Midis BE dhe Shqipërisë ngrihet muri i regjimit të Tiranës

0
61

Nga Besnik Gjongecaj

Njerëz të administratës së vendit të zgjedhur me kujdes nga qeveria janë përfshirë në procesin e plotësimit të pyetësorit që do të tregojë gatishmërinë e Shqipërisë për t’u bërë vend kandidat për BE. Megjithëse përmban pyetje të adresuara për fusha të ndryshme, në thelbin e tyre ato janë esencialisht të së njëjtës natyrë, në kuptimin që së paku tri çështje mund t’i shohësh të formuluara qartësisht, pavarësisht terrenit se ku pyetet, pra, pavarësisht fushës se ku bëhen pyetjet. E para ka të bëjë me atë se sa në mënyrë demokratike funksionon ajo pjesë e shoqërisë, për të cilën pyetet dhe se sa transparente janë vendimet që merren aty.

E dyta ka të bëjë me efektivitetin dhe eficiencën e funksionimit, pra ka të bëjë në thelb me atë se në ç’masë realizohet potenciali ekzistues njerëzor dhe material, d.m.th., efektiviteti, dhe se çfarë rendimenti ka përdorimi i këtyre burimeve, pra ç’veprimtari kryhet dhe ç’rezultate merren për njësi të kohës, gjë që ka të bëjë me eficiencën. E treta ka të bëjnë me masën, në të cilën aplikohet liria, të drejtat themelore, me masën në të cilën ruhen dhe përdoren vlerat apo me masën, në të cilën realizohet siguria e vendit.

Të tria këto çështje thelbësore në fakt ishin edhe substanca e ndryshimeve të bëra në Traktatin e Lisbonës, i cili i dha një fytyrë të re edhe vetë Evropës dhe që kërkon që një fytyrë të ngjashme të ketë çdo vend tjetër, edhe Shqipëria, si një kusht esencial për të marrë të drejtën e “aksesit” në komunitetin e vendeve evropiane. Fatkeqësisht, pothuajse në çdo hap, qeveria e Tiranës në krejt ekzistencën e saj i ka shpërfillur të tria këto çështje të mëdha, duke marrë vendime, ose të rastësishme, pra jashtë sistemit, që në fakt duket të jetë edhe rasti më i mirë, ose duke marrë vendime mbi bazë të interesave strikte të mbijetesës politike, madje të individëve më shumë se të partive, në kurriz të interesave të vendit, si dhe në rastin më të keq, duke marrë vendime mbi bazë të interesave strikte klienteliste dhe korruptive, çka ka sjellë një shmangie në kohë të Shqipërisë nga Evropa, shmangie që bëhet gjithmonë e më shumë dramatike, sa më shumë që qeveritarët tanë flasin për Evropën.

Kronologjia e abandonimit të ndërgjegjes evropiane

Nuk ka fushë të veprimtarisë qeveritare më domethënëse se ajo në raport me universitetet e vendit për të kuptuar se si qeveria shqiptare ka punuar gjatë këtyre viteve me synimin e qartë për ta larguar Shqipërinë nga procesi i përfshirjes së saj në Evropë. Për këtë ka fakte të panumërta, që nga ato me të cilat dikush mund të qeshë, sepse do t’i duken të parëndësishme në krahasim me gjëmat e mëdha që ndodhin në Shqipëri, e deri te shmangie masive, gati tragjike, të këtij vendi nga shansi për t’u bërë pjesë e Evropës. Le të merremi me disa nga faktet e mëdha, ku edhe përgjegjësitë janë të tilla.

Thirrja e parë për t’iu bashkuar një procesi afrimi u bë në takimin e Sorbonës, në vitin 1999, deklaratën e të cilit e nënshkruan Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Në këtë deklaratë i bëhet thirrje të gjitha vendeve evropiane për të krijuar një hapësirë të përbashkët, brenda së cilës të mund të shkëmbeheshin lehtësisht vlerat dhe njohuritë e studentëve. Kjo thirrje u dëgjua nga 29 vende evropiane, të cilat një vit më vonë nënshkruan Kartën e Bolonjës, që në thelbin e saj angazhon këto vende në ndërmarrjen e “reformave konvergjente” në këto fusha: në krijimin e një sistemi kualifikimi lehtësisht të lexueshëm dhe të krahasueshëm, pra të një sistemi kualifikimi ku ka bachelor që çon në master dhe ky i fundit të çon në doktoraturë; në hartimin e një sistemi të njëjtë vlerësimi nëpërmjet krediteve; në institucionalizimin e një sistemi të vlerësimit të cilësisë; dhe së fundi, në ristrukturimin e universiteteve me një autonomi të zgjeruar, e zhvilluar paralelisht me vendosjen e mekanizmave që do të kontrollonin mënyrën e përdorimit të saj.

