Ekskluzive nga Kujtim Boriçi dhe Erion Habilaj, 13 Qershor 2013
Prodhim kartash me identitete false apo të rremë, drejtues vendorë të PD-së me bekimin e Berishës e dirigjimin e Pones që mund të ndikojnë dukshëm deri në përmbysjen e një rezultati të pritshëm nga zgjedhjet e 23 qershorit. Ky është skandali i radhës që denoncohet nga gazetari i njohur Artan Hoxha, mbështetur në fakte e shifra konkrete. Sipas Hoxhës, këto karta të prodhuara në zonat që njihen si bastion i PD-së(Malësi e Madhe, Pukë, Tropojë, Has, Kukës, Bulqizë e Dibër dhe “nëse përdoren sipas një skenari të parapërgatitur, mund të prodhojnë 5 mandate e të deformojnë rezultatin e zgjedhjeve”. Në intervistën e dhënë për “Dita”, Hoxha bën apel për organet ligj zbatuese që të ndërhyjnë për frenimin e këtij skandali dhe për opozitën e shoqërinë civile që të reagojnë në kohë sa nuk është vonë…
Keni denoncuar një skandal me kartat e identitetit? Për çfarë bëhet fjalë më konkretisht?
Në emisionin “Xhungël” të datës 28 maj 2013, kam paraqitur një hulumtim në lidhje me fenomenin e falsifikimit të dokumenteve të identitetit, kryesisht për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Nga hetimi që kryem, arritëm të siguronim një kartë të falsifikuar, pra të prodhuar në një punishte artizanale dhe një kartë tjetër, të prodhuar në rrugë zyrtare, me gjeneralitetet e një shtetasi dhe me fotografinë e një shtetasi tjetër.
Karta false
Pra karta e dytë, ishte një kartë e rregullt e lëshuar nga prodhuesi zyrtar i dokumenteve të identifikimit për shqiptarët, por personi i cili pretendohet se është pajisur me këtë kartë nuk ekziston(është fantazmë). Të dyja këto karta të siguruara në cilësinë e provës, janë publikuar për të sensibilizuar jo vetëm agjencitë e zbatimit të ligjit, por edhe qytetarët. Qëllimi ishte që policia të parandalonte raste të tilla, të cilat krijojnë një problematikë serioze jo vetëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit, por edhe për rendin e sigurinë në vend, pasi mund të përdoren nga persona të inkriminuar ose me precedentë penalë. Demonstrimi publikisht në emision nga ana ime u bë për të denoncuar fenomenin dhe jo personat konkretë, pasi kjo është një detyrë e agjencive të zbatimit të ligjit.
Këto karta janë raste sporadike apo pjesë e skenarit të kryeministrit Berisha dhe dyshes Noka-Poni, në krye të Ministrisë së Brendshme për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit?
Kur e nisa punën në lidhje me këtë temë, nuk e kisha idenë se deri ku shtrihej ky fenomen, pavarësisht të dhënave zyrtare apo raporteve të hartuara nga monitoruesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, në të kaluarën. Duke mbledhur informacion, sigurisht shfrytëzova të dhëna të mbledhura nga puna operative e policisë, sidomos e sektorit të krimit ekonomik, dhe nga hulumtimi direkt në terren me personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, më rezultoi se fenomeni kishte përmasa shqetësuese. Vetëm nga rastet e kapura prej punës së policisë dukej qartë se bëhej fjalë për një veprimtari të mirë organizuar, dhe jo rastësore.
Faksimile e votuesve fantazmë (me ngjyr gri) të pajisur me karta identiteti
Më rezultoi se të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kishte përfaqësues të administratës lokale, në disa njësi vendore që drejtoheshin nga kandidatë të maxhorancës dhe madje bëhej fjalë për efektivë të nivelit bazë të policisë. Në rastet e bëra publike nga hetimi i policisë, i prokurorisë dhe më pas të përfunduara në gjykatë rezultonte qartësisht se ky aktivitet kriminal kishte dy qëllime bazë: 1)-Bëhej për arsye përfitimi, kryesisht nga shtetas kosovarë që blinin identitetin e shtetasve shqiptarë në shkëmbim të shumave të konsiderueshme të parave deri në 2000 euro.
