Në 20-vjetorin e 2 prillit 1991, rikthehet me një intervistë Gjek Çelaj, një nga të paktët të dënuar për vrasjet dhe dhunën e ushtruar në këtë ditë. Ai në këtë intervistë kërkon falje për dhunën e ushtruar te pjesa e pafajshme e asaj turme, kryesisht studentet dhe studentët e shkollave të mesme “Jordan Misja” dhe “29 Nëntori”.
Çelaj shprehet se ndoshta mund të ketë pasur drejtues të lartë partie që iknin nga dritaret, ndërsa në shesh kishin dalë të rinjtë për të protestuar, por shton se kishte dhe nga ata anëtarë partie, që e organizuan këtë protestë. Ai në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare” thekson se 2 prilli i ngjan shumë 21 janarit, që kanë vetëm një emër, një protagonist, që është Sali Berisha.
Zoti Çelaj, si e kujtoni 2 prillin 1991 tani pas 20 vjetësh?
Ngjarja e 2 Prillit 1991 në Shkodër, jo vetëm për mua, por për shumicën dërmuese të shqiptarëve mbetet një ngjarje tragjike, e dhimbshme, krejt e panevojshme dhe tërësisht e evitueshme. Për fat të keq, ajo ngjarje është pasuar gjatë këtyre 20 vjetëve prej ngjarjesh të tjera edhe më të rënda dhe me pasoja të pallogaritshme për shqiptarët dhe Shqipërinë. Mundësinë për t’i evituar këto ngjarje e kanë pasur në radhë të parë ata që i kanë nxitur, organizuar, udhëhequr apo frymëzuar. Protagonistët e këtyre të këqijave janë politikanët e Shqipërisë. Populli është viktimë e banditizmit politik të manifestuar qartë në luftën për pushtet.
Dhuna atë ditë ra përgjithësisht mbi studentet vajza. Dy prej tyre përfunduan në spital në gjendje të rëndë. A ishin pikërisht ato armiku i shtetit?
Mua më kanë takuar shumë njerëz që kanë marrë pjesë në demonstratën e 2 prillit dhe më kanë treguar versione të ndryshme të episodeve të ngjarjes. Unë i besoj ato që thoni ju. Fatkeqësisht, pjesa më e pafajshme e turmës pësoi edhe goditje me shkopinj gome. Kjo ndodhi sepse nxënësit e shkollave po përdoreshin si fasadë dhe pas tyre ndodheshin lumpeni, pjesa kriminale e shoqërisë, e cila edhe ushtroi dhunë dhe i imponoi policisë përdorimin e forcës. Sa i përket “armikut të shtetit”, më duhet t’ju them se policia ka ndërhyrë për të vendosur rendin dhe për të mbrojtur objektet për popullin dhe për qytetarët sepse shteti atëherë i kishte lejuar me ligj demonstrimet kur ato do të ishin të ligjshme, domethënë kur për to të ishte marrë leje dhe kur pjesëmarrësit të mos ushtronin kurrfarë dhune. Fatkeqësisht, demonstrimi i 2 prillit nuk i plotësonte asnjërën nga këto kushte.
Më 1 dhe 2 prill ju jeni parë duke komunikuar me organizatorët e protestës, të cilët po përpiqeshin ta zbusnin turmën. A kishit urdhër ju për të shtypur revoltën apo u gjetët të papërgatitur para reagimit të turmës ndaj jush?
Së pari, askush nuk është prezantuar ato ditë si organizator dhe këtë fakt e kanë mohuar deri vonë ata që ndodheshin prapa këtij akti. Është e vërtetë që ka pasur individ që kërkonin pajtimin e turmës, gjë që tregon se turma ishte agresive, por ata ishin të pafuqishëm para atyre që nuk dukeshin por që vepronin. Atëherë as ne nuk i dinim këto gjëra. Më së shumti i mësuam në vitin 1992 dhe më pas, kur po dekoroheshin si protagonist të ngjarjes, bashkë me lumpenin zjarrvënës. Shpërndarja e demonstrimeve të paligjshme është kërkesë e ligjit dhe jo dëshirë e autoriteteve. Sigurisht, që policia e Shkodrës nuk ishte profesionalisht në nivelin më të lartë për t’u ballafaquar me turmat, pasi eksperienca e policisë shqiptare në atë kohë ishte minimale në këtë aspekt.
