Modeli Paloka, një badigard për një jetë të gjatë në opozitë

0
46

Nga Mero Baze, 10 Shtator 2013

Edi Paloka është një dikush që përfaqëson një identitet politik të Partisë Demokratike. I përket brezit të studentëve të vitit 1990, dhe më pas pjesës militante të shtypit të Partisë Demokratike. Nuk hyn tek njerëzit që do mbahen mend për çfarë kanë shkruar në këtë vend, por pa diskutim tek njerëzit që u mbahet mend emri që kanë shkruar në gazetën partiake të PD-së. Termi më i qartë se gazetar është punonjës i shtypit i partisë. Ka firmosur në shkrime të ashpra ndaj kundërshtarëve politikë të PD-së brenda dhe jashtë saj. Por ka pasur dhe momente të forta sinqeriteti. Kur Eduard Selami u përjashtua nga PD-ja, ai ishte ndër tre njerëzit e vetëm që ngritën dorën kundër, por kur panë që ishin të vetmuar, e ulën dorën dhe zërin. Por dhe aq nuk ishte pak.

Në vitin 1997, i frikësuar nga dalja nga burgu e Fatos Nanos, u arratis nga Shqipëria dhe u rikthye kur gjërat duket se po qartësoheshin që nuk do të kishte revansh. E vetmja hakmarrje simbolike e Fatos Nanos ndaj tij ka qenë batuta që tha në sallën e gjyqit: “Kur lexova shkrimin e parë të Palokës kundër meje, thashë e bëri Paloka. Pastaj filloi me radhë i dyti, i treti, i katërti dhe unë thjesht i numëroja një Palokë, dy Paloqe, tre Paloqe…”. Mes humorit cinik të Fatos Nanos, në fakt kishte një alibi të madhe për Edin, që as Fatos Nano nuk i mbante mëri për shkrimet që firmoste.

Por përtej ashpërsisë së tij në media, Paloka nuk është një njeri fanatik. Ai kishte raporte shumë të mira me miqtë e vet gazetarë të opozitës si Blushi, Fevziu, Shkullaku apo të tjerë, dhe ndryshe nga shumë fanatikë të PD-së, qëndronte me ta pa asnjë kompleks.

Pas vitit 2001 hyri në parlament dhe aty shënon dhe kthesën karriera e tij politike. Duke fituar në një zonë të vështirë në Babrru kundër Luan Hajdaragës, falë mbështetjes dhe të njerëzve të Nehat Kullës, Paloka filloi të merrte trajtat e deputetit që ishte idhull i të fortëve. E shikoje të shoqëruar gjithnjë me njerëz që shpalleshin të “fortë”, kryesisht njerëz që aspirojnë të jenë badigardë apo shoferë. Dhe ky nuk është një fenomen i izoluar në PD. Disa figura të PD-së dhe rrotull saj e kanë aspiruar këtë profil. Ka qenë kështu Hajdari, Mediu, Leskaj, Dash Sula, etj.

Në vitin 2002, kur Berisha dhe Nano bënë paqen e madhe, ai u ndje i zëmëruar dhe hynte tek njerëzit që nuk e pranonin marrëveshjen. Kjo i ftohu raportet e tij me Berishën.

Por në vitin 2005, skema e të fortëve nuk i funksionoi. Prishja e tij me të fortët e Babrrusë shkaktoi konflikt të armatosur dhe një komisioner i tij u vra ditën e votimit tek Varri i Bamit. Paloka mbeti jashtë Kuvendit, dhe për gati një vit dhe i papunë, derisa Berisha u kujtua ta çonte në ATSH si drejtor.

Pas zgjedhjes së Bamir Topit president, ai u rikthye në Kuvend, dhe sërish me mitin e njeriut të fortë.

Nuk ka qenë një njeri i afërt i Berishës, jo se nuk pëlqeheshin me njëri- tjetrin, por thjesht se në shumë raste nuk i duheshin njëri- tjetrit. Ai vazhdoi të bëjë jetën e parlamentarit legjislaturë pas legjislature, por Berisha nuk i ofroi vend në pushtet. Mandatin e fundit kjo ishte dhe më e patolerueshme. Paloka tentoi të përdorë dhe fuqinë e tij të vetme, të hequrit si i fortë, por një grusht i një deputeti laçian e shtriu përtokë në parlament dhe prej atëherë as si i fortë nuk u shfaq më.

