MISIONI I PARTISË DEMOKRATIKE

0
42

Shenasi Rama, 26 korrik 2013

Në Dhjetor të vitit 1990, PD ka pasur një mision historik. Misioni historik i PD, ashtu sic e kam pase menduar unë atëherë, dhe si e besoj edhe njëlloj edhe tani, ishte që të ofronte një alternativë të balancuar për të shmangur ekstremet e mundshme me të cilat përballej shoqëria shqiptare në atë kthesë historike. Edhe pse kishte shumë faktorë që ndikonin për keq, nuk duhet me ia mohue meritat për arritjet që mund të kenë në pika të caktuara, as PD-së e as Sali Berishës. Prapëse prapë, ky ishte një shans historik që nuk duhej humbur por që fatkeqësisht u humb. Këtu në Rrethin e Ferrit, është trajtuar gjerësisht kjo temë. Mirëpo, përpjekja intensive për të ngjallur të vdekurin që është në koma, PD-në, është një shkas për reflektim lidhur me misionin e kësaj partie dhe me të ardhmen e saj.

Çfarë misioni kishte PD?

PD duhej të ishte instrumentale për të arritur transformimin e thellë e rrënjësor të shoqërisë në shtetin shqiptar nga sistemi parti-shtet, në një shtet-komb modern. Këtë duhej ta bënte duke përdorur me efikasitet dhe pjekuri burimet njerëzore, natyrore e materiale që kishim në atë pikë e që nuk ishin të pakta por të konsiderueshme. Ekstremet kryesore me të cilat përballej vendi në atë pikë e nga të cilat do të duhej që të ruhej ishin shtatë. Këto ishin lufta civile, shkatërrimi ekonomik, zvetënimi i pjesës së shëndoshë të shoqërisë, rrënimi i strukturës shtetërore, fragmentarizimi shoqëror, varfërimi dhe polarizimi ekstrem, dhe reduktimi i shtetit shqiptar në jofaktor në lidhje me ceshtjen kombëtare. Lista natyrisht është shumë më e pasur, mirëpo të gjithë problemet e tjera lidhen me këto procese, burojnë prej tyre, ose janë të lidhura ngushtë me to.

Si do të ndikonte PD në arritjen e këtyre objektivave?

E vetmja mënyrë përmes së cilës mund të arriheshin këto objektiva strategjikë ishte që të punohej për ruajtjen e forcimin e shtetit dhe transformimin gradual të ekonomisë e të shoqërisë. Kjo do të arrihej duke punuar me kujdes me popullin dhe me partitë e tjera që dolën nga PPSH. Arsyeja ishte se këto parti, e në radhë të parë, PS, kishin përvojë të madhe në drejtimin e shtetit. Në atë udhëkryq kur duhej të bënte shtet-kombin, udhëheqja e PD-së zgjodhi rrugën me të lehtë duke mos bërë as shtetin, as kombin. Nga një anë ndoqi popullin, nga ana tjetër vendosi të ndiqte modele fantastike dhe eksperimentale politike e ekonomike që nuk ishin vënë në jetë kund. Shteti shqiptar u bë si karroca e Nastradinit.

Ja një shembull. Tre Heronjtë e PD-së, sic u shpreh Mëkëmbësi i Sali Berishës, janë Azem Hajdari, Sali Berisha dhe Gramoz Pashko. Ja cfarë bënë këta të tre, të ashtuquajtur heronj të PD-së. Gramozi solli në PD intelektualët e degjeneruar dhe hodhi teorinë e “Cekut të Bardhë” dhe dihet rruga dhe fundi i tij. Azemi solli në PD rrugacët e gangsterët, i hyri kontrabandës, vrasjes, dhunimit e krimit dhe dihet edhe fundi i tij. Sali Berisha solli spiunët e veglat e të gjithë regjimeve, i degjeneroi, zvetënoi e përdoroi njerëzit pa mëshirë dhe tani që kanë nisur si minjtë të braktisin anijen, po e sheh qartë fundin e tij.

Udhëheqja e PD-së e shfrytëzoi pa mëshirë, pa respekt, ma dhembshuri, dashurinë e madhe të popullit për ndryshim, vullnetin e militantëve për të ndjekur një udhëheqje të dobishme dhe i ktheu në mish për top për Sali Berishën. Sepse në rrugë e sipër, Saliu doli nga fjala dhe nuk ndoqi rrugën e shërbimit kombëtar por interesin e vet. Kur sheh vetëm interesin tënd, të gjithë të duken të përdorueshëm. Duke nuhatur se e vetmja mënyrë ishte që të blinte njerëzit, Saliu e ndoqi me konseguencë këtë rrugë.

