Mesazher i “Dialogut” Apo Viktimë e Kardiologut?

1
62


Bledar H. Prifti, 10.11.2010

Fatos Nano u shfaq përsëri tek “Opinioni” i Fevziut. Në ndryshim nga herët e tjera, Nano dukej i ndryshëm, jo për nga idetë, por për nga teknikat dhe kostumi presidencial që i kishte veshur vetes. Ai u shfaq herë si “babai” i Partisë Socialiste dhe herë si presidenti i ardhshëm, zëvendësues i Presidentit Bamir Topi.

Kë nuk përmendi dhe kë nuk shau nga ish-bashkëpunëtorët e tij të vjetër. I konsideronte të gjithë si krijesat e tij dhe nuk ndalonte së theksuari “lançova këtë” dhe “lançova atë”. Por veç nuk na tha një gjë se kush e lançoi Fatos Nanon në politikën Shqiptare.

Ndonjëherë merrte edhe rolin e Jezu Krishtit kur deklaronte se asnjë politikan nuk duhet të vuaj pasi Fatos Nano ka marrë mbi shpinën e tij vuajtjet e të gjithë politikanëve (një referencë kjo për vitet e burgut). Kur u pyet nga Fevziu se me çfarë të drejte morale i kërkonte mbështetje politike opozitës për kandidaturën e tij presidenciale në një kohë kur ai deklaroi hapur në 2009-ën se nuk do të votonte PS-në, Nano u mjaftua më një përgjigje që nuk kishte lidhje me PS dhe socialistët, por me individë të veçantë.

Me një fjalë, ai dha një përgjigje tipike primitive. Për të mos mjaftuar kjo gjë, kur Fevziu theksoi se PS do t’i hapte derën atij si një “djali planprishës”, Nano reagoi gjithë fodullëk dhe përçmim duke thënë se “unë jam baba i tyre”.

Jam kurioz të di se si do të reagonin të nderuarit Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi, Kastriot Islami, Gramoz Ruçi dhe figura të tjera drejtuese të PS-së dhe se si do të ndjeheshin socialistët e thjeshtë pas kësaj deklarate “megalomaniake” të “babës” së tyre.
Por le t’i lëmë mënjanë këto deklarata primitive dhe të hyjmë tek thelbi i argumentit dhe qëllimi i shfaqjes së Nanos tek “Opinioni” i Fevziut.

Pavarësisht temave dhe fjalëve që u hodhën në tavolinë, shfaqja e Nanos kishte për qëllim që të transmetonte tek lidershipi socialist kërcënimin e radhës se nëse PS nuk do të mbështeste kandidaturën e tij për president, atëherë ai do të ndërmerrte aksione politike për të përçarë dhe shkatërruar PS-në dhe të majtën.

Dalja e Nanos pikërisht në këtë situatë ka të bëjë edhe me faktin se ai ka nuhatur se përplasja Berisha-Rama po afron zgjedhjet e parakohshme, dhe Nano nuk do që kjo gjë të ndodhë, pasi ai humbet përsëri shansin për t’u bërë president, ashtu siç ia ka premtuar Berisha në këmbim të përçarjes të së majtës. Nanos nuk i intereson roli i tij si mesazher i “dialogut”, por e ardhmja e tij si president i vendit.

Por në ndryshim nga daljet e para, këtë radhë Nano kishte ndërruar taktikën e sulmit dhe kërkonte ta sulmonte lidershipin aktual të PS-së duke u përpjekur t’i apelonte bazës socialiste nostalgji dhe dashuri “prindërore”.

Nano fliste se gjoja PS na paskërka pasur dikur demokraci dhe sot kjo demokraci paska humbur për shkak të lidershipit të ri. Por këtu lindin paradoksalisht disa pyetje: Çfarë demokracie kishte më parë PS dhe si i shërbeu kjo interesave të socialistëve të thjeshtë? Si shpjegohet që “Demokracia Nanoiste” e çoi të majtën drejt shkatërrimit dhe humbjes së pushtetit?

Së pari, çfarëdo soj e sorollop demokracie që pretendon Nano se ngriti në PS, ajo demokraci nuk i shërbeu interesave të socialistëve të thjeshtë. Gjatë qeverisjes së Fatos Nanos dhe Ilir Metës, pushteti ishte i PS-së por jo i socialistëve.

Arsyeja kryesore që PS humbi pushtetin dhe që shumë socialistë të thjeshtë u larguan (dhe u çaktivizuan) nga PS ishte fakti se Nano e merrte pushtetin me socialistët dhe e ndante atë me klane dhe individë që nuk kishin asgjë të përbashkët me PS-në dhe socialistët, aq më pak me popullin.

Duke e marrë pushtetin me socialistët dhe duke e ndarë atë me josocialistët, Nano shkatërroi kohezionin brenda partisë dhe e ndau lidershipin nga baza socialiste. i kthyer në një individ megaloman dhe fodullë, Nano jo vetëm që shkatërroi lidhjet e tij me socialistët e thjeshtë por ai përbuzte dhe tallte edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

Miksimi i pakënaqësive në bazën socialiste me talljet e vazhdueshme që Nano i bënte bashkëpunëtorëve të tij bënë që Meta dhe Prifti të kishin hapësira dhe fushë lëvizje për të krijuar LSI dhe për të shkatërruar të majtën për interesat e tyre personale.

