Nga Mero Baze, 18 Nëntor 2011
Kohët e fundit Ilir Meta është vënë në qendër të disa teorive konspirative për mundësinë e kthimit të tij në një minues të shumicës së Sali Berishës. Teoria më e fundit konspirative, që ka vënë atë në qendër, është një aleancë e heshtur e tij me Bamir Topin. Prova e tij e vështirë me drejtësinë, e cila po kalon me një kosto shumë të rëndë duke shkatërruar tërësisht autoritetin e Gjykatës së Lartë, pazaret e tij për Guvernatorin e ri, problemet që i rihapin ushtarët e tij, arrestuar me qetësi nga Sali Berisha si specie të dala jashtë kontrollit, të bëjnë të besosh se ai ka probleme në bashkëjetesën me Sali Berishën.
Problemi real që shihet nga larg ka të bëjë me psikologjinë e tij për pushtetin. I mësuar si një individi i gjithëpushtetshëm në kohën e tij si kryeministër, ai shumë gjëra dhe nuk i kupton dot. Nuk kupton dot si të jetë zëvendëskryeministër dhe ta diskretitojnë, si të jetë zëvendëskryeministër dhe të japë dorëheqje për një video, si mund ta dënojë Gjykata e Lartë, kur ai e njeh kryetaren se i ka ‘rregullu gocën në punë’, si mund të quhet e vlefshme ekspertiza amerikane, e cila në thelb është një copë letër, të cilën mund ta shkruajë dhe shoferi i tij, si mund t’i arrestojnë bashkëpunëtorët e tij se vidhnin ca naftë dhe benzinë nëpër pika, ndërkohë që disa nga ata kanë shkrirë pasurinë për të, duke i ndërtuar shtëpitë e shumta dhe duke mos marrë kurrë para prej tij, dhe mbi të gjitha si të mos njoftohet ai për të gjitha këto…
Ndenja e të qenit në pushtet tek ai është tronditur. Përfytyroni gruan e tij në shtëpi, ulërimat që i kanë arrestuar kushërinjtë dhe militantët, ulërima që ata të Gjykatës nuk po mbyllin çështjen, ulërima që Argita e ka më të madhe vilën në Lalëz dhe Zamiri më të madhe në Farkë, ulërima për çdo thashethem që ata të Familjes po bëjnë para më shumë se ata… Dita- ditës ai po ndjehet si lider i zhburrëruar, të cilin po përpiqen ta paraqesin si njeri që s’ka më gjë në dorë. Repartet që kanë hekurishte skrapi po mbarojnë dhe miqtë e tij të darkave vonë, Fahriu, Nari, Rasimi, Tasimi, Halimi, e çfarë ka ai, po kërkojnë biznese të reja. Spitalet u mbushën me ilaçe të skaduar dhe s’kanë ku t’i çojnë më, ndërsa ambulancat janë rregulluar nga dy herë edhe pse s’ka kaluar dy vjet. Ky njeri ka një problem real me të qenit në qeveri.
Gjithë këtyre halleve të tij reale i shtohet dhe presioni i opinionit publik. Për të mbyllur problemet e pafundme me drejtësinë, atij i duhet Presidenti, i duhen njerëz që të qetësojnë gjyqtarët, të jenë të kujdesshëm me të. Ai vetë në Kuvend nuk ia ka prishur kurrë Presidentit, dhe është treguar i kujdesshëm për të qenë ndaras nga sulmet e Berishës. Shumë gjëra që ndodhin rreth tij me shumë egërsi dhe nuk i kupton, por mbi të gjitha nuk kupton dot pse Kryeministri nuk e thërret këtë Bamirin, ta lejë president dhe të bien rehat. Nuk kupton dot pse ky Bamiri bëhet kaq i egër dhe do të krijojë parti patjetër, kur mund të kapë ndonjë gjë tjetër po të ulen të flasin. Dilemat e tij janë të pafundme pasi po bashkëjeton me të ngjashmin e tij, por jo me të njëjtin si vetja. Po bashkëjeton me një njeri që i do gjithë pushtete si Meta, gjithë paratë si Meta, gjithë drejtësinë si Meta, gjithë institucionet si Meta, por jo me pazar. Ai i do të mundur ata që rezistojnë, të dorëzuar dhe të rënë në gjunjë para tij. Nuk i do tu dërgojë sekserë, të bëjnë muhabet lekësh, postesh dhe pazare të tjera. Kjo e çudit shumë dhe e huton në gjithë këtë zallamahi. Duke ia kapur hutimin, të gjithë tani po luajnë me të. Topi i dërgon sinjale pozitive duke heshtur për skandalet e drejtësisë në gjyqin ndaj tij, Rama vazhdon të bëjë stretching pas shkrimit të librit, duke u përpjekur të shpijë gjymtyrët duke luajtur me fjalët ‘derë e hapur’, ‘shansi i dytë’ dhe pirueta të tjera, disa socialistë të pafrenuar në dëshirën e tyre për pushtet flasin për një bashkim me “kuç e maç” kundër Saliut, dhe ai nuk ka si të mos jetë i hutuar.
