Monumentet e Kultit Katolik Gjatë Mesjetës në Kosovë

0
36

nga Jahja Drançolli *

Shumë monumente të kultit të krishterë, gjurmët e të cilave heshtin dhe ruhen edhe sot në Kosovë, bashkë me “mitin e Betejës së Kosovës”, kanë shërbyer që nga shekujt e shkuar dhe shërbejnë edhe sot e gjithë ditën si dëshmi, jo vetëm për të arsyetuar “djepin e serbizmit”, por janë edhe burim dhe “arsyetim” qënsor i agresionit serb, jo vetëm në Kosovë. Për t’u arsyetuar kjo, u shpikën edhe tezat extrashkencore që ndërlidhen me detyrën dhe të drejtën e identitetit kombëtar serb.

Që këtej, “treva që ruan identitetin kombëtar është një e drejtë e pakontestueshme, e cila nuk mund të shkëputet as nga populli, as nga shteti”. Në këtë aspekt, nëse organizmat botërorë do ta pranonin Kosovën si shtet të pavarur, bota do të kërkonte nga Serbia që të privohej nga suvereniteti i trashëgimisë së saj kulturore, si dhe nga territori që ruan indentitetin e saj kombëtar. Mbi këtë bazë, të udhëhequr nga politika e ditës, u ndërtua koncepti proserb i monumenteve të kultit të krishterë, numri i të cilave është shumë impozant, për çka edhe treva e Kosovës, sipas tyre, ruan vlera të jashtëzakonshme.

Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është se, sipas regjistrimit të monumenteve të gjithëmbarshme të Kosovës, gjatë viteve 1956, 1968, 1986 dhe 1993, del se, nga fondi i gjithëmbarshëm i monumenteve të kultit, afro 2/3 evidencohen në kuadër të monumenteve të kultit ortodoks serb, përkatësisht janë regjistruar 22 manastire dhe 110 kisha të ritit ortodoks serb, 25 xhami, 29 monumente të kultit të ritit bizantin, të cilat u përvetësuan nga serbët apo mbi rrënojat e tyre u ngritën kisha e manastire serbe, që nga shekulli XIII e deri në ditët e sotme. Ndërkaq, sipas statistikave të sipërme, u regjistruan vetëm tri kisha të krishtera katolike, të cilat gjenden sot në rrënoja.

Meqë, historiografia jonë, e udhëhequr nga politika e ditës, deri vonë e heshti këtë çështje, njoftimet spekulluese statistikore serbe, që u përmendën më sipër, gjetën përkrahës edhe në botë. Duke u gjendur përballë spekullimeve të këtilla, kohëve të fundit, një pjesë e studiuesve tanë të shquar, si p.sh.: Gaspër Gjini, Skënder Rizaj, Zef Mirdita, Shan Zefi, Fejaz Drançolli e ndonjë tjetër, me rezultatet objektive të tyre, nisën t’i shembin pikëpamjet instrumentalizuese të historiografisë serbe, rreth çështjes së monumenteve të kultit të krishterë. Nëse shikohen me kujdes burimet historike të kohës, si dhe gjetjet arkeologjike, është e qartë se këtu kemi të bëjmë me përvetësimin serb të monumenteve të kultit iliro-shqiptar të periudhës romake e bizantine, një dukuri që është bërë praktikë që nga koha e sundimit nemanjid.

Me fjalë të tjera, monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë, të cilat sot konsiderohen kisha apo manastire ortodokse serbe, si Kisha e Manastirit të Deçanit, Graçanica, Shenjtorët Mihal e Gabriel në rrethe të Prizrenit, Kisha e Zojës Prenë në Prizren, kompleksi i Patrikanës së Pejës, Kisha e Shën Shtjefnit në rrethet e Mitrovicës, janë të moçme, si për shqiptarët autoktonë, ashtu edhe për serbët pushtues në Kosovë, meqë deri më sot, nga studiues seriozë, askush nuk e mohon faktin se kishat dhe manastiret në fjalë janë ndërtuar, rindërtuar apo meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine. Këtej, Manastiri i Graçanicës, sipas njoftimeve burimore historike dhe gjetjeve arkeologjike gjatë viteve 1957, 1963 dhe 1964, është një bazilikë e ndërtuar midis shek. VI–XI.

Kjo bazilikë ishte qendër e ipeshkvisë së Ulpianës dardane. Pas rrënimit të saj, mbi themelet e anijatës së mesme u rindërtua një kishë kushtuar Zojës së Bekuar të Graçanicës. Ka të ngjarë se po kjo kishë të përmendet në letrën e papës Benedikti XI, në vitin 1303, si kishë famullitare katolike. Mbi këtë kishë, mbreti nemanjid Milutini, rindërtoi Manastirin e Graçanicës rreth vitit 1316. Gjithashtu, edhe Manastiri i Shënjtorëve Mihal e Gabriel është ndërtuar mbi një kishë të moçme dardane të periudhës së antikitetit të vonë. Rindërtimi është bërë rreth vitit 1348. Kontribut të madh në ndërtimin e tij kanë dhënë tregtarët katolikë raguzianë, që jetonin e vepronin në Prizren.

Arkeologët, në rrënojat e këtij manastiri, kanë zbuluar fragmente interesante të artit bizantin, romanik dhe gotik. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është mozaiku, që nuk ka ndonjë paralele me ndonjë mozaik të punuar në Serbi, veçse më shumë i ngjan mozaikut në pagëzoren e katedrales Santa Maria në Firence. Në kishën e këtij manastiri ruhet dhe varri i kryezotëruesit shqiptar, Strazimir Balsha, nga viti 1372. Po ashtu, është e njohur se mbreti Milutin, në vitin 1307, përvetësoi edhe kishën katedrale Zoja Prenë në Prizren.

