Afrim Krasniqi, 09.11.2009
Në Gjermani Angjela Merkel është kancelare e sapozgjedhur për të dytën herë radhazi. Në Rusi Vladimir Putin është kryeministër, i zgjedhur pas dy mandateve presidenciale. Në Poloni Les Valesa është ish president, figurë heroike e revolucionit të viteve ’90.
Të ndryshëm në stil, të ndryshëm në karrierë, të ndryshëm në mendime, të ndryshëm në kohë, por të gjithë brenda 48 orëve të fundit demonstruan tipare të përbashkët: vetëdije qytetare, moral profesional, modesti dhe sinqeritet, sjellje e cila përbën një leksion moral e politik për çdo emër politik, historik e publik të pranishëm në mjedisin publik shqiptar.
Dje të gjithë u rrëfyen përpara medias për përjetimet dhe kujtimet personale me rastin e 20 vjetorit të rrëzimit të Murit të Berlinit. Angjela Merkel tha se nuk kishte besuar në rrëzimin e Murit dhe në momentin e rrëzimit, vazhdoi planet personale, shkoi në sauna, më pas në një lokal për të pirë birrë.
Vladimir Putin tha se 20 vjet më parë ka kaluar të gjithë ditën duke djegur dosje të shërbimit sekret ku ai punonte dhe se madje ka kërcënuar personalisht me armë demonstruesit antikomunistë në mbrojtje të këtij arkivi. Les Valesa tha se kur ia dhanë lajmin nuk e besoi dhe vijoi programin personal me miqtë dhe familjen.
Dëshmi të njëjta të sinqerta dhe modeste, bënë një javë më parë edhe tre ish protagonistët e rrëzimit të Murit, ish Presidenti Amerikan Bush, ish lideri sovjetik Gorbaçov dhe ish kancelari gjerman Kohl.
Nëse lexohen mediat gjermane të këtyre ditëve një shumicë personash publikë, zyrtarë në detyrë dhe figura me peshë të madhe politike flasin sesi 20 vjet më parë nuk ishin në krye të protestave, nuk po drejtonin grupe disidente, nuk folën dhe nuk deshën të flasin (sepse nuk besonin, kishin dyshime apo preferonin heshtjen) kundër regjimit gjermano-lindor.
Vetë Merkel, kryeministrja që vjen nga linja komuniste, asnjëherë nuk ka thënë se ka qenë disidente apo se ka folur qoftë edhe në rrethe miqësore, më gjuhë kritike ndaj regjimit.
Në Gjermani Angjela Merkel, e cila është kancelare, numri 1 në hirearkinë shtetërore dhe njëherësh personi më popullor, nuk bëhet objekt kritike dhe as sulmesh për faktin se ditën më historike të shtetit të saj ajo zgjodhi saunën dhe birrën në vend të protestës me disa milionë qytetarë, që sot janë shtetas e votues pro/kundër saj.
Mbi çdo post e detyrë, ajo është qytetare, një grua si çdo grua tjetër, një njeri si çdo njeri tjetër, një politikane që nuk ka lindur por është bërë e tillë dhe kështu, ajo nuk tenton dhe nuk mund t’ia lejojë vetes të kërkojë tek vetvetja heroinën dhe disidentën, e cila 20 vjet më parë duhej të ishte me popullin protestues, jo në pjesën indiferente të shoqërisë.
E njëjta logjikë vlen edhe për kreun e shtetit rus, i cili nuk e ka problem të shprehet se atë ditë po bënte diçka që sot shkon kundër të gjithë rrymës, kundër vetë kohës, po digjte dosje dhe mbronte me armë regjimin në ikje. E njëjta logjikë edhe për Valesën, figurën simbol të Solidarnos, i cili nuk e ka problem të kujtojë se ditën e realizimit të ëndrrave politike të tij, ishte mosbesues dhe indiferent.
Imagjinoni nëse mediat gjermane këto ditë, të kishin drejtuar kamerat e tyre tek politikanët shqiptarë, tek ajo që quhet elitë politike e publike, cili do të kishte qenë reagimi.