2)-Për arsye elektorale, duke e përdorur këtë kontigjent personash me dy identitete për ndikuar në rezultatin zgjedhor, apo duke krijuar identitete dhe deri me qindra familje fantazmë, të cilat pajiseshin me dokumente të rregullta identiteti nga kompania e kontraktuar nga shteti për të marrë pjesë në votime.
Grupi i dytë përbën shumicë dërrmuese në rastet e hulumtuara, fakt ky që tregon se sa i rrezikshëm është ky fenomen dhe çfarë pasojash mund të rrjedhin prej tij.
Sipas investigimit tuaj ku janë prodhuar këto karta dhe nga vijnë personat që janë pajisur me to?
-Nga të dhënat që siguruam doli se pjesa dërrmuese e personave të pajisur me dy identitete, apo e familjeve fantazmë të krijuara posaçërisht për zgjedhjet, ishin nga zonat që njihen si bastion i mazhorancës që qeveris vendin. Bëhej fjalë për persona nga rrethet Malësi e Madhe, Pukë, Tropojë, Has, Kukës, Bulqizë, Dibër, të cilët kishin lëvizur nga zonat e banimit drejt kryeqytetit, duke u vendosur po ashtu në njësi vendore që drejtohen nga kandidatë të djathtë. Jo më kot zona e veprimit e këtij kontigjenti, janë zona e Kamzës, Paskuqanit, Njësia 11, etj. Këto fakte besoj se nuk kanë nevojë për koment të mëtejshëm. Policia ka zbuluar në disa raste punishte ku prodhohen dokumentat e falsifikuara. Shqetësimi më i madh, nuk janë këto dokumenta të falsifikuara, por kartat e identitetit apo pasaportat biometrike të prodhuara në rrugë zyrtare me identitete të rreme. Ky kontigjent përbën numrin më të madh që është njëkohësisht dhe rrezik për zgjedhjet.
Sa mund të jetë numri i këtyre kartave?
-Për të ilustruar përmasat e këtij fenomeni po i referohem vetëm raportit zyrtar të paraqitur në KQZ nga eksperti i auditit teknicien. Sipas këtij raporti zyrtar, kur listat zgjedhore tashmë janë mbyllur dhe nuk mund të ndryshohen më, kemi 135 familje të dyshuara qartësisht si të dubluara apo me identitete fantazmë. Në këtë raport thuhet se: “Nga auditimi i listave përfundimtare të datës 13 maj 2013, konstatojmë që, ndonëse janë bërë pastrime të dublimeve nga lista e personave të dyshuar si të dubluar, të përftuara me metodën e krahasimit me ngjashmëri janë hequr(pastruar) 16858 emra zgjedhësish, si dhe rreth 500 familje të dubluara.
Aktualisht mbeten edhe 27143 emra të dyshuar si të dubluar, ose me identitet të dyfishtë”. Këto shifra janë vërtetë të frikshme dhe duke pasur parasysh se sa vota duhen për një mandat deputeti, atëherë ky kontigjent fantazmë zgjedhësish bëhet determinant dhe mund të vendosë fatin e zgjedhjeve. Institucionet kompetente janë njoftuar me kohë në lidhje me këtë fakt, por nuk kanë vepruar duke krijuar sot këtë problematikë mjaft shqetësuese.
Pas denoncimit publik ju jeni thirrur në polici dhe u kanë kërkuar kartat e paraqitura në emision. A ka patur një kallëzim ndaj jush në prokurori?
Menjëherë pas emisionit, në ambientet e tv “News-24” janë paraqitur specialistët e krimit ekonomik duke kërkuar që të marrin deklarime në lidhje me rastin e denoncuar dhe po ashtu të bëjnë sekuestrimin e kartave. Por unë nuk i kam kontaktuar atë mbrëmje pasi isha larguar nga puna shumë pak minuta para ardhjes së tyre. Më pas jam njoftuar, se ka një kallëzim penal në prokurori në lidhje me këtë rast. Unë e kam përshëndetur nismën e policisë për ta hetuar fenomenin, jo thjeshtë rastin, në emisionin pasardhës kam paraqitur të dhëna për dhjetëra familje fantazëm, të cilat ishin pajisur me dokumenta të rregullta identiteti. Suksesi i operacionit policor me emrin e koduar “Karta” zhvilluar javën e kaluar dhe arrestimi i një personi, duket se më ka dhënë të drejtë. Por kam bindjen se policia nuk mund ta luftojë e vetme këtë fenomen, të organizuar deri në detaje dhe sigurisht me prapavijë të qartë politike.
