Flaka Surroi, 20.01.2013
Kërcënimi me stupc është institucionalizuar si metoda e ruajtjes së pushtetit të atyre që gjithmonë fajin e vet e kërkojnë te ata që ua zbulojnë dallaveret
Skandali i kësaj jave vazhdon të jetë ai i njëjti që kurrsesi të zbresë nga kryetitujt nëpër gazeta e televizione. Për shkak të gjithë atyre gjërave të pabesueshme që kanë ndodhur brenda dhe rreth saj, mbase nuk do të ishte keq që të ndërrojë emrin për t’u quajtur Ministria e Skandaleve të Brendshme.Përshtypja e lënë në disa muajt e shkuar është se kushdo nga ministria që merr të flasë për çfarëdo problemi të brendshëm që ia kanë zbuluar mediumet e shkreton njësoj, pavarësisht se çfarë posti mban apo prej cilit nivel flet. Korit kakofonik të MPB-së para dy ditësh iu bashkua edhe sekretari i përgjithshëm i ministrisë, i cili me një gjuhë të muhabetit joformal, asi çfarë mbase do të këmbehej në ndonjë kafehane, në atmosferë të nxehur pas konsumit të rakisë dhe mezes, të gjithë mllefin e tij e zbrazi ndaj gazetarit tonë, që e pyeste për detajet në lidhje me kontratën e pasaportave biometrike.
Sa patetike ishte përgjigjja për një pyetje teknike, po aq ishte edhe indikative. Është përgjigje që përshkruan një mentalitet udhëheqjeje që e karakterizon shtetin ku nuk ka sundim ligji, por sundim stupci: “Mos na kërcënoni as ju, as ata. Kërkush s’um tut mu. Ti je ka mundohesh me ba argat për ata. Harro atë muhabet. Kosovën kërkush nuk mundet me lëndu, se gjak u derdh për këtë vend dhe ka mu derdhë nëse ka nevojë… Edhe ju duhet me pas kujdes për vendin, se e batë horë vendin pa faj”.
Paksa kanë nisur të na lodhin me frazat për sakrificën që është bërë për çlirimin e Kosovës. Paksa si shumë po bëhen irrituese referencat që u bëhen atyre që kanë derdhur gjak për këtë vend. Sepse në fakt, ata i kanë humbur të gjitha, kurse këta që po thirren në ta janë ata që po vjedhin në emër të tyre. Tepër i papranueshëm bëhet kërcënimi se dikush do të duhej të pësonte dhe të derdhte gjak “po qe se ka nevojë”. Sepse nevoja në fakt shërben për t’ua ruajtur rehatinë atyre që e kanë impulsin që t’i kthehen diskursit të gjakut për të treguar se kush sundon këtu…
E super e tepruar është bërë gjetja e alibisë për secilin faj që e shkaktojnë vetë. Derisa ishte UNMIK-u, ishin ndërkombëtarët ata që nuk ua jepnin kompetencat; tash është EULEX-i ai i cili u përzihet në kompetenca; e përfundimisht, janë gazetarët ata që nuk i lënë këta zyrtarë në MPB që ta luftojnë krimin përbrenda. Merreni me mend, janë gazetarët ata që “e bënë horë vendin pa faj”, thuajse gazetarët, e jo si po thotë Natali Velijaj, zyrtarët e MPB-së, ata që i vodhën ato 1,4 milionë të pasaportave; ata që i kërkuan ato 70 mijë euro përqindje për tenderin e riatdhesimit, e kush e di edhe sa mijëra euro të tjera për targat e veturave…
Edhe pse absolutisht e papranueshme dhe e paligjshme si metodë e shprehjes së pakënaqësisë, nuk duhet befasuar me reagimin e “Të pakënaqurve” që të enjten mbrëma i dogjën madje tri vetura me targa 3Z që kishin qenë të parkuara para objekteve private në tri lagje të ndryshme të qytetit të Prishtinës. Gjuha e komunikatës që kishte ardhur në adresën elektronike të redaksisë mbase qëllimisht ishte e coolerave, shkruar me zhargon, por që përmbante edhe fjalën “dhâjn” (për “japin” në shqip, sa për sqarim) që më së shpeshti e përdorin zyrtarët e PDK-së në prononcimet e tyre publike.
