Metodat e Tiranës me Albinin

0
68

Andi Kananaj

Çfarë bënte Albin Kurti me 3 serbë në makinë, me suxhuk dhe verë? Po djathë të mirë nga ai i Sharrit kishin me vete? Pse u ulën me batanije në tokë dhe nuk u futën në lokal? Këto pyetje janë në mënyrë perverse kaq argëtuese, sa në këtë shkrim do të mundohem t’i fus vend e pa vend.

Politika kosovare, me ndërmjetësinë e deputetit Haxhiu (Kamishi në art), ka nxjerrë në pah dy aspekte që fillimisht mund të kalonin për simptoma të parëndësishme, por që pas akuzave të fundit, dëshmojnë qartazi për zhvillime shqetësuese, në stadin e sëmundjes së mirëfilltë. Opozita kosovare, e mishëruar për herë të parë si institucion me Vetëvendosjen, ka tronditur jo vetëm partitë në pushtet, por edhe ato jashtë tij. U kujdesa të mos e përdorja termin “opozitë”, për faktin se qeveritë në Kosovë nuk para kanë hasur oponencë, në konsideratë të spektrit mjaft të gjerë mirëpritës të pushtetit.

Një mënyrë kjo për të fshehur shumë probleme, që ka bërë që Kosova ende sot të mos ketë kulturë opozitare, e për pasojë një grumbullim të forcave politike kundër Lëvizjes. Megjithatë e rëndësishme është që Albini të përgjigjet nëse batanija ishte e pastër apo me njolla vaji ulliri. Nëse ka lavatriçe, apo i lan rrobat me dorë e ujë të ftohtë. E nëse serbët kanë lavatriçe si Albini.

Aspekti tjetër problematik lidhur me pozitën e PDK-së dhe të partive ruletë në Qeverinë e Kosovës, ka të bëjë me faktin se kohët e fundit, krahas retorikës mbi “Rrugën e Kombit”, përveç fjalorit brutal, politikanët kanë bërë pjesë të komunikimit politik edhe sjelljet e dhunshme të Qeverisë më të keqe shqiptare të këtyre 20 viteve të fundit.

Bëhet fjalë për sulmet ad hominem, të përlartësuara në shpifje, për të cilat nuk mbahet më asnjë përgjegjësi ligjore (si në rastin e vendimit të kohëve të fundit të Gjykatës së Lartë, në çështjen Rama kundër Berishës), përtej asaj politike e njerëzore. Shkalla e zhvillimit të këtij sistemi lë hapësirë për shumë më tepër se ndonjë pyetje me nënkuptime. Albini i mbuluar me batanije, përbën ende stadin embrional të akuzave, krahasuar me zhvillimet që kemi arritur në Shqipëri: sulmi pasardhës do të jetë i drejtpërdrejtë, pa zig-zage suspansi.

Jam i mendimit se edhe këtë herë ideja ka ardhur nga Tirana: Mos u lodhni shumë, shpalleni spiun serb. Gjeni një deputet tip Paloke, apo si Emin Gjana, njerëz që nuk merr mundimin t’u japësh përgjigje, dhe loja u bë. Në rastin më të keq, do të mbetet në mendjet e disave. Ndërkohë që nuk humbisni asgjë.

Nxirrni edhe ndonjë militant që ta konfirmojë lajmin me thashetheme. Ne këtej e kemi nxjerrë Nanon spiun grek gjithë kohën. Me Ramën pastaj ka qenë spektakël fare. Ka njerëz që ende besojnë se ka hedhur në gjyq të atin për atësinë e të birit. Tani edhe t’u themi të vërtetën nuk e besojnë më. U ka pëlqyer kaq shumë versioni fikshën sa nuk heqin më dorë prej tij. Për ca tipa është si t’u mohosh ekzistencën e Plakut të Vitit të Ri.

E treguar me seriozitetin e duhur si dhe në proporcion të drejtë me infantilizmin e ngjarjes, gojëdhëna bëhet faktor i domosdoshëm i manipulimit ideologjik. Sa më shumë ta trajtosh opinionin publik si infantil, aq më shumë rriten gjasat që ai të sillet si i tillë. Nuk është ngjarja në vetvete që duhet ndërtuar mirë, por mënyra se si do të përcillet në vëmendjen e infantilëve. Për këtë nuk ka limit.

