Nga Taulant Balla*, 12 Gusht 2013
Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, kushdo që ka udhëtuar me kompaninë ajrore Belleair është ndjerë i vjedhur nga çmimi i lartë, i rraskapitur nga pritja e vonesave pafund dhe i fyer nga arroganca. Fluturime që anulohen pa asnjë arsye apo udhëtarë që i zbresin nga avioni edhe pasi kane kryer check-in normalisht dhe kane hipur në bordin e avionit.
Udhëtarët vidhen edhe me abuzimin në peshën e bagazheve. Nëse të gjitha kompanitë e vlerësojnë peshën e bagazheve të lejuara për një familje së bashku, për Belleair duhet të ndahesh edhe nga bashkëshortja apo fëmija yt dhe do paguash 10 euro për çdo kilogram.
Belleair e shet veten si një kompani low-cost, por në fakt sot ajo ka çmime më të larta me Italinë sesa Alitalia.
Ka ardhur koha t’i kontrollohet edhe flota e avionëve. Pak ditë më parë udhëtova drejt Italisë për të parë disa të aferm në Milano me një avion MD 80, të cilin Belleair e kish marrë me qira nga një kompani rumune. Ky avion ishte i vjetër sa më nuk ka: prodhim i vitit 1983. Kompania rumune e kish blerë nga Alitalia para 10 vjetësh. Shërbimi në bord më tregoi se ata punonin kryesisht në vende afrikane dhe se ishin me fat që po punonin këtë muaj në Europë.
Shikoni ndërkohë se çfarë po ndodh këto dite me Belleair në Kosovë.
Në legjislaturën e re parlamentare do të miratojmë një ligj të ri, të përafruar tërësisht me direktivën europiane për të drejtat e udhëtarëve në linjat ajrore, e cila vendos rregulla të qarta për mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet e kompanive ajrore.
*Deputet i Partisë Socialiste