Metodat e denigrimit në Republikën demokratike të Kosovës

0
49

Nga Enver Robelli

Zgjedhjet e vitit 2007 Hashim Thaçi i fitoi me premtime se do të jetë ndryshe nga paraardhësit e tij. I mjaftuan sall dy vjet që të zhgënjejë shumë shpresa dhe përkrahës. Tash sejmenët dhe tellallët e tij atakojnë gazetarët e pavarur, duke e imituar kështu Ivica Daçiqin, kur ky ishte zëdhënës i Partisë Socialiste të Serbisë. A është kjo gjuha e re e Partisë dyqind përqind Superdemokratike të Kosovës (PDK) apo vetëm një rrëshqitje singulare e ndonjë zyrtari të saj antievropian? Ju mbetet tash evropianëve të kësaj partie që të flasin. Nëse ka të tillë.

Në Universitetin e Frankfurtit që nga viti 1994 një grup gjuhëtarësh për çdo vit zgjedh fjalën ose fjalinë më të ligë të vitit („Unwort des Jahres“). Vitin e kaluar fjalia më e ligë në Gjermani u zgjodh kjo: “E kontaminuar nga këshillat e punëtorëve”. Kështu e kishte përshkruar një punëdhënës ndërmarrjen e tij, e cila kishte disa këshilla punëtorësh që mbronin të drejtat e punëtorëve. Juria kishte konstatuar se kjo fjali ishte tepër fyese për dinjitetin e punëtorëve. Në vitin 2008 fjalia më e ligë ishte zgjedhur kjo: “Bankat e përvuajtura”. Në kohën e krizës, kur bankierët përmes spekulimeve ua kishin vjedhur kursimet miliona njerëzve, të kesh dhembshuri për bankat dukej cinike. Në vitin 2004 fjalia më e ligë ishte “kapitali human”, një fjali që e degradonte dhe reduktonte njeriun vetëm në vëllim ekonomik. Në vitin 1997 fjalia më e ligë ishte zgjedhur kjo: “Bërllok mirëqenie”. Kështu shefi i firmës “Nestlé” i kishte përshkruar njerëzit, të cilët, sipas tij, nuk janë të gatshëm apo nuk janë të aftë të punojnë.

Fjala e ligë

Kosova nuk duhet të pres fundin e vitit 2010. Kosova tashmë e di se cila është fjala më e ligë e këtij viti. Gjykuar sipas komenteve të shumta, juria, në rastin konkret publiku që kishte rastin të shihte këtë spektakël politik, tanimë e ka zgjedhur unanimisht fjalën “riformatizim” si më të ligën për këtë vit. E ka shpikur zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi. Për këtë “zbulim epokal” i takojnë të gjitha meritat. Do ta bart një kohë të gjatë “riformatizimin” si trofe. Si kurorë e stoli. Si qafore. Ose si byzylyk. Pas krizës së një nate vjeshte, kur në lokalin “Zanzibar”, demek, u prish Qeveria dhe kur Hajredin Kuqi me dashakeqësi ia prishi edhe gjumin homologut të tij nga LDK, Ramë Manajt (ky është ai zotëria që vullnetarisht tregoi se ka ndërtuar shtëpi pa leje), pra pas krizës së “Zanzibarit” fjala “riformatizim” është – përfundimisht – shakaja më e hidhur e këtij viti ende të ri. Mund të themi shaka, sepse origjinaliteti i saj konsiston në zëvendësimin e procesit të domosdoshëm të llogaridhënies së vazhdueshme publike të bartësve të pushtetit me një term teknik, ku me një shtypje të butonit “Enter” në rehati të hijes së “Zanzibarit” dhe larg ndriçimit publik kompjuteri tërësisht i padobishëm – madje edhe ai zararbërës – rikthehet në gjendjen e mëparshme.

