Misioni i pamundur perëndimor i Sali Berishës

0
73

Mero Baze

Nga Mero Baze

Për një moment duhet t’i besojmë Sali Berishës. Ka së paku dy-tri vitet e fundit që, sa herë që ambasadori i KE në Shqipëri i dorëzon Progres-raportin, ai thotë se kjo do të jetë axhenda e punës së qeverisë për këtë vit. Sivjet edhe më shumë, se qeveria ka emrin Qeveri e Integrimit. Për një moment duhet ta besojmë Sali Berishën, kur nuk lexon pikat ku ka mbetur në klasë, por ndonjë rresht ku thuhet për zakon që “ka edhe progres”. Po për ta vënë në provë atë, nëse po na gënjen përsëri për herë të pestë apo e ka seriozisht, le të lexojmë “detyrat e shtëpisë” që raporti lë për qeverinë shqiptare.

Progres-raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë lë në klasë qeverinë shqiptare për të gjitha temat e nxehta të debatit politik në vend, duke filluar nga presioni mbi gjyqësorin, mos-heqja e imunitetit për deputetët, presionet selektive mbi lirinë e medies, mungesën e besimit politik në vend, si dhe faktin që qeveria nuk ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit. Në këtë pikë raporti thekson se Shqipëria vazhdon të mbetet vend i origjinës së vajzave dhe grave të trafikuara.

Duke iu rikthyer çështjes më delikate në vend, asaj të mbylljes së proceseve gjyqësore për ministrat e kabinetit Berisha, raporti përmend dy herë në emër Fatmir Mediun, si rasti perfekt kur për shkak të imunitetit parlamentar Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj tij, edhe pse ishte ngritur një akuzë penale. Raporti shikon me shqetësim gjendjen e lirisë së shtypit në vend dhe thekson faktin se gazetaria investigative ka nxjerrë shumë afera korruptive, por qeveria i është përgjigjur me presione selektive dhe në disa raste nxjerrje të redaksive nga zyrat e tyre, siç ishte rasti i gazetës “TemA”. Po ashtu raporti kritikon qartazi KKRT, të cilën e akuzon se ka favorizuar mediet lidhur me qeverinë. Raporti thekson se KKRT ka vendosur gjoba abuzive ndaj operatorëve televizivë, ndaj të cilave ka reaguar edhe Avokati i Popullit. Raporti përmban një sërë qëndrimesh kritike lidhur edhe me administratën publike, politizimin e saj, influencën politike në luftën kundër trafiqeve në Policinë e Shtetit, si dhe probleme të raporteve ndërinstitucionale në vend, siç janë raportet mes presidentit, qeverisë, parlamentit, gjykatave, prokurorisë etj.

Progres-raporti i Komisionit Evropian është një dokument zyrtar, i cili duhet të kthehet në axhendë të punës së qeverisë, nëse ajo ka ndërmend të mos e lërë Shqipërinë një vend të izoluar, dhe të kthejë mbrapa orën e zhvillimit të vendit.

Pra, gjithë problemet që përshkruam më sipër dhe që janë pjesë e raportit, qeveria shqiptare duhet t’i korrigjojë. Që Berisha të mos na gënjejë më, duhet t’i bëjë këto gjëra sipas këtij raporti. Së pari, që ajo të jetë në rregull me Bashkimin Evropian, duhet të shkarkojë Fatmir Mediun dhe Lulzim Bashën, t’u heqë atyre imunitetin e deputetit dhe t’i riçojë ata në gjyq pa i frikësuar gjyqtarët. Duhet të rikthejë gazetën “TemA” në mjediset e saj, dhe t’i paguajë asaj dëmshpërblimin për shkatërrimin e biznesit. Duhet të ndëshkojë Mesila Dodën për gjoba selektive ndaj operatorëve televizivë, ta ndjekë atë penalisht për korrupsionin në dhënien e licencave dhe të çojë para drejtësisë ata që shkojnë prishin natën pa asnjë urdhër zyrtar antenat e Vizion Plusit, që Berisha nuk e quan “të vetin”. Berisha duhet të shkarkojë njerëzit politikë që kontrollojnë trafiqet në polici, dhe që sabotojnë gjithë punën e ndershme të policisë në kapjen e banditëve apo gjurmimin e grupeve të drogës. Berisha duhet të bëjë paqe me opozitën dhe të normalizojë raportet me gjyqësorin… të gjitha këto detyra shtëpie burojnë nga Progres-raporti i Komisionit Evropian, që Berisha vazhdon të thotë se “do ta kemi axhendë të qeverisë”.

Por, a mund ta ketë vërtet Progres-raportin plan pune qeveria?

Jam shumë i vendosur të besoj Berishën, pasi, nëse bën qoftë dhe gjysmën e këtyre detyrave që i ka lënë Brukseli, madje dhe njërën prej këtyre, për shembull futjen në burg të Fatmir Mediut, ai rrëzohet, pasi Mediu i ka peng djalin. Për këtë ngjan i pamundur misioni i saj. Ajo nuk është se nuk do, por nuk mund t’i plotësojë këto kushte. Për Sali Berishën asnjëra nga këto vërejtje nuk është një veprim i kryer pa dashje. Të gjitha janë bilance antiperëndimore nga një kryeministër që nuk është i lirë të qeverisë një vend perëndimor me shtet ligjor, me pushtete të ndara, me liri ekonomike, me treg të lirë, pa trafikantë armësh, droge dhe trafiqesh njerëzore në qeveri. Mbi të gjitha ai nuk është i lirë as t’i bëjë dhe as të ikë për t’i hapur rrugën e shpresës këtij vendi. Ky është dhe problemi më i madh.