Njerëzit derdhën lot edhe për “Fjalimin e Mbretit”, teksa mbreti, në zemërim e sipër, i hakërrehej psikoanalistit se i zuri karrigen mbretërore, të trashëguar falë vullnetit hyjnor. Ndërkohë që psikoanalisti mbetej i kënaqur që arrinte të bindte mbretin të besonte këtë farë idiotësie. Autorët e filmit ndërkohë mbetën edhe më të kënaqur me efektin që patën te publiku, i cili pajtohej me faktin se mbreti e kishte në dorëzim fronin nga vullneti i krijuesit biblik. Propaganda nuk njeh kufij në imagjinatë.

Në rastin e Kosovës duhet pranuar se nuk mungojnë aspekte të caktuara, të dukshme lidhur me akuzat, edhe pse pa logjikë në argument, e krejt në kundërshtim me shqetësimet fillestare. Pyetja se përse Albin Kurti ishte i mbuluar me batanije teksa takonte disa serbë në një zonë të hapur, më duket kulmi i nxitimit në zgjedhjen e argumenteve të sulmit. E para, si u kuptua se poshtë kësaj batanije mondane ishte Kurti? E dyta, si ka mundësi që një skuadër strucësh të tillë u zbulua vetëm sot?

Pse kur gjërat janë kaq urgjente, pritet që Kurti të çojë çështjen në Gjykatë, dhe jo Kamishi në organet e specializuara të hetimit? Jam i sigurt se edhe në Kodin Penal kosovar, ka nene që penalizojnë veprimtarinë e spiunazhit kundër shtetit. Është absurd argumenti serb, se Albini poshtë batanijes, ka marrë urdhër të mos pranojë që Kosovës t’i hiqet emërtimi “Republikë” si përcaktues i pavarësisë së saj.

Diplomatët serbë s’kanë lënë negociatë të gjatë e të lodhshme pa kërkuar me forcë heqjen e termit “Republikë” në prezantimin e Kosovës, dhe kur më në fund ia arrijnë qëllimit, vendosin papritur që agjentët e tyre të fshehtë ta kundërshtojnë atë. Alogjikë dhe të pakuptimtë këta serbët. Na mbetet për të kuptuar edhe arsyeja pse Qeveria e Kosovës pranon kushtet e negociatave. Ndoshta për të nxjerrë bllof Kurtin. Sidoqoftë, biseda nën batanije të llojit Big Brother, e ndan këtë punë, megjithëse me kaq të dhëna duket se nuk është Albini spiun serb, po serbët spiunë të Albinit.

Deputeti ish-spiun i ShIK-ut tashmë mund të kalojë në voyeur-izëm të hapur, e të kërkojë të dijë edhe me kë shoqërohet Albini. Është serbe? Do të martohen? Do të bëjnë dasmë? Sa vetë do të jenë të ftuar? Do të ketë suxhuk kosove apo sallam turist nga Shqipëria? Po alkooli, e sigurt që bën mirë?

Duket se emisioni i pasdites në TV Klan, ka marrë përmasë të rëndësishme politike, meqenëse pyetjet e politikës tingëllojnë si të marra borxh nga revista adoleshentësh me puçrra moshe. Edhe pse pyetjeve dhe analizave të Vetëvendosjes mbi rëndësinë që ka reciprociteti në shkëmbimet e mallrave dhe të shërbimeve në ekonomitë respektive, nuk mund t’u dalësh kundra me shpifje me natyrë adoleshento-erotike.

Ndërkohë që rreziku që politika e Qeverisë së Kosovës kundër opozitës të ketë sukses, është real. Hartuesit e kësaj politike të deformuar, këtu në Tiranë janë ende gjallë e të pushtetshëm. Shqiptarët në Kosovë, të paktën janë të lajmëruar. Ndërkohë, Albini të përgjigjet: çfarë bënte me 3 serbë, në makinë, me suxhuk dhe verë?