Milena Harito – Ku do të jetë nesër Berisha?

0
25

Nga Lorenc Vangjeli

Ministrja Milena Harito flet për institucionin e saj, për lëvizjet në administratë dhe shpjegon se çfarë do të ndodhë nesër me të larguarit nga puna në administratë dhe sesi do të bëhen rekrutimet e reja: çfarë duhet bërë për të siguruar një punë “shteti”. Projektet e reja në arsim dhe hyrja e teknologjisë në luftën kundër korrupsionit. Si i përgjegjet ministrja e re Berishës dhe një propozim i saj për të nesërmen e ish-kryeministrit

Ka një debat që duket se në Shqipëri nuk do të rreshtë kurrë: emërimet dhe largimet punonjësve të administratës. Në çfarë situate e gjeti gjeti rikthimi i të majtës në pushtet administratën publike?

Në krahasim me numrin e popullsisë dhe me vende të ngjashme me Shqipërinë, administrata jonë është e reduktuar në numër. Ajo përbëhet nga rreth 84 mijë vetë. Por sidoqoftë janë shumë për të folur në përgjithësi. Ka midis tyre profesionistë të përkushtuar, ka persona të aftë, ka edhe militantë e abuzues. Mbase e mbani mend që në një seancë parlamentare tregova një email të Sali Berishës, i cili i kërkonte çdo punonjësi të administratës, nëpërmjet ministrave, votën e secilit, por edhe të familjes e te të afërmve. Sali Berisha madje e konfirmoi paturpësisht këtë.

Gjykimi im, pas disa muajsh në detyrë, është ashtu si në çdo organizatë tjetër, formën administratës ja japin drejtuesit. Ne po përpiqemi të japim modelin e duhur, të jemi profesionistë dhe të kërkojmë llogari për punën në të gjitha nivelet. Vullneti ynë politik për formësimin e një administrate eficente e të pavarur nga politika, është mjaft i fortë dhe po aq i fortë është dhe besimi ynë se një gjë të tillë, mjaft të vështirë e të komplikuar, do të mundim ta realizojmë. Jemi të detyruar ta bëjmë një gjë të tillë. Të gjithë e dimë se nga administrata publike varen jo vetëm shërbimet që shteti u ofron qytetarëve, por edhe e ardhmja europiane e Shqipërisë. Eshtë kjo administratë që duhet të përgatitet për të realizuar negociatat e 35 kapitujve të Acquis Communautaire, negociata që kërkojnë një nivel shumë të lartë profesionalizmi.

Për këtë arsye kemi filluar të trajnojmë gjithë administratën në mënyrë intensive dhe do vazhdojmë ta bëjmë, ashtu siç ndodh në çdo korporatë private serioze, në çdo vend të zhvilluar evropian. Edhe në Shqipëri kemi korporata të tilla, madje kemi bashkëpunuar me këto të fundit për të shkëmbyer praktikat e mira.

Sot, mbas gati tetë muajsh në qeverisje, mendoni se zgjidhja që ju dhatë me ligj për këtë çështje, ishte më e mira e mundshme apo e vetmja, duke pasur parasysh rrëzimin që i bëri Gjykata Kushtetuese dhe faktin se tensionoi situatën politike në vend?

Më besoni, e kam bindje edhe sot, ishte e vetmja zgjidhje e mundshme. Si në fusha të tjera edhe këtu, qeveria paraardhëse kishte lënë pas një fushë të minuar. Ligji i votuar me konsensus nëse do të shtrinte efektet, bllokonte punën e administratës për muaj me rradhë dhe nuk mundësonte as krijimin e ministrive të reja. Kjo për shkak të ndryshimeve thelbësore që sjell, mungesës së akteve nënligjore dhe mungesës së pregatitjes për futjen në shërbimin civil të rreth 7000 personave nga agjensitë qendrore dhe gati 15 mijë personave bashkë me pushtetin lokal. Eshtë një punë kolosale, që mund të kishte filluar nga qeveria e kaluar pas votimit të ligjit në maj 2013, por qëllimisht apo për mungesë profesionalizmi, pak rëndësi ka t’i vemë sot emrin arsyeve, nuk u realizua. Të mos harrojmë që Komisioni Europian deklaroi qartë që shtyrja e efekteve ishte e nevojshme. Jua sjell këtë fakt si një provë më shumë për drejësinë e vendimit që kemi marrë në vjeshtën e shkuar dhe ju siguroj se po të mos kishim argumenta faktikë të qartë dhe të mirëshpjeguar, Komisioni nuk do të shprehej në mbështetje të inisiativës së qeverisë.

