Milionerë të zgjuar në një Shqipëri plot budallenj?

0
24

Nga: ALBA MALLTEZI

Milionerët e rinj shqiptarë, ata të miliona eurove, jo lekëve, nuk po habisin më opinionin publik, pasi kanë vite që nuk habisin as Prokurori, as Tatime, as Gjykata. Nuk habisin Shtetin, pasi këta milionerë janë Shteti vetë. Historia e tyre nisi me deklarimin e pasurisë së vajzës së kryeministrit Berisha. Ishte ajo e para që deklaroi milionin e parë të eurove, duke u thënë shqiptarëve se mund të bëhesh milioner në pak vite, me një rrogë modeste punonjëse, qoftë dhe OKB-je.

Shqiptarët e hëngrën. Shteti e hëngri, pasi vajza e kryeministrit është Shteti dhe shqiptarët punojnë për të dhe jo e kundërta. I dyti doli Damir Fazlliç. Edhe ai deklaroi se kishte bërë 1.7 milionë euro në Shqipëri, në një vit. I treti dhe i vërteti, ministri i kabinetit Berisha, Dritan Prifti. Edhe Dritan Prifti paskësh bërë 1.8 mln euro në një vit, apo diçka më shumë. Në gjithë këtë paradë milionash njerëzish të politikës dhe familjarëve të tyre, pak indinjohen, madje ka shumë që justifikojnë, u duket normale; janë gati t’u shtrëngojnë dorën e t’i adhurojnë milionerët e rinj.

Nëpër familje politikanësh, biznesmenësh e ekonomistësh, apo avokatësh, ka nisur sherri: “Ja, ata u bënë milionerë në një vit, ti je i pazoti, e pazonja”. Por, nuk është kështu o njerëz. Nuk mund të bëhesh milioner si Argita, Damiri, e Dritani, pa pasur në shfrytëzim Qeverinë. Janë ata të zgjuar, e jemi ne budallenj? Ka mundësi, por bota, kjo bota ku jetojmë dhe ëndërrojmë ta bëjmë më të mirë ka rregulla, ka ligje, ka ndershmëri dhe kërkon një mirësi për të mos shkuar të gjithë në ferr, siç shpesh ne shqiptarët kemi rrezikuar, duke marrë me vete të varfër e milionerë.

Megjithëse të bombarduar nga informacioni, pak vetëve u ngelet në mendje se si në Francë po vënë me shpatulla pas muri e në shënjestër presidentin Sarkozi, për një shumë prej 150 mijë eurosh që presidenti supozohet të ketë marrë nga trashëgimtarja e “L’Oreal”-it. Hetimi mediatiko-shtetëror ka nisur për këtë shumë, jo për miliona euro. Megjithëse është përcjellë dhe në mediat shqiptare, pak shqiptarë reflektojnë për dorëheqjen e ministrit Britanik të Brendshëm, Jasqui Smith, pas akuzave për fatura të fryra, në pak mijë euro.

Nuk bën përshtypje dhe nuk shërben, gjithashtu si pikë referimi, dhe një lajm tjetër që po bën këto ditë xhiron në gjithë globin: vila 11 milionë dollarëshe që ka blerë apo pritet të blejë familja Klinton. Të ndalemi pak te historia e fundit. Edhe për standardet amerikane, edhe për standardet e një ish-Presidenti amerikan për 8 vjet rresht, siç ishte Bill Klinton, edhe për një Sekretare aktuale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lajmi i blerjes së Vilës 11 milionë dollarëshe bëri bujë; është i sikletshëm për ta, përpara opinionit publik, edhe pse rrogat e tyre, dietat, vitet e punës, janë pa më të voglin dyshim, më të larta se rroga e dietat që vajza e kryeministrit merrte në Prishtinë, që ministri Prifti merr në Qeverinë Shqiptare.

E pra, vila e Klintonëve habit amerikanët, ndërsa milionat e ministrit të shtetit më të varfër në Evropë, nuk habisin asnjë. Nuk habisin strukturat shtetërore në radhë të parë, nuk habisin një pjesë të madhe të medias së atrofizuar, nxisin opinionistë të sulmojnë mediat që i zbulojnë. Jemi në Shqipërinë e budallenjve, por me milionerë të zgjuar?!