Gazeta Shqiptare
Pak ditë më parë u mbyll Kongresi i Partisë Demokratike. Si do t’i vlerësonit zhvillimet dhe përfundimet e këtij kongresi?
Nuk ishte kongres, edhe pse u tha se ishte vazhdimi i një kuvendi të bërë përpara zgjedhjeve. Duke qenë se unë në sallë isha i dyzuar, politikan dhe gazetar, kishte disa gjëra që nuk shkonin. Së pari, fjalën e mori Jozefi na Topalli. Nga i gjithë fjalimi i ndërtuar me një retorikë mbase të lirë, unë nuk mbajta mend asnjë gjë. Sipas konceptit tim si gazetar, kuptohet kur fl et një politikan, 90 për qind e gjërave janë gjëra të vjetra, por 10 për qind futen gjëra të reja. Unë tek fjalimi i Jozefina Topallit nuk gjeta asnjë gjë. Së dyti, Jozefina e mbajti fjalimin pa prezencën e kryetarit të partisë. Bile pasi foli edhe Astrit Patozi, në sallë hyri Berisha me entuziazëm, muzikë etj, etj. Mbajti fjalimin që mbajti, u largua pa denjuar të dëgjojë fjalën e sekretarit të përgjithshëm, Ridvan Bode, i cili diskutoi ndër problemet më madhore të kësaj partie, statusin e PD-së. Me ikjen e Berishës ra entuziazmi dhe njerëzit filluan të largohen nga salla pa mbaruar fjalën Ridvan Bode.
Fakti që ju thoni se zonja Topalli nuk tha gjë të re, është se në PD mungojnë idetë e reja?
Unë nuk marr përsipër të analizoj CV-në e Jozefinës, por përshkruaj Jozefinën në Kuvend, vetëm në kuvend, vetëm me fjalimin e saj.
Po largimin e Berishës si do ta komentoni? Është ky një mosrespektim i kongresit?
Kjo që po u them është gjithmonë në syrin e gazetarit. Kuvendi ishte njoftuar se do të fillonte në orën 10:00, Jozefina e mori fjalën në 11 pa 20 minuta. Kjo do të thotë se përreth 40 minuta delegatët e prisnin në sallë. Mua nuk më duket korrekte as vonesa e kryetarit të partisë, flasim kur është një ngjarje e madhe, as largimi i tij pa dëgjuar të paktën sekretarin e përgjithshëm.
Është kjo një shenjë mosrespekti ndaj të pranishmëve në Kuvend…?
Kjo është pyetje që përgjigjen e do nga Berisha. Por më shumë e shoh si nënvlerësim i një ngjarjeje të madhe, siç është kuvendi i një partie. Berisha me të drejtë thotë që partitë do të kthehen në parti elektorale. Sipas tij, partitë mobilizohen, ngrihen për zgjedhjet lokale dhe më vonë për zgjedhjet parlamentare. Kjo nuk është shpikje e Berishës, nuk është ndonjë ide e re, është praktika e partive në Amerikë. Edhe unë si politikan jam për këtë koncept. Por problem është se Berisha duke pranuar këtë variant të partive elektorale, e trajton partinë si parti ideologjike, si partitë evropiane. Çfarë ka ndodhur?! Në katër vjet, që prej 2005-ës kur u bë kuvendi dhe deri më sot, Këshilli kombëtar u mblodh dy herë. Nëse kjo i shkon për shtat një partie elektorale, atëherë përse në statusin e partisë nuk theksohet se Këshilli Kombëtar mund të mblidhet njëherë në tre vjet, por e sanksionuar që duhet të mblidhet një herë në dy muaj? Vetë Berisha thotë se statusi është kushtetuta e një partie. Nëse është kushtetuta e një partie, përse nuk respektohet dhe më tej, nëse partia është modernizuar saqë nuk e sheh të nevojshme mbledhjen e Këshillit Kombëtar, atëherë përse nuk iu ndryshua ky nen i statutit? Po kështu janë shumë debate për mënyrën se si u zgjodh kryetari i partisë.