Ndërsa tensionimi i situatës politike mbi çështjen e administratës kishte filluar që gjatë fushatës së brendshme në PD, në korrik 2013. Pra, kur ne nuk ishim ende në detyrë e kur nuk kishte ndodhur ende asgjë. PD ka një tipar të pandryshueshëm; e mat gjithçka me një kut personal dhe mbi bazën e këtij kuti, bën dhe arsyetimet e saj politike. Në këtë rast, është një arsyetim primitiv dhe i qëllimshëm.

Opozita pretendon për disa mijëra të larguar nga vendi i punës, rreth 7 mijë, cila është shifra reale që dispononi ju?

Fatkeqësisht, shteti shqiptar ende nuk ka një bazë të plotë të dhënash të administratës publike, e cila ka rreth 84 mijë vetë. Kemi dy kategori shifrash; për nëpunësit civilë, të cilët janë tre mijë ndër 84 mijë të tillë përpara hyrjes në fuqi të ligjit të ri, vetëm për ministritë dhe disa institucione qëndrore. Rreth 260 prej tyre ishin në listë pritjeje, një shifër e krijuar kryesisht për shkak të shkurtimit të administratës së ministrive me gati 20 për qind të numrit të tyre të përgjithshëm. Kemi dhe shifrën e ankimimeve në Gjykatën Administrative, qofshin në rastet kur ankimuesit kanë qenë ose jo nëpunës civilë, që e kanë konsideruar largimin nga puna si të padrejtë. Kjo shifër shkon deri në 1200 persona.

Deri më tani, në çdo tre raste të paraqitura në gjykatë, shteti ka fituar dy prej tyre. Që do të thotë se vendimmarrja për ta, ka qenë e drejtë në rreth 70 për qind të rasteve. Në fakt e kam të vështirë të flas me shifra, ndonëse po e bëj një gjë të tillë, për t’ju përgjigjur pyetjes suaj. E di mirë dhe kam ndjeshmëri maksimale, politike dhe njerëzore kur përmend shifrat sepse mbas secilit prej tyre fshihet një fat njerëzor, një jetë njerëzore, një familje. Qoftë dhe për këtë arsye, dhembja për këtë operacion të domosdoshëm është mjaft e madhe, mirëkuptimi është i plotë ndaj të larguarve, por e përsëris, është operacion i domosdoshëm, nëse do të donim që edhe në këtë aspekt, të kemi një shfaqje, një shprehje të vullnetit për të pasur një administratë së paku normale e më pas, një administratë evropiane në një Shqipëri Evropiane.

Cila mendoni se do të jetë zgjidhja, çfarë ndryshimesh ligjore janë përgatitur?

Ligji i ri i nëpunësit civil, i cili është efektiv që me hyrjen në fuqi të vendimit të gjykatës Kushtetuese më 26 shkurt 2014, parashikon një sërë ndryshimesh thelbësore, ndër të cilët më i spikatur është rekrutimi në grup. Institucionet nuk rekrutojnë më për çdo pozicion, por bëhet një përmbledhje e gjithë pozicioneve të lira, të ngjashme, hapet një konkurs le të themi për 10 vende të lira, konkurohet dhe sipas renditjes së rezultatit, kandidati i parë zgjedh pozicionin që preferon midis atyre 10 pozicioneve, i dyti zgjedh midis 9 pozicioneve e kështu me rradhë. Pra nuk është më drejtuesi i institucionit ai që zgjedh, duke i prerë kështu rrugën abuzivizmit. Eshtë një mënyrë e mirë për të përmirësuar besueshmërinë e konkurseve dhe cilësinë e rekrutimeve.

Cilat janë disa nga risitë teknologjike, që mendoni se do të hyjnë në arsim?

Risia e parë është pajisja e nxënësve të shkollave të mesme me kompjutera-tablet individualë dhe e shkollave me akses të mjaftueshëm në internet. Duke ju afruar të rinjve një pajisje me akses në internet, njëkohësisht ju hapet një botë e re, rrëzohen barrierat midis atyre që kanë e atyre që nuk kanë. Afron një mundësi dhe një shans të barabartë mes tyre dhe nxit nivele të reja në edukim. Paralelisht, futja e platformave të hapura dhe gradualisht e metodave e-learning, me të gjitha gjasat, ashtu siç ka ndodhur suksesshëm gjetkë në Perëndim, do të rrisë parametrat e nxënies dhe kontrollit në të gjithë sistemin arsimor.

