(Përgjigje Ministrit Z. Sokol Olldashi)
Av. Dorian Matlija, 23 Dhjetor 2012
E lexova me vëmendje letrën tuaj të datës 17 dhjetor sepse prekte interesat e ligjshëm të klientëve të mi. Qendra Res Publica kishte kërkuar t’i viheshin në dispozicion disa informacione dhe dokumente rreth disa detajeve në lidhje me dhënien e kredive me afat 30 vjet dhe interes 0%, dhe disa detaje të tjera për qytetarët e pastrehë që duhet të lirojnë shtëpitë e kthyera pronarëve. Kjo kërkesë bëhej në bazë të të drejtave që burojnë nga Kushtetuta dhe ligji.
Në vend që të jepej një përgjigje sic kishin vepruar të gjithë subjektet e tjerë të cilëve iu ishin drejtuar të njëjtat pyetje, qendrim që do ju bënte të shfaqeshit korrekt në ushtrimin e detyrave tuaja publike, letra ishte shumë larg këtij modeli.
Me shkresën nr. 5197 dt. 17.12.2012 ju kishit ngritur disa pretendime jashtë kontekstit dhe të pajustifikuara si për shembull: Qendra Res Publica ka mbajtur këto dy muaj një qëndrim kritik ndaj nismës së qeverisë, kemi bindje komunistësh sepse mbrojmë në rrugë gjyqësore të drejtat e qytetarëve të pastrehë, nuk kemi të drejtë të kemi informacion për fondet publike sepse ne nuk kemi të drejtë të kontrollojmë dhe auditojmë fondet publike, etj.
Në shkresë adresohej edhe çështja e kthimit të pronës tek i zoti, dhe se kjo përfaqësonte filozofinë e qeverisë, pavarësisht se nuk ishte kërkuar askund një shpjegim i tillë. Përsa i takon Res Publicas, në zyrë do ju vijë një ankim administrativ për këtë cështje, ndërsa përsa i përket atyre paragrafëve që më jeni drejtuar mua, po ju përgjigjem në media sepse nuk shoh asnjë mënyrë tjetër të përshtatshme për të kthyer një përgjigje që nuk ka lidhje me qendrën Res Publica dhe aktivitetin e saj.
Ju jeni shprehur pa të drejtë se unë si avokat po pengoj që pronarët të marrin pronat e tyre, por kjo është e gabuar zoti Ministër. Unë nuk po pengoj asnjë proces. Pronarët përkundrazi kanë 20 vjet që pengohen nga qeveria juaj dhe ajo e opozitës për të marrë pronat, ashtu sic janë penguar për dyzet e kusur vjet nga qeveria komuniste me të cilët unë nuk kam as lidhje historike e as familjare. Shteti u ka hyrë në hise këtyre pronarëve deri aty ku nuk mban më dhe ata me të drejtë e kanë hedhur në gjyq këtë shtet deri në Gjykatën e Strasburgut. Mos kujtoni se duke i dhënë pronën do shpëtoni Shqipërinë nga gjyqet e Strasburgut. Pronarët kanë të drejtë, edhe tani që do marrin pronat, që të vazhdojnë këto gjyqe, ti fitojnë dhe të marrin një dëmshpërblim të majmë nga buxheti ynë i pakët. Ama kjo nuk po ndodh për faj të tyre, e as për faj të të pastrehëve, por për fajin e qeverisë së partisë tuaj gjatë viteve 1992-1997, qeverisë së partisë rivale më 1997-2005 dhe prapë për fajin e qeverisë tuaj më 2005-2012. Sic del dhe nga llogaria, partia juaj ka dhënë një kontribut plot 12 vjecar në shkeljen e këtyre të drejtave dhe sot nuk e lan dot këtë borxh me një akt normativ, qoftë edhe sikur të bëjë rolin e shpëtimtarit të beftë. Unë jam i gatshëm për të ndihmuar edhe pronarët të ankohen në Gjykatën e Strasburgut dhe të marrin dëmshpërblimin që u takon. Fundja unë jam avokat dhe kam në mision të mbroj cdo qytetar, qoftë ky edhe autor krimi, për të mos iu shkelur ato të drejta që ata kanë.
Ajo që qeveria i bëri Shqipërisë me këtë akt normativ është që i shtoi dhe një faturë tjetër në llogarinë e dëmeve. Tani jo vetëm pronarët do të marrin dëmshpërblime nga Strasburgu, por edhe ata qyqarët e pastrehë që po i hidhni në rrugë ditët e festave në mes të dimrit. Mos kujtoni se kjo do kalojë lehtë për buxhetin tonë të paktë.