Përveç cilësive humoristike termi “riformatizim” shpejt u shndërrua edhe në sinonim për të shmangur vëmendjen e njerëzve të Kosovës nga problemet e mëdha të këtij vendi. E ato janë: Keqqeverisja me program, jo kompjuterik, por qeveritar. Korrupsioni dhe ryshfetmarrja. Përpjekjet herë të suksesshme, herë të pasuksesshme për manipulim tenderësh. Për fatin e keq të Republikës së re dhe të brishtë, këto ndyrësi nuk janë shpifje të gazetarëve dashakeqës, por fakte të prezantuara në raportet e mekanizmave referues dhe organizatave prestigjioze ndërkombëtare si dhe në mediat e pavarura nga shteti. Pastaj vijnë problemet e tjera: që nga papunësia ekstreme deri te nepotizmi i skajshëm. Mjafton të shikoni Aeroportin e Prishtinës se si po shndërrohet në aeroport kushërinjsh, të cilët punësohen me urdhra të pushtetit, ndonëse ardhacakëve u mungon çdo kualifikim përkatës. Mjafton të shikoni edhe ndërmarrje të tjera publike, ku punësimi bëhet vetëm me libreza partiake. Këtu, në mesin e anomalive, hyn edhe kontrolli i mediave. Mjafton të kujtojmë letrën që erdhi në adresë të kryeministrit nga Unioni Transmetues Evropian (EBU). Një letër që e trajtonte Kosovën sikur Bjellorusinë. Në vend që të ballafaqohen me këto probleme, kryeministri dhe zëvendësi i tij ia servojnë opinionit fjalën “riformatizim”. Tingëllon mirë, krijon përshtypje se po bëhet diçka e rëndësishme, shumica e xhematit ose e merr vesh dhe s’ka çfarë të bëjë ose nuk e merr vesh fare. E nëse “riformatizimi” përtypet nga mileti, atëherë edhe më mirë.

Anekdota të kalbura

Kryeministri duket që nuk ka fuqi politike të largojë asnjë ministër që dyshohet apo përflitet për vjedhje masive të buxhetit të Kosovës, kurdisje tenderësh apo ryshfetmarrje. Prandaj me anë të tellallëve të tij, madje nganjëherë edhe vetë premieri po përpiqet që me retorikë boshe kundër korrupsionit dhe me ndryshime kozmetike në kabinet të tejkalojë kërkesat ndërkombëtare dhe pritjet e qytetarëve për qeverisje në interes të vendit. Kësaj mënyre të qeverisjes i thonë: Vaditje e korrupsionit me retorikë antikorrupsion. Ajo në vend që të çrrënjos korrupsionin vetëm e banalizon luftën kundër kësaj dukurie rrënuese që u instalua edhe në themelet e shtetit të ri në vend të armaturës së çeliktë të pushtetit të ligjit.

Zgjedhjet e vitit 2007 Hashim Thaçi i fitoi me premtime se do të jetë ndryshe nga paraardhësit e tij. Për këtë kishte gëzuar mbështetjen e gjerë të publikut, i cili ishte lodhur nga hipokrizia politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe me qeverisjen për interesa personale nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Hashim Thaçi kishte premtuar se do të reduktonte shpenzimet e administratës shtetërore dhe do të luftonte keqpërdorimet, se do ta afronte Kosovën me Evropën, se do të plotësonte kushtet për liberalizimin e vizave, në mënyrë që populli i Kosovës të dalë nga getoja e Schengen-it, pastaj kishte premtuar se Qeveria e tij do të krijonte vende të punës dhe do të mbështeste sektorin privat. Një ndër premtimet më bukurtingëlluese ka qenë ky: Qeveria dhe kryeministri do të dëgjojnë mendimet alternative dhe kritikat e shoqërisë civile. Të gjitha këto premtime dhe shumë të tjera sot popullit të Kosovës i përshfaqen si anekdota të kalbura.

Në vend që dy vitet e ardhshme të mandatit të tij t’i shfrytëzojë për të përmirësuar sado pak punën qeveritare, kryeministri flet herë për “riformatizim”, herë për “afirmim” të qeverisë, një proces që, sipas tij, po ndodhë për çdo ditë – veçse mileti qorr s’po e sheh.

Paralelisht me këtë sejmenët e kryeministrit, në mungesë të argumenteve, kanë filluar një fushatë denigrimi personal kundër të gjithë atyre që publikisht kritikojnë qeverinë apo kërkojnë hapjen e debatit publik për punën e saj. Pikënisja kryesore e tyre kundër fjalës së lirë për punën e ekzekutivit është barazimi i qeverisë aktuale (dhe nga këndi kohor të përkohshme) me shtetin (shpresojmë të përhershëm) përmes motos monstruoze: “Kush është kundër qeverisë, është kundër shtetit”. Në këtë valle makabre janë kyçur edhe disa (b)analistë politikë, të cilët prej vitesh presin që pushteti t’ua hedhë ndonjë kockë nga thertorja e shtetit apo ndonjë copë nga kulaçi tenderues. Në mungesë të kockave dhe copave, ata ndjehen të obliguar që në raste të tilla të vlimeve të mëdha publike e politike të tregojnë sërish zellin e tyre për të demonstruar lojalitetin dhe për të denigruar dhe shpifur ata që mbretit duan t’i thonë se është lakuriq.