Sa mund të ndikojnë këto karta në rezultatin e zgjedhjeve dhe si mund të evidentohen ato?
-Nëse i gjithë ky kontigjent identitetesh të dyfishta, apo identitetesh fantazëm, do të vihet në lëvizje ditën e 23 qershorit, pasojat do të jenë të pallogaritshme. Mendoni, me kaq vota mund të fitohen deri 5 mandate, që do të ishin fatale për fituesin e zgjedhjeve dhe qeverisjen e vendit. Sigurisht nga përvoja e deritanishme e zgjedhjeve, shqiptarët e kanë të qartë se kush qëndron mbas gjithë kësaj makinerie të sofistikuar dhe pse deri tani nuk është bërë e mundur parandalimi i këtij fenomeni kriminal. Kontrolli i këtij kontigjenti kriminal votuesish fantazmë, është mjaft i vështirë, pasi mungon trajnimi specifik i komisionerëve për të parandaluar çdo rast, për më tepër kur njëra palë e komisionerëve është e interesuar që ata të votojnë.
Çfarë parashikon ligji për urdhëruesit dhe përdoruesit e kartave jo ligjore
Neni 189 i Kodit Penal
“Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave.
(Ndryshuar me ligjin nr.9188 datë 12.02.2004 neni 5)
Falsifikimi ose përdorimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave të falsifikuara dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 4 vjet dhe me gjobë nga 400 mijë lekë deri në 1 milionë lekë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, ose më shumë se njëherë, apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet dhe me gjobë nga 600 mijë lekë deri në 2 milionë lekë. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrën të lëshojë letërnjoftimin, pasaportën apo vizën, dënohet me burgim nga 3 vite deri në 7 vite burg, dhe me gjobë nga 1 milionë lekë deri në 3 milionë lekë.
Policia, kallëzim penal pas denoncimit të gazetarit Hoxha
Drejtoria e Policisë e Qarkut Tiranë, sektori i luftës kundër krimit ekonomik: “Më datë 30.05.2013, filloi procedimin penal për veprën penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” parashikuar nga neni 189 i Kodit Penal, pa autor. Pasi më datë 28.05.2013 në kanalin televiziv “News 24”, gjatë emisionit të transmetuar në orët e mbrëmjes, me temë “Verdikti 2013-Procesi Zgjedhor”, ku në emision ka qenë i ftuar dhe gazetari, shtetasi Artan Hoxha, gjatë emisionit ky shtetas ka ekspozuar dhe komentuar dy karta identiteti, sipas tij të falsifikuara dhe ka cituar se janë prodhuar një sasi e madhe, e cila do të përdoret gjatë procesit zgjedhor. Materialet i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pa autor.
Precedentët
Me datë 24.04.2013, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin, Elton Dhimitraq Vangjeli, i datëlindjes 09.11.1981, lindur dhe banues në rruga “Bregu i Lumit”, Tiranë, i pa dënuar, me arsim të mesëm, pasi nga informacionet e grumbulluara rezulton se shtetasi i mësipërm ka aplikuar për pasaportë biometrike në dy raste me të dhëna personale të njëjta por me foto dhe me gjurmë gishtash të ndryshme.
Më datë 24.04.2013, filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit Lulzim Kapllan Farruku, lindur dhe banues në Burrel të rrethit Mat, pasi më datë 23.04.2013 ka bërë kallëzim shtetasi Viktor Simon Gjergoni. Farruku është pajisur me pasaportë me identitetin e Gjergonit, por me fotografinë e tij. U kryen veprimet e para hetimore, materialet proceduriale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë Tiranë.
Më datë 30.04.2013, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasin, Aleksandër Refat Prifti, i datëlindjes 21.08.1972, lindur dhe banues në Berat, me arsim të mesëm, i pa dënuar. Ndalimi i këtij shtetasi u bë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 6 muaj burgim dhe 400.000 mijë lekë gjobë, për veprën penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”, parashikuar nga neni 189/1 i K.Penal.
