Mitet false të “dordolecit” Sali Berisha

0
61

Nga Kledian Lula, 5 Tetor 2011

Personazhi kronologjik “S-S” është i tillë: Në vitin 1990, kur diktatura komuniste, për të shpëtuar “lëkurën”, deklaroi se “lejonte pluralizmin politik në Shqipëri”, personazhi “S-S”, në krahë të ish-kreut të pushtetit komunist, kundërshtoi me forcë, duke kërkuar “vazhdimin e përjetshëm vetëm të vijës së lavdishme të PPSH”. Në momentin kur studentët e kishin tronditur dhe e kishin asfiksuar totalisht diktaturën komuniste, personazhi “S-S”, u fut si “profesor i dashur dhe aktivist anti-diktaturë” mes studentëve. Pasi u vet-prezantua si “mik i studentëve”, personazhi “S-S” arriti të ngjitej si “idhtar demokracie” në podiumet e protestave studentore. Pastaj, “butë-butë”dhe me “kujdes” e pa zhurmë si zvarranik, personazhi “S-S” uzurpoi rolin e agjitatorit të “egër anti-regjim”.

Në momentin që studentët dhe banorët e Tiranës, po rrëzonin monumentin e diktatorit, personazhi “S-S” vrojtonte organizatorët nga brenda një veture të policisë sekrete të diktaturës. Më pas, personazhi “S-S” u shfaq në rolin e disidentit “anti-komunist”, duke përfaqësuar studentët në luftën me kupolën e diktaturës. Brenda pak ditëve, personazhi “S-S” uzurpoi rolin si udhëheqës i Lëvizjes Studentore e Intelektuale. Më tej, personazhi “S-S” u vet-shpall iniciues dhe organizator i lëvizjes studentore e intelektuale qysh në vitin… 1988!. Më tej, u vet-shpall “krye-themelues i partisë opozitare anti-komuniste PD”.

Pas rënies së diktaturës, personazhi “S-S” u bë “pronar” i pushtetit të ri politik-ekzekutiv. Prej 20 vitesh, personazhi “S-S”, vazhdon të jetë pronar i vetëm i PD, duke u vet-deklaruar e pompuar nga agjitatorët e oborrit të tij, si “përmbysës i diktaturës komuniste”. Tashmë që gjendet 7 vjet brenda moshës së tretë, personazhi “S-S” po përpiqet të futet në historinë e Shqipërisë, ashtu siç ëndërron e jo siç ka lënë gjurmët. Po cili është personazhi “S-S”? Eshtë SALI RAM BERISHA, ish-komunisti ekstremist, ish-spiuni i sigurimit, ish-persekutori i studentëve dhe intelektualëve, prej 20 vitesh “dordolec” politik, i veshur me shumë mite false…

Jo “mik”, por persekutor i studentëve

Me mision të ngarkuar prej Sigurimit të Shtetit dhe kupolës së diktaturës, personazhi “S-S” u fut brenda Lëvizjes së Dhjetorit 1990, duke u vet-prezantuar dhe propaganduar prej shërbimit sekret, si “mik i studentëve”. Të rinjtë studentë dhe pedagogë e njihnin “doktor-profesorin” si komunist të betuar, që i nxirrte nga auditoret për barseta e flokë të gjata, që nuk i pranonte në provime me shfaqje të huaja. Që i fuste tek “dhoma e edukimit” së bashku me operativin e sigrimit të Fakultetit, ku “i edukonte” dhe u griste fundet, fustanet e ngushtë e të shkurtër dhe pantallonat kauboj. Personazhi “S-S”, shkonte natën në godinat studentëve, duke “vigjëluar”, se në cilën dhomë dëgjoheshin tinguj këngësh dekadente dhe barcaleta kundër pushtetit popullor. Mëngjes drekë e darkë, qyteti “Studenti” në ato ditë të lëvizjes anti-komunsite, nisi të “gjëmonte” nga propaganda false e një “ekipi special agjitatorësh”, të cilët e paraqesnin personazhin “S-S”, si “mik të afërt të studentëve”, si “inicues dhe organizator i lëvizjes stduentore anti-komuniste”. Ky mit fals ra, kur ne media u publikua përshëndetja që personazhi “S-S” i dërgoi kupolës së diktaturës komuniste, si “themeluese të pluralizmit politik”.

