Mjafton dëshira

0
43

Nga Ardian Vehbiu, 15 shkurt 2012

Po i kthehem çështjes së bashkimit kombëtar, të Shqipërisë “natyrale” ose të Shqipërisë së shqiptarëve (ose çfarëdo tjetër që do të duam ta quajmë), me mendimin se kjo çështje kurrsesi nuk duhet debatuar në mënyrë sentimentale, ose nga njerëz që dalin në podium të mbështjellë me flamurin kuqezi.

Doemos, kjo çështje sot për sot shtrohet, në rrafshin praktik, si bashkim apo jo i Shqipërisë me Kosovën – që janë edhe dy shtetet shqiptare në Ballkan.

Në një shkrim të mëparshëm përmenda faktin që shqipëritarët (po i quaj kështu shqiptarët e Shqipërisë) dhe kosovarët (shqiptarët e Kosovës) kanë të përbashkët mes tyre gjuhën dhe deri diku zakonet, por ndahen në disa karakteristika të tjera, mes të cilave spikat trashëgimia historike.

Pyes: sa histori kanë të përbashkët këto dy grupe (nuk po i quaj popuj – më luajti mendsh vetëcensura)? Pyetjes do t’i ndryshojë përgjigjja, në vartësi të nëse marrim parasysh kohën që shqiptëritarët dhe kosovarët kanë kaluar së bashku nën Perandorinë Osmane.

Nëse nuk e përfillim atë periudhë, atëherë do të përfundojmë se histori të përbashkët praktikisht nuk ka pasur, meqë ato pak vjet gjatë Luftës II Botërore, kur u realizua bashkimi, nuk mjaftojnë për të themeluar ndonjë unitet ose traditë të përbashkët.

Tani, nëse do të vendosim të marrim parasysh entitetin shqiptar nën Perandorinë Osmane, atëherë do të duhet të shohim edhe nëse mjafton vetëm trashëgimia e luftës së përbashkët antiosmane ose për ruajtje të trojeve shqiptare nga lakmitë e fqinjëve sllavë (Lidhja e Prizrenit, etj.), apo mos duhet të rivështrojmë këtu edhe krejt narrativën e shqiptarëve nën osmanët. Vështirësia këtu ka të bëjë, mendoj unë, me atë që Rilindja kombëtare shqiptare, për shqipëritarët, është vepër fort e ngjyrosur me kontributin e ortodoksëve shqiptarë të Jugut, që nga Naum Veqilharxhi deri te standardi gjuhësor i vitit 1972, pa harruar këtu De Radën dhe arbëreshët, që kulturorisht i përkasin ortodoksisë; kontribut që te kosovarët as është ndier, as ka vepruar shumë.

Ky dallim, kritik në vetvete, lidhet edhe me strukturën sociale-fetare, e cila te shqipëritarët paraqitet si një ekuilibër delikat mes tre grupeve fetare (myslimanë, ortodoksë, katolikë, pa përfshirë këtu ndonjë nënsekt, si ai i bektashinjve, ose edhe agnostikët dhe ateistët, të cilët ndër shqipëritarë i gjen me shumicë të madhe); ndërsa në Kosovë të dhënat janë ndryshe. Sipas të dhënave të botuara nga gazeta Express e Prishtinës, të cilat po i citoj siç i pashë te Respublica:

harta etnike e Kosovës është si më poshtë: janë deklaruar shqiptarë 1 milion e 614 mijë e 127 vetë, dhe serbë 25 mijë e 718 persona, por pa llogaritur veriun. Turqit janë 18 mijë e 711. Boshnjakë ka më shumë se turq: 27 mijë e 488. Ashkalinjtë, romët, egjiptianët e goranët së bashku shkojnë në pothuaj 40 mijë vetë.
Po harta fetare? Nga të dhënat del se 1 milion e 660 mijë e 598 qytetarë të Kosovës janë të përkatësisë fetare myslimane, 38 mijë e 223 qytetarë janë të besimit katolik, dhe 25 mijë e 685 të besimit ortodoks. Vetëm 1209 qytetarë të Kosovës kanë deklaruar se nuk i përkasin asnjë feje, ndërsa 7077 nuk janë përgjigjur fare se cilës fe i takojnë.

