TemA, 30 Maj 2012
Komisionari për zgjerimin, Stefan Fyle, ka deklaruar se palët duhet ta zgjedhin presidentin me konsultime. Ai deklaroi se po e ndjek nga afër situatën në Shqipëri. Fyle i bëri komentet pas një pyetje të Top Channel, ndërkohë që takoi zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi. Komisioneri për Zgjerimin tha se shumë shpejt në Tiranë do të vijë Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin, Stefano Sanino pikërisht për të parë se çfarë mund të bëjnë ata për të ndihmuar zgjidhjen e problemeve.
Pas afatit të 24 majit, Shqipëria sot dogji raundin e parë për të zgjedhur një president për vendin. A po i ndiqni zhvillimet dhe sa njiheni me qëndrimet e palëve, pasi ndërsa ju vijoni të përsërisni mesazhet vendi vijon të shtyjë afatet kohore.
Sigurisht që po i ndjek zhvillimet në Shqipëri, e veçanërisht tepër ngushtë në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit. Unë jam në dijeni të rëndësisë së 24 majit dhe e di shumë mirë se çfarë ndodhi, apo se çfarë nuk ndodhi më 30 maj. Jam gjithashtu plotësisht i qartë për çfarë thashë kur isha në Tiranë pak kohë më parë, se nëse nuk gjendet një marrëveshje përfundimtare për ‘paketën e nëntorit’ para 24 majit, atëherë në vend të zgjidhjes ajo mund të kthehet në pjesë të problemit.
I takon vetëm partive politike në Shqipëri, i takon mazhorancës dhe i takon opozitës që të ndalojnë që kjo çështje të kthehet në pjesë të problemit. Iu takon atyre të japin rezultate për zgjedhjen e presidentit në një mënyrë që përputhet me germën dhe frymën e Kushtetutës. U bënë angazhime të rëndësishme gjatë vizitës sime të fundit në Shqipëri dhe unë kam besim se politikanët dhe partitë politike do të bëjnë maksimumin për të dhënë rezultate sipas atyre angazhimeve.
Unë jam sigurisht i gatshëm të jap çfarëdolloj ndihme. I kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm për zgjerim të shkojë shpejt atje për të garantuar se nëse ka diçka që mund ta bëjmë ne për të ndihmuar në kapërcimin e kilometrit të fundit për arritjen e marrëveshjes mbi ‘paketën e nëntorit’, në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për të gjetur me të vërtetë një zgjidhje.