Jo “disident anti-komunist”, por komunist i tërbuar

Personazhi “S-S”, ka vepruar si komunist ekstremist që nga viti 1968 në moshën 24 vjeçare e deri në dhjetor 1990, në moshën 46 vjeçare, kur sigurimi i shtetit dhe kupola e diktaturës e hodhën me shërbim special, si “desant” brenda lëvizjes studentore, për ta patur e për ta marrë atë nën kontroll. Plot 23 vite komunist ka qenë personazhi “S-S”, graduar si sekretar partie për “merita të shquara në luftën e klasave, në zbulimin dhe denoncimin e armiqve të regjimit”. Për shkak të misionit si “anti-komunist”, duhej të bëhej i besueshëm tek studentët dhe shqiptarët. Hodhi publikishit teserën e PPSH dhe nisi të “vjell vrerë” ekstrem kundër partisë ku militoi me devotshmëri dhe nisi “sulmet agresive” kundër udhëheqësve që e bënë profesor, doktor dhe sekretar partie dhe për më tepër, kundër sigurimit të shtetit, që e kishte “sy-vesh-gojë” vigjilente në zbulimin dhe luftën kundër armikut të klasës. Në çdo moment, “anti-komunizmin” ekstrem fals të personazhit “S-S” e propagandonte një makineri e sofistikuar agjitative. Ky mit fals ra, kur në media u publikuan prova, që personazhi “S-S” ka qenë veçse një eksponent komunisti fanatik ekstremist.

Jo “flamurtar i pluralizmit”, por mallkues i tij

Personazhi “S-S”, ishte i përzgjedhur mes intelektualëve komunistë të oborrit të diktaturës, që mblodhi kupola e pushtetit për të diskutuar dhe pranuar, ose jo publikisht pluralizmin politik në Shqipëri. Edhe pse ishte instruktuar prej kupolës komuniste, që të ngrihej e thoshte “PO PLURALIZMIT”, personazhi “S-S” u ngrit dhe deklaroi prerazi “JO”. Tepër energjik, ashtu si në 23 vitet si “profesor”, komunist e sekretar partie, personazhi “S-S” kërkoi që “të vazhdonte roli udhëheqës i PPSH, si e vetmja garanci politike drejtuese e jetës së vendit”. Edhe pse kreu i kupolës komuniste ia bëri disa herë “me shenjë” që të thoshte të kundërtën, personazhi “S-S” e mbylli fjalën e tij me deklaratën: “Ne e kemi një parti që na drejton, kemi PPSH, nuk na duhen të tjera”. Të nesërmen e atij takimi, ekipi i agjitatorëve “pompues”, nisën propagandën në shtyp dhe mjediset publike mes studentëve, mësuesve, intelektualëve, minatorëve, naftëtarëve e kudo, se personazhi “S-S”, gjoja “kishte kërkuar hapur dhe më këmbëngulje pluralizmin politik dhe heqjen e rolit udhëheqësa të PPSH”. Ky mit fals ra, kur në ekrane u shfaqën kronikat e kohës që tregonin me zë e me figurë, se personazhi “S-S” nuk ishte “flamurtar i pluralizmit”, por mallkues i tij.

Jo “mik” i të dënuarve politikë, por përgjues, denoncues dhe burgosës i tyre

Një nga mitet false, që i duhej sigurimit të shtetit dhe kupolës së diktaturës, për ta bërë të besueshëm personazhin “S-S” në sy të shqiptarëve, ishte dhe propaganda intensive, për ta paraqitur si “mik të afërt, të dhimbsur e bashëkvuajtës” të ish-të persekutuarve e të dënuarve politikë. Fillimisht u përhap mashtrimi, se personazhi “S-S”, ishte ai që “detyroi diktaturën komuniste të hapte burgjet dhe kampet e internimit” ku mbaheshin të izoluar kundërshtarët e regjimit. Me këtë mit fals, personazhi “S-S” zhvaste votat e familjeve anti-komuniste, por dhe paraqitej publikisht si “bashkëvuajtës, si mik, si mbështetës dhe dashamirës i tyre”. Kjo “maskë” e ky mit fals, pati efekt deri para disa kohësh, kur në media doli një nga ish-të dënuarit me varje prej diktaturës, cili denoncoi publikisht dhe me prova personazhin “S-S”, si përgjues, denoncues në hetuesi dhe dënues me varje në gjyqin e zhvilluar në vitin 1975.