Karta është nënshkruar edhe nga Shqipëria, por të gjitha faktet e mëvonshme, të gjitha faktet e regjistruara pas vitit 2000, vit në të cilin u formulua kjo deklaratë, tregojnë qartësisht që nga qeveria e sotme, më së paku u anashkalua dhe u shpërfill kjo gjë. Thirrja e tretë u bë në takimin e Pragës, në vitin 2001, në të cilin u vendos që këto objektiva të realizoheshin përfundimisht në vitin 2010, d.m.th., në këtë vit duhet që krijimi i hapësirës së përbashkët evropiane e arsimit të lartë të ishte një realitet evropian. Thirrja e katërt u bë në takimin e Berlinit, në vitin 2003, në të cilin, jo vetëm që u rishikua me kujdes i gjithë progresi i bërë, por për herë të parë u bë thirrje për të përfituar nga sinergjizmi midis arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, pra për krijimin e Evropës së dijes.

Të njëjtat objektiva u ruajtën në takimin e pestë në Norvegji (Bergen), në vitin 2005, në të cilin u theksua se objektivat e krijimit të një sistemi të përbashkët të kualifikimeve, të vlerësimit të cilësisë dhe të njohjes së diplomave, duhet të përfundojë në vitin 2007. Ndërsa takimi i Londrës, në 2007, vendosi përfundimisht që në vitin 2010 procesi i Bolonjës të rezultonte plotësisht në krijimin e një hapësire të përbashkët, ku do të përfshiheshin sistemet e arsimit të lartë të të gjithë vendeve evropiane, përfshi Shqipërinë.

Sot jetojmë vitin 2010 dhe arsimi i lartë në Shqipëri nga pikëpamja e formës është krejtësisht i pangjashëm me atë që rezulton nga procesi i Bolonjës, ndërsa nga pikëpamja e përmbajtjes, është edhe më i prapambetur, në kuptimin relativ, edhe se sistemi i arsimit të lartë para viteve ‘90. Sot, në Shqipëri ka një sistem kualifikimi universitar plotësisht të ndryshëm nga ai i procesit të Bolonjës, pra jo me tri nivele (ose undergraduate: bachelor dhe graduate: master dhe doktor), por me më shumë se shtatë nivele, që edhe të sëmurët e një spitali psikiatrik nuk do ta kishin sajuar dot aq të palidhur, konfuz, të ngatërruar.

Sot, në Shqipëri ka një sistem akreditimi të ndërtuar politikisht dhe jo-funksionues, dhe më së fundi, të gjitha këto e shumëzojnë me zero mundësinë e njohjes së diplomave universitare të dhëna në këtë vend nga vende evropiane, pra nga vende jashtë Shqipërisë. Shqipëria nuk e dëgjoi zërin e Evropës, i cili u artikulua institucionalisht të paktën në 6 takime ndërkombëtare, dhe iu shmang standardeve evropiane veçanërisht në kohën më të rëndësishme dhe më intensive për t’iu bashkuar atyre, pra gjatë viteve 2005-2007. Qeveria e këtyre viteve injoroi të gjithë zërat brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët e ftonin për t’iu bashkuar procesit të Bolonjës dhe iu bashkua zërave injorantë, zemërzinjve që fatalisht drejtonin Ministrinë e Arsimit të kësaj periudhe.

Sot, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, kryeministri i këtij vendi dhe ish-këshilltari i tij për Arsimin në vitet në fjalë, aktualisht ministër i Arsimit, bëjnë thirrje për të çmontuar sistemin haluçinant të kualifikimeve universitare ekzistuese dhe për fillimin e ndërtimit të asaj që është propozuar nga Evropa prej më shumë se dhjetë vitesh, që në origjinë të procesit të Bolonjës. Çmontimi do të kërkojë një periudhë tjetër tranzicioni, të paktën prej më shumë se 5 vitesh, do të kërkojë energji dhe punë të investuar për të ndryshuar programet dhe tekstet përkatëse, do të kërkojë rivlerësim të studentëve që kanë mbaruar tashmë një nivel kualifikimi që nuk është në sistemin e Bolonjës, do të kërkojë që qeveria t’i mbledhë edhe njëherë studentët e këtij vendi dhe t’i kërkojë, jo vetëm falje publike, por edhe t’i dëmshpërblejë për kohën e humbur gjatë të paktën tri viteve të fundit.