Kisha në fjalë ka disa faza të ndërtimit, të cilat i vërejti arkeologia Edi Shukriu. Ndërtimi i saj në aspektin kronologjik, karakterizohet me fazën e ndërtimit antik dhe mesjetar. Në fillim të shek. XIII u ndërtua Kisha e apostujve në Pejë. Në të vërtetë, kjo kishë, që sot gjendet në kuadër të kompleksit të kishave të Patrikanës së Pejës, sikur këto dy të parat, është rikonstruktim i një ndërtimi të moçëm, të cilit iu dha forma e ndonjë kishe të kohës. Në fasadat e kësaj kishe, me një anijatë, vërehet edhe mënyra romanike e punimit, stilit në të cilin u realizuan objektet sakrale në bregdetin dalmatin dhe shqiptar.

Mënyra e punimit me gurë të imët dhe të gdhendur, elementet perëndimore të stilit romanik, romaniko–gotik, dalin në të gjitha objektet e karakterit sakral, të ndërtuara gjatë gjithë mesjetës së zhvilluar në Kosovë. Ndikimet e ndërtimit perëndimor, posaçrisht, ndikimet dalmato – shqiptare, që vinin nga Raguza, Kotorri, Korçulla, Tivari, Ulqini, Shkodra, etj., vërehen më së miri në Kishën e Manastirit të Deçanit, e rindërtuar apo ndërtuar gjatë sundimit të mbretërve nemanjid Stefan Deçani dhe Dushani (1327–1335).

Kisha e Manastirit të Deçanit është vepra më e madhe që ruan elemente nga ndërtimtaria shqiptaro–dalmate e ardhur nga bregdeti. Në arkitraun e portalit jugor të narteksit gjendet edhe mbishkrimi i gdhendur i arkitektit shqiptar atë Vita Kuçi – Cuci. Për jetën dhe veprën e tij, kohëve të fundit, në regjistrat e Arkivit Historik të Kotorrit, kemi gjetur njoftime interesante. Sipas një të dhëne që del nga zyra noteriale e Kotorrit, françeskani atë Vita Kuçi ishte rektor apo kryemurg i kishës (…)

Rrënimet dhe përvetësimi e kishave të moçme nga pushtuesit e mëvonshëm serbë, si dhe nëpërkëmbjet e priftërinjve shqiptarë, ndiqen edhe përmes dokumenteve të shkruara të kohës. Vargu i tyre është i gjatë. Janë mbresëlënëse njoftimet e shkrimtarit anonim nga viti 1308; letra e bujarëve shqiptarë dërguar papës, Gjoni XXII, në vitin 1319; relacioni i dominikanit Guillelmus Adae, arqipeshkëv i Tivarit rreth vitit 1330; Kodit të Dushanit nga vitet 1349, 1354; letërpendimi i perandorit Dushan, dërguar papës Inoçenti VI në vitin 1354, etj. (…)

Është e njohur se në qytete, tregje dhe afërsi të minierave të Kosovës, së bashku me shqiptarët vendas dhe pushtuesit serbë, bashkëjetonin edhe mijëra kolonistë të krishterë katolikë nga Raguza, Kotorri dhe qytete të tjera bregdetase të Adriatikut. Njoftimet zyrtare të kançelarive dhe noterive, që vijnë nga këto qendra, sidomos kur bëhet fjalë për veprimtarinë ekonomike dhe organizimin e jetës: (…)

Dromca interesante për monumentet e kultit të krishterë katolik gjatë mesjetës në Kosovë, ndeshim edhe në njoftime papnore, të cilat hedhin dritë, veç tjerash, edhe për organizimin kishtar në Ballkan. Në këtë aspekt, sipas letrës së papës Benedikti XI, nga viti 1303, përmendet Kisha famullitare në Rudnik, Rogozinë, Graçanicë dhe Trepçë. Gjithashtu, edhe në letrën e papës Klementi VI, nga viti 1346, përmenden një sërë kishash famullitare katolike në trevat e Kosovës së sotme.

Vargu i tyre nis me kishën famullitare në Prizren, për të vazhduar me kishën famullitare në Novobërdë, Janjevë, Kopriç dhe Ostrac. Shumë kisha katolike mesjetare në Kosovë zihen ngojë edhe në relacionet e burrave të shquar të kishës papnore gjatë shekujve XVI–XVIII. Qenia e disa kishave që u përmenden më sipër provohet edhe nga dokumentacioni i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, në Prishtinë.

Sipas dokumentacionit në fjalë, një pjesë e tyre është përvetësuar apo rrënuar nga pushtuesit osman e serb, pjesa tjetër është në rrënoja. Po përfundojmë me konstatimin se në trevën e Kosovës, gjatë mesjetës, kanë bashkëjetuar shumë monumente të kultit të krishterë katolik, bizantin dhe ortodoks – serb. Një numër i objekteve sakrale mesjetare, të krishtera katolike dhe bizantine, sot na paraqiten vetëm si gjurma të kulturës materiale dhe si dokumentacion arkivor e muzeal. Në anën tjetër, kisha ortodokse–serbe përvetësoi kisha të moçme iliro–shqiptare, ndërtoi apo rindërtoi mbi to, që nga shekulli XIII, duke u ngjitur në shekujt e sundimit osman, mbretërisë Jugosllave dhe deri në ditët e sotme.

* Gazeta Kritika *
———————————
* Prof Jahja Drançolli është Drejtor i Institutit të Arkeologjisë, Prishtinë.
http://www.forumikatolik.net/showthread.php?t=1071