Urdhri që i jepet një polici për të qëlluar mbi turmën, deri ku e ka kufirin? Deri në eliminimin e një objektivi të caktuar apo vetëm neutralizimin e tij?
Veprimet kundër tubimeve të paligjshme nuk bëhen me urdhër sepse policët nuk janë kukulla që të komandohen si në teatër. Veprimet e policisë kryhen mbi bazën e legjislacionit në fuqi. As legjislacioni i atëhershëm dhe as i sotmi nuk lejojnë ndokënd të qëllojë mbi turmën. Sikur më 2 prill vetëm një polic të shkrehte të gjithë fishekët mbi turmën, do të mjaftonte të kishte dhjetëra të vdekur.
Jeni nga të paktët e dënuar për 2 prillin. A ndiheni edhe sot përgjegjës për atë që ndodhi atë ditë?
Moralisht më vjen keq dhe nuk kisha dashur as të ndodhte ajo ngjarje dhe as të isha unë i pranishëm. Në vendimet e dënimit tonë, të tri shkallëve, thuhet qartë se ne “as kemi vrarë dhe as kemi dëshiruar të vritet njeri, por kemi lejuar…” Me këtë lloj akuze mund të sjellje edhe Perëndinë në bankën e të akuzuarve. Prandaj, unë nuk kam ndjerë dhe as ndiej asnjë lloj përgjegjësie ligjore.
Ju ishit në krye të detyrës atë ditë, ndërsa drejtuesit e partisë iknin nga dritaret kurse drejtuesit e ministrisë qëndronin në Tiranë dhe jepnin urdhra. A është normale një gjë e tillë?
Nuk e di për cilët drejtues partie e keni fjalën, por, siç rezultoi më vonë, ka pasur drejtues që iknin nga dritaret dhe drejtues partie që organizonin demonstruesit. Unë mendoj se të vetmit njerëz që kanë qenë në vendin e gabuar janë ata që kryen demonstrimin e paligjshëm. Të ikurit nga dritaret kanë mëkatet e tyre, por nuk janë shkaku i pasojave.
A mendoni se keni vuajtur dënimin e dikujt tjetër që ju nuk e keni denoncuar? Është fjala për drejtuesit e kohës?
Unë nuk i kam pasur drejtuesit e kohës më shumë “xhan” se pjesa tjetër e popullit e sidomos jo më shumë se ata që shkonin në shtëpitë e tyre dhe bënin fotografi me gjithë qejf për t’ua treguar të afërmve dhe shokëve të nesërmen. Unë nuk kam qenë aq budalla sa të bëj burg për dikë tjetër. Për atë ngjarje, janë dy kategori njerëzish që duheshin dërguar në burg. Së pari, ata që kanë vrarë (që fatkeqësisht, nuk dihen) dhe ata që kanë organizuar ngjarjen për të përfituar prej saj. Këta dihen tashme por kanë pushtet mbi të tjetër dhe jo të tjerët mbi ata.
A e ka përcaktuar fatin e jetës tuaj ngjarja e 2 prillit, meqë jetoni edhe jashtë?
Ngjarja e 2 prillit dhe ata qe e sajuan atë, si dhe urdhëruan dënimin tonë, në të vërtetë e kanë dëmtuar rëndë jetën time. Më e keqja është se ata kanë dëmtuar edhe jetët mijëra të tjerëve dhe kështu do të bëjnë sa kohë të jenë mbi këtë tokë.
Para dy vitesh, ju kini botuar librin “Kush vrau më 2 prill?’. A ka pasur reagime apo kërcënime ndaj jush pas kësaj?
