Refleksione rreth romanit të Ben Blushit, “Otello, Arapi i Vlorës”
Faik Islami, shkrimtar, 02 Mars 2010
Ministria e Kulturës, nëpërmjet një ceremonie festive për gjininë e romanit, ia dhuroi vendin e parë Ben Blushit, me romanin e tij të ri “Otello, Arapi i Vlorës”. Prisja që te krijuesi Blushi të gëlonin idetë sociale, reagimi ndaj fenomeneve negative të kohës, që përjeton shoqëria, sidomos shtresa së cilës i është përkushtuar. Mendova se do të kishim të bënim me një vepër me karakter të thellë shoqëror, me ide politike aktuale të hapura, jashtë shpjegimeve jo fort të qarta e të sakta, eklektike, përtej surealizmave (që pak u kanë dhënë shtresave në nevoja të mëdha, që kurse ky lloj arti, i cili u shfaq në pikturë dhe poezi qysh pas gjysmës së dytë të vitit 1850), për të na mundësuar një sintezë të ideve vizionare për shekullin e ri. Kështu mund të ishte vërtet një vepër artistike, me të cilën autori të shihej si përfaqësuesi i një brezi intelektualësh dhe akoma më shumë, krijuesish vizionarë, me forca dhe energji të reja, për të arritur drejt një kulture mirëfilltazi të re, të lirë dhe të qëndrueshme.
Sepse e kemi më të nevojshme se kurrë, që në kushtet e krijuara, për krejt kombin, na duhet një konceptim i ri, për një kulturë, e cila t’u përgjigjet dhe të përfaqësojë si realitetet, ashtu dhe sfidat e kohës dhe problematikat jo të vogla, në kushtet e reja të zhvillimit. Por edhe për të përballuar xhelozitë dhe intrigat në formën e stërholluar, që dukshëm shfaqen si një agresion politiko-kulturor mbi themelet e kulturës gjithëshqiptare dhe fizionominë kombëtare.
Nuk kanë qenë e as janë të rastit pickimet në mitet, në traditat dhe në krejt kulturën tonë, që nga epoka para Skënderbeut e gjer tek epoka e Kadaresë. Do të ma donte shpirti, që Blushi me krijimet e tij të ishte vërtet një militant, përfaqësues në çarjen e brazdave të para në këto drejtime. Më duhet ta them qysh në krye të herës, se ai së paku me këtë roman nuk është kurrsesi një i tillë.
Ajo që bie në sy që në krye të herës, është tematika që ka kapur autori. Trajtimi me surealizëm i një kryevepre të letërsisë botërore. Zhvendosja e ngjarjeve të saj nga Venediku në Vlorë.
Në romanin e tij “Otello, Arapi i Vlorës”, autori nuk nxjerr asgjëkund se nga cilat qëllime, nga cilat pozita ideoestetike është nisur në shtjellimin e këtij romani. Duke e parë me këtë sy, qysh në fillim vërehet se aty ndeshen tema pa temë, me subjekt të krijuar, të stisur dhe me burim historik të ngatërruar në ide, karaktere, terma dhe data. Blushi si përfaqësues i një lëvizjeje politike për mendimin ndryshe, është munduar që edhe në letërsi të jetë një i veçantë, në këtë roman një surrealist, sot e pas mbi dyqind vitesh si lindi kjo rrymë.