Ajo që kam kërkuar me forcë në debate gjyqësore, apo edhe me qendrime publike është që qeveria të gjejë një zgjidhje se ku do fusin kokën këta të pastrehë pasi të dalin nga banesat që shteti im dhe i juaj i la deri tani të jetojnë. Të jeni i bindur që askush prej tyre nuk dëshiron të jetojë më në shtëpiat e vjetra dhe të rrënuara sic e pranoni edhe vetë ju në letrën tuaj. Ata duan të ikin një sahat e më përpara, por nuk kanë se ku. Është pikërisht kjo cështje që është ngritur edhe para Gjykatës Kushtetuese të gjitha herët, më 1993, 1997, 2004, 2006 dhe 2012. Është kjo detyra që nuk ka përmbushur qeveria deri tani.
Pronarët e kanë kuptuar sesi qendron problemi. Ata e dinë që shtetit i mbetën në dorë ca të pastrehë dhe ky nuk dinte ku ti shpinte dhe ua la në derë pronarëve të shkretë. Për më tepër nuk i kompensoi kurrë, duke ia rënduar akomë më shumë barrën. Ajo që po bën sot qeveria është vetëm një e dhjeta e asaj që duhej të kishte bërë vite më parë.
Do t’ju lutesha të mos më shkruani gjëra që i kam vështirë ti besoj. E kam vështirë të besoj se kjo qeveri në filozofinë e saj ka kthimin e pronës tek i zoti. Po ta kishe këtë filozofi do e bënte edhe në rastet e pronave të zaptuara me vite dhe nuk do ia kishe legalizuar zaptuesve, me një ligj që vjen era komunizëm më shumë se kerkesat tona për informacion.
Me aq sa kuptoj është se filozofia e vetme që justifikohet në këtë rast ështa ajo utilitare për të përfituar vota dhe për të hapur treg ndërtimi. Pronarët janë vota të majme për ju. Ndërkohë që e dimë shumë mirë që pronarët nuk do i marrin pronat që të jetojnë aty por që ti shndërrojnë ato në sheshe ndërtimi. E megjithatë edhe kjo nuk përbën ndonjë gjë të keqe, sepse fundja pronarët kanë të drejtë të disponojnë pronat e tyre si të duan dhe ju të manovroni me elektoratin si të doni. I gjithë shqetësimi im ka lidhje vetëm me gjetjen e një zgjidhjeje qoftë edhe të përkohshme strehimi për të pastrehët. Cojini ku të doni. Gjejeni formën si të doni. Vetem gjejeni dhe pastaj largojini nga shtëpitë ku ata po jetojnë. Të paktën sa të kalojë dimri.
Sa për fonde qeveria ka mjaftueshëm. Vetë e keni pranuar që për cdo familje që merr kredi shteti do paguajë interesa deri në nivelin e 7 milionë lekëve. Po të bëjmë një hesap të thjeshtë, do të na dalë që qeveria paska fonde mjaftueshem. Do të kushtonte më lirë mbase që të ndërtoheshin apartamente për të gjithë këto familje. Nëse e ndërton me kosto, Enti Kombëtar i Banesave ka nxjerrë një kosto ndërtimi aty diku tek 30 mijë lekë për metër katror. Nëse përdoret ndonjë nga ato tokat e nxjerra në shitje nga Ministria e Mbrojtjes, i bie që me 7 milion lekë ndërtohen 3 apartamente. Atëherë c’ne që qeveria do t’i japë BKT-së kaq lekë vetëm për një familje?
Nëse shteti nuk do të kishte në plan ndërtimin luksoz të një sallë parlamenti 100 milion euroshe, me më pak se gjysmat e këtyre lekëve ndoshta do arrinit të ndërtonit të gjithë apartamentet që nevojiten. Po ta bënit këtë atëherë qytetarët e pastrehë do dilnin me një këmbë nga shtëpitë e kthyera pronarëve dhe këtyre të fundit do u ishin respektuar të drejtat me kohë.
