MIMOZA EREBARA: KUR SHKRUAJ, DUA T’I SHPREHI TË GJITHA MENDIMET E NDJENJAT…

0
32

Bisedë nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

1.-Pyetje: Jemi njohur vite më parë dhe vetëm kësaj here po më paraqitet rasti të pyes, gjë për të cilën besoj ka interes edhe lexuesi i këtyre radhëve: Duke e lidhur pak me prejardhjen familjare, cilat janë “piketat” kryesore të jetës tënde?
– Natyrisht që çdo njeri ka disa “piketa”, sikur po thoni ju. Janë këto piketa, që të orientojnë në zgjedhjet, që ti bën në jetë. Por ndodh që jo çdo herë këto piketa të vendosen vetëm nga ti. Se mund të ndodhë që vetë bëhesh vazhdues i piketave, që paraardhësit tu i kanë vendosur, duke krijuar në këtë mënyrë atë, që mbetet traditë. Në familjen time jam mësuar me “rregulla” dhe respektimin e të tjerëve, pavarësisht pasurisë, postit ose ngjyrës së lëkurës a shkollimit. Mendoj që kjo frymë, e të respektuarit të njeriut si një qenie e tillë, pason në qëndrime e parime të tjera të rëndësishme të familjes sime dhe të miat. Shkurt, jeta ime është ndërtuar mbi bazën e disa normave e parimeve, të cilat kurrësesi nuk i kam shkelur, pavarësisht presionit ose kushteve e rrethanave të disfavorshme.

Nga njëri krah i familjes sime, kam mësuar se Durimi e Përkushtimi janë çelësa të mrekullueshëm për të ecur përpara. Po prej këtij krahu, kam mësuar se pasuria e vërtetë dhe më e madhe e njeriut është Dashuria dhe Aftësia për t’u dhënë dashuri njerëzve në nevojë. “Të qash është luks, ne nuk jemi aq të pasur, sa ta kemi këtë luks”- është një nga mësimet. Nga ana tjetër, vetë jeta dhe vepra me përmasa kombëtare e paraardhësve të mi (kujtoj këtu emrin e Post-Rilindësit, një nga hartuesit e Abetares Shqipe, i hapjes së shkollave shqipe, themelues i organizatave atdhetare në Bukuresht, kryeredaktor e themelues i disa gazetave, në Shkup, Bukuresht e Vienë, Jashar Erebara), më ka shtyrë në mënyrë të pashmangshme drejt idealeve të shenjta kombëtare, për të cilat kam shfrytëzuar dhe profesionin tim, atë të gazetares.

Ballina të librave, nga autorja Mimoza Erebara…

2.-Nga leximi i “listës” së librave, që ti ke botuar, vërej se ata janë në gjini të ndryshme. Çfarë mund të më tregosh për këtë gjë dhe cila është tematika kryesore e tyre?
– Po, është e vërtetë që kam shkruar e botuar në disa gjini. Janë botime në poezi e prozën e shkurtër, përkthime, studime letrare e publicistikë. Në fakt, një shkrimtar në laboratorin e tij krijues e ka gjithë të drejtën të eksperimentojë, si me veten dhe veprën letrare. Nganjëherë, të duket se e gjen veten në një format teksti dhe herë të tjera ndjehesh komod në një format tjetër teksti. Nuk ka shumë rëndësi për mua kjo zgjedhje, por e rëndësishme është që, kur shkruaj, mundësisht, dua t’i them e t’i shpreh të gjitha mendimet e ndjenjat, që i kam në atë çast ose për atë problematikë, që përbën edhe temën. Pra, përmbajtja është parësore, forma e ndjek atë, përmbajtjen dhe idenë time. Kjo e fundit “vendos”, se në cilin format “ndjehet” më mirë.