Lexuesi nuk merret vesh se përse u lodh shkrimtari Blushi, ky intelektual i ri, që shkon aq larg në histori, çfarë e ka nxitur, pse gjer mu në mesjetë, kur ka jo pak arsye, tema, por edhe obligime për të sotmen, për shtresa që thotë se përfaqëson, për plot gjëra që do ta justifikonin si lodhjen dhe ndonjë mangësi. “Ka krijuar e sjell një etyd për dashurinë”, na thonë vlerësuesit. Mirëpo duke lexuar romanin, aty vetëm dashuri nuk na zënë sytë. Ca më shumë bëhet i paqartë, më së shumti dyshues, sepse na habit, për të mos thënë e shushat lexuesin, kur rreket të huazojë e trajtojë ngjarje e personazhe prej një teme të madhe të letërsisë botërore. Dhe e gjen rrugën e përdorimit, nëpërmjet gjuhës së një gazetarie të veshur me eklektizma dhe llafollogji sofiste. Otelloja i Blushit, krejt ndryshe prej atij të Shekspirit…, na “kishte ardhur nga shkretëtira, për t’i shpëtuar vdekjes dhe kishte nxjerrë nga vdekja një grua që nuk e njihte (faqe 15). Kur dihet që Otelloja i Shekspirit, në mesazhin e gjeniut Shekspir, personifikon njeriun e dashur, fryma e të cilit përshkohet prej luftës kundër dallimit racial, zhgënjimin e tij prej shoqërisë së kohës dhe normave të saj hipokrite. Otelloja i Blushit, në roman, është vendosur kokë poshtë me të njëjtën ngjyrë lëkure. Otelloja i Benit, me majë të thoit, gërvisht lëkurën e nënës së vdekur të një Albano Contarinit, pakëz shqiptar e shumë italian, që na e mbajtkej në dhomë kufomën e mëmës, të lyer me dhjamë…!
Tragjedia e Otellos nuk është aq tragjedi e xhelozisë, ca më pak të një xhelozie erotike, sesa tragjedi e burrërisë, e burrave me karaktere tepër të fortë. E kur shohim vlerësimin e romanit të Blushit, si një vepër që e merituaka të ngrihet në nivelet sipërore të letërsisë bashkëkohëse, krahasuar me sa na shohin sytë në roman, shushatemi. Sepse kur na thonë: “Por gjetja më origjinale dhe intriga më e pabesueshme e autorit janë personazhet që gjallojnë në libër, të cilat i ka marrë nga Shekspiri…”, na lind vetvetiu pyetja: këtu apo mos gjetkë?.. Të njëjtat role, – vlerëson botuesi në paskapakun e romanit, – por të vendosura në kohë një qind vjet më parë se tragjediani i njohur të kishte lindur… Otello, Dezdemona, Emilia, Jago e Kasi, janë figura të njohura të letërsisë botërore, por që në këtë roman veprojnë jo vetëm në Venedik, por më shumë në Vlorë, në bashkëpunim me shumë figura interesante vlonjate, të krijuara nga autori, si mjeku i famshëm Stefan Gjika, trimi lab Andrea, turku pushtues Hamiti etj…”! Pyesim: Këto vlerësime që na thonë, janë brenda këtij romani që lexojmë ne apo në ndonjë tjetër? Mirë që nuk u ka shpëtuar të na thonë edhe se… “gjynah që nuk rrojti Shekspiri, të këndonte romanin e Blushit, se do ta kishte hedhur të tijin! Do t’i kërkonim të falur botuesit nëse ka vënë autorësinë në paskapak, në përpilimin e vlerësimit në fjalë, prej vetë autorit. Mirëpo kur mësuam se botuesi e ftoi autorin në një duel për ta rrahur, u qetësuam se pamë më së fundi reflektimin.
Si në rastin e Otellos, ashtu edhe të Desdemonës apo të cilitdo prej personazheve të trajtuara, autori i ka katandisur si mos më keq gjithë ato vlera, atë mëshirim artistik të të vërtetave universale të psikologjisë njerëzore, me përmbajtjen më të thellë humane, që u dha Shekspiri personazheve, por qëkur i ranë në dorë Blushit, i përçudnoi me surealizëm. “…Otello kishte mësuar të kontrollonte ethet e shpirtit të tij. Ai bëri sikur nuk i shihte shenjat e dashurisë, që Kasi dhe Desdemona linin nëpër shtëpi. Natyrisht që etja për të mësuar se sa larg kishin shkuar trupat e tyre, disa herë e nxiti të përgjonte pas derës apo të fuste sytë nëpër bravat e thella, duke parë sesi dashuria (ku xhanëm ishte dashuria, me se lëvizte, me trupa apo me shpirt e zemër? – shënimi im) zhvishej, djersitej, kafshonte dhe pastaj flinte nën dehjen e avujve që krijonte, kullonte dhe pastaj flinte (si mundet që dhe ta zinte gjumi xhanëm! – sh. im) nën dehjen e avujve që krijonte…”. Megjithatë, sa herë gjente shenjat e harruara të Kasit dhe Desdemonës, i pastronte. (fakiri…! sh. im).”
