Nga Petrit Kuçana
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe z.Zef Mazi, me shumë sukses ka arritur institucionalizojë ndarjen e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, duke i larë duart me komunitetin. Kaq e thekshme është bërë kjo ndarje saqë bëhen tepër të besueshme thëniet se për të takuar ambasadorin, apo për kërkuar zyrtarisht ndonjë takim me të, duhet kalosh e sitën e njërit (që rëndom quhet edhe gjeli i Mazit). Është ai person që del përpara ambasadorit nga makina diplomatike dhe se njerëzit i dallojnë vetëm nga syzet. (Ambasadori mban gjithmonë syze). Duket se syzet e ambasadorit janë nxirë kaq shumë, saqë nuk e lënë që të shikojë realitetin, por vetëm imazhin e përthyer nga “këshillimi” i gjelit të tij…
Disa kohë më parë “The Albanian” denoncoi publikisht një email të ardhur nga Lutfi Vata, ku në emër të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar Shkëlqesisë së tij z.Zef Mazi, fton disa shoqata, natyrisht ato që i përshtaten shijeve të tij, për të përuruar mjediset e reja të ambasadës shqiptare në Londër. Ne e denoncuam këtë akt si të turpshëm dhe qesharak , që cenon rëndë dinjitetin e shtetit shqiptar, jo vetëm nga gabimet ortografike të bëra por edhe nga mënyra sesi ishte trajtuar kjo ftesë. Menjëherë pas denoncimit vjen një email i dytë ku thuhet se thjesht janë ftuar për të parë se sa njerëz zënë ambientet e reja të ambasadës…
Çdo lexues i thjeshtë do të kuptonte se sa i turpshëm është një veprim i tillë dhe aq më tepër një “argument” i Mr.Lutfit, i cili në emër të ambasadorit, fton disa të përzgjedhur vetëm për të parë se sa vend zënë. (Çuditërisht pas takimit nuk ofroi ndonjë recetë për ata që nuk ishin aq elegantë dhe që mund të zinin vend më shumë sesa parashikohej…) Ky denoncim publik, për këtë veprim komik duket se nuk fshinë “syzet” e ambasadorit, por ai vazhdoi me të njëjtin qëndrim duke u bërë kështu shpinkruajtësi i një njeriu, që i ka hipur në kokë, se është prijësi i madh, i papërsëritshëm i shqiptarëve të Britanisë. Ishte e pabesueshme që përfaqësuesi i shtetit shqiptar Shkëlqesia e tij, harroi të ftojë për festën e vetme që organizon kjo ambasadë, Festën e Flamurit, shumë shoqata, media, organizata apo individë apo aktivistë, që realisht kanë punuar dhe punojnë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Britaninë e Madhe.
Dëshirojmë të pyesim publikisht Shkëlqesinë e Tij se mbi ç’bazë juridike, ligjore apo morale është bërë një ndarje e tillë selektive për një festë të tillë siç është festa kombëtare?
Me çfarë të drejte Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar i ndan shqiptarët e këtushëm në të pëlqyer dhe jo?
Me çfarë të drejte Shkëlqesia juaj arrini të diskriminoni shoqatat e këtushme shqiptare, aktivistët që për vite e vite me radhë kanë kontribuar duke ndihmuar çështjen kombëtare që atëherë, kur akoma Shqipëria nuk kishte përfaqësi diplomatike?
Nëse nuk ke shumë dijeni për ta zoti Ambasador, pyesni stafin tuaj, shfletoni arkivin e ambasadës dhe do t’i gjeni të gjithë, emër pas emri, kontribut pas kontributi… A e kuptoni Shkëlqesia juaj se sa shumë i mundon qëndrimi juaj duke i injoruar totalisht, duke mos i kujtuar as me një ftesë të thjeshtë të paktën një herë në vit… një herë në vit zoti Ambasador?…
Si është e mundur Shkëlqesia Juaj, që jo vetëm që nuk i ftuat këto shoqata, këta aktivistë, por edhe i injoruar kur ata Ju ftuan…
Mbi çfarë të drejtë e bëni këtë?
Si mund të mjaftoheni vetëm me një grup njerëzit të klanizuar tashmë, dhe nuk doni t’ia dini për më tepër? Çfarë bëhet me shqiptarët në Irlandën e Veriut z. Ambasador? A keni ndonjë informacion për shqiptarët e Skocisë? A ishte ndonjë i ftuar në festën kombëtare? Po nga Manchesteri? Po nga Bedfordi? Po nga Lutoni? Po nga…
Lista është e gjatë zoti Ambasador… Pyesni ndonjëherë edhe stafin tuaj…
Si është e mundur Shkëlqesia juaj që i lejuat vetes luksin, që të shkonit vetëm në një aktivitet (atë të organizuar nga adashi juaj) me rastin e festës së Flamurit? Si është e mundur që munguat në aktivitetet e tjera… e madje nuk deleguat asnjë pjesëtar të stafit që të shkonte në aktivitetet e tjera… Ku ishte prezenca e shtetit shqiptar?…
A nuk e kuptoni që po i bëni shërbimin më të keq komunitetit shqiptar?