Jo “krye-themelues i PD”, por uzurpues djallëzor i saj

Fillimisht, në ditët e para të misionit të tij si spiun brenda lëvizjes studentore, personazhi “S-S”, qëndronte nën pragun e derës të dhomës kur mblidheshin studentët. Pastaj, nën mitin fals të “profesor-mikut” të studentëve e pedagogëve, arriti të ulej në një nga karriget tek dera e dhomës. Pastaj, po nën këtë mit fals, arriti të jap mendime për programin e lëvizjes. Pastaj, po nën këtë mit fals, arriti të bëhet pjesë e udhëheqjes studentore. Pastaj… me mjeshtërinë e karrierës si sekretar partie i PPSH, arriti të bëhet bashkë-themelues i PD. Pastaj, me intrigat e tij të viteve si komunist, u ngjit në krye të lëvizjes dhe… u bë kryetar i PD. Këtë “ngjitje të qetë” të llojit zvarranik “shumë-këmbësh”, ia mbështetën agjitatorët me propagandë e “bëma të anti-komuniste të personazhit “S-S”, gjatë viteve të diktaturës”. Pasi hipi në krye të PD, e pompuan si “kryethemelues të PD dhe sjellës të demokracisë në Shqipëri”. Ky mit fals ra, kur nisën të publikohen dokumente e dëshmi, që personazhi “S-S”, kishte arritur të bëhej kryetar dhe krye-themelues i PD, me intriga dhe me mbështetjen e sigurimit të shtetit e të ish-miqve të tij komunistë, bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit, të cilët u futën brenda Lëvizjes Studentore, si “misionar” të kupolës së diktaturës komuniste.

Jo “luftëtar anti-korrupsion”, por kapobanda e krimit ekonomik

Deri në vitin 2005, shqiptarëve u kishte “mpirë trurin” propaganda false, që “doktori” i PD ishte “njeri i ndershëm dhe armik i përbetuar i korrupsionit”. Për 13 vjet rradhazi, që prej vitit 1992 kur u bë president Republike dhe deklaroi, se “nuk do jetonte në Pallatin e Brigadave, por në shtëpinë e tij në Brakë”, shqiptarët shikonin tek personazhi “S-S” dhe familja e tij “simbolin e ndershmërisë dhe luftëtarit anti-korrupsion”. Ky mit fals ra pas vitit 2005, kur pushtet-familja e personazhit “S-S” u shfaq ashtu siç ishte në të vërtetë: e babëzitur për t’u pasuruar, duke mos u ndalur edhe përballë krimit njerëzor. Familja dhe klani i afërt qeveritar i personazhit “S-S”, u kthye dhe vazhdon të jetë “Rezidenca qendrore e korrupsionit”, me aktivitet zhvatjen e pasurive dhe financave kombëtare, nëpërmjet përdorjes kriminale të pushtetit.

Jo “atdhetar”, por tradhtar i Shqipërisë

Personazhi “S-S” nuk ka nguruar të paraqitet si “atdhetar”, si “mbrojtës i çështjes kombëtare”. Por ky mit fals i ka rënë në vazhdimësi prej qëndrimeve anti-kombëtare që ka mbajtur. Ky mit “mbijetoi” deri në vitin 1994, kur personazhi “S-S” nisi të furnizonte me karburante dhe armë makinerinë ushtarake serbe, që po vriste e po ndiqte nga trojet shqiptarët e Kosovës. Ky mit fals si “atdhetar” i ra, në momentin kur personazhi “S-S”, firmosi dhe bëri ligj, që mbi hapësirën kombëtare detare shqiptare, të vihej kompasi për copëtimin e territorit shqiptar, si dhuratë për Greqinë. Ky mit fals i ra, që në momentin, kur personazhi “S-S”, firmosi dhe bëri ligj ç’regjistrimin e shqiptarëve, për ta kthyer Shqipërinë në shtet multi-etnik, duke e kthyer kombin shqiptar në minoritet. Ky mit fals i ra, kur personazhi “S-S” firmosi dhe bër ligj kthimin e Shqiëprisë në kosh plehrash të botës.