Nga Mero Baze
Nipi i Enver Hoxhës ka disa ditë që është “ylli” i shtypit shqiptar pas arrestimit si pjesë e një grupi të strukturuar të trafikut të drogës. Por, më shumë sesa pjesmarrja në trafik, atë e kanë bërë interesant për publikun dy elementë anësorë: gruaja e tij e njohur si këngëtare për publikun dhe reagimi vulgar i familjes së tij, që e lidhte arrestimin me 70-vjetorin e çlirimit të vendit dhe pushtuesit gjerman.
Për këtë shkak, Ermalit iu kthye jeta papritur në një film, ku familja nuk beson që ai është trafikant, dhe shoqëria që nuk beson se ai është i varfër. Dhe kryeargumenti është gruaja e tij këngëtare, pozat e saj në vaska me qumësht, që si për ironi ishin bërë pak ditë para arrestimit të Ermalit, në Kinë.
Për të njëjtën arsye, djali i Sali Berishës është kthyer në qendër të vëmendjes. Partnerja e tij ka hapur një dyqan super luksoz në Bllok. Një linjë veshjesh për gra shumë të shtrenjta Wallfort, këpucë Zannoti apo çanta Michael Kors, dhe pozon rrugëve me makina super të shtrenjta.
Për këtë shkak dy burrat punëtorë, Ermali dhe Shkëlzeni, nuk janë aq shumë popullorë në botën e show-bizit, ndërsa dy gratë e tyre pompohen çdo ditë për shkak të parave të burrave, pa pasur asnjë vlerë personale apo shoqërore. Rezarta është një këngëtare pa asnjë gjurmë në kulturën tonë muzikore, kurse kjo e Shkëlzenit është bërë e njohur si gruaja e dytë e tij. Përtej kësaj, figura e saj i përket një formimi mediokër vanitoz, që mendon se Shqipëria vërtitet pas rreckave të shtrenjta të dyqanit të saj.
E përbashkëta e të dyjave është se janë ish- Misse dhe vëmendja ndaj tyre ka prodhuar një steriotip të rrezikshëm shoqëror, duke identifikuar të ardhmen e një vajze që konkurron për Miss, ose si nuse të fortësh, ose si nuse trafikantësh, ose si nuse të hajdutëve të pushtetit.
Qëllimi i tyre është kthyer të gjuajnë njerëz me lekë dhe disa prej tyre t’i shtyjnë deri në veprimtari kriminale, si Ermali dhe të tjerë, deri në plotësimin e çdo teke për t’u dukur që ka qenë djali i babait në pushtet, siç është rasti i kësaj të dytës.
Dhe bëhet fjalë në këtë rast për pasardhësit e dy prej politikanëve që kanë diktuar njëri 50 vjet e tjetri 25 vjet në këtë vend. Pasardhësit e tyre në të vërtetë zbulojnë thelbin e tyre mediokër, ordiner dhe me të vetmin motivim në jëtë, paranë. Me atë duket se blejnë çdo kënaqësi.
Në rastin konkret, si nipi i Enverit, që ka hyrë në një veprimtari kriminale, pa cënuar aspak tangërllëkun e gruas së tij, që pozon në vaska me trëndafilë e qumësht, duket se është një skallv i këtij modeli. Ai ka bërë një sakrificë ekstreme, pasi rrezikon të kalojë jetën në burg, vetëm nga ky tangërllëk.
Tjetri, i biri i Saliut, u bën karshillëk shqiptarëve me një ish-Miss me dyqane e makina të shtrenjta, pa qenë i rrezikuar aspak se një ditë duhet t’i kontrollohet pasuria. Është ai, për të cilin u hapën 26 varre në Gërdec dhe nuk i hyri gjemb në këmbë. Ai që ka nxjerrë pronarë, shokët e tij të ngushtë nga Kalaja e Dodës deri në Orikum e Ksamil. I cili me një çantë të zezë në dorë, vilte taksat e pushtetit informal të babait. Në këtë pike, ai është më pak njeri i sakrificës se Ermali, se i ka lekë pushteti. Ermali i ka lekë droge me kokën në rrezik.
Ky tjetri, të cilit nuk i dhemb koka për asgjë, mes të tjerash ka siguruar dhe imunitetin. Babai i tij kontrollon ende sistemin e drejtësisë, të cilit i vuri kazmën që pas Gërdecit për të mbrojtur këtë pronarin e dyqanit në Bllok. Ai vazhdon të kontrollojë presidentin, prokurorinë dhe gjykatat, me qëllim, që pikërisht këto para që shfaqen papritur në vila pa leje në Lalëz dhe dyqane luksoze në Bllok, të mos hetohen kurrë.
Është kjo arsyeja përse shqiptarët vdesin për lajme të tilla rreth Shkëlzenit dhe Ermalit. Ata natyrisht tërbohen, kur shikojnë se pasardhësit e udhëheqësve të tyre parimorë, janë ca parazitë, që njihen më shumë nga tangërllëku i grave të tyre vanitoze, se sa nga vlerat e tyre. Ky është modeli që i japin si aspiratë shoqërisë fëmijët e pasardhësve tanë. Ky është me sa duket dhe mallkimi më i madh ndaj atyre që e qeverisën këtë vend si pronë të tyre.
Pasardhësit e Enverit nuk i gjeti gjë, se i mbrojti Berisha, dhe pasardhësit e Berishës nuk do t’i gjejë gjë, se do t’i mbrojnë ata që la Berisha pas. Por, pasardhësit e tyre, nuk i mbron dot askush nga banaliteti, vulgariteti, mediokriteti dhe të bërit qesharakë. Ka me sa duket një mënyrë, se si fati i ndëshkon ata që mendojnë se e kanë siguruar të ardhmen. I bën idiotë dhe i katandis nga udhëheqësa të Bllokut, në leckaxhinj dhe drogaxhinj të Bllokut.