TIRANE – Klasa politike shqiptare vazhdon të injorojë kërkesat e popullit dhe shoqërisë civile dhe mendon vetëm për interesa personale, familjare e klanore. Është ky konstatimi i hidhur i ish-presidentit Alfred Moisiu, i cili në një intervistë për TV A1Report dhe Shqiptarja.com ritheksoi nevojën e zgjedhjes së Presidentit të vendit nga populli pasi, sipas tij, mungon kultura politike e nevojshme që këtë zgjedhje ta bëjnë forcat politike.
Ish-kreu i shtetit theksoi se shpesh zëri i tij dhe ai i ish-presidentit Mejdani bien në vesh të shurdhët. Politikanët tanë thonë: “Ju flisni, ne vazhdojmë punën tonë”, tha Moisiu.
Sipas Moisiut, pavarësisht nga zgjedhja e presidentit respektoi teknikisht Kushtetutën e vendit, “përqendrimi i pushteteve në dorë të një force politike nuk është gjë e mirë, jo vetëm në kushtet tona, por në çdo vend”.
Në vijim intervista e plotë:
Zoti President, si i komentoni zgjedhjet e fundit për president që nga fillimi i përzgjedhjes së kandidaturave deri tek përzgjedhja e zotit Nishani?
Ne kemi një problem, e kemi ngritur edhe në forumin tonë civil. Në 2010 e kam ngritur me kohë zgjedhjen e Presidentit. Ne kemi shtruar tezën që duhet të ndërhyhet në Kushtetutë që zgjedhjet të bëhen nga populli. Dhe kur kam folur unë dhe mejdani kemi thënë se kjo mund të evitojë pazaret politike, kështu është situata. Deri tani në kemi që presidenti zgjidhet nga Parlamenti, këtë praktike e përdorin edhe vendet evropiane, por sigurisht që ato kanë një kulturë politike me traditë. Kemi ngjarjen e fundit në Greqi. E djathta propozoi nga e Majta, pse? Sepse përqendrimi i pushteteve në dorë të një force politike nuk është gjë e mirë, jo vetëm në kushtet tona por në çdo vend. Dua të them që Presidenti u zgjodh sipas Kushtetutës, e parashikon kushtetuta jonë, është plotësisht legjitim. Unë Presidentin Nishanin e njoh prej kohe edhe kur ka qenë zëvendës ministri. Është një ish ushtarak e njoh për një njëri të rregullt dhe e kam uruar. Unë shpresoj që ai të jetë një President me integritet për të kapërcyer situatat e vështira dhe që në fund të anëtarësohemi në Bashkimin Europian. Unë e kam deklaruar që puna e Presidentit është një nga më të vështirat sepse është presioni i pushtetit të politikës dhe kjo situatë për fat është aktuale dhe nuk na nderon, por është dhe s’ke ç’t’i bësh deri sa gjerat të lëvizin siç duhet. Unë mendoj se Nishani do ta kryej detyrën, dhe ne të kemi një president legjitim për të qenë mbi palët.
Zoti Nishani, ashtu siç e thatë edhe ju vjen nga një formim ushtarak, ashtu sikurse edhe ju keni qenë një president me profesion ushtarak. A do të jetë po kaq i suksesshëm zoti Nishani sa keni qenë edhe ju, megjithëse keni qenë konsensual?
Është e vërtetë që unë kam qenë me konsensus dhe unë nuk e thashë më kot që presidenti ka një pozicion të vështirë. Unë u përpoqa që gjatë mandatit tim të jem besnik i kushtetutës dhe interesave të popullit të vendit tim. Ndonjëherë presidenti pengohet ndonjë herë për të kryer detyrën e tyre. Ne ushtarakët jemi edukuar për të qenë korrekt me ligjet dhe rregullat, sepse Presidenti e kërkon këtë për të përballuar situatën e vështirë. Pra duhet ta kesh këtë subkoshiencë. Ne nuk jemi as të përpunueshëm për kompromiset, por jo se jemi kundër kompromiseve për të mirë të vendit. Nuk jemi për kompromise që kanë nën vete djallëzi dhe interesa të panjohura të partive, të personave.
Zoti President, nuk po largohem nga rajoni. Po marr shembullin e Kosovës për të thënë se ata kanë një lilgj për statusin e ish Presidentit, ndërsa me sa jam në dijeni jo? Jeni një ish president, kush është komenti juaj?
Jam shprehur edhe herë të tjera që fat të keq jemi shumë mbrapa. Kosova ka katër vjet shtet dhe ka statusin e ish Presidentit. Kur kam pasur një takim në Zagreb kam pasur mundësi të ftohem nga ish Presidenti. Dua të flas për kushtet që ka nga statusi. Ka pasur një vilë dy katshe me dhomë pritje, me dhomë mbledhje. Unë jam këtu ku jam, me sekretaren time. Kjo është një zgjedhje private që kam bërë. Kjo nuk është mirë. Për të mos folur për rrogat… pavarësisht është për të ardhur keq dhe unë shpresoj se kjo gjë duhet të zgjidhet. Politika jonë duhet ta zgjidh, sepse cenohet respekti ndaj kreut të shtetit. Ne po nuk respektuam veten dhe njëri tjetrin mos presim të na ndihmojnë të tjerët
A kemi ndonjë propozim konkret?