Jam i sigurt se të gjithë, që nga kreu i Qeverisë dhe deri tek kreu i Komunës, nga analistët në studio deri tek gazetari social në periferi, nga kreu i akademisë e deri tek mësuesi i historisë në një fshat të thellë, do të sillnin në ekran kujtimet e tyre sesi e përjetuan 20 vjet më parë rënien e Murit të Berlinit, sesi me miqtë e tyre fshehtas kishin biseduar për rënien dhe atë ditë ishin ndjerë të çliruar, si të ishte realizuar një projekt, aspiratë dhe një ëndërr e tyre e madhe.
Një muaj më parë ishte vetë kreu i regjimit komunist Alia që u soll në këtë mënyrë, foli për orë të tëra për rënien e Murit, prapaskenat, rolin e tij liberal e gati – gati sa nuk tha se ai udhëhoqi edhe revoltat antikomuniste kundër tij më 1990.
Të njëjtën kulturë rrëfimesh e kujtimesh sollën javën e fundit në ekranet shqiptare dhe median e shkruar edhe ish ministra të regjimit komunist, ish zyrtarë të lartë të administratës, ish ambasadorë, pinjollë të ish familjeve drejtuese të bllokut, dhe deri edhe ish drejtues të enteve shtetërore të propagandës komuniste.
Të gjithë na u rrëfyen sesi flisnin kundër regjimit, sesi shpresonin në rënien e Murit të Berlinit, sesi ndiqeshin nga sigurimi, sesi ishin të detyruar të bënin gjëra dhe të shpreheshin për gjëra që nuk i besonin, madje kishin neveri.
Problemi kryesor nuk është kjo formë klasike e mashtrimit publik, e lojës me maska, e shitjes së imazhit dhe identitetit që në fakt nuk ekziston.
Problemi kryesor është shndërrimi i kësaj forme depersonalizimi në kulturë të sjellës politike e publike. Sepse atë nuk e manifeston vetëm një apo dhjetë persona, e bëjnë të gjithë, politikanë ministra e deputetë, kryetarë partie dhe analistë, eksponentë të shoqërisë civile dhe deri edhe vetë qytetarët e thjeshtë.
Të gjitha duan ta paraqesin vetveten diçka që nuk kanë qenë e nuk janë, të gjithë inskenojnë, krijojnë situata ireale, shfaqen si mesia dhe kështu, të gjithë na japin një produkt publik të pavërtetë, të padenjë dhe të dëmshëm për vetë memorien tonë kolektive, nevojat e shoqërisë për katarsis moral dhe nevojat e brezit të ri për të gjetur tek vendimmarrja politike e publike qytetarin e thjeshtë, jo sozinë e njeriut të ri, modelit pa identitet e vlera që krijoi e promovoi për mëse dy dekada regjimi i kaluar.
Unë besoj se nëse sjellja do të kishte qenë e ndryshme, nëse përshëmbull krerët e politikës pranojnë se më 1966, 1985 apo 1989 kanë qenë pjesë e besimit, sjelljes dhe veprimit të ingranazheve të regjimit të vjetër; se në Nëntor 1989 apo në Dhjetor 1990 në mos pengues ishin spektator kritikë e mosbesues apo se në kulturën e tyre politike ka pasur mungesë të theksuar të njohurive reale mbi demokracinë dhe shtetin e të drejtës, atëherë qytetarët e ndershëm, të thjeshtë dhe shumicë të këtij vendi do të kishin shumë më tepër respekt,besim e mbështetje për politikën dhe aktorët publikë të saj.
Sjellja e kundërt, gati unanime dhe pa asnjë shembull reflektimi, bën realisht që Shqipëria 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit të mbajë ende të ngritur murin e mentalitetit të vjetër, në mos komunist e sigurt, parademokratik.
Ndaj ne ende nuk kemi një Merkel, ende nuk kemi një Valesa, dhe mbi gjithçka, ende nuk kemi një politikë qytetare, një identitet qytetar në sjellje e mendim dhe për pasojë, një shtresë qytetare, të aftë të dalë mbi interesat e politikës së ditës, tej murit të autocensurës dhe modeleve të dështuara të tranzicionit.