…“Otello u kthye në një fshesë të dashurisë tyre. Duke ndjekur gjurmët, ai mësoi gjithçka që një njeri mund të mësojë nga lidhja e një burri dhe një gruaje, por Otello nuk donte që shenjat e tyre të shkujdesura të binin në sy… Kishte pranuar të jetonte me tradhtinë, por nuk donte që të tjerët ta dinin se Kasi (ai burrë i martuar) me Desdemonën …”! – bënin atë që bënin edhe ai: kodoshi ia u fshinte me lecka! (faqe 306). Një personazh i stisur kështu, i rënë në këtë derexhe dhe ku pa… në Vlorën e mesjetës, vetëm e vetëm për të qenë surealist autori, të habit me guximin që merr. Sepse me një studim të plotë të figurës qendrore të romanit, figurës qendrore të tragjedisë, zbërthyer njëkohësisht si në rrafshin psikologjik, edhe atë social-historik, nevojitet të nxirren vlerat ideoartistike. Kjo e ndihmon lexuesin që të kuptojë se autori me idetë e tij na tregon diçka reale në irealen e vet. Dhe na mundëson të bëjmë vetë konkluzionet.
Plot shkrimtarë të mëdhenj, sepse kanë qenë realistë, në kohë të ndryshme, kanë dhënë vepra të mëdha, edhe pse si pika referimi për veprat e tyre kanë shërbyer krijimet e dramaturgëve të mëdhenj, ose vepra të së tjerëve. Vete Shekspiri, subjektin për Otellon e mori nga Hekatomiti (Njëmijë përralla) të novelistit italian Xhiraldi Çinito (Giraldi Cinthio) Nga përralla pa ndonjë peshë letrare e Çinitos, krijoi një kryevepër artistike nga më të mëdhatë që pa bota. Po kështu edhe Ibseni. Me dramën e tij “Zonja Ingra e Ostrotit”, e përafërt me dy dramat e Shekspirit “Jul Cezari” dhe “Makbethi”, jo vetëm si kohë e përbashkët, kur zhvilloheshin ngjarjet, por edhe nga figurat, po ashtu edhe nga problematika e shoqërisë mesjetare. Ibseni, si mjeshtër i madh që ishte, jo që nuk kopjoi keqas personazhet e Shekspirit, pa le më t’i deformonte, por e bëri lexuesin që, duke ecur në brendinë e ndërlikuar të ngjarjeve që shtjelloi, të sqaronte mjeshtërisht rrethanat historike të ngjarjeve që zhvilloheshin në Norvegji, duke i mëshuar idesë së kryengritjes të popullit norvegjez kundër pushtuesve danezë. Ai i dha popullit të vet dhe mbarë botës një dramë të përshkuar tërësisht prej frymës së thellë patriotike, ndërtuar mbi situata heroike. Një gjë të tillë e provoi dhe Kadareja te “Hamleti, ky princ i vështirë”, por ku e ku me guximin e Blushit me “Otellon…”. Cilat konkluzione na mundëson ky shkrimtar me këtë katandisje të heronjve të huazuar nga kryevepra botërore? Tentoi t’i bëjë shqiptarë heronjtë e tij apo të përngjasonte problematikën e Shqipërisë të mesjetës me atë të Venedikut. Apo që lexuesi të lodhë gjatë mendjen dhe i lodhur në këto hamendësime më së fundi të pranojë se aty nxin një gjë e bardhë dhe zbardh një gjë e zezë… Ardhur prej shamisë së Desdemonës së Blushit. Kështu Beni jo vetëm që nuk ecën vetë mirë dot më tutje, por na pret këmbët që të hedhim edhe një çap më tej në veprën e tij ne lexuesve.