Ai po matet të bëjë diçka. Dhe nuk ka faj. Ia kanë komplikuar shumë jetën. Në mbrëmje i shkon Fahriu në shtëpi dhe i thotë ‘duhet mbështetur Bujar Leskaj, por heziton Saliu se e quan provokim të Bamirit’, pastaj del e shikon që Bujar Leskaj shëtit me Agron Kuliqin në bllok për të treguar që është me Saliun, dëgjon Saliun dhe ai thotë merrem me vepra, jo me llafe, pyet në PD a do ta votojnë dhe i shikon më të hutuar se vetja, i duket lojë e madhe se mos ky Bamiri i ka thënë Leskajt ‘dil shëtitje me Kuliqin që të gënjejmë Berishën’, por prapë nuk i del llogaria se mendon që Fahriu nuk e ka gënjyer kurrë… dhe prapë hutohet.
Rri e mendon prapë se ky Rama tha që Meta ka një shans të dytë, dhe ky Braçe tha nuk ka më shans të dytë, se u ka thënë kokëpalarë atyre që janë vrarë më 21 janar, dhe rri e merr një mesatare të shanseve duke menduar se ka një shans të dytë, por jo me PS, d.m.th me dikë tjetër kundër Berishës dhe PS. Prapë i del përpara syve Bamiri. Rri e mendon se bashkë me të mund ta rrëzojnë qeverinë para majit, ose ta çojnë deri tek gremina, por prapë ka frikë se Malaj, Islami, Harasani dhe ndonjë tjetër i ikin me Doktorin dhe i bie rëndësia dhe qeveria nuk rrëzohet, dhe ai ngel pa asgjë. Këtej socialistët shkumëzojnë për të si tradhtar, por ka plot që kanë qejf që ai ta lajë gabimin duke rrëzuar Berishën, por jo duke shkuar tek ata…
Prapë përfytyron si i bie rëndësia nëse dikush tjetër zëvendëson rolin e tij, sa shumë njerëz dëshpërohen dhe ikin nga puna, sa shumë forcohen ata që hyjnë qyl në vend të tij duke mos pasur as borxhe ndaj militantëve siç ka ai. Përfytyron sikur t’i vijë ai që i ka rregulluar shtëpinë në Tiranë t’i kërkojë lekët, ata që ia kanë falur t’i kërkojnë lekët, Zamiri t’i kërkojë lekët, në Gji të Lalzit t’i kërkojnë lekët, ata që kanë marrë licenca hidrocentralesh e s’po i bëjnë dot t’i kërkojnë lekët… Kjo e kthjellon dhe e kthen prapë tek Berisha si zgjidhja më e mirë, edhe pse po e poshtëron.
Por thellë- thellë ai është një njeri që mbijeton nga rrethana të çastit dhe tani hallet që ai ka me drejtësinë më shumë i ka në dorë Topi. Njerëzit gumëzhijnë se këta të dy diçka do bëjnë bashkë dhe fillon e dëgjon fjalë të mira për veten. Pastaj drithërohet kur mendon se këto fjalë mund të kenë shkuar deri tek Berisha, ndaj ia ka arrestuar mbështetësit e vet, disa prej të cilëve kushërinj. Kjo puna e shansit të dytë i duket kot, se i ngjan si shans për tu pastruar, për tu ballafaquar me drejtësinë dhe për tu bërë politikan normal. D.m.th thjesht të mos jetë më Ilir Meta.
I duket budallallëk. Ndaj e ka zgjidhur mirë. Është mbyllur në shtëpi dhe turfullon. Dëgjon dhe turfullimat e gruas. Dëgjon dhe të miqve e kushërinjve që i kanë zënë shtëpinë dhe i thonë ‘Berisha po ta fut’. Dëgjon dhe ata që i thonë ‘Edi Rama nuk foli keq’. Dëgjon dhe Bujar Leskajn që i thotë ‘më voto mua se pastaj ja fusim Saliut’. Seç ka një gjë në mendje që do ta thotë, po nuk i vjen fjala e duhur. Hesht se nuk do që ta shikojnë kaq të dëshpëruar dhe të hutuar. Nuk do të zhgënjejë as ata që thonë se po tradhton Berishën, as ata që e dinë mirë që s’ka për ta tradhtuar. Tani ai urren ata që prishën fuqinë e numrave. Urren Ben Blushin, Arben Malajn që votuan kundër PS, urren Kaçin dhe Harasanin që janë gati të shkojnë me Doktorin, urren Idrizin apo ndonjë biznesmen tjetër në PS që mund të shkojë në PD, dhe natyrisht do që Topi të përpiqet t’ia kompensoj këtë plagë duke ia marr po kaq vetë Doktorit që ai të bëhet prapë i rëndësishëm. A do bëhet më vallë i rëndësishëm?! Larg qoftë!
Edhe te jesh prej druri,jo prej mishi,te shkojne te dridhura.
Gjendja natyrore e njeriut,sipas Hobes,identifikohet me “BELLUM OMNIUM CONTRA OMNES”,(Lufte e te gjitheve kunder te gjitheve),dhe kjo kontrate origjinale zgjedhet nepermjet tjetersimit te te drejtave te te gjitheve e te secilit ne favor te sovranit.
Gjendja e lirise tek ne eshte tjetersuar ne nje gjendje lejeje:nese pushteti te jep leje, ti mund te punosh.
Comments are closed.