan gishtin për të eliminuar hajnitë, apo për të parandaluar krimin në familje, është dora e Kishës kur njerëzit kërkojnë zgjidhje. Nuk duam të gjykojmë, nëse janë zgjidhur apo jo të gjitha apo a është kjo forma më e mirë.

Diçka është të sigurt: Shko te ministri ta takosh, sa kohë të duhet (ndoshta kurrë). Shko tek zyra e deputetit në zonën tënde, nëse s’ke fat të kesh ndonjë ndërhyrje për ta takuar. Për të mos përmendur se nga luksi i pushtetit, harrojnë edhe derën e zyrës së pritjes së popullit që ua kanë caktuar. Jo pas vetëm katër viteve pas fushatave, por pas njëzet e sa viteve, shiko sa është realizuar qëllimi i demokracisë. Shko çdo të diel në Kishë, e shih nëse mungon në një të vetme, esenca bazë e qëllimit apo të deleguarit të Tempullit, që kur është krijuar Krishterimi.

Apo u harrua viti 1997, kur kishim frikë të dilnim jashtë, dhe falë Zotit, misionarët e paqes na sillnin ushqim fizik dhe shpirtëror nëpër shtëpi. Atëherë kur të gjithë fshiheshin me plot të drejtë, apo merrnin fatkeqësisht armët, rinia e Veriut, e Zadrimës së At Gjergj Fishtës, merrte kitarat tek Kisha, krijonte vargje për paqen dhe shkonim e hynim atje ku nuk guxonin më të hynin as të rriturit: M’u sipër tuneleve e bunkerëve të reparteve ushtarake e këndonin këngë për paqen. Edhe pse paqja vononte dy orë me ardh nga “perënditë” nga Tirana, u desh të vriteshim në emër të “djajve”!

Si vend që pretendojmë të na pranojë Europa, në mos për qëllimet tona, të paktën për të vetat, kisha përshtypjen, që në mes të gjithë gjakut të derdhur këtë vit përballë drejtësisë shqiptare të vënë mbi bankën e të akuzuarit, do dilte ndonjë drejtues i lartë shtetëror, ta përshëndeste publikisht, në mënyrë sa më të thjeshtë dhe qytetaro-morale iniciativën e Kishës Katolike. Nejse, të paktën shpresojmë të mos kenë varur hundët ministrat apo kuvenduesit, sidomos drejtuesit e shumtë katolikë në pushtet dhe administratë.

Mendoj se kushdo që ka frikë nga e jashtmja, cilado qoftë ajo, qoftë edhe mentaliteti që i është ngulitur, për hir të së mirës së përbashkët, nëse s’mund të bashkëpunojmë, të paktën të mos pengojmë në asnjë lloj forme qëllimet sublime të iniciativave, pavarësisht se kush i fillon, apo pavarësisht se çfarë pengesash ka për t’i arritur. Të mos harrojmë se: Shpresa vdes e fundit!