Shkruar nga Kolec Traboini
…Vazhdojnë të dekorohen komunistët
“Më dhemb kur hesht, më dhemb edhe kur flas, as vetë s’e di kur më dhemb më shumë”. Kam një jetë që endem në mes të kësaj alternative të mundimshme eskiliane në gojën e Prometeut. Mesa duket dilemat që nga lashtësia greke e sot e kësaj dite në shoqërinë njerëzore kanë mbetur po ato. Kjo dilema ime jo se nuk kam folur, por se edhe të folurit tashmë është një punë e kotë. Askush nuk do të dijë për të vërtetën. Askush nuk do të dijë çfarë ka ndodhur. Askush nuk do të dijë se ka patur të djeshme. Askush nuk do të dijë se disa njerëz, që ishin komunistët më të devotshëm e më konservativë, që e zhvillonin luftën e klasave edhe kur nuk u kërkohej, sot sikur të ishin kameleonë na janë kthyer në demokratë. Dhe të vjen çudi se sa shpejt e realizuan katarsisin këta ish-komunistë fanatikë.
Pas dy dekadash mendoja se shoqëria ka shpëtuar nga sporja e keqe e komunizmit, ka shpëtuar nga fanatikët që për idealet e partisë i bënin varrin shokut e të nxirrnin sytë po t’i bëje një vërejtje shoqërisë ku lufta e klasave i varroste njerëzit të gjallë.
Po si ndodh që të tillë prototipa, sot, mbas dy dekadash, të na vlerësohen nga shoqëria demokratike shqiptare, pikërisht në atë kohë kur ende nuk janë vlerësuar figura të mëdha të kombit, kur ende nuk janë vlerësuar antikomunistët që u dergjën burgjeve, apo nuk kanë as dhe një dekoratë të vetme të pushkatuarit.
Pikërisht këto ditë na del njoftimi se kanë marrë tituj të lartë nga Presidenti i Republikës katër kineastë. Meqë kam punuar gjashtëmbëdhjetë vjet në Kinostudio, isha i interesuar se kush e për çfarë vlerësohen me tituj të lartë këta katër persona. Disa prej atyre titujve i gjeta me vend, edhe pse ka edhe emra kineastësh si regjisori i mirënjohur Gëzim Erebara, regjisori i suksesshëm Esat Musliu, veterani i filmit vizatimor Vlash Droboniku, studiuesi i filmit Abaz Hoxha apo regjisorja e parë e montazhit të filmit shqiptar si Vitori Çeli që vdiq në Nju Jork e harruar e pa asnjë njoftim në shtypin shqiptar, e ndonjë tjetër që meritonte të ishte në radhët e atyre që vlerësohen, sepse ka dhënë një kontribut të madh në filmin shqiptar. Natyrisht unë nuk prisja që në këtë listë kaq të ngushtë të gjeja emra sekretarë partish, aq më tepër emrin e nëndrejtorit të Kinostudios, i cili ka qenë shquar si një komunist fanatik që e zhvillonte bukur, mirë luftën e klasave.
Fjala është për komunistin Todi Bozo, të cilit i jepet titulli “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës. Shumë gjëra kisha menduar, se t’i jepet ky titull ish-sekretarit të Partisë së Punës për Kinostudion, zëvendësdrejtorit në fjalë, këtë as që e kisha menduar dhe as që mund ta konceptoj. Që ta kuptoni se çfarë në të vërtetë do të thotë për mua emri i personit që sapo ka marrë titullin “Mjeshtri i madh”, do të kujtoj se kam qenë ndër më aktivët në proceset demokratike dhe kur formova me disa kolegë të mi organizatën e Partisë Demokratike për Kinostudion me autorizimin personal të Azem Hajdarit, mbaj mend t’i kem thënë vetes se më së fundi erdhi dita të shembim monopolin e komunistëve në këtë institucion. Mirëpo, pas dy dekadash, kur pushtetin e kanë demokratët dhe president është një demokrat, këtij Bozos, që edhe familjarisht është i lidhur me kastat më të larta të nomenklaturës komuniste, i jepet ky titull i lartë me këtë motivacion: “Për kontribut të rëndësishëm si një nga drejtuesit, organizatorët dhe producentët e filmit artistik dhe atij dokumentar në kinematografinë shqiptare”.
Të vjen keq, dhe për më tepër se me këtë motivacion, duke shtuar edhe se i ka shërbyer me devotshmëri Partisë së Punës, ka marrë kush e di sa dekorata ky shok i gardës së komunistëve.
Por unë kam edhe përvojën personale se si ky sekretar e nëndrejtor e zhvillonte me sukses e fanatizëm luftën e klasave dhe vijën e Partisë. Një herë, aty nga fundi i viteve ’70, sekretari më thërret në zyrën e tij, më kërkon llogari dhe më heq vërejtje se më kishte parë në Rrugën e Kavajës me një vajzë të deklasuar. Kur u përpoqa të shpjegoja se nuk kisha ndonjë shoqe të deklasuar, ma ktheu me seriozitet e disi me paralajmërim: “Pse nuk e dimë ne se kush është mbesa e Rexho Plakut?” E pyeta se kush ishte Rexho Plaku, e më tha: “është armik i partisë, çam, omandant i “Çetës plakë” që ka vdekur në burg si armik i partisë.”