LSI nuk do të kishte as më të voglin shans të krijohen pa ekzistencën e “demokracisë nanoiste” dhe të një pakënaqësie të madhe në bazën socialiste në lidhje me ndarjen e pushtetit nga ana e Nanos.

Duke mos futur dhe sjelljet e papërgjegjshme të Nanos në publik dhe papërgjegjshmërinë e tij në kryerjen e detyrës, shumëkush mund të pyesë i habitur: “Po ku na paska qenë kjo ‘demokracia nanoiste’ dhe ç’të mira i paska sjellë ajo socialistëve të thjeshtë?”

Duke e ezauruar teknikën e Nanos, tani kalojmë tek qëllimi i Nanos-Presidenca. Në këtë pikë, duket sikur Nano nuk i ka bërë mirë llogaritë. Jam i bindur se si Nano ashtu edhe Meta kanë për të qenë viktimat e radhës së dinakërisë së Berishës. Të gjithë sot flasin për Nanon president dhe janë fokusuar të gjithë tek “enigma”, nëse PS do ta mbështesë apo jo kandidaturën e tij.

Edhe vet Nano po harxhon autoritet dhe gjithë ato energji për diçka që ai nuk duhet ta konsiderojë primare. Ai është aq i verbuar politikisht nga marria për të qenë president dhe urrejtja për Ramën sa nuk po studion terrenin politik dhe grackën në të cilën po e fut Berisha.

A dëshiron vërtet Berisha një Nano president? Absolutisht jo! A dëshiron PS një Nano President? Absolutisht po! Një Nano president do të thotë që Bamir Topi të kthehet në PD gjithë mllef dhe urrejtje për Berishën.

Elektorati tradicional i PD-së nuk do të jetë kurrsesi dakord me largimin e Topit dhe vendosjen e Nanos në postin e presidentit. Presidenti Topi gëzon mbështetjen e shumë demokratëve dhe të pavarurve, votat e të cilëve Berisha nuk do të dëshironte t’i humbiste.

Për elektoratin e djathtë, nëse Berisha i jep pushtet Metës dhe presidencën Nanos, atëherë ku është pushteti dhe krenaria e demokratëve? Për të djathtën, kjo do të duket si një sjellje e pavetëdijshme dhe e palogjikshme që sjell në pushtet gradualisht të majtët.

Nuk do të ketë pikë logjike që të hipnotizuar nga faktori Rama, Berisha dhe e djathta të sjellin në pushtet real Metën dhe Nanon. Nëse kjo është mënyra se si Berisha mund politikisht Ramën, atëherë besoj se edhe vet socialistët mund të bien dakord.

Nga kampi tjetër, një Nano president do të thotë qetësi dhe një bashkim dhe konsolidim gradual i së majtës nën drejtimin e Ramës. Do të ishte e pavend që opozita socialiste dhe lidershipi i saj të refuzonte kërkesën e Nanos dhe dëshirën e Berishës për ta bërë të parin president. Bile, kjo lëvizje duhet të mirëpritet nga lidershipi socialist dhe të mbështetej përmes kanaleve të fshehta të politikës.

Jam shumë i bindur se edhe elektorati i majtë do ta mbështeste këtë lëvizje politike të zgjuar.
E thënë në vija të trasha, kjo është ajo që do të ndodhte, nëse loja do të vazhdonte deri në fund sikundër ka filluar.

A mund të shkojë kjo lojë deri në fund? Një logjikë e thjeshtë do të thotë “JO!”. Është shumë e thjeshtë për ta kuptuar që Berisha nuk ka as më të voglin interes për të bërë Nanon president.

Ashtu siç e theksuam edhe pak më lart, nëse Berisha do të bënte Nanon president, atëherë ai do të duhej të përballej me prezencën e Bamir Topit në PD dhe me irritimin dhe pakënaqësitë e tejskajshme të elektoratit të djathtë mbështetës të Topit, për të mos përmendur dhe largimin e të pavarurve.

I gjendur përballë këtyre skenarëve, Berisha do të zgjedhë ta mbajë Topin në presidencë dhe të flak Fatos Nanon në udhëkryqin e politikës shqiptare. Fundja, kjo është politika që ka zgjedhur Nano dhe Berisha, një politikë që në themel nuk ka moral, por interes reciprok. Ia dredh Berisha Nanos, por mund t’ia dredhë edhe Nano Berishës, nëse ky i fundit ia jep mundësinë.

Deri më tani, loja po kontrollohet më së miri nga Berisha dhe është ai që gëzon ngaherë privilegjin e të pasurit avantazhin e lëvizjes së parë. Nuk i dihet se deri ku do të shkojë Nano në këtë lojë. Pavarësisht distancës që do të përshkruaj Nano, jam shumë i bindur se ai nga një mesazher i “dialogut” ka për t’u shndërruar në një viktimë e kardiologut.

1 COMMENT

  1. Analiza eshte interesante dhe e drejte.
    Pame se çfare i intereson Berishes,pame se çfare i intereson Nanos,pame se çfare i intereson Rames dhe PS,pame se çfare nuk i intereson PD;por ajo qe me shume na intereson nuk e pame.
    Nuk pame a i intereson popullit shqiptare, te telekosur dhe te raskapitur,kjo zgjidhje.
    Sovrani eshte duke fjetur,mjere ata qe kane per ta zgjuar dhe lume ata qe kane per t’i folur per lirine.

Comments are closed.