Sigurisht që ka pasur. Më i spikaturi ka qenë shkrimi i një hajduti shtëpish, i cili botoi një shkrim të gjatë në gazetën “RD”, gazetë, të cilën Azem Hajdari e pati quajtur në vitin 1996 “Gazetë Terroriste”. Ky lloj hajnit u përdor nga regjimi pak para gjyqit për të ndikuar në opinion mbi gjoja fajësinë tonë. Në shkrimin e para dy viteve, ai merr përsipër të futet në marrëdhëniet e mija me ligjin, me të afërmit e viktimave dhe me ish-Presidentin e asaj kohe. Pra, guxon të futet në pyll pa sopat. Ai dhe ndonjë tjetër madje edhe me kërcënojnë nga larg, për të më mbyllur gojën.
Fatmirësisht, unë jam admirues i patriotit Hasan Prishtina, i cili thoshte se “Nuk me trembin armiqtë e votrës, nuk më thonë ari i gjithë botës“. Unë kam njohur shumë hajna për shkak të profesionit dhe nuk do të merresha me të, por ai u përdor dhe vetëpërdor nga regjimi për të dhënë leksione mbi fajësinë dhe te vërtetat e ngjarjes. Sikur regjimi i Sali Berishës të ishte sadopak demokratik, ky njeri dhe të tjerë si ai do të duhej te ishin ose në burg ose të fshiheshin nëpër shpella, siç kanë bërë gjyshërit e tyre.
A mund ta dimë se kush është ky njeri?
Po. Ai quhet Alfons Grishaj. Është dënuar në vitin 1976 me 4 vjet burg për vjedhje të pasurisë shtetërore më shumë se një herë dhe në përpjesëtime të mëdha. Mirë se shtetin e vodhi sepse e kishte inat, po çfarë pati me popullin? Në vitin 1981 është dënuar përsëri me 8 vjet burg për vjedhjen me përsëritje të shtëpive të qytetarëve të Shkodrës. Ky njeri është dekoruar nga Sali Berisha “Pishtar i demokracisë”.
Merret me mend çfarë pishtari është ky dhe të gjithë ata që po përpiqen prej 20 vitesh t’i imponohen dhe të marrin nëpër këmbë popullin shqiptar. Gjithashtu, kuptohet qartë çfarë përfaqësojnë edhe ata që e kanë dekoruar këtë tip social. Zjarrvënësit nuk e ndalën turravrapin në vitet 1991-1992, por vazhduan edhe në vitin 1998. I vunë zjarrin Gjykatës së Shkodrës me shpresë që do të fshinin çdo gjurmë nga e kaluara e tyre, por e vërteta as nuk mbytet dhe as nuk digjet. Edhe vendimi nr. 448, datë 30.12.1976, edhe vendimi nr. 255, datë 24.11.1981, si dhe shumë vendime të tjera i shpëtuan zjarrit të “pishtarëve”.
A shihni ndonjë ngjashmëri midis ngjarjes së 2 prillit dhe asaj të 21 janarit të këtij viti?
Po. Këto dy ngjarje kanë këta elementë të përbashkët: Së pari, viktimat e të dy ngjarjeve janë njerëz të pafajshëm. Së dyti, në të dy ngjarjet ka pasur persona nga turma që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë dhe ndaj objekteve në ruajtje. Në ngjarjen e 2 prillit dhuna ishte më e ashpër, sepse kishte qenë e organizuar. Aty u përdorën edhe eksploziv e shishe me lëndë djegëse dhe objektet e sulmuara ishin më shumë se një. U sulmua edhe biblioteka e qytetit dhe godina e radios së qytetit.
Jam absolutisht kundër dhunës dhe i dënoj përdoruesit e saj, si të djeshmit edhe të sotmit. Së treti, është domethënës fakti se në të dyja ngjarjet, protagonist është, Sali Berisha. Ai, në të dyja ngjarjet përbën njërën palë të konfliktit. Më 2 prill ishte i padukshëm dhe doli me vonë në skenë, kur u mor vesh se ngjarjen e kishin organizuar fshehtas bashkëpunëtoret e tij, me miratimin e tij dhe sipas këshillave të Laboratorëve Ndërkombëtare të Krimit Politik. Ndërsa në rastin e dytë, ai ishte protagonist i hapur i ngjarjes. Këto dy ngjarje kanë edhe mjaft ndryshime.