Surealizmi i tij arrin deri në parashtrimin e ideve jo më letrare, por antikombëtare, kur lodron me historinë. Sidomos te pjesa ku Komitës së Muzakës, vejushës së Balshës (nuk na thotë se cili nga Balshët, i ati apo njëri prej dy të bijve, por ne e marrim me mendje se për cilin e ka fjalën), i lind shqetësimi, për martesën e së bijës, Ruginës. (Me siguri autori evokon për Rexhina Balshën, mbretëreshën e Kaninës). Se sipas autorit… “ajo vajzë ishte rritur për t’u martuar”. (Pse vajzat e tjera në Vlorë e në botë mos janë rritur ndryshe vallë?) Sipas filozofisë së autorit… “në luftë (me turqit që sulmuan radhazi trojet shqiptare në vitet 1380, ‘85, ‘86, ‘89, ‘417 e në vijimet) vajzat nuk kanë asnjë detyrë tjetër. Ato duhet të martohen që burrat të shkojnë të qetë në luftë, me shpresën që nëse kthehen, do të kenë një grua që i pret…” (kur Desdemona e tij, edhe pse e kishte nëpër këmbë Otellon, nuk e kishte të vështirë të rrinte me këmbë përpjetë me Kasin, mos ato të tjerat, ecur në logjikën e Benit, do të rrinin duke pritur ata që mund të mos vinin? Dhe “Komita kishte bërë gjithçka kishte mundur, për t’i gjetur Vlorës burra, por pa u martuar. (Edhe burra, edhe pa u martuar… vetëm këtu e shikojmë!) Këtë detyrë lufte, që dikur e kishte kryer vetë, tani ia kishte kaluar të bijës. Ndryshe nga vajzat e varfra që u jepen burrave për t’i ushqyer, vajzat e princave duhet të martohen, (vini re përdorimet e kohëve të foljeve!) për të siguruar pronat familjes, qytetet e tyre, pasurinë dhe emrin…”, (faqe 258). Dhe pasi na lebetit me filozofinë e tij, jashtë kontekstit historik, se Golem Araniti i Golemit të Labërisë, feudal edhe i krahinës e Vlorës, njërën prej bijave të tij ia pati dhënë një dukagjinasi, por kurrsesi për motivet që thotë Blushi) …Komita ia dha të bijën një Mrkëzha Kasimir Zharkoviçi, i cili me bukurinë e tij pataksi krejt Vlorën…”, qysh se turqit patën ardhur në këto troje përpara njëqind vjetësh…”! Nuk gjeti në tërë Ilirinë e kohës një shqiptar të bukur, por medoemos i vajti mendja te një serb?
Të habit diskordanca historike e autorit, i cili nuk paska haberin se turqit osmanë i shkelën trojet shqiptare për herë të parë në vitet 1380, të ndërsyer prej despotit serb të Janinës, Thoma Preluboviçi dhe jo si ia këput kot së koti autori, njëqind vjet përpara. Zharkoviçin vlonjatët e thirrën Kasi…”, sepse (sipas autorit) shqiptarët, ndryshe nga serbët, nuk i thonë emrat me shumë bashkëtingëllore që duken si meshkuj, pa i çiftëzuar me zanore femrash. Kur pas disa muajsh Kasi erdhi në Vlorë, qyteti doli në rrugë për të shijuar bukurinë e tij”. I hipur mbi një kalë të bardhë ai dukej si një diell që ka (e tanishmja…!) shaluar një re… Koka i qeshte nga lumturia (se ku e ka parë autori, që dhe koka qesh, askush nuk e merr dot me mendje, veç neosurealistit Blushi) dhe sytë e kaltër kullonin një ëmbëlsi të ngrohtë, me të cilën Vlora, e uritur për burra, (qëkur e paska ditur Blushi se Labëria, Vlora e djemve e burrave levendë, paskej mbetur tharë për burra?)… u ngop duke lëpirë buzët, për një kohë të gjatë…” (faqe 259). Është e tepërt të themi se Blushi jo që nuk e njeh Vlorën, humorin, ironinë vlonjate, sedrën dhe kapriçon vlonjate, (të dajave të tij), por fetishizon në pakuptim të tjerët. E ku ka bërë ndonjëherë Vlora njeri për mbi ta, që i paskej ardhur radha Zharkoviçit të Benit! E kjo jo vetëm gjatë Mesjetës, por gjer në ditët e sotme.