Projektligji është. Qeveria e ka që kur kam qenë unë President. E kam parë atë projektligj, dhe sigurisht që pas përplasjeve, që për mua ishin kontradikta, edhe kjo ka pasur baza subjektive sesa objektive.
Duke ditur që ka ardhur me 73 vota, a do të ketë një veprim të mëpasshëm politik edhe institucional? Kemi rastin ku znj. Ina Rama, kryeprokurores, i përfundon mandati dhe zgjedhjen e kreut të SHISH… si e shikoni?
Çdo President ka integritetin e tij dhe vizionin e tij kushtetues dhe ligjor, dhe unë e kam të vështirë ta paragjykoj dhe s’kam të drejtë ta paragjykoj. Unë nuk flas për pasardhësit, sepse e quaj jashtë kulturës time personale po edhe jashtë kulturës së një presidenti. Duhet të mësohemi me etikë, të respektojmë njëri tjetrin dhe është shumë e parakohshme. Unë vlerësoj dhe pres dhe kam bindjen se President Nishani do të tregojë integritetin e tij në detyrë.
Dua të flas për takimin e organizuar nga Ambasada Amerikane ditën e djeshme ku pjesë kanë qenë intelektualë, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe qytetarë. Keni dhënë një mesazh të fuqishëm. Keni kërkuar që protestat të realizohen me iniciativë të qytetarëve dhe jo të angazhohen nga një forcë politike? Një mesazh më të koncentruar për të sensibilizuar opinionin publik në lidhje me këtë nismë të SHBA-së?
Është e vërtete ajo që thatë ju, përveç një sms edhe një tjetër për politikën që nuk e dëgjon shoqërinë civile. Por edhe kur mendon se do ta dëgjojë thuhet” “Ju flisni, ne do bëjmë ç’të duam vetë”. Kjo është antikushtetuese dhe nuk për puthet me asnjë ligj evropian që do i bëhemi anëtar. Unë flas nga përvoja ime, kur kam qenë në krye të shtetit kam kthyer disa ligje me PS dhe PD. Kam kthyer 7 ligje për PD dhe 7 ligje për PS. Edhe për këtë Parlamenti thoshte që s’jemi dakord, pa dërguar asnjë motivacion dhe pa i parë argumentet. Ky është një veprim aspak demokratik. Në fund të fundit Presidenti nuk është kundërshtar i Parlamentit as i Kryeministrit, dhe armik jo e jo, por është ai njeri që ka një detyrë. “Unë jam në pushtet, unë kam partinë unë vendos”. Atëherë kur ndahen pushtetet, Kushtetuta e ka parashikuar pra. Neve të mësohemi jo thjesht me fjalë, të pranojmë rregulla, por t’i përvetësojmë ato dhe t’i zbatojmë. Duhet që klasa jonë politike të mishërojë aksiomat e njohura të politikës demokratike evropiane.
Kemi një shoqëri civile shumë të heshtur?
Kjo është e vërtetë por ka edhe arsyet. Në forumin tonë kemi pasur debate, që po flasim, po s’na dëgjon njëri. Jemi dy presidentë aty dhe njerëz të njohur në fushën kushtetuese. E thashë që në fillim që politikanët tanë thonë “Ju flisni, ne vazhdojmë punën tonë”. Unë dje kam cituar edhe një thënie të një studiozi anglez, i cili thotë se është ekzekutivi, legjislativi, gjyqësori, por duhet të jetë edhe shoqëria civile pjesë e politik-bërjes. Janë dy gjëra të këqija në klasën politike, në klasën politike do të hyjë me çdo kusht dhe ta mbajë me çdo kusht. Pushtetin ta jep vota e popullit. Ti duhet të numërosh atë që të ka dhënë populli, jo atë që do ti. Klasa politike shikon interesat personale, familjare, klanore, partiake… dhe çfarë mbetet për popullin.
Dua të citoj një shprehje që ju e keni thënë dje. “Unë si një ish-President i juaj, Alfred Moisiu, do të nxis më shumë zyrtarët e rinj të zgjedhur për të zgjuar idetë që do të paraqesin bashkëkombësit tanë”. Kush është mesazhi?
Unë sa të marr frymë nuk do të rresht për të punuar për vendin tim, se duke punuar për vendin tim punoj për nipin, mbesën e stërmbesën dhe punoj për gjithë shqiptarët. Dhe pikërisht duke përdorur përvojën time, njohjen time, dëshirën time, do të kontribuoj për Shqipërinë deri sa të marr frymë. Unë i përmbahem amanetit të të parëve tani në këtë 100 vjetor. Ata shkrinë pasurinë për të bërë Shqipërinë, por sot po shkrihet pasuria për të pasuruar politikanët.
Si po ju duken aktivitetet që po bëhen në 100 vjetorin e pavarësisë?
Unë nuk doja të ishte kështu, do të doja të ishte krejt ndryshe, por nuk varet nga unë.
(fc/im/shqiptarja.com)