Së pari, protesta e 2 prillit ishte e pakërkuar, deri e mohuar në mënyrë kategorike nga drejtuesit e PD-së në Shkodër, rrjedhimisht edhe e paautorizuar. Ndërsa ajo e 21 janarit ishte e autorizuar dhe kishte organizatorë legalë. Së dyti, më 2 prill, një pjesë e turmës dogji e shkatërroj, kurse një pjesë tjetër vodhi karrige, qilima e çfarë gjeti. Kjo tregon edhe kategorinë shoqërore tek e cila u mbështet Berisha për të djegur Shqipërinë për hir të pushtetit të tij. Së treti, pas ngjarjes së 1991, drejtuesit e atëhershëm te qeverise na thanë se ” vrasjet ishin të paligjshme dhe drejtësia do të përcaktojë fajësitë” , kurse pas ngjarjes së 21 Janarit 2011, drejtuesi i qeverisë i falënderoi ata qe ishin përballë turmës dhe i shpërbleu me disa rroga.
Ai, madje, brenda disa minutave, dha edhe verdiktin se kush i kishte vrarë e se kush ishte fajtori, por “ra brenda” më pas, kur tha se “mund të vriteshin edhe 300 të tjerë”. Së katërti, në ngjarjen e Shkodrës, drejtuesi i partisë, qe nuk kishte funksione shtetërore, u dënua dhe vdiq në burg ndërsa në ngjarjen e Tiranës, drejtuesi i partisë ishte edhe drejtues i qeverisë dhe e ka ndërmend të qëndrojë mbi “kalë” deri sa t’i eci. Së pesti, për ngjarjen e 1991 nuk ka rezultuar ndonjë provë që të implikojë drejtuesit e atëhershëm të shtetit, ndërsa për vrasjet e 21 janarit drejtuesi i qeverisë e pranon vetë autorësinë kur, duke iu drejtuar kryetarit të opozitës, i tha se “Herën tjetër do të veçoj ty dhe nuk kam punë me të tjerët”.
Me këtë fjali dëftore, zotëria desh të thoshte se këtë herë kishte vrarë këdo që i zuri pushka dhe herën tjetër do të vriste drejtuesin e opozitës. Pra, kemi pranimin e autorësisë së katër vrasjeve dhe kanosjen për një vrasje tjetër. Në shtetin e ligjit, këta njerëz përfundojnë në burg, ndërsa në shtetin e Maliqit ata bëjnë përpjetë. Së gjashti, për ngjarjen e 2 prillit, ekspertimet balistike dhe mjekoligjore i kanë përjashtuar armët e policisë si mjete të vrasjeve, ndërsa në rastin e këtij viti, të paktën deri tani, një armë e shteti u vërtetua të jetë armë vrasëse. Së shtati, pas ngjarjes tonë, prokuroria dhe gjykatat u vendosën tërësisht nën urdhrin e politikës, ndërsa këtë radhë duket se fatmirësisht do të jenë deri diku më të pavarur. Unë uroj që asnjë oficer apo polic i pafajshëm i kësaj ngjarje të mos dënohet siç u veprua me neve.
Duket se ju fajësoni Sali Berishën për të dyja ngjarjet, apo jo?
Sali Berisha është makina që gjeneron dhunë dhe konflikte prej 20 vjetësh. Mua nuk më shqetëson individi Berisha, por fenomeni Berisha dhe gatishmëria jonë si popull për ta kultivuar, ndihmuar dhe frymëzuar sharlatanët politikë që të vijnë në pushtet dhe të qëndrojnë atje sa më gjatë që të munden. Nga drejtuesit e shtetit shqiptar, Sali Berisha është fenomeni me komik dhe tragjik. Ai është politikani më pa identitet social dhe politik.
