Mesazhi i presidentit të KE-së

0
55


Arben Rrozhani, 21.10.2010

Herman van Rompuy prej vitesh ka spikatur si një politikan që i thotë gjërat troç dhe përdor shpesh ironinë. Në vitin 2004, si anëtar i Parlamentit belg deklaroi se zgjerimi i BE-së, duke përfshirë Turqinë, nuk mund të krahasohej me asnjë valë tjetër zgjerimi, si p.sh., Ballkani Perëndimor, se Turqia nuk është Evropë dhe nuk do të jetë kurrë e tillë, sepse hyrja e një vendi me popullsi të besimit islam do të cenonte themelet e kristianizmit të Evropës.

Deklarata e tij si e një zyrtari të nivelit të ulët u dënua asokohe, por sot janë të shumtë ata drejtues shtetesh evropiane që i mbeten asaj që kishte thënë hapur politikani që më pas do të zgjidhej në 1 nëntorin 2009, si President i përhershëm i Këshillit të BE-së. Mandati i tij skadon pas 18 muaj dhe në një vjetorin e postit të ri, ai nisi turin ballkanik në atë zonë që për të është shumë pranë dyerve të Evropës së Bashkuar.

Pak para se të niste turin në Ballkan, Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, iu dha një mesazh të qartë vendeve të Ballkanit Perëndimor, se paratë e harxhuara dhe lëshimet e bëra në drejtim të lëvizjes së lirë, duhet të shpërblehen me kryerjen e reformave të ngutshme të shtetit ligjor në këto vendeve ende problematike, sepse krimi i organizuar dhe korrupsioni vijojnë të jenë pengesa për Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnjë-Hercegovinën, që të bëjnë përpara në integrimin evropian.

Në qershor, ai e la jashtë hartës Shqipërinë, kur vizitoi Kroacinë, Serbinë, Kosovën e Slloveninë. Ndaj, nuk duhet të habisë askënd, as edhe ekspertin e buxhetit Herman Van Rompuy, ngazëllimi i qeverisë shqiptare me pritjen luksoze dhe madhështore që iu rezervua, jo pse ishte vizita e parë e një Presidenti të KE-së në Tiranë, por sepse evenimente të tilla menjëherë pronësohen si përkrahje politike për qeverinë e kryeministrit Sali Berisha, të cilës dëshpërimisht i nevojiten asete politike nga ndërkombëtarët, për të treguar se është e përkrahur të paktën jashtë vendit.

Modest dhe i drejtpërdrejtë, presidenti i Këshillit të BE-së, është bir i një profesori ekonomie. Në vitet 1993-1999, Van Rompuy ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Buxhetit në dy qeveritë e drejtuara nga ish-kryeministri Jean-Luc Dehaene.

Falë qenies së tij “gardian” i buxhetit, Belgjika e pakësoi borxhin shtetëror nga kulmi i 135 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në poshtë 100 përqindëshit pas një dekade.
Ndaj, dhe ai flet me shifra dhe kërkon të marrë mbrapsht me punë dhe reforma ato fonde që harxhohen.

Në konferencën e shtypit dje, pas takimit me Berishën, Van Rompuy përsëriti të njëjtat fjali që kishte postuar me anë të një videomesazhi, një pak orë më parë. Konkretisht se: “Bashkimit Evropian ose Evropa bën shumë përpjekje për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor.

Asistenca teknike dhe financiare për rajonin për vitet 2010- 2012 është mbi 2 miliardë euro dhe shumë punë bëhet edhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. E ardhmja evropiane është thelbësore për të ardhmen e rajonit në tërësinë e vetë”. Me fjalë të tjera, mesazhi i presidentit Rompuy, ishte se BE nuk do të pranonte që milionët e saj të mos jepnin fryte reformash në këto vende, si Shqipëria.

Kur Van Rompey u zgjodh si burokrati i lartë i Këshillit të BE-së, në Shqipëri kishte kulmuar kriza politike, pas maskaradës zgjedhore të 28 qershorit 2009. Në maj 2010, kur protesta e opozitës kulmoi me grevën e urisë, me krizën politike të Shqipërisë, e cila ka mbajtur peng të gjitha zhvillimet e tjera dhe kursin e reformave, është marrë Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule.

Ndaj ishte dje hera e para që Van Rompuy ia thoshte në sy kryeministrit të Shqipërisë, opinionin personal dhe atë të Brukselit për krizën politike në Shqipëri, e cila mban peng shtetin e së drejtës, reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe, sipas deklarimeve të Van Rompuy, BE do ta mbështesë qeverinë, por përgjegjësia kryesore për progres i mbetet Shqipërisë dhe udhëheqjes së shqiptarëve.

Pak ditë më parë, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, deklaroi se ishte i shqetësuar për vijimin e ngërçit politik në Shqipëri dhe se mungesa e zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri do të ndikojë në një përgjigje negative për opinionin e Komisionit në lidhje me statusin e vendit kandidat.

Prej majit 2010, kur vetë z. Fule u angazhua për të ndërmjetësuar afrimin e palëve politike, kanë kaluar pesë muaj dhe qeveria Berisha është në po ato pozita, duke mos pranuar transparencën për procesin elektoral të 28 qershorit 2009, madje duke kërkuar nisjen e reformës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, pa i hyrë atij procesi korruptiv që njollosi zgjedhjet parlamentare.

Fakti se opozita do të rinisë protestat pas vendimit të ministrave të Brendshëm evropianë për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, me moton për transparencën e procesit elektoral të 28 qershorit 2009, tregon se kriza politike vetëm sa është trashur dhe pa zgjidhur atë, asnjë reformë nuk do të kryhet duke zhgënjyer thellë partnerët evropianë që nuk mund të pranojnë një kolaps tjetër në Shqipëri, si në vitet 1996-1997.