Të presim gjithashtu se çfarë do të thonë studentët, pasi të zgjohen nga letargjia ku i kanë fundosur. Megjithatë, disa fakte janë aty. Ish-drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, që e detyruan Shqipërinë të abandonojë ndërgjegjen evropiane, janë shpërblyer, njëri është ministër Shteti sot dhe tjetra, ish-zv/ministre përgjegjëse për arsimin e lartë, sot është deputete e PD në Kuvend; ish-këshilltari i kryeministrit, që e lejoi të gjithë këtë proces degjenerues, u shpërblye duke u bërë ministër i Arsimit, ndërsa vetë kryeministri, i cili e “shiti” krejt reformën në arsimin e lartë të këtij vendi në këmbim të mbajtjes së shkatërruesve të saj në qeveri, sikur nuk ka ndodhur gjë, vazhdon të thotë që ky vend po ndërmerr reforma të thella dhe se është krejtësisht legjitime, që si i tillë, pra si një vend që ka përbuzur çdo standard evropian, të pranohet si një vend kandidat për në Evropë!

Shkaku nuk është virtual, por qeverisja e keqe

Të gjithë, përfshi edhe autorin e këtij shkrimi, jemi përballë një pyetjeje fare të natyrshme: Pse? Pse pra u punua me ngulm për të mos ta lejuar Shqipërinë të shkojë drejt hapësirës evropiane të arsimit të lartë, të bëhej pjesë e procesit të Bolonjës, çka do të kërkonte energji minimale për shkak të qartësisë së rrugës së ndjekur, por përkundrazi, u shpenzua aq shumë energji, fare e panevojshme, për ta larguar këtë vend nga kjo hapësirë? Është injoranca, është mungesa e profesionalizmit, është urrejtje ndaj vendit tënd, është zili për të bërë një gjë ndryshe nga ata që dinë, është përdorim politik, pra në thelb, çfarë është?

Në fakt janë të gjitha këto të marra së bashku, por një shkak tjetër është akoma më themelor. Në librin “Teoria e integrimit evropian”, botim i Oksfordit (2004), i shkruar nga disa prej institucionalistëve më të shquar të kontinentit, qeverisja përkufizohet në radhë të parë dhe mbi të gjitha si një veprimtari që lidh politikë-bërjen me ndërtimin e institucioneve, aq sa është e pamundur të ndërtosh institucione pa një politikë-bërje të mbështetur mbi iniciativat dhe jo mbi urdhrin, ashtu sikundër është e pamundur të bësh një politikë-bërje pa urdhra, në qoftë se nuk ke ndërtuar institucione demokratike.

Ato shkojnë së bashku, në një lidhje me veprim të ndërsjelltë, e cila, e studiuar në kushtet shqiptare, bëhet e mjaftueshme për të qenë një përgjigje bindëse për pyetjen tonë. E gjithë politika që ndjek qeveria e sotme ndaj universiteteve (në kuptimin e politikës së zhvillimit, pra policy dhe jo politics), është thjesht një grumbull urdhrash, që në shumicën e rasteve, dhe këtë e them pa pikë hezitimi, janë në kundërshtim edhe me atë “gjasme” ligj për arsimin e lartë.

As modeli financiar, as modeli shkencor, as modeli akademik dhe as një model tjetër nuk funksionojnë si modele nxitëse, pra si politika reale për të nxitur zhvillimin e universiteteve. Nga ana tjetër, grumbulli i urdhrave, me të cilët qeveria kujton se realizon politikë-bërjen ndaj universiteteve, nuk do të funksiononte kurrë, nëse universitetet do të ishin shndërruar në institucione demokratike, pra nëse do t’i nënshtroheshin parimit të autonomisë institucionale dhe brenda institucionit, edhe të parimeve të tjera të rëndësishme që lidhen veçanërisht me përdorimin e pushtetit dhe kontrollin e cilësisë së përdorimit të tij në të gjitha pikëpamjet, si strukturore, si administrative, si akademike, ashtu edhe financiare.

Pra, në thelb, institucionet nuk u ndërtuan, sepse duhet të përdoreshin politikisht nga qeveria. Kjo është arsyeja më e thellë pse universitetet tona nuk ndoqën procesin e Bolonjës, sepse, nëse do të ndodhte kështu, ato do të duhet të ishin institucione të ndërtuara demokratikisht dhe nëse do të ishin të tilla, nuk do të mund të përdoreshin politikisht nga qeveria e sotme. Qeverisja e keqe e regjimit të Tiranës është kthyer, prandaj, në një mur që e ndan këtë vend nga pjesa tjetër e kontinentit, fatkeqësisht.