Andrea Stefani
Qeveria ka nisur një fushatë për të propaganduar suksesin “e jashtëzakonshëm” që është arritur këtë sezon në fushën e turizmit. Dhe sipas saj, tregues për këtë janë po statistikat e qeverisë që pretendojnë një rritje të numrit të turistëve si askund në rajon. Madje vetë Kryeministri Berisha u mburr se këtë vit numri i turistëve e ka tejkaluar numrin e popullsisë në Shqipëri. Gjë që do të thotë se këtë verë Shqipëria ka pasur më shumë se 3 milionë turistë.
Nëse do të ishte vërtet kështu, me një aritmetikë të thjeshtë, i bie që ekonomia shqiptare të ketë thithur nga turizmi rreth 10 miliardë euro, shumë që është thuajse sa prodhimi i saj i brendshëm bruto i një viti. Po të qe vërtet kështu, nuk kuptohet se ku mund të kenë shkuar gjithë këto miliona dhe se përse qeveria “Berisha” shfaqet aq e varfër, sa nuk është në gjendje të paguajë as ushqimin dhe dietat sportive, duke e detyruar ekipin kombëtar të peshëngritjes të protestojë, madje ta bojkotojë kampionatin botëror të peshëngritjes që pritet të zhvillohet në Turqi?
* * *
Qeveria “Berisha”, si asnjë qeveri tjetër në tranzicion, e ka mbështetur mbijetesën e saj në besimin te forca e gënjeshtrës. Si në të gjitha sferat e tjera, një gjë e tillë po ndodh këtë vit edhe me turizmin. Por gënjeshtra i ka këmbët shumë të shkurtra kur është fjala për ekonominë. Është vetë tregu që e denoncon atë. Mund të jetë e vërtetë që në kufijtë e Shqipërisë të kenë hyrë sivjet më shumë turistë se vitin e kaluar. Por sa prej tyre janë transit, domethënë sa kanë dalë më shpejt se kanë hyrë në Shqipëri?
Ka shumë zëra ekspertësh që thonë se përmirësimi i disa akseve rrugore ka bërë pikërisht këtë, ka nxitur turistë që në vend të avionëve apo të tjerave itinerare ta përdorin Shqipërinë si urë kalimi për të vajtur në vende të tjera. Një gjë e tillë u provua edhe nga një investigim i emisionit “Fiks Fare”, që intervistoi në kufirin shqiptar kosovarë të cilët kishin për destinacion ose Malin e Zi, ose edhe Gjermaninë dhe ndodheshin vetëm kalimthi nëpër Shqipëri. Por të gjithë këta, statistikat e qeverisë i regjistrojnë si turistë, paçka se ata paratë shkojnë e i harxhojnë në resortet turistike të një shteti fqinj si Mali i Zi apo në shtete të tjera europiane.
* * *
E megjithatë, qeverisë i intereson propaganda boshe, ndonëse numri i rritur i “turistëve” kalimtarë është në fakt provë e dështimit të qeverisë për t’i bërë ata të ndalen në Shqipëri. Por si mund të ndodhë një gjë e tillë kur qeveria, përfshi pushtetet lokale të të gjitha ngjyrave, nuk kanë bërë thuajse asgjë për të pastruar plazhet nga plehrat apo ujërat e detit nga fekalet dhe kur investimet për objektet arkeologjike dhe kulturore janë në minimum? Turizmi është një biznes që kërkon dedikim dhe investime si çdo biznes dhe fitimet prej tij nuk mbijnë me urdhër të peshkut, sikundër dhe shpresojë qeveritarët shqiptarë. Është kollaj të thuash se turizmi është një nga degët kryesore të ekonomisë, por puna është se sa investon në këtë degë dhe sa arrin të vjelësh prej saj.
Por si përherë, Kryeministri Berisha është një politikan i fjalëve të mëdha dhe i punëve të vogla. Si 6 vjet më parë, kur erdhi në pushtet me premtime dhe bujë, Shqipëria vazhdon të mbetet shteti që shfrytëzon më me pa efektivitet dhe në mënyrën më kaotike të mundshme resurset e veta turistike. I vetmi faktor që ka arritur ta lëvizë sado pak këtë sektor është privati, ambicia dhe iniciativa e tij. Por si kudo ku nuk ekziston rregullimi nga ana e shtetit, edhe ky faktor ka sjellë dëme të pariparueshme në disa drejtime.