Ky vit shkollor, megjithatë afroi dhe një sinjal të trishtë: një në katër të rinj nuk mundën të kalojnë provimin e maturës në matematikë. Ky sinjal mund të lexohet në mënyra të ndryshme, njëra nga to është njohja e të vërtetës, e asaj çfarë është reale në terren konkret për nivelin e përgatitjes së nxënësve në arsimin e mesëm, por është dhe një sinjal alarmi për urgjencën me të cilën duhet të punohet për t’u ndryshuar ky realitet. Nuk kemi rrugë tjetër. Investimi në arsim dhe vëmendja për arsimin është investimi më i mirë për të sotmen dhe të nesërmen e individëve dhe të gjithë shoqërisë.

Po në luftën kundër korrupsionit, cilat janë masat që mund të merren duke pasur parasysh edhe vullnetin për të ndërhyrë me teknologji për të shmangur sa të mundet kontakti dhe subjektiviteti njerëzor?

E kam menduar shpesh dhe gjatë se pse jemi një shoqëri e përfshirë në një krizë ciklike dhe shumëplanëshe. Jam e bindur se kriza e shoqërisë tonë eshtë në rradhë të parë një krizë e mungesës së besimit. Mungesë besimi tek institucionet, tek njëri-tjetri, tek shteti, mungesë besimi tek vetë e ardhmja, në fund të fundit. Për mua teknologjia është një nga mjetet që mund të furnizojnë besim, që mund të krijojnë besim. Duke i bërë të dhënat dhe shërbimet të hapura, transparente, të kontrollueshme, në të njëjtën kohë ne pakësojmë hapësirat për korrupsion, nxisim angazhimin e gjithësecilit dhe përgjegjësinë individuale. Kemi pregatitur në pak muaj projekte dixhitalizimi të shërbimeve për mbi 100 milion dollarë. Tani po punojmë me donatorët për të realizuar sa më shumë prej tyre. Eshtë një proces i gjatë dhe i mundimshëm, por duke ditur që më parë se cili do të jetë rezultati i pritshëm, duke pasur bindjen se ky rezultat do të jetë pozitiv, mundi për ta arritur një gjë tillë, është shumë më i pranueshëm.

Shqipëria më së fundi morri statusin e vendit kandidat në BE, cilat mendoni se janë meritat dhe mëkatet e klasës politike, të majtë dhe të djathtë në këtë proces të tejzgjatur?

Shqipëria dhe shqiptarët kanë një fat të madh në këtë proces. Dëshirën e patjetërsueshme e atyre vetë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Eshte fat për të gjithë ne, që kjo dëshirë nuk është lëkundur dhe prova më e mirë për këtë është që në Shqipëri, ka shumë parti, por asnjë parti antieuropiane. Nuk ka asnjë zë të rëndësishëm, frymë apo lëvizje që të kundërshtojë këtë kah lëvizjeje të paracaktuar, edhe politik, edhe historik, edhe tërësisht të vetëm si zgjedhje dhe zgjidhje unike. Për të gjithë shqiptarët është e qartë se përgjigjet e shumicës së pyetjeve dhe pikpyetjeve për të sotmen dhe të nesërmen e tyre, mund të jepen vetëm me një gjuhë, me atë të Brukselit.

Në këto 9 muaj, veç punës së mundimshme teknike, ligjore e reformuese mbi pesë prioritetet, me partnerët europianë, qeveria jonë ja doli një sfide edhe më të vështirë, sepse është një sfidë simbolike, më pak e matshme. Ne arritëm të ndryshojmë tek partnerët frymën dhe imazhin e Shqipërisë, e cila shkonte në Bruksel në një spektër të gjerë: nga një butafori herë qesharake e herë e rrezikshme dhe e prapambetur, herë regresive dhe po aq herë edhe agresive e folklorike, që e përfaqësonte për mua Berisha, në një imazh të pranueshëm evropian. Së paku atë të një vendi normal që ka një mijë e një halle, por që ka po aq vullnet dhe dëshirë për zgjidhjen racionale të tyre.

Keni pothuaj një vit e gjysëm në politikë aktive, fillimisht me angazhimin tuaj në PS e që prej shtatorit të kaluar, edhe në kabinetin qeverisës. Eshtë politika shqiptare ashtu siç e keni menduar dhe parë nga jashtë, jeni e zhgënjyer prej saj?

