Misioni i pambaruar i 8 Dhjetorit!

0
47

Nga Aleksandër Meksi

Jemi mbledhur për t’i paraqitur publikut të interesuar këtë libër, por besoj se kjo për shumë prej nesh është njëherazi dhe një përkujtim i atyre pesë ditëve të Dhjetorit dhe vazhdimit të tyre, kur së pari studentët, të mbështetur më vonë dhe nga qytetarët e Tiranës, sfiduan regjimin pa frikë dhe pa ju nënshtruar dredhive e dhunës, duke e mposhtur dhe arritur një fitore të madhe pluralizmin politik dhe partinë e parë antikomuniste Partinë Demokratike. Pikërisht protagonistëve të atyre ditëve që ndryshuan historinë ju kushtohet ky libër.

Për vetë natyrën e tij libri paraqet dokumente dhe materiale që lidhen me lëvizjen studentore dhe krijimin e Partisë Demokratike, me reagimin e pushtetit diktatorial komunist për të nënshtruar studentet dhe për t’i devijuar protestat e tyre nga kërkesa për pluralizëm politik, që mbarte në vetvete rrëzimin e diktaturës.

Dokumentet dhe materialet që po publikojmë japin mundësinë të vendosim saktësisht në kohë ngjarjet, të njohim protagonistët e atyre ditëve historike, të orientohemi për kërkime të mëtejshme që lidhen me ndodhitë e asaj periudhe historike, për sa kohë që janë gjallë dëshmitarët të cilët dëshirojnë të flasin. Dhe dëshmitë apo kujtimet janë të besueshme kur thonë të vërtetën të gjithë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, por dhe kur gjejnë vërtetim në dokumentacionin autentik. Ato marrin vlerë me botimin e dokumentacionit dhe duhen për një interpretim më të plotë të tij. Një pjesë e mirë e tyre janë të publikuara, të tjera janë të mirëpritura. Ky libër do të ishte një ndihmesë dhe për to.

Publikimi i dokumentacionit historik do të pamundësoj hamendjet apo dhe të pavërtetat. Ky ka qenë dhe synimi i ynë në përgatitjen e këtij botimi, që mbështetur në dokumente autentike, t’i japi lexuesit madje dhe studiuesve të periudhës, një tablo të asaj që ndodhi, por jo opinionet apo kujtimet e protagonistëve, gjithashtu të dobishme, të dhëna në kohë të ndryshme shpesh dhe jo të njëjta.

Këto materiale të pakundërshtueshme do të ndihmojnë, do të nxisin dhe të kontribuojnë në shkrimin e saktë të atyre ditëve të lavdishme të revoltës kundër komunizmit dhe për përmbysjen e diktaturës, nga studentët e Universitetit të Tiranës dhe të mbështetjes që i dhanë qysh në fillim kësaj lëvizje qytetarët e Tiranës të të gjitha shtresave.

Por po aq të nevojshme janë dhe materialet dokumentare si dhe kujtimet, që lidhen me ndodhitë e periudhës nga rrëzimi i Murit të Berlinit dhe vrasjes së diktatorit komunist Çaushesku deri në prag të Dhjetorit, e në mënyrë të veçantë ato që kanë të bëjnë sidomos me pseudopluralizmin ramizian dhe farsën e shoqatave si subjekt elektoral dhe pseudo protestat për përmirësime kushtesh dhe ato ekonomike, të cilat studentët i refuzuan me zgjuarsi dhe pjekuri, duke i hapur rrugë pluralizmit politik.

Gjithashtu ne mendojmë se botimet me kritere shkencore të materialeve, kujtimet dhe studimet nuk duhet të ndalen në këto kufij kohor, por të vijnë deri në ditët tona që tranzicioni të njihet realisht me arritjet mangësitë, mossukseset dhe aspekte të tjera që e karakterizojnë.

Kjo punë nuk do të ishte e mundur të realizohej pa ndihmën dhe kontributin e mjaft miqve të cilët unë i falënderojë nga zemra për punën dhe gatishmërinë e tyre. Jashtë çdo dyshimi do të ishin të mirëpritura vërejtjet dhe sugjerimet për përmirësimin e kësaj pune në një ribotim eventual. Të mirëpritura do të ishin dhe më shumë dokumente të tjera që pasurojnë njohjen e kësaj periudhe.

Sigurisht që mirënjohja e ime është dhe për Universitetin Europian të Tiranës, shtypshkronjën “Onufri” dhe personalisht Henri Çilin, për gatishmërinë e shprehur dhe që po e shohim të konkretizuar sot, në botimin cilësor e të menjëhershëm të librit. Me urimin gjithashtu që të vijohet me botime të kësaj gjinie dhe studime për tranzicionin.