Kështu më sqaroi dhe paralajmëroi sekretari i partisë dhe nëndrejtori Todi Bozo, edhe pse unë nuk i zbatova kurrë ato porosi dhe miqësinë familjare me mbesën e “armikut” Rexho Plaku e ruajta gjithmonë. Por dhe kurrë nuk i thashë asaj se njeriu me të cilin jetonte fqinj, e konsideronte atë dhe familjen e saj si armiq.
Po se mos ishte rasti i vetëm ku ky komunist i kulluar, me rrënjë e farefis të Bozollarëve deri në Komitetin Qendror, për të cilët mund të lexohet në librin e Agim Mustës “Gjëmat e komunizmit në Shqipëri”, mprihte vigjilencën revolucionare i ngujuem në bunkerin e luftës së klasave!?
Pa kaluar shumë kohë më thërret sërish sekretari i Partisë T. Bozo. Shumë serioz e shumë i vërejtur më thotë të ulem. Mesa duket e kishte me nge. Si më la ca minuta, kinse po merrej me shkresa, u kthye e më tha:
“Pse na e sjell në Kinostudio Zyhdi Moravën?”
Nuk po arrija ta merrja veten. Zyhdiun e kisha njohur vite të shkuara kur isha nxënës në shkollën pedagogjike dyvjeçare “Ndrec Ndue Gjoka” dhe e kishim ruajtur miqësinë, sepse Zyhdiu shkruante dhe kishte pasion letërsinë. Ai nuk priti shumë e me ftohtësi e shikim zhbirues më tha se e dinte shumë mirë kush ishte Zyhdi Morava, një ish-i burgosur nën vëzhgim. “Ti nëse do të punosh në Kinostudio, – më tha, – nuk mund të shoqërohesh me Zyhdi Moravën, ndryshe do të kesh probleme”.
E mbylli bisedën. U detyrova t’i thosha Zyhdiut të mos vinte më në Kinostudio, por të takoheshim diku tjetër. Por kjo nuk qe e nevojshme se nuk shkoi shumë dhe Zyhdi Moravën e arrestuan sërish, e dënuan dhe e dërguan në Spaç.
Por kryebëma e “Mjeshtrit të madh” Bozo ishte kur i kërkova unë takim e i shkova në zyrë, sepse duke qenë ai zëvendësdrejtor kishte në dorë gjithë teknikën. I paraqita kërkesën për një makinë shërbimi në Shkodër, sepse kisha në plan për të bërë një film dokumentar për Ded Gjo Lulin. Gjatë kërkimeve kisha arritur tek një dëshmitar që kishte qenë i pranishëm në varrimin e eshtrave të Ded Gjo Lulit, që u sollën në Oroshi në Shkodër. Luigji, që e kishte shtëpinë në rrugicën ku dikur ka qenë shkolla pedagogjike e vajzave, më kishte thënë se ai kishte qenë xhaku (fëmijë që ndihmojnë në procesionet katolike), në rivarrimin e heroit Ded Gjo Luli dhe e mbante mend vendin ku qe vendosur, por që nëpër vite i kishin humbur gjurmët. Luigji në moshë të thyer, ishte i gatshëm të shkonte me mua në Shkodër për gjetjen e varrit, me kusht që të gjeja një makinë, sepse nuk udhëtonte dot me tren apo autobus.
Për këtë u paraqita tek nëndrejtori Todi Bozo, që duke patur edhe detyrën e sekretarit të partisë, ishte i plotfuqishëm në Kinostudio. Por sekretari i partisë më tha se nuk kishte makina, nuk kishte benzinë, se kishte plot probleme të tjera para Ded Gjo Lulit, me një fjalë nuk kishte ndërmend të më jepte një makinë, kur për qëllime personale ai i përdorte makinat si e ku të donte.
Tani që mikja ime çame, inxhiniere, jeton emigrante në Greqi, miku im i rinisë shkrimtari Zyhdi Morava nuk jeton më, varri me eshtrat e heroit të panjollë Ded Gjo Luli është i humbur njëherë e përgjithmonë, sepse edhe dëshmitari i fundit ka ndërruar jetë, na del një dekret presidencial dhe sekretari i partisë së Kinostudios, që farkëtonte luftën e klasave në një betejë megalomane pa kompromis, që nuk ka krijuar asnjë vepër artistike si krijues, veç si bashkëregjisor i një filmi supermediokër e skematik si “Lugina e pushkatarëve”, njeriu pra që zbatonte planet ekonomike të partisë me një besnikëri fanatike, pasi ka marrë nga diktatura një vandak dekoratash, na shpallet pas 20 vjet demokracie, as më pak e as më shumë por “Mjeshtër i Madh” i këtij vendi.
Para se ta mbyll këtë shkrim për kësisoj vlerësimesh tunduese e irrituese, do të doja të pyes: A ka këshilltarë për kulturën ky president? Dhe për t’i dhënë fund kësaj historie, pas gjithë këtyre që thamë, a kam sadopak të drejtë ta deklaroj këtë lloj dekorimi: çmimi i madh i turpit?!