Angazhimi im është që prej fundit të vitit 2011 me programin e PS atëhere në opozitë, më pas në fushatën elektorale aktive. Politika është ashtu si kudo, një art kapriçioz e plot kapriçio, një garë e vazhdueshme, edhe pse në shumicën dërmuese të rasteve, një garë pa rregulla të ndershme. Më besoni, nuk kam asnjë sfidë personale dhe asnjë shtysë direkte personale që më dërgoi në dyert e politikës. Më besoni, është diçka më shumë se të vete në mbrëmje në shtëpi dhe përballë vetes dhe njerëzve të mi të shtrenjtë të mund të them: “Edhe sot bëra më të mirën që munda!” Më besoni, është diçka që ka të bëjë me shërbesën dhe dëshirën për të shërbyer përpara se të ndjehem e shërbyer.

Përqasja me realitetin politik të vendit, më pas është tjetër gjë. Në fillim vetëm e imagjinoja shijen e baltës që politika shqiptare e prodhon pakursim për kundërshtarin politik, më pas e provova dhe e provova me shumë dhembje, madje atë shije. Më bënte pafundësisht përshtypje, fjala vjen hipokrizia kur dikush që nuk kishte lënë fjalë pa thënë në adresën time një natë më parë, të nesërmen në mëngjez më merrte në telefon dhe e konsideronte të shfajësuar kur më thoshte gojaplot e me protestë: “U mërzite? E po kështu e ka politika! Asgjë personale me ty”.

E pra, këtë gjë nuk e pranoja dot, nuk e pranoj dot dhe nuk kam për ta pranuar ndonjëherë. Nëse do të mundja të ndikoja qoftë dhe një gram në ndryshimin e këtij zakoni të keq, sinqerisht do të isha e lumtur. Politika shqiptare ka nevojë për sinqeritet, nga e majta dhe e djatha. Duke thënë këtë, natyrisht përjashtoj një individ nga kjo nevojë. Nga pusi i tharë mos prit të dalë ujë! Dhe po rrëmove në këtë pus, sërish baltë do të dalë jashtë!

Më se njëherë jeni bërë shënjestër e sulmeve të ish-kryeministrit Berisha, që ju cilëson edhe thjesht si “kushërira”, si i gjykoni këto sulme dhe çfarë mendoni kur i shihni shpinën njeriut që ka ushtruar të gjitha pushtetet në Shqipëri?

Sikur të ma kursenit këtë pyetje.

Jo, po insistoj edhe njëherë në të njëjtën pyetje dhe kërkoj përgjigjen tuaj.

Dakort. Më kujtohet diçka, por para se t’jua them, dua të sqaroj se jam shumë pak vanitoze edhe si grua në lidhje me garderobën. Duke e ditur një gjë të tillë, një një njeri i medias, më thotë me humor, se i kishte bërë përshtypje një kostum me ngjyra që kisha veshur. “Sikur ke veshur një pikturë të Edi Ramës”, më tha. Kur e falenderova, insistoi sërish: “Por nuk qenka nga pikturat e mira të Edi Ramës”, tha. Qeshëm të dy.

Dhe më pas biseduam ashtu pak minuta në këmbë për mënyrën shumë shpesh aq sipërfaqësore me të cilën gjykojmë në Shqipëri dhe lehtësinë e padurueshme për të folur për gjëra të rëndësishme, pa u marrë me thelbin. Doktor Berisha është mjeshtër i formës. Fatkeqësisht një mjeshtër i lig. Për Shqipërinë në përgjithësi dhe për opozitën, në veçanti, do të ishte mirë që t’i shihnin shpinën në largim. Ai është modeli sesi nuk duhet të jetë një politikan. Ai është një shkuar që duhet lënë pas me urgjencë.

Me mua, e besoj dhe me shumë kolegë të mi, çuditërisht ndodh e kundërta kur dëgjojmë logorenë e pafundme të këtij burri. Shtohet dëshira, pasioni dhe vullneti për ta lënë pas atë dhe trashëgiminë e tij të ligë. Asgjë personale me këtë individ, por modeli që ai përfaqëson, do të turpëronte dhe një qehaja province këtu e shumë e shumë vite të shkuara. Ndaj dua të shmang çdo ngarkesë personale në përgjigjen për ju. Kemi shumë për të bërë në qeverisjen e vendit, duhet të ndërtojmë përfundimisht dhe eksponatin e muzeut të trishtë të së shkuarës sonë, ku Doktori duhet të qëndrojë vetëm në vetminë e tij të pafundme.