Surealizmi i krijuesit arrin “kulmin”, kur autori vë në shtratin martesor Ruginën me serbin Kasi… Sipas traditës labe, dhëndri, kur e përcjellin për në dhomën e nuses, o do t’i jepnin një shqelm në prapanicë (në rastin në fjalë, pse ishte serb, mundet dy a tre njëherësh) o do të shkrepnin ndonjë fishek pushke). Blushi ngaqë nuk i di apo bën sikur nuk i di ja sesi na thotë: “Kur pas një jave Kasi dhe Rugina fjetën bashkë, gjithë qyteti (Vlora me demek) e priti ngjarjen në rrugë. Burrat qeshnin me shpoti, gratë që e kishin kaluar atë përvojë të përgjakshme (sa me tmerr e shikojnë neosurealistët atë punë perëndie!) shtynin orët me ankth, ndërsa fëmijët i mbyllnin nëpër shtëpia, sepse çështjet e nderit, (sesi ata e shikojnë çështje nderi kur dikush bie në shtrat me gruan e vet këtë hajde merre për art..!). Megjithatë, fëmijët e dinin se çfarë priste qyteti dhe kur çarçafët me njolla gjaku të vajzërisë së Ruginës u varën si flamur mbi bedena, heshtja u kthye në gëzim…”! (faqe 261). Këtë lloj llafollogjie bajate e marrë për art, ku…” gratë janë ato të vetmet që kanë përvojën e natës së parë të martesës, kurse…. burrat vlonjatë prisnin se ç’do të bënte një serb i bukur, brenda bedenave të kalasë së mbretëreshës së Kaninës dhe ku çarçafët e gjakosur nga pellgu i gjakut virgjëror të Ruginës, (tamam sikur aty të ishte therur një dem i ushqyer… mesarakëve të Armenit,) vareshin faqeve të shtëpive vlonjate… për harenë e jetuar!” – vetëm Blushi në e marrtë vesh. Pa le më kur…“fëmijët e mbyllur haureve dinin ca më shumë se vetë baballarët e tyre, gjë që heshtjen e ktheu në gëzim popullor…! “Vlora lëshoi një frymëmarrje të gjatë, që pasi u end si dallgë mbi qytet… përfundoi mu në fund të detit! Këto krahasime pa sens nuk bëjnë fjalë për krijim. Por nuk mbaroi këtu historia e të bukurit Kas… “Ai si u zgjua nga gjumi, pa Komitën me një tas mjaltë dhe lugën në dorë. Kurse Rugina i tha së ëmës: “M’u duk se dinte më tepër sesa duhet… (ky trapi… mbase deshi t’i thoshte)”. Dhe vijon ajo apo e ëma, autori nuk na e bën të ditur, por na thotë se: “Duhet të jetë fërkuar me shumë zuska para se ta merrnim… (faqe 261) (të bukur femër labe paska gdhendur në mënyrën surealiste Blushi!).
Për dijeni të tij, Rexhina Balsha, mbretëresha e Kaninës, sapo turqit shkelën Vlorën, iku dhe u strehua në kështjellën e Gjonboçarëve. Aty, pasi mbushi dy karave (anije druri me vela- sh. im) me dhe` Labërie u hodh në Korfuz, ngaqë nuk pati mundësi të hidhej në Itali. Aty ndërroi jetë duke u varrosur… në dhe` të saj. Blushi guxon e katandis Otellon e tij në një përçudnim tipik, teksa i vë në qafë një trastë të turkut Hamit, shoqëruar me një kërkesë dhurate për Komitën. Dhe ai si teveqel që nuk dinte, nuk u bë as kurioz për të parë ç’kishte brenda trastës, për ta mësuar si ai që “E di Kola ç’ka në torbë”, e merr dhe ia shpie Komitës kokën e burrit të saj, Andreas, që asaj…” i dogji kur e hapi si një kaktus i pagjumë…”. Si këto krahasime që ngjajnë me poezitë baritore të shekullit të tetëmbëdhjetë, romani ka me bollëk .