Pse nuk morët shembullin e kolegut tuaj nga Kosova, ambasadorit Hamiti, i cili nuk ka aktivitet që nuk merr pjesë, duke përfaqësuar denjësisht shtetin më të ri të botës dhe gëzon një respekt të jashtëzakonshëm ndër shqiptarët e këtushëm…
Imagjinoni se ambasada e Kosovës nuk kishte as makinë…
Pse nuk morët shembullin e paraardhësit tuaj, Shkëlqesi, shembullin e Ambasadorit Robo, i cili përfaqësoi në mënyrën më të shkëlqyer dinjitetin e shtetit shqiptar në Britani.
Shkëlqesia juaj!
Nuk jeni ambasador i Lutfiut apo i Hasanit…
Jeni ambasador i shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe detyra juaj është të mbroni interesat e të gjithë shqiptarëve, jo të një individi apo grushti njerëz.
Mbi çfarë të drejte arrini të bëni diferencim në media z.Ambasador?
Ju e kuptoni fare mirë Shkëlqesia Juaj ,se në gazetën tonë nuk mund të gjenit lustraxhinj, që qëndisin shkrime mbi historikun e lavdishëm të ndonjë kryetari apo zyrtari qoftë. Ju e kuptoni fare mirë se nuk jemi bërë dhe as nuk mund të bëhemi, as stilistë dhe as modelues, as të botojmë CV-në tuaj në faqet e çmuara të gazetës sonë… por raportues të realitetit duke mbrojtur, jo vetëm interesat e atyre që ju i injoroni z.Ambasador … dhe ndjehemi tepër të obliguar ta bëjmë këtë Shkëlqesia juaj, kur në raportin e IOM (International Organisation for Migration) “The Albanian” renditet si gazeta më e lexuar shqiptare në Britani.
Nëse e vërteta është e hidhur kjo nuk ua jep të drejtën të diferenconi as mediat dhe as shoqatat dhe organizatat e këtushme shqiptare Shkëlqesia Juaj. Nuk keni asnjë të drejtë të ndiqni politika klienteliste, apo selektive. A nuk është e vërtetë që ndoqët këtë politikë edhe në organizimin e Forumit të Biznesit Britanik Shkëlqesi?
Me sa shoqata u takua ministri i Arsimit i Republikës së Shqipërisë z.Myqerem Tafaj z.Ambasador?
Vetëm me adashin tënd?
Nuk besojmë se mund të dëshmojmë ndonjë krenari Shkëlqesia Juaj, kur më pak se 1% e fëmijëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar studiojnë gjuhën shqipe. Nuk besojmë se mund të dëshmojmë ndonjë krenari, kur abetare dhe tekste të tjera shkollore dhurohen nga Ministria e Arsimit dhe shiten sa frengu pulën dhe se këto janë vetëm maja e ajsbergut … Shkëlqesia juaj…
Sa takime janë organizuar për këtë problem Shkëlqesi dhe a mundet të gjendet ndonjë rrugëzgjidhje? A besoni se mund të ishte i rëndësishëm ndonjë mesazh nga ana juaj Z.Ambasador i Republikës së Shqipërisë për ndërgjegjësimin e prindërve të këtushëm që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe? A do të ishte mirë që këtë mesazh t’ua përcillnit drejtpërdrejt në ato aktivitete ku ju munguat…
Nëse nuk mund ta bëni këtë të paktën mos i përçani shqiptarët Z.Ambasador.
Nëse mërgimtarët do ua falin mungesën në këto aktivitete, Shkëlqesi, kurrsesi nuk mund t’ua falin qëndrimin tuaj klientelist, duke legjitimuar ndarjen mes shqiptarëve të këtushëm, ndarjen mes mediave, ndarjen mes shoqatave…
Çdo mërgimtar e di që Juve Shkëlqesi, paguheni nga taksapaguesit shqiptarë, nga taksat e prindërve dhe familjarëve të tyre, ku vetëm për shtëpinë tuaj këta taksapagues paguajnë rreth £4000 në muaj, (apo jo Shkëlqesi ) dhe kurrsesi nuk mund të përceptoheni si pronari i Ambasadës… por si shërbëtor i saj. Ju duhet ta dini Shkëlqesi se këto media dhe shoqata, kanë të drejtën të përdorin çdo metodë demokratike, për të ndaluar këtë përçarje, për të ndalur diskriminim që ju po u bëni.
Mos harroni Shkëlqesi, se pak nga pak misionit tuaj i vjen fundi. Të tjerë ambasadorë do të vijnë, por shqiptarët do të mbesin të përçarë dhe Juve do të mbahesh mend si legjitimuesi i kësaj përçarje Shkëlqesi. Andaj mos e përçani komunitetin Shkëlqesi. Të paktën këtë mund ta bëni…
The Albanian
http://www.facebook.com/l/45cbf;www.thealbanian.co.uk