Ju nuk keni shpikur ndonjë gjë të re me këtë akt normativ. Sic rezulton në fakt, në disa raste pronarët kanë kërkuar të ushtrojnë të drejtat e tyre edhe më parë por kanë humbur në gjykatë. Duket qartë që titulli ekzekutiv përbën një formë ”deux ex machina” për të shmangur qëllimisht gjykatat. Përderisa gjenden raste kur gjykata ka rrëzuar pretendimin e pronarëve për lirimin dhe dorëzimin e sendit, do të thotë që me anën e një analize të mirëfilltë gjatë shqyrtimit gjyqësor dalin në pah probleme serioze.
Një nga problemet është edhe pagesa e shpenzimeve të domosdoshme e të nevojshme që ju e mohoni të jetë kryer. Nëse nuk e besoni, unë mund t’ju jap edhe një rast kur personi ka shpenzuar vetëm në vitin 2011 plot 33.000 Euro, të gjitha të faktuara me anën e faturave tatimore të lëshuara nga subjekti ndërtues. Si do ja bëjë tani hallit ky person? Neni 299 i Kodit Civil e thotë qartë që ai ka të drejtë të mbajë sendin deri në likuidimin e kësaj shume. Raste të tjerë problematikë ka plot. Mjafton ti referoheni cështjeve gjyqësore, që për të mos lodhur lexuesin nuk po i rendis.
Do t’ju lutesha mos përdornit as pronarët kundra të pastrehëve. Ata janë të gjithë qytetarë të këtij vendi dhe nuk janë ca të nënës e ca të njerkës. Në vijim të këtij krahasimi familjar, trajtimi që i bëni ju problemit është njëlloj si një baba i keq që i fut në sherr dy fëmijët e tij duke i dhënë vetëm njërit bukë e tjetrin duke e lënë pa gjë me justifikimin që po ta ha bukën vëllai, me interesin final që lekët e kursyera nga buka e fëmijëve babai ti shpërdorojë ato në kazino.
Do t’ju lutesha edhe të mos përdornit klerin e lartë fetar. At Zef Bisha, të cilit iu referuat në letër, nuk besoj se do ishte i lumtur dhe nuk besoj se do t’ju falenderonte njëlloj nëse do merrte vesh që qytetari i pastrehë do hidhej në rrugë ditën e Krishtlindjeve për tja kthyer pronën kishës. Të jeni i bindur, madje shumë i bindur që personi që keni përdorut në letër, do i kishte dhënë edhe zemrën qytetarit të pastrehë, nëse do e dinte hallin e tij.
Do t’ju lutesha të përmbushnit detyrimet tuaja si një ministër i një shteti që aspiron të integrohet në Europë, duke shmangur debatet me karakter të personalizuar. Nëse keni diskurs juridik atë mund të bëjmë përpara gjykatave. Tashmë cështja ka vajtur në Strasburg dhe jeni i ftuar të jepni argumentat tuaja para asaj gjykate. Nëse keni diskurs qytetar jeni i ftuar ta bëni në rrugë mediatike, në formën dhe vendin që do dëshironi, po të keni kurajo dhe leje nga eprorët. Nëse keni diskurs politik unë nuk mund t’ju ndjek dot sepse nuk jam duke kandiduar për asnjë post. Por informacionin që e kërkuar ju duhet ta jepni. Nëse nuk e bëni vullnetarisht do të ndiqet rruga gjyqësore.
Me atë informacion dhe së bashku me dokumentat e tjera që disponoj unë do të vazhdoj të kërkoj të provoj me sa të kem forcë që fakti që të gjithë mund të marrin kredi nuk është i vërtetë. Unë personalisht e kam lexuar kontratën mes BKT dhe Ministrisë suaj, që ju refuzoni ta jepni. Do të provoj gjithashtu që banesat sociale janë shumë të pakta dhe në disa qytete janë joekzistente sepse nuk ka fonde për këtë punë. Unë i kam lexuar përgjigjet e ardhura nga bashkitë kryesore të vendit, të cilat nuk kanë vepruar si ju por i janë përgjigjur me korrektesë kërkesës për informim. Me ato informacione dhe dokumente do të provoj edhe që Gjykata Kushtetuese ka vendosur në rrethana rozë pa e ditur gjendjen reale në vend.
Unë kam lexuar edhe draftin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që mesa duket po i vjen zor ta publikojë tani që “halla po na rezulton se qenka xhaxha”. Edhe përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Z. Myshit Vorpsi e ka deklaruar publikisht se akti normativ nuk siguron që të gjithë të përfitojnë kredinë. Madje, sipas tij, edhe ata që e përfitojnë nuk do arrijnë të blejnë asgjë sepse cmimet e tregut janë shumë të larta. Referojuni po të doni Udhëzimit nr. 4, datë 23.11.2011 “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga enti kombëtar i banesave, për vitin 2011”.