Në vëllimet poetike, natyrisht, tematika është sa shoqërore, aq dhe lirike. Madje, me njërin nga botimet, tek “Klithmë dashurie”, eksprimentova duke e lënë thjesht me monotematikë. Libri është botuar më 1996 dhe vinte pas vëllimit tim të parë, po në poezi, më 1993, “Pë r të shoqë ruar një shpresë ”. Ndryshe ishte gjetja artistike në vëllimin pasues, “Arsye e grisur”, më 1998, ku tema shoqërore ose e ashtuqujtura “poezi e angazhuar”, ishte më e dukshme. Për të mbërritur te botimi më i fundit poetik, më 2012, “ Paqe pa Profet” që është më shumë filozofik. Pë rballja e kë tij vë llimi poetik me poezinë evropiane dhe vlerë simi që iu bë asaj nga kritika e specializuar franceze, më bindi se poezia shqipe i ka të gjitha mundë sitë të konkurojë me poezinë botërore, madje dhe të pretendojë për vlerë sa me të larta. Me sa duket, janë shkallët e domosdoshme të jetës dhe të rritjes sime si njeri, së pari, e si poete. E njëjta situatë, pak a shumë, haset edhe në botimet e mia, në prozën e shkurtër.

Janë dy vëllime me tregime “Gabimisht dashuruar”, 1998 dhe “Dry me qera”, 2010. Dhe, të them të drejtën, megjithëse i fundit u botua më 2010, jam ende e dashuruar me të. Ato janë pritur mirë edhe nga kritika e specializuar. Kam edhe dy vëllime të “Bibliotekës së Fëmijëve”, njëri është roman-përrallë, botuar më 1995, “Aventurat e 10×10 dhe Munuriro Kokë poshtit”, një roman sarkazëm që i referohej regjimit komunist, gjë për të cilën ky libër një herë u pranua të botohej nga Shtëpia Botuese e vetme në atë kohë “N. Frashë ri”, dhe më pas u hoq nga shtypshkronja si i papërshtatshëm. Tjetri është vetëm me përralla origjinale të cilat u ilustruan, në atë kohë nga ime bijë, Bora, sot piktore, që ishte vetëm 10 vjeçe. Libri u botua më 1998.

3.-Sa dhe si është vlerësuar kjo krijimtari e pasur e jotja, me nderime e çmime të ndryshme?
– Dua të tregoj këtu, se nuk bëj pjesë në asnjë grupim artistësh të Shqipërisë, as në klanet e tyre. Madje, jo më pak se njëherë, kam folur edhe publikisht, pikërisht pë r këtë dukuri të shëmtuar të jetës artistike në Shqipëri. Nuk e kam pranuar asnjëherë faktin që, të marrësh pjesë në një konkurs, duhet të jesh patjetër mik me organizatorët. Po kështu, që të fitosh një çmim, duhet të paguash në forma të ndryshme?! Kështu, që pasi i kam respektuar këto parime të mijat, nuk jam afruar drejt këtyre organizimeve, klanore e tarafore. Por, si gjithnjë, ka edhe përjashtime. Aty ku kam marrë pjesë, jam vlerësuar, më së shumti me çmime të para. Në Tiranë, Tetovë, Prishtinë, Gjilan e Ulqin janë disa nga vendet ku unë kam fituar.Natyrisht që cmimi i parë serioz është më i hershëm. Atë e mora për romanin-përrallë më të mirë, bëhet fjalë për “Aventurat e 10×10 e Munurio Kokëposhtit”|, një roman që u botua më 1995, akorduar nga Shoqata Mbarë kombëtare e Letërsisë për Fëmijë e të Rinj.

Po nuk mund të le pa përmendur këtu pjesmarrjen në Konkursin Ndërkombëtar, të organizuar sivjet në Paris, nga Akademia Evropiane e Artit, në të cilën poezia ime u vlerësua më e mira. Po nga kjo Akademi jam nderuar me titullin, “Plaque d’Honneure”, një nga titujt e lartë, që jepen prej saj. Gjithashtu, po në vitin 2014, poezia ime u nderua me çmim të pare, në Konkursin Mbarëkombëtar Shqiptar “Flaka e Janarit”, që u zhvillua në Gjilan-Kosovë, me titullin “Pena e Flakës”.