Problemi me këto vetura është se ato janë pronë shteti e blerë me tatimet tona, dhe ne nuk fitojmë asgjë nga fakti se na shkatërrohet ajo. E dyta, veturat me gjasë nuk i mbulon as sigurimi kasko, ngase ky lehtë mund të cilësohet akt terrorist – e terrorizmin nuk e mbulon asnjë organizatë e sigurimit. E treta, shkatërrimi i tyre u jep një shkas të veçantë kërkuesve të përhershëm të alibisë, për të blerë vetura të reja, se ja, nuk mund t’i kryejnë punët, sepse nuk kanë me çfarë të sillen nëpër qytet, e të shkojnë nëpër dasma e kënagjegje.
Sido që të jetë, edhe pse në komunikatë thuhej se cak i aksionit ishte Qeveria (e jo ministritë veç e veç) për shkak “se po e tradhton popullin dhe po e fal veriun”, megjithatë paraqet rastin e parë serioz të një reagimi të dhunshëm ndaj një politike të udhëhequr nga kjo Qeveri. Politikë e cila shpuri Kosovën në një proces negociator, të cilit nuk iu dit caku kurrë – ngase aq shpesh u ndërruan deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë, saqë e humbëm fijen diku rrugës. E futi në një proces negociator absolutisht jotransparent, nga rundet e të cilit na dalin gjithmonë deklarata diametralisht të kundërta nga Thaçi dhe Daçiq dhe deklarata që “as nuk u vjen era, e as nuk kundërmojnë” nga zyra e baroneshës Ashton, që flasin për pajtimin për t’u mospajtuar rreth një pajtimi të përkohshëm.
Është fakt i pamohueshëm, se kjo Qeveri nuk e ka idenë se çfarë do të bëjë, apo madje edhe se çfarë do të bëhet me veriun, i cili megjithatë u bë objekt diskutimi në sesionin e pardjeshëm në Bruksel. Dhe kjo në kundërshtim me deklaratën pa lidhje të kryetares Jahjaga javën e shkuar, e cila me sigurinë e dikujt që po jeton në flluskë sapuni, deklaroi se “me Serbinë nuk po bisedohej për veriun”. Me gjasë do t’i kenë thënë, e kjo do të ketë besuar, se objekt i diskutimit më 17 janar do të ishin Recetat e Lindës…
Por, t’u kthehemi të të pakënaqurve. Pra, dialogu definitivisht është problem për të cilin ne nuk dimë asgjë, edhe për shkak se refuzohet të flitet për të haptazi në Kuvend. Është proces për të cilin tashmë kryeministri mund të thotë se e ka përkrahjen e të gjithëve pos të “Vetëvendosjes”, ngase të gjithë përfaqësuesit e partive politike po i shkojnë te këmbët, aty ku po thuhet se ky po i njofton me atë çka po ndodh. VV-në nuk e thërret, ashtu siç ka bërë secilën herë deri më tash, përderisa VV-ja kërkon debat parlamentar. Dhe ky do të jetë rrëfimi, i cili do të vazhdojë kështu derisa të mbarojë festa te Ashtonja.
Nga ana tjetër, të pakënaqurit kanë edhe shumë më shumë arsye për pakënaqësi – për shkak të jetës së përditshme, përherë e më të zymtë. Mbase reagimi i tyre i dhunshëm, dhe sërish po e them të papranueshëm për shkak të pasojave që mund të jenë edhe më të rënda, megjithatë është shenja e parë se Kosova ka potencial real për shfaqjen e një force mobilizuese, apolitike, që do të mund ta animonte popullin e rënë në amulli për të protestuar kundër gjithë korrupsionit, hajnisë, pafytyrësisë, gjyqësisë inkompetente, udhëheqjes së papërgjegjshme, oportuniste, karrieriste, etj., etj., etj.