Unë po kërkoj ti jap kuptim edhe heshtjes së pazakontë të Gjykatës Kushtetuese, e cila ende sot nuk po bën publik arsyetimin e saj. Ndërkohë që qytetarë të këtij vendi po hidhen në rrugë pa u denjuar as tek dera e bankës, duke u përcjellë edhe nga bashkia që ngre supet përpjetë, Gjykata Kushtetuese mban të strukur në sirtar vendimin e cuditshëm që i erdhi kundra vendimeve të mëparshme. Mbase për të mbajtur strukur fjalinë se “siguria juridike nuk mund të prevalojë ndaj interesit publik”, ndërkohë që dikur thoshte se lënia e këtyre familjeve të pastreha dhe ndërprerja e kontratave të qirasë nuk mund të legjitimohet na asnjë interes publik. Se nga na doli befas ky interes publik dhe se që interesi i pronarëve qenka interes publik, ndërkohë ai i personave të pastrehë është interes privat dhe se këtë e vendos vetë qeveria sipas mendjes së saj, vetëm sirtari i Gjykatës Kushtetuese e di.
A nuk do ishte ky fillimi i fundit për Shqipërinë? Përfytyroni që qeveria tju japë rrogën përgjysëm arsimtarëve sepse kështu thotë kryeministri se është interesi publik. Neser do dalë Kryeministri dhe do thotë që të pushohen gjithë proceset gjyqësore që janë kundra shtetit në emër të interesit publik dhe pasnesër do thotë që mund ti vërë zjarrin edhe jorganeve nëpër shtëpia sepse pleshti kërcënon interesin publik dhe në të gjitha rastet Gjykata Kushtetuese të besojë ministrin pa bërë asnjë investigim sic bëri në rastin tuaj. Më vjen keq zoti Ministër, por kjo qasje vjen era fashizëm, ku disa njerëz kanë të drejtë të jenë të privilegjuar dhe disa jo. Interesi i disave është interes publik dhe i disa të tjerëve jo. Nejse, unë nuk dua të shkarkoj sikletet e Gjykatës Kushtetuese në kurrizin tuaj si minister. Unë kërkoj thjesht që të më jepni informacionet që ata duhet ti merrnin vetë në zyrën tuaj, dhe ti lini të mbrojnë vetë imazhin e tyre para Gjykatës së Strasburgut.
Do t’ju lutesha gjithashtu që të mos më drejtoheni personalisht nga Ministria tek Qendra ku unë punoj sepse as Ministria nuk është dyqani juaj personal dhe as Qendra nuk është dyqani im personal. As mos më kërcënoni mua apo qendrën që do të njoftoni donatorët sepse së pari për donatorët ky do të jetë një lajm i mirë, pasi ata kanë një objektiv shumë të qartë që të nxjerrin në pah sjelljet jokorrekte nga autoritetet shtetërore, pavarësisht sesa mërziten ata nga një gjë e tillë, dhe së dyti, për këtë aktivitet konkret nuk kam asnjë donator dhe mbase do të të duhet të adresohet ankesa juaj tek Zoti se pse unë kam dëshirë të ndihmoj falas njerëz në nevojë.
Do t’ju lutesha së fundi edhe që të rishikoni njohuritë mbi ideologjitë, pasi komunizmi nuk mbron të drejtat e njeriut por lufton për kolektivizimin, ndërsa unë luftoj për të mbrojtur të drejtat e njeriut në një shtet të së drejtës dhe shoqëri demokratike. Kjo pikëpamje nuk ka fare lidhje me komunizmin dhe se unë nuk kam dalë ndonjëherë publikisht të them që jam komunist, megjithë dëshirën tuaj për ta politizuar këtë debat. Që unë mbroj të drejtat e njeriut mund të më bëjë mua më social se juve, kjo mund të jetë e vërtetë. Por, nëse të mbrosh të drejtat e njeriut të bëkërka komunist, atëherë ju dhe qeveria juaj, që po bëni përpjekje për ta futur Shqipërinë në BE ku respektimi i të drejtave të njeriut është fondamenti i këtij organizmi, kjo ju ben deri diku mazokistë, që po shtyni këtë vend drejt BE-së që me Strasburgun në krye, sipas botëkuptimit tuaj, është më komunist se komunistët.