Përgjegjësitë e Parisë dhe të PD-së

Nuk është vetëm Sali Berisha përgjegjës për këto që ndodhën me PD-në dhe me vendin. Lënia në rrugë e shtetit nga shtresa sunduese dhe paria e atëhershme e Tiranës, braktisja e popullit dhe turrja drejt pasurimit të pafre e coi vendin në katastrofë. E gjithë kjo periudhë 22 vjecare ka qënë një përpjekje për të dalë nga gropa e thellë ku kemi rënë, mirëpo nuk kemi mundur që të dalim prej aty. Kjo gropa e jonë, ky pus ku jemi kapur në cark e ka emrin tranzicion. Misioni i PD-së duhej të ishte dalja nga tranzicioni.

Mirëpo, edhe me ndihmën e pamohueshme të partive të tjera që dolën nga PPSH, PD ka dështuar në mënyrën më të përplotë në arritjen e këtij objektivi strategjik. Në të gjithë fushat ka bërë të kundërtën e asaj që duhej. Lista e zullumeve, të gjitha të qëllimta e të ndërgjegjshme është e frikshme. Atë e dinë të gjithë dhe nuk do rreshtoj argumentet këtu.

Por PD dhe kur themi PD tani themi Sali Berisha, është përgjegjëse pikërisht për cuarjen e shtetit shqiptar në ekstremet e mundshme të kriminalizimit, të degjenerimit të shkatërrimit të shtetit, të zhvlerësimit të idesë së kombit, të fragmentarizimit të shoqërisë dhe në shpërdorimin e pashembullt kund të vuajtjeve, mundit e sakrificave të emigrantëve shqiptarë. Të gjitha ato që duheshin shmangur ndodhën: lufta civile, shkatërrimi ekonomik, zvetënimi i pjesës së shëndoshë të shoqërisë, rrënimi i strukturës shtetërore, fragmentarizimi shoqëror, varfërimi dhe polarizimi ekstrem, dhe reduktimi i shtetit shqiptar në jofaktor në lidhje me ceshtjen kombëtare. Edhe më keq, në krye të shtetit janë bashkëfajtorët e PD-së dhe të Sali Berishës. PD është njëra këmbë e parisë së Tiranës dhe PS-LSI është tjera. Se truri është ai që ka qënë, dhe i bën këmbët të kërcejnë si do vetë.

Një Fillim i Ri?

Duke luajtur këtë farsën e zgjedhjeve brenda në PD Sali Berisha i dha vetes e mbështetësve të vet të Trustit të Gështenjave kohë të cmueshme me marrë frymë. Në krye të PD-së u zgjodh një njeri pa shtyllë kurrizore, vegla e Familjes, hetuesi i UCK-së, i akuzuari për vjedhjet massive në Rrugën e Kombit e shumë gjëra të tjera. Ky është një fillim i ri, por jo për shqiptarët. Në fakt, ky është një fillim i ri për familjen Berisha por jo për militantët e njerëzit që besuan tek ai ideal i fillimit të rrugës së PD-së. Saliu e din se në tre-katër muaj këta që do të drejtojnë shtetin do të diskreditohen. Nuk do të bien ministra nga hëna, dhe këta që jetojnë në Tiranë e kanë të gjithë një të shkuar politike. Nuk ka shans që këta të bëjnë qeveri pa 3-4 vetë tërësisht të korruptuar apo edhe sharlatanë të papërsëritshëm. Prandaj ai e mban hekurin në zjarr e cekanin gati. Si të hiqen nga puna këta 60000 vetë që vodhën me të e për të gjatë këtyre tetë viteve, ku do të shkojnë? Vetëm në rrugë për të protestuar. Kjo i duhet edhe Trustit të Gështenjave. Se aq arra ka thesi, po i mbushe xhepat ti, nuk i mbush dot pala tjetër.

Mirëpo, ky nuk është një fillim i ri për ata që janë militantë me shpirt. Këta janë një masë e konsiderueshme që tashma nuk dinë më se cka me besue. Këta kanë parë me sytë e tyre se sin ë emër të vjedhjes së shtetit u bënë krime e aleanca që habisin, u kthyen njerëz si qershitë e atij katundarit që shpiku parimin “e lagu-s’e lagu” edhe pse ishin të lagura e të shkelura nga të gjithë palët. Këta e kanë parë dhe e dinë se Sali Berisha, Lukl Bash e të gjithë të tjerët jkanë bërë krime pa numër. Këta duhet ose të pranojnë që nuk kanë shpirt, ose të pranojnë që Saliu i ka mashtruar dhe i mashtron.