Helbete, dikur qeveria mund t’ua shpaguajë mundin, mund t’ua shpërblejë cinizmin e derdhur me kusi, duke ua dhënë një copë truall apo një banesë – ose ndonjë tenderuc. Ata gazetarë që me këmbëngulje i refuzojnë ofertat konkrete dhe joshjet nga pushteti, sepse nuk duan të shkelin mbi parimet profesionale, nga tellallët e pushtetit shpallen publikisht armiq të shtetit, psikopatë, të çmendur, gazetarë antiqeveritarë. Lufta speciale dhe primitive në Kosovë është e tillë, ajo zhvillohet me gënjeshtra monstruoze. Në këtë ballafaqim ata që gënjejnë i kanë shpatat më të gjata. Sepse ata nuk kanë skrupuj moralë, sepse e kanë shtetin në dorë, sepse i kanë në dispozicion edhe mjetet e (dez)informimit, sidomos disa televizione që e imitojnë Radio-Televizionin e Serbisë (RTS) të viteve 90-të, kur ata që mendonin ndryshe linçoheshin publikisht. Noti në moçalin e rrenave po na shfaqet – sërish – si shkathtësi e vetme e disa eksponentëve të kësaj Qeverie. Njëri prej këtyre eksponentëve, zëdhënësi i Qeverisë demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi, duke e imituar keq Ivica Daçiqin, kur ky i fundit ka qenë zëdhënës i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), doli publikisht dhe në një moment ligësie fatale i shpalli antishtetërorë gazetarët që nuk ia përziejnë sherbetin qeverisë. U etiketuan si armiq të gjithë ata që Qeverinë e kritikojnë me argumente, sepse ia duan të mirën këtij vendi dhe janë të bindur se kjo shoqëri mirëqenien mund ta gjejë vetëm në një vend demokratik dhe të zhvilluar ekonomikisht dhe jo në një vend të cilit për shkak të keqqeverisjes nuk i duhet më armiku i jashtëm për të rrezikuar ekzistencën e tij. Kështu, pra, ndodhë në Kosovë: Zëdhënësi i Hashim Thaçit e imiton keq Ivica Daçiqin e SPS-it dhe Aleksandar Vuçiqin e Partisë Radikale Serbe, kur ky i fundit ka qenë ministër për (dez)informim në Qeverinë e Mirko Marjanoviqit. Në atë kohë Daçiqi dhe Vuçiqi i quanin gazetarët kritikë serbë “belosvetski plačenici” – mercenarë të paguar nga bota e jashtme, armiqësore. Kjo është një pseudologjikë denigruese, me ç’rast ata që kanë kurajë të thonë të vërtetën publikisht ekskomunikohen në mënyrë të vrazhdë. Është kjo një kuazilogjikë e përbaltjes me rrena. Ashtu siç dërdëllit e shpif zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës nuk flasin më as zëdhënësit e Hamasit apo Hizbollahut. Madje as pa avdes.

Pararojë e popullit

Si gazetar që thjesht nuk mund të vëzhgojë në heshtje dobësitë, dështimet apo budallallëqet e secilës qeveri të deritanishme që nga viti 1999, e pranoj publikisht se të vetmen herë që jam përpjekur të shfrytëzoj statusin tim të gazetarit të pavarur për NJË FAVOR ka qenë në dhjetor të vitit 2008, kur i kam kërkuar Qeverisë Thaçi, përmes një teksti të botuar në këtë gazetë, që një shkollë në Gjilan të bart emrin e përndritur të Esad Mekulit. Për fat të keq kjo kërkesë e imja nuk ka gjetur mbështetje. Për këtë jam i dëshpëruar, sepse mendoj se kjo shoqëri duhet ta nderojë Esad Mekulin, i cili ka qenë njëri prej kryepunëtorëve më të zellshëm të kulturës, shkencës dhe arsimit në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Po kujt i bie ndërmend për Esad Mekulin në ditë të sotme përveç ndonjë gazetari “të çmendur” (kështu thonë disa eksponentë të garniturës qeveritare dhe dordolecët e tyre pseudopublicistikë)?!