Më datë 15.05.2013, filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetases, Frane Zef Gjoka, e datëlindjes 22.11.1949, lindur dhe banuese në Pukë, fshati Dardhë, me arsim katër klasë, e pa dënuar, pasi në datë 10.05.2013, ka ardhur një shkresë nga kompania “ALEAT”, me Nr. 432k/20 Prot, ku thuhet se kjo shtetase ka aplikuar dy herë për pasaportë, ku një herë ka aplikuar me datëlindje të saktë, dhe në rastin tjetër të ndryshuar.
Me datë 15.05.2013, filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit, Arben Riza Mejdani i ditëlindjes 07.07.1976, lindur dhe banues në Tiranë, rruga “Irfan Tomini”, me arsim 8 klasë, i pa dënuar, pasi në datë 10.05.2013, ka ardhur një shkresë nga kompania ALEAT, me Nr. 432k/20 Prot, ku thuhet se ky shtetas ka aplikuar dy herë për pasaportë, ku një herë ka aplikuar me datëlindjen e vërtetë dhe njëherë me datëlindje të ndryshuar.
Më datë 20.05.2013, nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomik Financiar u dërguan në Prokurorinë Tiranës materialet hetimore për veprën penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve…” parashikuar nga neni 189 i K.P, pasi është paraqitur shtetasi Elvin Hajredin Kacani, lindur në Dibër dhe banues në rrugën “Budi”, me arsim të mesëm, i padënuar, i cili kallzon se nga një person i paidentifikuar i janë vjedhur të dhënat e tij personale, ku dhe është prodhuar pasaporta biometrike me nr. BJ 2639925.
Më datë 22.05.2013, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Ndoc Prel Prabibaj, i datëlindjes 20.04.1956, lindur në Curraj të Epërm, Tropojë dhe banues në rrugën “Vangjel Noti” Tiranë, me arsim të mesëm, i pa dënuar, pasi nga informacionet e grumbulluara rezulton se shtetasi i mësipërm ka aplikuar për pasaportë biometrike në dy raste me të dhëna personale të njëjta, por me foto dhe me gjurmë gishtash të ndryshëm.
Suksesi i operacionit policor “Karta”, provoi se ka falsifikatorë
Pas denoncimit të bërë në emisionin Xhungël në datë 28 maj 2013 dhe 4 qershor 2013, për fenomenin e falsifikimit të kartave të identitetit dhe lëshimit të dokumenteve zyrtare për persona fantazmë, Policia e Shtetit ekzekutoi me sukses operacionin me emrin e koduar “KARTA”. Faktet dhe provat e paraqitura në emisionin “Xhungël” për ekzistencën e personave që falsifikojnë kartat e identitetit apo grupeve kriminale që shesin identitetin në këmbim të shumave të majme të parave, Policia e Shtetit kreu një operacion të suksesshëm. Gjatë këtij veprimi policor, u kapën jo vetëm persona të implikuar në këtë aktivitet kriminal, por edhe prova materiale, si pasaporta biometrike, karta identiteti apo dokumente të tjera zyrtare të falsifikuara.
Në njoftimin zyrtar, pas operacionit Policia e Shtetit deklaronte se: “U finalizua operacioni “KARTA”, gjatë të cilit, në orën 14:30, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i datës 30.06.2013, për caktimin e masës së sigurimit, arrest me burg për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal, për shtetasin Ylber Xhafer Huqi, i datëlindjes 09.11.1951, lindur dhe banues në Tiranë, ku gjatë kontrollit personal të këtij shtetasi në momentin e kapjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dokumenta të dyshuara të falsifikuara si karta identiteti dhe certifikata personale dhe familjare. Në vijim, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 400 dokumente të ndryshme, mes tyre, viza shengen, pasaporta biometrike, karta identiteti. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një shtetasi tjetër, gjeneralitetet e të cilit nuk bëhen të ditura për arsye hetimi”.
Policia deklaroi se është duke hetuar në lidhje me këtë vepër penale dhe se do të ndëshkojë çdo person apo grup kriminal të implikuar në një veprimtari të tillë. Ky është rasti i tretë brenda 10 ditëve të para të muajit qershor, kur Policia e Shtetit godet në territorin e vendit elementë kriminalë të implikuar në falsifikimin e dokumenteve të identitetit apo shitjen e identitetit në këmbim të parave.