Arben Malaj
Forumi i gazetës “Shqip” për modelin e ri ekonomik të vendit tonë, është një mundësi shumë e mirë dhe një risi, për të cilën kjo gazetë, si dhe kolegët që e iniciuan dhe e ushqejnë forumin – meritojnë një mirënjohje të veçantë.
Dobishmëria e këtij forumi qëndron të paktën në dy momente shumë të rëndësishme: sensibilizimin e politikëbërësve, qarqeve akademike dhe komunitetit të biznesit për domosdoshmërinë e reformave që mbështesin një model të ri zhvillimi ekonomik të vendit dhe e dyta, qartësimi nëpërmjet këtij debati i objektivave themelorë që duhet të synohen nga një model i ri i zhvillimit ekonomik të vendit.
Qartësimi i reformave konkrete që mbështesin arritjen e objektivave të një modeli të ri ekonomik, duhet të lehtësojë arritjen e konsensusit midis ekspertëve dhe politikanëve deri në nivel kombëtar. Kjo, sepse reformat për një model të ri kombëtar gjithmonë janë më të gjata se mandatet e një qeverie apo një mazhorance të caktuar, sidomos në vendet me institucione dhe administratë publike jo stabël dhe jo profesionale.
Ekspertët kanë arritur në konkluzionin se vendi ynë rrezikohet nga rënia e ritmeve të larta të rritjes ekonomike, për shkak se po reduktohen faktorët e trashëguar të saj.
Ekonomia jonë, siç e theksojnë edhe kolegët në forum, është mbështetur nga hyrje të mëdha të ardhurash prej emigrantëve, ka pasur një shkallë të lartë informaliteti, një pjesë jo e vogël e ekonomisë sonë, sidomos në zonat rurale, është më shumë për vetëkonsum sesa për biznes.
Shkalla e hapjes së ekonomisë sonë është relativisht e vogël, pra aftësia e saj konkurruese është e dobët. Pavarësisht nga debatet për matjen e rritjes ekonomike të vendeve të ndryshme, teorikisht pranohet se kur një vend importon më shumë se sa eksporton, kjo diferencë është pakësim i PBB. Deficiti i lartë i llogarisë korrente, rënia e dërgesave të emigrantëve, rritja e kredive në monedhë të huaj, janë rreziqe të mëdha të modelit aktual të zhvillimit.
Debati për një model të ri ekonomik është sot jo vetëm në Shqipëri. Cili duhet të jetë modeli ekonomik i së ardhmes? Pas krizës globale, G-20 i ka dhënë mandatin FMN-së të përgatisë dokumentin për një rritje globale të fortë, të qëndrueshme dhe të balancuar. Pra janë tri kritere jo vetëm për të dalë nga kriza, por edhe për sfidat e ardhshme, rritje e fortë, e qëndrueshme dhe e balancuar.
Ekonomia shqiptare, në diskutimin për modelin e saj të ri ekonomik, duhet të kalojë nga ekonomia informale dhe e mbështetur nga dërgesat e emigrantëve, në ekonomi me një shkallë më të lartë të produktivitetit, çka do të thotë të jetë më konkurruese në tregun e brendshëm dhe në eksporte.
Objektivat kryesore të modelit tonë ekonomik duhet të synojnë rritjen e të ardhurave, rritje të qëndrueshme dhe rritjen e kohezionit social të shoqërisë sonë.
Rritja e të ardhurave kërkon një ekonomi që bazohet jo te vlera e ulët e krahut të punës, por te produktiviteti në rritje i ekonomisë sonë. Arritja e këtij objektivi kërkon një ndryshim cilësor në faktorët e rritjes sonë ekonomike, të cilat arrihen në bazë të një strategjie të qartë kombëtare, e cila vendos në qendër të saj mirarsimimin, trajnimin dhe ritrajnimin e çdo shqiptari. Kjo do të rrisë produktivitetin dhe fleksibilitetin e tyre, duke synuar rritjen e të ardhurave.
Objektivi i një rritjeje të qëndrueshme imponon përmirësimin cilësor të ambientit të biznesit, duke rritur hapjen ekonomike të vendit, duke reduktuar barrierat administrative, duke dhënë incentiva për sektorët e ekonomisë që rrisin aftësinë konkurruese, që rrisin tregjet potenciale, që ulin kostot dhe çmimet për mallrat dhe shërbimet tona në tregun e brendshëm dhe atë global. Rritja e qëndrueshme imponon detyrimin për të ruajtur ambientin dhe rigjeneruar burimet natyrore.
Objektivi për një rritje gjithëpërfshirëse, për rritje ekonomike që i rrisin mundësitë për sa më shumë shqiptarë, për rritje që reduktojnë dhe eliminojnë varfërinë, për një rritje ekonomike që rrit kohezionin social, kërkon një harmonizim më të mirë të politikave monetare me ato fiskale.
Duke mbajtur parasysh debatet se vendi duhet të fokusohet në dy ose tre sektorë prioritarë, vlerësoj se nuk duhet të konsiderojmë thjesht një degë apo pjesë territoriale të përcaktuar, nëse ajo realisht nuk përbën një avantazh konkurrues. Aktualisht energjia e riciklueshme është një avantazh i papërdorur, ndërsa turizmi një avantazh i dëmtuar jo pak.
Shpresoj më shumë në një zhvillim harmonik që bazohet në një strategji kombëtare të rritjes së produktivitetit të ekonomisë shqiptare, ku një vend të veçantë merr sistemi arsimor, ekonomia e dijes, teknologjitë e reja të menaxhimit, prodhimit dhe shërbimit.