Berisha justifikohet sepse mbas zgjedhjeve kur kryetari i partisë e ka çuar partinë në fitore, mund të zgjidhet edhe pa dy kandidatura. Nëse është kështu, atëherë përse nuk u ndryshua ai nen i statusit që thotë kryetari i partisë duhet të zgjidhet sipas atij neni që zgjidhen edhe kryetarët e PD-ve në rrethe. Kryetarët e partisë në rrethe zgjidhen me më shumë se dy kandidatë, logjikisht, edhe pse mund të tingëllojë si formalizëm, në kuvend duhet të kishte dy kandidatë për kryetar partie. Në të gjithë historinë e kuvendeve të PD-së, në tetë nga 9 kuvendet kryetari i PD-së është zgjedhur mes dy kandidatëve.
Sa i ngjan PD-ja sot asaj të ’90-ës?
Është e sigurt se partia ka ndryshuar. Më 12 dhjetor kur u krijua Partia Demokratike, edhe unë kam qenë një ndër 16 anëtarët e komisionit nismëtar, kishim të tjera iluzione për lirinë, për demokracinë, për votimet. Në ato vite kishim pak ose aspak informacion për funksionimin e partive në demokraci. Të vetmen parti që njihnim ishte Partia e Punës. Me kalimin e viteve shumë gjëra kanë ndryshuar, nëse partia do të qëndronte në sinoret e viteve ’90 kur u krijua, kam mendimin se do të ishte një parti primitive, një parti që as nuk do të ëndërronte të fitonte zgjedhjet parlamentare. Diku në ato vite unë kam qenë kryeredaktori i 3-të i RD-së, por më saktë ndër themeluesit e RD-së; kam shkruar një shkrim me titull, “Autocensurë pa censurë”, çfarë ndodhte…
Në kohën e Partisë së Punës kishte censurë, sot censura ka vdekur. Vendin e saj e ka zënë autocensura. Nuk është vetëm Berisha që rrëmben pushtet, por janë edhe bashkëpunëtorët e tij që i lëshojnë pushtet. Në demokraci të dy palët janë të rrezikshëm, si ai që merr kompetenca dhe ai që lëshon kompetenca. Në këtë kuptim edhe në kuvend, pavarësisht se vinin pas një fitoreje në një fushatë elektorale, kishte vend të paktën në një seancë të dëgjoheshin edhe mendime të kundërta. Asnjë parti nuk humbet, përkundrazi fiton nga një debat i brendshëm, nga një kritik etj.
Ju keni qenë një ndër themeluesit e PD-së, e RD-së dhe kryeredaktor i saj, 6 vjet deputet i PD-së dhe anëtar i Këshillit kombëtar të Partisë Demokratike. Si e gjykoni ju, përse ngelët jashtë Këshillit kombëtar të fundit?
E kam theksuar që sipas konceptit tim, në qoftë se në demokraci dikush dështon në një aktivitet politik, në radhë të parë dështimin do ta kërkoja tek vetja. Në jetën time politike ka ndodhur një veprim shumë i guximshëm për kohën. Në vitin 1993, duke qenë deputet dhe anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, unë firmosa që Fatos Nano të lirohej nga burgu i Bënçës. Emri im krahas edhe një deputeti tjetër të PD-së, Vasil Gjika, u radhit ndër 250 intelektualët shqiptarë që kërkonin lirimin e Fatos Nanos. Zyrtarisht mua nuk m’u tha asnjë gjë, por në heshtje gradualisht unë pothuajse po spostohesha nga Partia Demokratike.