Merreni me mend një njeri që gjysmën e dytë të jetës së tij ua kushton përpjekjeve për të vërtetuar dhe bindur popullin se nuk është ai që ishte gjysmën e parë të jetës së tij. Çfarë stërmundim i kotë dhe i turpshëm! Ai e përdor statusin e tij social dhe politik (si komunist), që e ka fituar dikur me lutje dhe mbajtur për 22 vjet me përkushtim, për të etiketuar kundërshtarët politikë të sotëm që nuk e kanë pasur kurrë atë status. Nëse të qenit komunist ka qenë një turp, kjo do të thotë se zotëria në fjalë ka jetuar në mënyrë të turpshme deri në moshën 47 vjeç.
Po, as ulërimat prej çakalli dhe as skërmitjet prej maçoku, që përsërit çdo ditë prej 20 vjetëve, nuk do të mund ta lanin atë turp, nëse është vërtetë i tillë. Sali Berisha nuk është i dëmshëm, as pse ka qenë 22 vjet “komunist” dhe as pse ka qenë 20 vjet “antikomunist”. Këto nuk janë kritere për të përcaktuar njeriun. Shqipëria ka pasur dhe ka edhe komunist të ndershëm dhe antikomunist të ndershëm. Sali Berisha është i dëmshëm pikërisht se nuk është asnjë njëri as tjetri.
Ashtu si flirti fizik midis pelës dhe gomarit sjell qenien biologjike shterpë që quhet mushkë, flirti politik midis komunizmit dhe kapitalizmit ka sjelle qenien politike shterpë që quhet Sali Berisha. Kur regjimit komunist i erdhi fundi, drejtuesit dinakë dhe të plakur të atij regjimi menduan për mënyrën e transplantimit të “gjakut” të tyre në regjimin që po vinte. Kam bindjen se e ardhmja do të na sjellë shumë dëshmi që do provojnë se Ramiz Alia me një rreth të ngushtë njerëzish, i dhanë Berishës, dhe jo vetëm atij, flamurin e antikomunizmit në dorë për ta valëvitur që ta shinin Perëndimi dhe ish- të persekutuari dhe, nga ana tjetër, iu dhanë “uniformën e detyrës” (pardesytë e bardha) qe t’i njihte aparati shtetëror misionarët e tij. Pastaj iu dha makina dhe bodigardë, gazeta dhe akses ne radio e TV që të shanin regjimin. Rënia e regjimit komunist nuk varej nga nomenklatura e kohës. Prej saj varej vetëm mënyra e rënies.
Zoti Alia do të bënte mirë të linte në dorëshkrim një broshurë ku të shpjegonte procedurën që ndoqi, pasi, kështu, të paktën është i sigurt se në histori do të kalojë si njeri i zgjuar, ani pse në dy kampet “kundërshtare” dërgoi ndër njerëzit më të padenjë për këtë mision. Të padenjë për të bërë diçka të mirë për popullin dhe shumë të zotët për mirëqenien e tyre.
Sali Berisha ka bërë aq shumë dëme dhe do të vazhdojë të bëjë në të ardhmen, nëse nuk i vihet freri. Një popull i pjekur dhe përgjegjshëm, njerëz si Saliu i dërgon ose në burg, ose në spitali psikiatrik dhe jo në krye të shtetit.
Promotor i djegies dhe shkatërrimit të vendit; nxitës i urrejtjes dhe konflikteve kombëtare; autor i cenimit të territorit shqiptar në favor të fqinjëve; drejtues i kontrabandave të naftës, armëve dhe votave; mashtrues i klasit të parë; gjel me të vetët dhe pulë e lagur me të huajt; dhunues verbal por edhe fizik i kujtdo që i duket se e pengon drejt pushtetit të përjetshëm; blerës (me paratë e popullit) i influencës politike të brendshme dhe të jashtme; harbut i paimagjinueshëm në komunikimin e përditshëm publik këto mendoj se nuk janë pak për t’i thënë “Ik, këput qafën!”.
A keni menduar të ktheheni në Shqipëri në të ardhmen?
Shqipëria është vendi im pavarësisht si erdhën punët. Atje kam shumicën e njerëzve te mi të dashur, atje kam fëmijërinë dhe rininë, megjithëse ma burgosen. Dashurinë për vendin tim nuk mund të ma largojnë horrat e përkohshëm.