5.-A je në vazhdim të krijimtarisë tënde apo ke njëfarë “pushimi”, për të ecur pastaj më tej, në këtë udhë?-Ha-ha-ha!…Fjalën “pushim” e kam hequr nga përdorimi. Jam gjithnjë në proces krijimi, përherë ka gjëra, që të ngjallin interes, gjithnjë ke mendime, që do t’ua transmetosh njerëzve. Armiku im i vetëm është “Mospasja e Kohës”!…Po përmendi këtu që është në proces botimi libri i Nobelistit hebre, Isaak B. Singer, me një nga vëllimet e tij në prozën e shkurtër. Po kështu, del tani nga shtypi edhe monografia ime, me studime e kritikë për letërsinë shqipe, ashtu si e njoh unë…

6.-Krahas përkushtimit në krijimtarinë letrare, ti je dhe veprimtare shoqërore.Si e përballon këtë “ngarkesë” dhe çfarë kënaqësish provon, gjatë kohës?
-Është ngarkesë fizike, sigurisht dhe mendore. Sepse duhet që të lëvizësh në vende të ndryshme e të takosh njerëz që, ndoshta, kurrë më parë nuk i ke njohur. Por, falë profesionit tim të gazetares, tashmë, kjo për mua është thjesht një rutinë. Marrja e titullit “Ambasadore e Paqes”, të shtyn më shumë të japësh ndihmesën tënde në proceset e Paqes, sa ato të përbotshme, sa ato komëbtare e po ashtu edhe të vetë njeriut. Natyrisht, kjo ndihmesë e imja bazohet, më së shumti, me përkushtimin drejt publikimit të shkrimeve të ndryshme, me problematikat përkatëse.Sikur ë shtë rasti i problematikave të rëndësishme kombëtare në Kosovën e pas luftës, apo problemet e konfliktit Izraelito-Palestinez. Janë dy fusha ku unë jam fokusuar me komente e opinione të ndryshme në rrjetet sociale dhe në shtypin e shkruar vendas dhe jashtë.

Po ashtu, funksioni im, zv.kryetare e Akademisë Evropiane te Artit, për Seksionin Mbarëkombëtar Shqiptar, më shtyn drej gjetjes, paraqitjes dhe përurimit të artistëve shqiptarë, kudo ku ndodhen, në sallonet më të njohra të botës. Vetëm në këta dy vjet, ne kemi paraqitur, në Bruksel, Luksemburg, Paris, Zyrih, Gjeneve, Namur e Ptuj, më shumë se 80 artistë, poetë, piktorë e skulptorë. Nuk është e rastit që edhe u nderuan me çmime, sikur ishte piktori, nga NënBushati i Shkodrës, Lek Rrotani, i cili zuri vendin e parë, në Sallonin e Parisit. Pa përmendur këtu veprimtaritë brenda trojeve shqipfolëse, si në Tiranë, Durrës e Prishtinë…
Secili atdhetar bën për vendin e tij atë, që mundet dhe sa më mirë. Mjafton të vesh edhe një “gur” në këtë ndërtesë. Kjo është një nga kënaqësitë, që unë marr. Por, gjithashtu, emocionohem kur një talenti të ri i mundësohet botimi ose paraqitja e krijmtarisë së tij. Apo më tej, kur ata vlerësohen me çmime…

Mund të flisnim dhe më shumë rreth këtyre temave, që përmendëm më lart. Por mendoj se, ju dhe lexuesi i këtyre radhëve, krijoni njëfarë mendimi për jetën, punën dhe krijimtarinë time modeste.
-Faleminderit për përgjigjet tua korrekte dhe të uroj gjitha të mirat, në punët e përditëshme dhe në jetën familjare!
-Gjithashtu, ju falënderoj Ju, prof.Murati, për këtë bashkëbisedim miqësor e të ngrohtë dhe ju uroj çdo të mirë në jetë!

Tiranë-Durrës, 5 gusht 2014