E nëse nevojitet një shembull oportunizmi dhe karrierizmi, ja ku është ish-koloneli; ish-komandanti, ish-kryeministri, ish-kryetari i një partie politike – Agim Çeku, i cili la shefllëkun në një parti të vogël, të parëndësishme dhe të papeshë (por që lidhi koalicion me një parti që nuk di ta definoj, për t’u bërë pjesë e pushtetit), që të aderonte në PDK. Arsyetimin që e jepte ishte “se donte t’i përkushtohej më shumë FSK-së”, thuajse ishte mbytur duke punuar në parti dhe se angazhimi aty nuk i jepte kohë të mjaftueshme për t’u marrë “me punën përnjëmend”.
E ai e di mirë se të mbash parti të vogël në Kosovë është e pamundur, sepse të hanë për së gjalli, ngase asnjë parti e vogël dhe jashtëparlamentare nuk mund të llogarisë në fondin për demokratizim, dhe se paratë e vetme që mund t’i marrë është nga KQZ-ja para fushatës zgjedhore. E me ato para nuk mund ta mbajë as kryesinë e vet, e lëre më partinë. E di gjithashtu shumë mirë, se KKR-ja, pjesë e së cilës ka qenë, gati se nuk ekziston, për shkak se tani më duket ka më shumë deputetë të huazuar seç i ka të vetët. Pra, lëviz tutje për të vazhduar të sillet ende nëpër ambientin politik, ku mund të shesë mend se ka qenë edhe komandant e edhe negociator i Vjenës – pra njeri me një lloj bagazhi që nuk mund të injorohet, ani që gjatë mandatit të tij në Qeveri humbën ata 16 milionë të telefonisë së dytë mobile.
Nuk e dyshoj se për ushtri di më shumë se shumëkush i ulur në atë Qeveri dhe në kolltukët e Kuvendit. Por megjithatë dëshmon se gjatë këtyre vjetëve e ka mësuar mirë matematikën e politikës dhe kalkulimin e saktë se me kë duhet lidhur për t’ia siguruar vetes rehatinë dhe të gjitha privilegjet që sjell me vete një post politik. Dëshmon me shembullin personal, se sikurse shumëkujt nga kolegët e tij politikë, më së paku i intereson çka ndodh jashtë mikrokozmosit të tij personal. Po të ishte ndryshe, nuk do të kishte dëshmuar gjithë këtë oportunizëm dhe gjithë këtë aftësi për të ndërruar dresin, në secilin afat kalimtar që i shfaqet përpara.
Nuk e dimë se çfarë do të sjellë java që vjen, nëse do të ketë ende vetura të djegura apo forma të tjera të shfaqjes së pakënaqësisë. Por arsyet për brengë se punët nuk do të na përmirësohen, nuk do të eliminohen me dëshira të mira dhe deklarata, sikurse ajo e shefit të Administratës Tatimore që gëzueshëm na tregoi se arkëtimi i tatimeve ishte “rritur substancialisht” – për nja 9 % krahasuar me vitin e shkuar. Dhe përderisa duhet përshëndetur përpjekjet e tij që vërtet duken të sinqerta, megjithatë nuk bën pa ia përmendur evazionin fiskal që, sipas vlerësimit të ekspertëve të ekonomisë, e ka vlerën e një 30-përqindëshi të buxhetit të Kosovës. Që më pas, shfrytëzohet për punë publike, për autostrada dhe natyrisht, për vetura 3Z, të cilat duhet të shërbejnë për t’u vozitur për nevoja private kryesisht. E besa edhe për sigurimin e rrogave të atyre që për t’i ruajtur kolltukët e tyre janë në gjendje të na kërcënojnë me gjak… për shkak se u bëmë horë duke ua zbuluar atyre horrllëqet… ncncncn
flaka@koha.net