Mos i fal o Zot, se e dinë se ç’bëjnë!

0
47


Bluja partiake llangos simbolet kombëtare

Nga Arben Rrozhani

Dikur këndohej “Internacionale do të jetë bota e re”. Dështoi kënga e PPSH-së, që vuri edhe yllin komunist sipër flamurit kombëtar. Tani është radha e Partisë Demokratike t’i përçudnojë sërish. Duke i llangosur në blu, ashtu siç deklaron kryetari Berisha se Shqipëria do të jetë e gjitha blu, në kuptimin e votës. Po deri sa t’ia arrijë atij projekti hoxhist, do të llangosë në ngjyrën e partisë simbolet kombëtare, do të ndryshojë shqiponjën dhe ngjyrën e saj, edhe pse me kushtetutë bën shkelje të rëndë.

Nga kryeministria, Kuvendi, ministri dhe institucione shtetërore të linjës, të gjitha e ndryshojnë si të duan stemën zyrtare të Republikës së Shqipërisë edhe pse shkelin kushtetutën. Në shumë prej tyre nuk është më shkaba e zezë dykrenore në sfondin e kuq dhe përkrenaren e verdhë të Skënderbeut, sipër saj. Ministria e Brendshme dhe Kuvendi, një vit më parë i ndërruan këto me një shkabë të bardhë dykrenore në një sfond të kaltër. Më keq akoma, në kryeministri është që kryeministria ka bërë një tjetër stemë. Në të mungon përkrenarja e Skënderbeut ndërsa shqiponja dykrenore është lyer në ngjyrë të verdhë brenda një rrethi të përbërë nga 12 yje, ku nuk merret vesh eleminiti kombëtar i shqiptarëve.

Nga kryeministri I pari dhe të gjithë zyrtarët e tjerë. Nëntë muaj më parë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në kuadrin e marrisë shtetërore, ndryshoi stemën e republikës, duke e bërë nga të kuqe, në blu. Në faqen zyrtare të Kuvendit ishin hequr simbolet Kombëtare, dhe në cepi e djathtë dilte pak një pjesë e flamurit kombëtar, i zhytur në blu-në e flamurit të PD-së.

Ligji

“Fali zot se s’dinë çfarë bëjnë”-thuhet në këto raste. Por për të diturit, masakrimet e simboleve kombëtare janë pikësëpari shkelje të kushtetutës. Ndryshimet në stemën e Republikës, janë bërë duke shkelur tre ligjeve që sanksionojnë qartësisht se cilat janë elementët dhe forma që ka stema. Neni 14, pika 3, e Kushtetutës thotë se: “Stema e Republikës së Shqipërisë paraqet një shqyt me fushë të kuqe me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes.

Në krye të shqytit, me ngjyrë të artë, është vendosur përkrenarja e Skënderbeut”. Ndërsa ligji Nr. 8926, datë 22.7.2002 “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, sanksionon në neni 7, pika 1 se “Stema e Republikës së Shqipërisë është simbol shtetëror. Ajo paraqet një shqyt, me ngjyrë të kuqe gjaku, me një shqiponjë në qendër, të njëjtë me shqiponjën e flamurit kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Ne krye te shqytit, me ngjyrë të artë, është vendosur përkrenarja e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, në profil djathtas”. Lidhur me përdorimin e stemës, ligji tjetër, me Nr. 474, datë 10.7.2003 “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës si dhe raportin e përmasave të saj”, përcakton në nenin 1 të saj se “Stema e Republikës, kudo që ajo përdoret, në emërtimet e institucioneve shtetërore, në aktet zyrtare që ato lëshojnë, në kartat e identitetit të shtetasve apo në çdo dokument tjetër paraqitet me pamje standarde, ne përmasat dhe të gjitha elementet përbërëse të saj, në përputhje me kërkesat e pikës 1 të nenit 7 të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002”.

Lidhur me përdorimin e stemës së Republikës ka një përcaktim tjetër ligjor edhe në vendim Nr.229, datë 23.4.2004, “Për miratimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë”. “Përdorimi i stemës së Republikës është e drejtë ekskluzive e organeve shtetërore. Stema e Republikës vendoset në hyrje të institucioneve shtetërore, së bashku me emërtesën e tyre, në të gjitha aktet zyrtare, në vulat e institucioneve shtetërore dhe si shenjë dalluese e objekteve të shtetit”, – thuhet tekstualisht në pikat 3.1 dhe 3.2 të vendimit. Por qeveria blu jo vetëm nuk pyet për kushtetutën e vitit 1998, por në botimet e reja pas ardhjes së PD-së në pushtet në shtator 2005, kapaku i Kushtetutës nga i kuq është bërë blu.

Targa, pa identitet kombëtar në Europë

Jemi shumë larg Europës, por targat e makinave i kemi bërë europiane. Modeli i ri i targave, që sfilojnë rrugëve, e ka shndërruar pjesën e majtë nga të kuqe në blu, ku në sfond është flamuri i Bashkimit Europian. Mbi stemë është shqiponja dhe simboli AL me ngjyrë të bardhë. Në të djathtë të targës, sfondi me ngjyrën e flamurit të BE-së, blu. Të 450 mijë automjetet që zyrtarisht janë rregjistruar në Shqipëri, nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë, sepse janë bërë “blu”.

Dhe autoritetet thonë se kjo është bërë për t’i paraprirë hyrjes së vendit në BE, që sipas të gjitha gjasave do të ndodhë pas shumë vitesh. Ndryshe nga shumë vende, qoftë edhe fqinje, që do të hyjnë së shpejti në BE dhe targat e makinave i kanë ruajtur kombëtare. Ja psh. targa e Kroacisë, së shpejti anëtarë e BE-së. Këtu, në foto, është një targë e re e qytetit Shibenik në Kroaci. Në mes të targës është simboli kombëtar i Kroacisë, siç është në flamur dhe po me atë të kuqe të ndezur.

Dikush thotë se bërja e targës sa më europiane nuk do t’u vrasë syrin doganierëve europianë, për t’i lënë shqiptarët që të ecin lirisht në vendet e zonës Shengen, por kroatët në këtë rast, nuk kanë frikë të ndjehen shtetas të Kroacisë, siç thotë edhe kënga: “O sa mir me qen shqiptar!”