*Fjala në promovimin e librit “Dhjetor ’90 – Dokumente & Materiale” në UET

———————

Dhjetori 2010 i gjen më të ndarë se kurrë dhjetoristët e ’90

Nga Blerina Gjoka

Të thinjur, me kostume e kollare, me fytyra plot vetëbesim, me karriera të ndryshme por jo larg politikës, studentë e pedagogë të dhjetorit 1990 që u bënë protagonistë të ndryshimit të historisë së Shqipërisë u mblodhën dje në një sallë që dhe pse e madhe dukej e vogël nën bisedat dhe përqafimet e tyre.

Dukeshin aq shumë dje në mbrëmje të mbledhur për një provim libri të themeluesit të PD-së dhe kryeministrit të parë të pluralizmit Aleksandër Meksi. Por në të vërtetë ishin pak. Shumë miq të tyre nuk ishin aty. Dhjetoristët që luftuan për demokracinë pas 20 vitesh nuk guxuan të ishin bashkë dhe pse jetojnë në një vend që duhet te ishte demokratik.

Ata që mungonin janë ata që janë sot në pushtet, që janë sot pranë PD-së, partisë që themeluan të gjithë bashkë duke synuar përmbushjen e një misioni, vendosjes së demokracisë dhe shembjen një herë e mirë jo vetëm të sistemit komunist por dhe të mentalitetit komunist, pjellë e atij sistemi. Të vetmit që guxuan dhe u rikthyen sërish aty në mesin e atyre me të cilët marshuan më 8 dhjetor 1990 nga qyteti “Studenti”, ishin Shaban Memia dhe Bislim Ahmetaj, që të dy mbajnë poste drejtorësh në administratën e sotme të së djathtës.

Prania e Gazmend Oketës, deputet aktual i PD-së ishte gjithashtu një përjashtim nga radhët e deputetëve e funksionarëve aktualë të PD-së që për të mos krijuar mëri nuk kanë guxuar të shkelin në atë takim të zhurmshëm në ambientet e UET-së, ku libri i Meksit ishte vetëm një pretekst për tu parë dhe një herë bashkë. Oketa tashmë e ka vijëzuar profilin e tij si antikonformisti i fundit në grupin demokrat, ku prej kohësh është i vetmi që thotë fjalën e tij dhe kur ajo bie ndesh me qëndrimin e kryetarit të partisë.

Ai dukej si delja e zezë mes dhjetoristëve dhe ish-funkisionarëve të tjerë të PD-së ndër vite, qe dje dukeshin më shumë se kurrë, të gjithë të zhgënjyer nga partia për të cilën luftuan në atë dhjetor të paharrueshëm, nga partia së cilës i mveshën më shumë idealizëm dhe misione se sa mund të mbante siç e tregoi koha.

Ata shohin nuk e di nëse me hidhërim apo jo se në atë parti që ata i vunë emrin pas një lufte të fituar bindshëm me pushtetin komunist që nuk donte të largohej lehtë, si një bishë që lufton deri në frymën e fundit, jo vetëm kanë mbetur pak nga ata me të cilët luftuan në atë kohë, por ka shumë nga ata që ishin në anën e kundërt në atë kohë.

Mungonin shumë themelues të asaj lëvizje dhjetori, që nga kreu i qeverisë Sali Berisha, Arben Imami apo Arben Demeti, Besnik Mustafaj, Genc Ruli, Blendi Gonxhe. Gjithashtu mungoi nuk di për çfarë arsye Eduard Selami që ndodhet këto ditë në Tiranë dhe pse siç thanë organizatorët e takimit të djeshme pjesëmarrja e tij ishte e pritshme.

Por ishin Mitro Çela, Preç Zogaj, Reshep Uka, Merita Zaloshnja, Mimoza Feraj, e cila ashtu si Selami ka udhëtuar nga SHBA për të qenë këtë dhjetor në Shqipëri, Afrim Krasniqi,etj. Në ditët në vazhdim do të shohim pjesën tjetër të medaljes, kur në festat e paralajmëruara nga PD-ja për të kujtuar themelimin e partisë dhe lëvizjen studentore, do të shfaqen protagonistët dhe jo-protagonistët.

Nuk do të ishte çudi që të ishte dhe Fatos Nano mes tyre, ish- kryeministri i Partisë së Punës, për shkak të miqësisë së hapur që ka shfaqur me Berishën. Dhjetori i 2010 ka bashkuar Nanon me Berishën dhe ka ndarë dhjetoristët. Do të festojnë ata që janë sot në pushtet dhe që mesa duket nuk i lidh më asgjë me ata që ishin dje në atë takim që nisi si një promovim libri, por u kthye në një aktiv politik.