Derisa jemi në pritje që ky vend të ballafaqohet një ditë me një fjalë të ligë – me “riformatizim” dhe me prapavijën nga e cila buron ky term, duhet rikujtuar Bertolt Brechtin, i cili thoshte se në politikën primitive “së pari vjen gllabërimi, pastaj morali”. Ndërkohë, me anë të këtij shkrimi edhe publikisht e tërheq lutjen e vetme që kam pasur ndaj kësaj qeverie, lutjen që një shkollë të pagëzohet me emrin e Esad Mekulit. Tash, të nderuar tellallë të kryeministrit, i keni portat e hapura të zhvilloni veprimtarinë tuaj qeverisëse nëpër zyra e kafehane, nëse doni edhe të shpifni me zell edhe më të madh. Sepse – në mungesë të argumenteve – kjo qenkësh metoda juaj për t’ua mbyllur gojën gazetarëve kritikë, të cilët nuk ju kanë kërkuar as juve, as shefave tuaj, asnjë favor dhe kurrë – përjetësisht – s’e kanë ndërmend ta bëjnë këtë. Ka ende gazetarë në këtë vend, që besojnë se nuk është turp të jesh gazetar, por krenari! Nuk janë të gjithë figura teatrale të importuara nga Tirana në Prishtinë, të cilat na shesin mend për standarde gazetarie, kurse karrierën e tyre në vitet 90-të e kanë bërë në gazeta të Shqipërisë ku nxitej racizmi antikosovar dhe ngjalleshin armiqësi dhe keqkuptime mes pjesëtarëve të një kombi.

Fakt i dhimbshëm është se Shqipëria nuk ka gazetë të pavarur të tipit të kësaj që e mbani në dorë, por kryesisht fletushka biznesore-tyxhareske. Për këtë asnjë shqiptar kosovar nuk gëzohet, nuk mban leksione matanë kufirit, por vetëm e konstaton me dhembje këtë gjendje të mjerë të gazetarisë në Shqipëri. Njëkohësisht asnjë kosovar me tru të vetin nuk është i lumtur që në emër të Kosovës nëpër mediat e Tiranës flasin e llomotisin disa matrapazë, të cilët moti e kanë shitur kredibilitetin profesional dhe tani janë thjeshtë – tyxharë! Me këtë rast dua t’ia rikujtoj kryeministrit të Kosovës se miqtë e tij të ri mediatikë në Tiranë në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (ushtria jonë!) e nisi betejën për çlirim, në gazetën “Koha jonë” e quanin UÇK-në organizatë terroriste, e quanin terrorist Adem Jasharin, Agim Ramadanin, Zahir Pajazitin, Mujë Krasniqin, Luan Haradinajn dhe mijëra luftëtarë të tjerë. Aksionet e UÇK-së i quanin madje “terrorizëm teatral korzikan”! Kjo suitë dje ishte kundër lirisë së Kosovës, sot flet për bashkim kombëtar. Çfarë hipokrizie! Bashkimin e logjikshëm të kombit shqiptar e bëjnë njerëzit e mirë në Sarandë dhe Pejë, në Gjakovë dhe Gjirokastër, në Skenderaj dhe Skrapar, por jo kjo shpurë manipulatorësh që kanë vërshuar fushën e gazetarisë. Bashkimi i shqiptarëve është Evropa, Bashkimi Evropian.

Për fund të kthehemi edhe njëherë te Esad Mekuli: Mosnderimi i tij vetëm e përbalt këtë shoqëri, përfshirë edhe Qeverinë e saj. Në vëllimin “Vjersha”, botuar te “Rilindja” në vitin 1973, në kuadër të bibliotekës së paharrueshme “Albatros”, kritiku letrar dhe shkrimtari Rexhep Qosja e quan Esad Mekulin – një poet që ka qenë “pararojë shpirtërore e popullit”. “Deshta, shum kam dashtë – dishrue / që me kangë të trimnoj, me fjalën tande të ndrydhun / të ngrej fuqitë prej gjumit … / Këndova (edhe kur m’ishte ndalue) / se lirija do të vinte edhe për ty, të përbuzun.” (Esad Mekuli, poezia: Popullit tim). Këto fjalë edhe sot kësaj shoqërie ia përsërit nga varri Esad Mekuli. Ndërsa Rexhep Qosja, i cili fatmirësisht është gjallë, s’po flet më. Dikur, në “Zërin e Amerikës”, thoshte: “Vox populi vox dei”. Dhe i jepte shpresë këtij vendi. Dikur!