Në zgjedhjet e vitit 1996 isha i 42-ti në listat për kandidatë për deputet. Ndërkohë, në kuvendin që u bë në ’97-ën, fitova për kryesinë e Partisë Demokratike. Në kuvendin e PD-së që u bë në 2000, Berisha pranoi duke thënë se ‘Mitro Çela është i pavarur brenda Partisë Demokratike’. Ndërkohë që në ditën e parë të krijimit të ‘Fiks Fare’ në 2002-in, unë kam punuar përgjegjës i gazetarëve dhe vitet e fundit, këshilltar i drejtuesit të “Fiks Fare”, Filip Çakuli. Me këto qëndrime unë nuk kam luftuar të jem pjesë logjike e PD-së. Nga ana tjetër, unë mendoja ose më saktë miqtë e mi mendonin se duke qenë pjesë e historisë së PD-së e si themelues i saj, ndoshta unë me përvojën time mund t’i duhesha Partisë Demokratike edhe sipas koncepteve të Berishës, i pavarur brenda PD-së. Në listat e votimit që u bënë në kuvendin e PD-së dallova dy gjëra jo dashamirëse. Së pari, unë isha i 120-ti në listën për t’u votuar, së dyti, në krah të emrit tim ishte vënë thjesht Mitro Çela, anëtar i këshillit kombëtar të PD-së. Do ishte normale në qoftë se kjo formulë ishte për të gjithë, por në fakt tek disa ishte shtuar edhe ish-deputet etj, gjë që mendoj se më takonte edhe mua, pasi kam qenë deputet për 6 vjet.
Atëherë, krisja juaj me Berishën ka qenë e vjetër?
Nuk është vetëm sepse unë kam firmosur për të dalë Fatos Nano nga burgu, problem është se edhe pse nuk dallohem shumë për kryeneç, unë them edhe JO. Për mirë ose për keq. Në vitin 1991, në qershor kur u bë qeveria e Ylli Bufit, Berisha më propozoi të shkoja ambasador në Romë. Nuk pranova me bindjen se unë nuk bëja për ambasador. Por ishte JO ndaj liderit. Kur u bë qeveria Meksi, në pranverën e vitit 1992, Berisha më propozoi për t’u bërë ministër i Turizmit. Unë kundërshtova duke menduar se nuk e bëja dot punën e ministrit. Por ishte Jo për liderin. Po në verën e 1992-it, Berisha më propozoi përsëri për t’u bërë ambasador në Romë. Ishte një JO e tretë për Presidentin e Shqipërisë. Në një artikull të botuar në vitin 1998, në ciklin “Kronikë e dështuar”, unë kam shkruar dhe publikuar ato që ia kam thënë doktorit, “nuk kam asnjë gjë ideologjike me ju, por e kam të vështirë të punoj me ju, së pari, unë të shtunë e të diel dua t’i kushtohem familjes, ju bëni mbledhje dhe aktive. Së dyti, në verë unë planifikoj të bëj pushime me familjen, ju filloni fushata në parti. Në këto koncepte unë nuk kam pasur krisje me Berishën, nuk pretendoj se ai mua më është bërë pengesë për karrierën time. Se në fund të fundit karriera nuk dhurohet por fitohet, dhe nëse një politikan nuk e ka ndjenjën e karrierizmit në kuptimin e mirë të fjalës, ai nuk mund të qëndrojë në politikë, në këtë kuptim unë mbetem gazetar profesionist dhe politikan amator.
Sa ndikim ka pasur në zgjedhjet e fundit në Kongres fakti që jeni këshilltar i Filip Çakulit në emisionin “Fiks Fare”?
Unë me Filipin, u thashë që kam filluar të punoj që në 2002-in. Nëse në 2005-ën isha kandidat për deputet të PD-së në Përmet, ju e kuptoni që ishte edhe dëshira e Berishës, sepse nuk mund të bëhesha unë kandidat për deputet nëse thoshte Berisha, jo. T’u tregoj një episod: Një natë, Berisha e mori në telefon Filipin e i tha: “E ke këshilltar Mitron? Filipi: “E kam”. Berisha: “E dëgjon?” Filipi: “Aq sa ç’dëgjon ti të tutë”. Berisha: “Nuk e dëgjon fare?” Filipi: “Nuk e thashë unë”.
Ilda Lumani (GSH)