Kjo nuk është një fillim i ri për kuadrot ‘besnike ‘ të PD-së që nuk lanë gjë pa bërë. Tani të gjithë shohin një mundësi të mbijetojnë duke i ikur Sali berishës e fshesës që po përgatit Lul Basha. Duke synuar të bëjë një parti me kuadro që kanë përvojë zyrtare, Berisha po kërkon të bëhet si ai lumi që nis me një rrëke në mal. Mirëpo, jo që PD-së nuk i vjen e nuk i vjen radha, Por si duken bathët nuk do të ketë opozitë që të ndryshojë lojën për nja 12 vjet. Kush do ta bëjë opozitën??? PD nuk ka as ideologji, as vlera, as moral, as strukturë të konsoliduar, as mundësi që të krijojë dicka të tillë. Në emër të ckaje do të mund të mobilizojë njerëzit Saliu? Halli i tij është që të mos humbë njerëzit.

Misioni i Ri?

Tashmë PD është një parti tërësisht e dështuar dhe ka dështuar sic thotë për dicka edhe kryetari i saj i vërtetë “në mënyrë të shkëlqyeshme”. Tani PD ka vetëm një mission, ruajtjen e Sali Berishës dhe të interesave të Trustit të Gështenjave të Tropojës. Mirëpo ky mission johistorik por i caktuar nga kryetari i saj i bjen krejtësisht ndesh interesave të shqiptarëve si komb. Në arritjen e këtij misioni, PD do të bëjë gjithcka mundet për të mbajtur peng opozitën. Misioni i saj tashmë është misioni i një partie oligarkike, thellësisht të kriminalizuar, të sunduar nga tropojanët, në fakt nga më të këqinjtë e Tropojës, vegël e Trustit të Gështenjave të Tropojës. Misioni I PD-së është që të përdorojë pa mëshirë shqiptarët për të ruajtur interesat e Trustit dhe të Familjes Berisha, sidomos interesat jetike që do të bëhen shpejt shumë të rrezikuara.

Ç’duhet bërë?

PD është një parti e diskredituar, e degjeneruar, e zvetënuar, një bandë politike që ka në krye një bandit politik e kriminel të pashembullt. PD është një strukturë tipike oligarkike, vegël e Trustit të Gështenjave, një makinë e verbër në duart e Sali Berishës. Me një fjalë, PD është si një bostan me të cilin kanë luajtur futboll dhe e kanë lënë të kalbet në mes të rrugës. Kur i afrohesh PD-së të zë lemeria nga ajo që të kalon ndërmend e nga krimet që janë kryer në emër të saj. PD dhe Sali Berisha janë si rojtarët tek Dera e Ferrit shqiptar. Këta e ndërtuan Ferrin dhe tani duan ta ruajnë për veten e tyre.

PD është e pariparueshme. Me kohë do të tkurret e do të tkurret deri sa të kthehet si partitë që kanë qënë një kohë të gjatë në pushtet në vendet e tjera. Ajo do të jetë një parti nostalgjikësh, të uriturish, njerëzish që për interesa nuk lanë gjë pa bërë, njerëz që “kanë hangër bukën” e Sali Berishës, dhe vegël e Trustit të krimit. Prandaj PD duhet të shmanget dhe të kthehet në një forcë e cila është më e shumta e anashkaluar dhe pa qënë e zonja që të mbajë peng interesat e popullit.

Në vend të përfundimit

Lë të jetë edhe ashtu, ama ne na duhet një opozitë e pastër, një fillim I ri, njerëz të rinj, mendësi e re, dhe një mundësi e re për të ndërtuar të ardhmen që na duhet. Dhe e ardhmja e shqiptarëve është pikërisht në atë rrugë që nuk e ndoq e që nuk do të ndiqet as prej këtyre që kanë pushtetin sot, d.m.th., në ndërtimin e shtet-kombit shqiptar, në bazë të një programi kombëtarist që ne e kemi parashtruar këtu e disa herë në Rrethin e Ferrit. Ne që jemi jashtë mund t’u themi atyre që jetojnë në atë Ferr, ka ardhur koha me harrue PD-në e Sali Berishën e me mbajtë parasysh këta që janë në krye të shtetit. Ka ardhur koha që me besue tek njerëzit e mirë, se aty janë, dhe janë ata që duhet të thyejnë derën e Ferrit e të kërkojnë një fillim të ri, për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për të gjithë shqiptarët e tjerë.