Sfida për një model të ri ekonomik është serioziteti shkencor dhe kredibiliteti profesional i hartimit dhe implementimit të një strategjie kombëtare afatgjatë. Sot modelet e reja ekonomike vlerësojnë si parakusht impaktin që ka mirëqeverisja e vendit, ku faktorët që e pengojnë rritjen ekonomike janë sidomos mungesa e pronësisë, mungesa e shtetit ligjor, niveli i lartë i informalitetit, korrupsionit, kapjes së shtetit etj. Diagnostikimin më të detajuar të shkaqeve të aftësisë së ulët konkurruese të vendit tonë, mund ta gjejë kushdo në sistemin e analizave profesionale që boton Forumi Botëror i Ekonomisë.
Një element përcaktues i çdo modeli të ri ekonomik është përmirësimi i sistemit arsimor në të gjitha nivelet e tij, burimet njerëzore të mirarsimuara dhe mirëtrajnuara në të gjitha nivelet e shoqërisë.
Një element tjetër i modeleve të reja ekonomike po bëhet ekonomia e dijes, ekonomia e teknologjive të reja dhe ekonomia e gjelbër. Vendet konkurrojnë në tregjet në rritje jo me pasuritë e tyre natyrore të papërpunuara apo thjesht më krahun e lirë të fuqisë punëtore, por në raport me produktivitetin e ekonomive të tyre.
Kapacitetet humane duhet të nxiten me politikat adekuate, të njohin dhe aplikojnë teknologjitë bashkëkohore. Sot kur flitet për infrastrukturën ekonomike, flitet gjithnjë e më shumë për infrastrukturën e aksesit të informacionit, aksesin në kohë reale për tregjet e reja, për të rejat teknologjike, për të rejat në fushën e menaxhimit.
Pra, ta njohësh në kohë reale një të re shkencore, një situatë të re në treg, një mundësi të re biznesi, pavarësisht se ku ndodhesh, në cilin cep të botës apo të Shqipërisë jeton.
Është e qartë që modeli i ri ekonomik duhet të synojë një ekonomi funksionale të tregut. Banka Botërore ka arritur në konkluzionin që ekonomia e vendeve tona duhet të përfitojë nga politikat e reja tregtare dhe ekonomike, për të përparuar në tregjet në rritje brenda rajonit dhe tregun europian. Deficiti i lartë tregtar duhet të kompensohet jo thjesht nga privatizimi, por me hyrjet e larta të investimeve të huaja direkte, të cilat fillimisht lehtësojnë sfidat tona si hyrje kapitali dhe kanë efekt të qëndrueshëm nëpërmjet modernizimit të ekonomisë sonë, duke e bërë atë më konkurruese.
Pasuritë tona natyrore duhet të përfshihen në një cikël më të plotë nxjerrje-përpunimi dhe eksportimi, duke rritur vlerën e shtuar në ekonomi dhe duke rritur të ardhurat nga eksporti.
Struktura e ekonomisë sonë do të përmirësohet pozitivisht duke rritur pjesën e shërbimeve dhe duke ulur përmasat e sektorit rural, jo duke braktisur bujqësinë, por për shkak të ritmeve të larta të rritjes së sektorëve të tjerë.
Zhvillimi dhe modernizimi i sektorit financiar, ndërmjetësit financiarë, kredia dhe kostoja e saj, tregu i kapitaleve dhe funksionimi i tij, do të jenë parakushte për të mbështetur modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe modelin e ri që kërkojmë.
Modeli i ri duhet bazuar në kapitalet njerëzore të mirëkualifikuara, në teknologjitë dhe infrastrukturën moderne, në një ambient biznesi sa më mbështetës dhe nxitës, në ente rregullatore dhe mbikëqyrëse sa më efektive. Këto reforma pa kosto buxhetore mund ta rrisin produktivitetin e ekonomisë sonë, mund të rrisin tregjet dhe mund të mbështesin më mirë ritmet e larta dhe të qëndrueshme të saj.
Duhet të mbajmë parasysh që për shkak të liberalizimit të lëvizjes së lirë dhe tregut të punës, vendi mund të përballet me mungesë të specialistëve në shëndetësi dhe arsim. Do të kemi qoftë edhe përkohësisht reduktim të specialistëve në shkencat ekzakte, ku tregjet globale kanë etje për t’i thithur.
Disa momente konkrete të një strategjie kombëtare për një model të ri ekonomik mund të jenë:
Hapi i parë – Krijimi i një këshilli kombëtar të pavarur me mandatin për të përgatitur propozimet shkencore për një model të ri ekonomik. Ka shumë eksperienca të suksesshme ndërkombëtare në këtë drejtim.
Hapi i dytë – Transparencë maksimale e gjithë procesit. Akses të pa limituar për ekspertë të talentuar shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, oponencë shkencore ndërkombëtare, akses për biznesin vendas dhe të huaj, akses për grupet sociale.
Hapi i tretë – Nevoja e arritjes së një konsensusi kombëtar për këtë strategji, duke e miratuar edhe në Parlament.
Hapi i katërt – Ngritja e një sistemi të qartë monitorimi implementimit të kësaj strategjie. Transparencë maksimale për gjetjen dhe rekomandimet e monitorimit.
Konsensusi kombëtar kërkohet gjatë gjithë fazave të procesit të vështirë të implementimit të një model të ri ekonomik.
Një model i ri ekonomik po bëhet gjithnjë e më shumë i detyrueshëm për sfidat e vendit tonë.