Një bashkim i mundshëm i Shqipërisë me Kosovën, nga pikëpamja e strukturës sociale-fetare, do të forconte në mënyrë dramatike komponenten myslimane ndër shqiptarët e shtetit të ri, jo vetëm numerikisht, por edhe për nga cilësia, meqë kosovarët myslimanë e lidhin besimin islam me identitetin më fort se shqipëritarët myslimanë. Logjikisht feja myslimane do të bëhej feja mbizotëruese në shtetin e ri; dhe brenda kësaj feje, elementi sunit do të mbizotëronte ndaj atij bektashi. Kjo do të thotë, me fjalë të tjera, që shteti rezultat i këtij bashkimi të mundshëm do t’i ngjajë Kosovës, nga pikëpamja që po analizojmë, shumë më tepër se ç’do t’i ngjajë Shqipërisë.

Historikisht, kjo do të thotë që shtetit të ri, ose super-Shqipërisë (më pëlqen ta quaj kështu) t’i fuqizohet edhe fillesa osmane, ose raportet e tij me të shkuarën osmane. Nëse Rilindja kombëtare, në aspektet e saj kulturore, synonte t’i shkëpuste shqiptarët nga Perandoria Osmane jo vetëm politikisht, por edhe historikisht, duke bërë të pamundurën për të sendërgjuar një by-pass me periudhën paraosmane (Skënderbeu, etj.), në shtetin e ri, super-shqiptar, kjo do të rivështrohet detyrimisht. Përveç gjuhës dhe traditave folkloristike, Shqipërinë dhe Kosovën i afron, para së gjithash, e kaluara e përbashkët shumëshekullore nën sundimin osman.

Tani, kur flitet për bashkimin Shqipëri-Kosovë, zakonisht sillet për krahasim Gjermania; meqë ne si rregull matemi me hijen e mëngjesit – edhe pse asgjë të përbashkët nuk ka mes çështjes sonë në Ballkan, dhe çështjes gjermane në Europën e Pasluftës II Botërore. Përkundrazi, meqë shqipëritarë dhe kosovarë kanë jetuar së bashku, si një popull, nën hijen e Portës së Lartë, atëherë ndoshta krahasimet duhet t’i bëjmë me raste kombesh që kanë pasur fat të ngjashëm me tonin: kanë jetuar së bashku nën osmanët, por më pas janë ndarë në entitete politike të ndryshme dhe të pavarura, sidomos pas ndërhyrjeve të fuqive koloniale; dhe këtu vijnë në vështrim para së gjithash arabët.

Sikurse shqiptarët, edhe arabët kanë një gjuhë të përbashkët (arabishten); madje më shumë se shqiptarët, ata kanë edhe një traditë kulturore shumëshekullore. Sikurse shqiptarët, edhe arabët janë të ndarë në shtete të ndryshme, me kufij të përbashkët mes tyre; dhe lëvizjet për bashkimet e arabëve në shtete më të mëdha (pan-arabizmi) janë më të vjetra se tonat. Natyrisht krahasimi çalon – çdo krahasim çalon; por mua më intereson këtu, sepse di që, në të kaluarën, nuk kanë munguar përpjekjet për bashkime shtetesh arabe – si Republika Arabe e Bashkuar (Al-Gumhuriyah al-Arabiyah al-Muttahidah/Al-Jumhuriyah al-Arabiyah al-Muttahidah), e lindur nga martesa e Egjiptit dhe e Sirisë në 1958, së cilës do t’i bashkohej, më pas, edhe Iraku. Ky bashkim jetoi vetëm tre vjet dhe ndoshta do të kish interes, për temën tonë, të shiheshin arsyet e dështimit ose të kolapsit të tij.

Një tjetër përpjekje, edhe më e dështuar se e para, ka qenë ajo e frymëzuar nga Ghedafi, për të krijuar një Federatë të Republikave Arabe, midis Libisë, Egjiptit dhe Sirisë. Përkundrazi, Emiratet Arabe të Bashkuara kanë mbijetuar; por shembulli i tyre largohet shumë nga konteksti ynë, në të cilin njësia e gjuhës dhe e kulturës ndërthuret me të kaluarën e përbashkët otomane.

Marrë nga Peizazhe të Fjalës