Mirupafshim Butrint, mirë se erdhët në Kandaharin e Talibanëve

0
47

Rruga për në Butrint

Nga Richard Hodges, 01.07.2010

Thonë se ç’do vend ka në krye qeverinë që meriton. I meritojnë shqiptarët talibanët? Duke udhëtuar me makinë ndanë “pyllit” të hoteleve të zbrazëta dhe gjysmë të ndërtuara në Sarandë, përgjatë rrugës së re për në Butrint, miqtë e mi amerikanë më pyetën se pse më pëlqente të merresha me arkeologji në Shqipëri.

Nuk kisha kohë t’u përgjigjesha; kishim arritur në Ksamil. Këtu, me qindra shtëpi të shkatërruara, gjysma të dëmtuara, të mbetura si përmendore të një çasti marrëzie të qeverisë. Mund të jenë ndërtime të paligjshme, por t’i shkatërrosh ato në kulmin e sezonit turistik veror dhe në një kohë krize botërore ekonomike, tregon gjithçka duhet të dini për “orientimin bashkëkohor të vendit”.

Një nga bashkudhëtarët e mi amerikanë tha thjesht: “Duket si Kandahar këtu”. Kaq mjaftonte të thuhej. Bukuria sublime e këtij vendi është kthyer tashmë në temë talljeje ndërkombëtare. Shaka tragjike: “Një vend i administruar nga talibanët…?” Sjellim ndër mend vandalizmin mbi statujat madhështore budiste në Afganistan…

Rruga që tani dhunon ullishtat e Parkut Kombëtar të Butrintit të ngjall thjesht neveri. Është e vështirë të përshkruash mentalitetin e Ministrisë vendase të Kulturës që ka lejuar këtë shkatërrim. Të gjithë që kanë gisht në këtë vandalizëm, do të kenë një vend të caktuar në një listë të gjatë emrash të këqij për Shqipërinë. Miqtë e mi e pëlqyen oazin e Butrintit, të ruajtur deri më sot nga e keqja më e madhe, por nuk kishin asnjë lloj ambicieje për t’u kthyer. S’po përmend këtu mundësinë zero për t’ia rekomanduar Shqipërinë miqve të tyre.

2010 – Fillon tatëpjeta turistike e Butrintit

Brenda Butrintit formulova një listë të plotë të gjendjes së monumenteve atje: – Nuk vazhdon më konservimi i kushtueshëm i Pallatit të Trikonkës – Është hequr skena e drunjtë në teatër dhe nuk është pastruar uji – Janë zbardhur e vjetruar tabelat moderne dhe të kushtueshme të informacionit, dhuruar nga Fondacioni Butrinti – Dritat në muze nuk janë më funksionale (janë djegur llambat) dhe gjurmët e minjve të kujtojnë një nga problemet e administrimit – Tryezat në kafenenë e akropolit janë mbuluar me xhama të thyer.

Kafeneja, sigurisht, është e mbyllur.
Ndërsa Fondacioni Butrinti vazhdon një program konservimi dhe administrimi të zonës pyjore në Butrint, një brigadë zanatçinjsh vendas vazhdojnë me zell punën e vet, duke mbrojtur këtë qendër të brishtë arkeologjike poshtë çadrës së zonës pyjore.

“Të paktën të huajt treguakan kujdes” – thanë bashkudhëtarët e mi. Unë u përtypa, duke e ditur se edhe vendasit kujdesen.

Ca më keq, mbi ngushticën e Korfuzit, në kalanë e Ali Pashës që ruan grykëderdhjen e kanalit të Vivarit – një fortesë e studiuar (dhe e botuar vitin e shkuar në revistën ndërkombëtare të Antikitetit) nga një ekip i Universitetit të Granadës, Spanjë, gati po e humbet një nga të katër kullat e saj.

Në strukturën e saj është shfaqur një e çarë e thellë, që zmadhohet rrezikshëm. Ky ledh mbrojtës, i ngritur nga pashai i madh për të penguar britanikët të lundronin drejt Butrintit, është një nga perlat e trashëgimisë kulturore botërore të UNESKOS. Çfarë bëjnë autoritetet e parkut për t’u mbrojtur nga ky makth?

Çfarë ka bërë Ministria e Kulturës? Mund ta merrni me mend? Si mundet që qeveria shqiptare tregon aq pak kujdes për kalanë, Butrintin apo madje edhe vetë UNESCO-n? Butrinti pati vitin e shkuar më shumë se 50.000 turistë, apo 75,000 po t’i besosh përllogaritjeve të Fondacionit Butrinti.

Duke e shumëzuar këtë shifër me pagesën prej 5 eurosh për hyrje, të ardhurat e Parkut kapin një shumë prej 250,000 apo 350,000 eurosh në vit. Duke e ditur së pagat e stafit kapin një shumë prej 25,000 eurosh, ku shkon pjesa që mbetet? Sigurisht, jo në Butrint.

Ajo shkon në mbështetje të qeverisë shqiptare që ka lejuar ndërtimin e një rruge të re në park dhe hedhjes në erë të ndërtimeve pa leje. Padyshim që këto të ardhura paguajnë rrugëndërtuesit në mënyrë që Butrinti më pas të rrethohet nga vilat e miqve të qeverisë.
Bashkudhëtarët e mi amerikanë psherëtinë të lehtësuar kur mbërritën në Greqi dhe vazhduan ta quajnë Butrintin, Kandahar, më pas udhëtuan për në Turqi dhe që aty në Gjeorgji dhe Armeni. “Një herë në Shqipërinë e Talibanëve, – thanë ata, – është mjaft.