* * *
Por le t’u kthehemi “statistikave” të qeverisë që glorifikojnë një sukses prej mbi 3 milionë turistësh. Sa të ardhura ka përfituar ekonomia shqiptare nga ky lumë njerëzish që e paskan vizituar vendin? Qeveria nuk është në gjendje të japë shifra. Por ishte kryetari i Bashkisë së Sarandës që para pak ditësh dha disa statistika në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. Sipas kryetarit, nga prilli e deri tani që flasim, në Sarandë kishin hyrë 510 mijë turistë.
Kryetari pranoi se vetëm 30 për qind e tyre ishin kalimtarë, ndërsa të tjerët, që i bie rreth 357 mijë, kanë qëndruar në Sarandë, pra janë turistë në kuptimin e plotë të fjalës. Po sipas kryetarit të Bashkisë së Sarandës, nga këta 510 mijë turistë, ekonomia e qytetit ka përfituar 50 milionë euro. Ne nuk do ta llogarisim fare 30 përqindëshin e turistëve kalimtarë dhe do ta pjesëtojmë këtë shumë për vetëm numrin e turistëve që pretendohet se kanë qëndruar në Sarandë. Dhe sa del se ka shpenzuar një turist?
Vetëm 140 euro. Pra ka qëndruar në hotel disa ditë, ka harxhuar për ushqim e argëtim, dhe ka shpenzuar vetëm 140 euro. Ose Shqipëria është Eldorado, ose turistët në Shqipëri vijnë për të ushtruar asketizmin! Është e pamundur të ndodhë kështu dhe prandaj shtyhemi të besojmë se për shkak të mungesë së strategjive të zbatuara turistike, për pasojë të ndotjes së plazheve, por edhe për pasojë të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, po rritet numri i turistëve që e kanë Shqipërinë rrugë kalimi dhe jo vendin e kënaqësive ku shpenzojnë kohë dhe para.
* * *
Një turist që shkel në tokën tënde është një shans biznesi që nuk përsëritet kollaj. Atë rast duhet të dish ta shfrytëzosh dhe jo të mburresh me statistika pa bukë, siç bën qeveria. Ajo që duam të themi bëhet më e qartë po të krahasojmë situatën me atë që ndodh në Greqi, një vend fqinj që nxjerr nga turizmi një të pestën e prodhimit të brendshëm bruto prej, sipas statistikave të Southeast European Times, më shumë se 240 miliardë eurosh. Dhe po sipas këtyre statistikave, në Greqi hyjnë çdo vit mesatarisht 15 milionë turistë.
Sipas një llogarie të thjeshtë, ekonomia greke përfiton nga ata rreth 48 miliardë euro. Kjo do të thotë që nga 1 milion turistë, vilen rreth 3 miliardë e 200 milionë euro, ndërsa një turist shpenzon mesatarisht 3 mijë e 200 euro. Konkluzioni? Nëse mbi 3 milionë turistët e pretenduar nga Berisha do të ishin vërtet të tillë, atëherë ekonomia shqiptare do të kish përfituar në këtë sezon rreth 10 miliardë euro që janë thuajse sa prodhimi bruto i saj i brendshëm.
Le të themi se një turist në Shqipëri do shpenzojë jo 3 mijë, por 2 mijë euro. Do të kishim përsëri rreth 6 miliardë euro të ardhura. Dhe po të qe vërtet kështu, nuk kuptohet se përse Kryeministri që bërtet duke u sorollatur nëpër Shqipëri se nuk jemi në krizë, jep urdhër që të shkurtohen fondet edhe të pedagogëve në universitetet publike. Vërtet financat personale të Berishës dhe K° mund të mos jenë në krizë, por është në krizë buxheti i publikut dhe vetë publiku me xhepa dhe kuleta gjithnjë e më bosh. Është një situatë që nuk kapërcehet dot me rrena e propaganda boshe.