Në fund, ia vlen të përmendim edhe disa konsiderata që i jep autori si bindje të vetat në roman. Nëpërmjet atyre mund të kuptojë lexuesi botëkuptimin vertikal të autorit, shprehur si këtu edhe në rastin e romanit ku Blushi… jeton në ishull, ku ai sjell idenë se Voskopojën e dogjën myslimanët dhe turqit. Kur dihet se atë e dogji xhelozia dhe konkurrenca e brendshme e të vetëve. E gjithë krijimtaria e tij është një shtrembërim i të vërtetave historike, kamufluar pas surealizmave, për të mos thënë është një padije e hatashme nga të lajmëruarat e njerëzve prej mesazherëve të krijuesit. Mund të bindet gjithkush se Ben Blushi nuk ka lexuar, pa le më studiuar as Biblën, as Kuranin. Ama, të mos ia hamë hakun, ka një guxim të çartur, për t’i thënë “burrërisht” edhe gjërat që nuk ua ka idenë. Me siguri e ka fjalën për turqit, por thotë me gojën e Albano Contarinit… “ata përtej”, mundet edhe për shqiptarët. Por në të dyja rastet me ato që thotë ia këput kot, sepse të vërtetat nuk janë sikurse i përshkruan ai. “Mbi të gjitha, ndryshe nga ata, ne kemi organizim. Kjo do të thotë se ne (vendasit e Albanos -sh. im) dimë të bashkohemi (dihet, por do të duhej Garibaldi dhe shqiptari Antonio Kripsi – sh. im) për të arritur një qëllim dhe kështu kemi krijuar ushtrinë, kishën, gjyqin, senatin, bibliotekën, hipotekën, qytetet dhe portet. Ata nuk i kanë, sepse jetojnë pa organizim. Kur zihen ata vrasin njëri-tjetrin, ndërsa ne kur zihemi shkojmë në gjyq. Ne kemi shtet, ata kanë fise dhe ky është ndryshimi më i madh që kemi…”. Nëse këto u drejtohen turqve, ahere autori nuk e ditka se shteti i sulltanëve ishte shteti më i organizuar ushtarakisht i kohës që e bëri Perëndimin të jetonte nën tmerr për shekuj me radhë. Nëse e ka për shqiptarët, ai duhet ta dijë se këtu kishte shtet, kur të tjerët bënin jetë primitive. Në universitetin e këtejmë patën mësuar perandorë romakë, që lanë gjurmë në histori. Dyndjet osmane ndërprenë rrugën e zhvillimit të lirë e perëndimor të shqiptarëve, por asnjëherë dëshirën e tyre për liri dhe pavarësi.
Idetë e Blushit shkojnë edhe më tej, duke na qartësuar se ai ka ide-bindje ksenofobe, për besimin që nuk është në bindjen e vet… “Prandaj ne jemi më të fortë, sepse Zoti në të cilin ne besojmë është më i ditur se Zoti i tyre që, siç ju thashë, është i egër dhe nuk është aq i zgjuar sa Zoti ynë….!(faqe 25). (Ky i ri që ka mësuar diçka nga dialektika dhe historia e saj, do ta kishte marrë vesh se ai që do të vijë gjashtëqind vjet pas Blushit (si Muhamedi) do të dijë të paktën gjashtëqind herë më shumë se vetë Blushi. Tashmë gjithkush e di, veç Blushit, se nuk ka, nuk ka veçse një Zot. Ndaj gjithë ata që besojnë te një Zot mbeten vëllezër… në besim. Në faqen pas këtyre xhevahireve, ka plot thagma të tjera, për të cilat një intelektual që di të bëjë dallimin mes Zoti dhe mesazherëve, veç në pastë ligësinë, që ta nxisë të përfshihet në hullitë që vetëm të këqija sjellin dhe asgjë të mirë. Por duke parë se të gjitha sa ofron intelektuali e krijuesi Blushi nuk janë ide, por slogane, motamo me ato që dëgjojmë nëpër foltoret e shumta, ku Blushi del për të përsëritur vetveten edhe ia falim. I japim dhe një çmim inkurajues, për të bërë edhe më shumë. Ani pse letërsisë i bëjmë dëmin më të madh. E mjerojmë.