Më pas, ditën e 21 Janarit, ai udhëhoqi një grup “të fortësh” që kërcënonin çdo opozitar që fliste në ekrane për të vrarët. Konflikti i tij dhe “të fortëve” të tij me Preç Zogajn dhe djalin e tij krejt të pafajshëm në atë histori, për pak degjeneroi në krisje armësh para TV Klan. Pastaj vrapoi i pirë tek Top Channel “të vriste” avokat Ngjelën, por dhe aty i doli pija. Të nesërmen thjesht tregohej legjenda e të fortëve të tij.

Paloka nuk hyn tek njerëzit që nuk duhet ta provonte pushtetin. Ai ishte pjesë e historisë së PD-së ashtu siç është ajo histori, mbushur me frymëzime militantësh dhe pragamatizëm amoral që shpesh i shokon të gjithë. Njerëz të ardhur nga rruga drejt e në pushtet, e përçmonin pasi u dukej jashtë mode, ndërsa vetë Berisha kishte bezdinë e mjaftueshme për ta mbajtur larg.

Situata e re pas zgjedhjeve të 23 qershorit e nxori sërish mbi ujë. Ai ishte i pari që artikuloi jo aq pa leje, akuzat ndaj Olldashit, Patozit dhe grupit të asaj që mund të quhej “racë e tij” në PD. Iu bë krah Bashës në fushatën banale brenda PD-së dhe mbeti kritiku më i hapur i çdo kundërshtari të Bashës.

Problemi i gjithë palëve ishte se nuk e morën seriozisht. Unë vetë e mora vesh se Paloka do të zgjidhej kryetar një natë më parë nga një i “fortë”. Ai vetë e kish mësuar pasi e pa Palokën që shau ca qytetarë pse protestonin kundër Lulit. Aty kish mësuar se do ecte përpara. Berisha duket se e përzgjodhi pikërisht për këtë devocion në krye të grupit parlamentar. Pikërisht këtu fillon dhe debati: Cili është mesazhi që Berisha kërkon të japë me Palokën?

Një arsye e qëndrueshme është se Berisha është i qartë për rrugën e gjatë në opozitë dhe mendon e duhen motivuar militantët të jenë në gatishmëri për protesta dhe Paloka është njeriu i duhur. Ai nuk ka qenë në pushtet dhe nuk ka qenë kurrë kundër PD-së. Për këtë arsye, nëse Berisha ka vendosur të rikthejë opozitën e mitingjeve dhe një grupi të vogël militantësh për qëndresë politike, nuk ka zgjedhur keq. Është njeriu që 500 deri në 1000 mijë vetë për protestë t’i mbledh gjithmonë.

Një arsye tjetër paksa më e lig, është hakmarrja që Berisha ka ndaj grupit që ka zgjedhur. I zhytur në spiralen e pragmatizmit dhe të fitores me çdo kusht të pushtetit, ai futi në grupin parlamentar çdo antivlerë politike të PD-së, mjaft që të fitonte. Futi socialistë të penduar, ish- kundërshtarë të tij kokulur, ministra që kanë bërë zullume me miliarda, provincialë popullorë në katund të vet dhe gjithkënd tjetër. Në fund rezultoi që me ta humbi më thellë. Dhe vihet re që ka një bezdi të tmerrshme nga gjithsecili që ka rrotull. I duket sikur i hanë bukën të gjithë.

Por shumë prej tyre tashmë ishin mprehur të rikapnin pozicione politike. Modeli që ata përbuzin më shumë është modeli Paloka dhe duket se Berisha ua ka imponuar në krye pikërisht për t’i poshtëruar dhe për t’u shuar çdo shpresë që humbja e Berishës është një hapje rruge për ta.

Por ka dhe një version akoma më banal. Ka shumë mundësi që Lulëzim Basha, ashtu si e ka bërë Zoti, frikacak, të paaftë, bosh dhe të pamësuar me opozitë, por mbi të gjitha i frikësuar më shumë nga partia se sa nga kundërshtari, ka menduar Palokën si një badigard politik për t’i nxjerrë frikën të hyjë në parti dhe pa Berishën në krah. Mirë e ka gjetur po ka menduar kështu. Me të është i sigurt tek PD-ja. Nuk besoj se e ngacmon njeri dhe as e shan njeri në korridore. Problemi është se PD duhet si një parti që dikur të vijë në pushtet. Modeli Paloka është i mirë për të rezistuar vetëm kryetari. Është si të zgjedhësh një badigard të mirë për një jetë të gjatë në opozitë.