Mes traditës dhe modernës

0
66

Disa vlerësime përkitazi me ligjin për ndërmjetësim i Republikës së Kosovës

Zef Ahmeti

Shkruan : Zef Ahmeti [1]

koncepti dhe konteksti i mediacionit
Në literaturën profesionale në Shqipëri, dhe në ligjin për mediacion të Kosovës dhe Shqipërisë, flitet për “Ligjin për Ndërmjetësim”. Pra, fjala “mediacion” është e përkthyer në gjuhën shqipe me fjalën “ndërmjetësim”. Ky përkthim në shikim të parë të shtynë të mendosh se, bëhet fjalë për ndërmjetësimin tradicional shqiptar qe tani është sanksionuar me ligj.
Tekstualisht në ligjin për ndërmjetësim të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, thuhet: “Kuvendi i Republikës së Kosovës… Duke respektuar historinë tradicionale të ndërmjetësimit në Kosovë, si dhe synimin për avancimin e sistemit juridik në Kosovë; Miraton këtë Ligj për ndërmjetësim”. [2] Këtu shtrohet pyetja: A është sanksionuar me ligj instituti i ndërmjetësimit, përkatësisht si e njeh tradita shqiptare, dhe çka ka të bëj ndërmjetësimi tradicional tek shqiptarët me mediacionin?
Një nga arsyetuesit e ligjit potencon se: ”Inkorporimi i institutit të ndërmjetësimit në sistemin e drejtësisë do të bëjë të mundur shtimin e efikasitetit të gjykatave dhe të prokurorive, si dhe do të ndikojë në thjeshtësimin e procedurës, natyrisht edhe përshpejtimin e saj dhe në uljen e shpenzimeve procedurale.” [3] Këtu kemi një shkarjelogjike nga realiteti i shoqërisë kosovare dhe praktikave të sistemit juridik në Kosovës, enë veçanti, këtu shtrohet pyetja bazë: 1. kush është duke e ushtruar funksionin e ndërmjetësuesit në Kosovës për ta lehtësuar sistemin, dhe a ka profesionalistë që po e praktikojnë profesionin? 2. çfarë rregulla përdorë ndërmjetësuesi, ato të mediacionit apo rregullat e ndërmjetësimit tradicional shqiptar? Argumentin e përgjithësuar të lartcekur si arsyetim për miratimin e ligjit në fjalë e gjejmë tek amerikanët dhe evropianët. Te dy këto sisteme juridike arsyen e futjes së mediacionit si alternativë për zgjidhjen e konflikteve dhe problemeve i kanë të ndryshme. Duhet shikuar si ndodhi që mediacioni u bë pjesë, alternativë e zgjidhjes së problemeve dhe konflikteve në SHBA dhe në disa shtete të Evropës, dhe cili është motivi i miratimit të një ligji të tillë në Kosovë? A është vërtetë arsyeja e shtimit të efikasitetit gjyqësor, ulja e shpenzimeve, përshpejtimi etj., apo është, siç thotë argumentimi tjetër, “…një hap përpara në pranimin e standardeve ndërkombëtare që rregullojnë mjetet alternative të zgjedhjes së konflikteve.” [4] Pra, a është ligji për ndërmjetësim traditë shqiptare, apo standard ndërkombëtar?
Para se të hyjmë në pyetjet e (para)shtruara, në vijim ne do të paraqesim disa koncepte që do të saktësoj kuptimin dhe qëllimin e medicionit. Kemi vendosur me qëllim të mos e përdorim përkthimin “ndërmjetësim“ të fjalës “mediacion”, për të sqaruar, nëse ka apo jo, ndonjë dallim mes këtyre kuptimeve të këtyre nocioneve.
Në latinishten e vjetër e kemi emërimin mediatrix (për ndërmjetësuesen) dhe mediator (për ndërmjetësuesin). Në greqishten e vjetër kemi ndërmjetësuesen mesitis, dhe ndërmjetësuesin mesitaes. Te dy këto dy fjalë, në greqisht dhe latinisht, që kanë gjenezën mbi dy mijë vjet më parë, si thelb të kuptimit të tyre e kanë “mesin”. [5] Varësisht nga kultura, ndër-mjetë-suesi ka pasur funksione të ndryshme. Meqenëse gjatë historisë kemi pasur mediator me detyra të ndryshme. Varësisht nga rrethanat shoqërore mediacionin (shqip: ndërmjetësimin) disa shoqëri e perceptojnë si paqe-prurës dhe pajtim. Kështu për shembull fjala franceze apaiseur (me thelbin e saj qëndron paix –paqe) që ka kuptimin edhe si pajtues. [6]
Për tu shprehur me fjalët e mentorit tim të magjistraturës, dhe njërin nga pionieret e kësaj fushe në rajonin gjermanofolës, Joseph Duss-von Werdt, vijmë te ky përkufizim: ”E sigurt është se, ka pasur njerëz që kanë menduar dhe vepruar si ndërmjetësues, para ekzistencës së “mediacionit” si disiplinë. Si drejtim [profesinal] formësohet ai [mediacioni] tek rreth viteve të 1960-ta, dhe pastaj ngritet njëkohësisht në “produkt” të përshtatshëm për treg, bëhet “metodë” dhe “teknikë” me të cilat njeriu mund të shkollohet.” [7]
Dhe tani ti kthehemi fjalës shqipe: ndërmjetësues. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe [8]ndërmjetës është ai që hynë në mes të dy palëve për të arritur një marrëveshje, për të bërë një punë etj.: ai që ndërhynë për të bërë një fejesë, lajmës. Pra, psh. ndërmjetësoj për të arritur një marrëveshje a për të zgjidhur diçka në dobi të një tjetri. Ndërmjetësim për paqe, ndërmjetësoj për t`i pajtuar.
Ekzistenca e kësaj fjale në gjuhën shqipe të detyron të konstatosh se, tek shqiptarët përherë ka pasur konflikte dhe probleme të cilat kanë pasur nevojë të paqësohen a pajtohen. Mirëpo historia e shqiptarëve na tregon se ka pasur edhe ndërmjetësime që kishin për qëllim parandalimin e eskalimit të situatave. Kur flasim për semantikën e ndërmjetësimit, ne patjetër jemi të detyruar të kujtojmë institutin e ndërmjetësimit tek e drejta zakonore shqiptare. Dhe këtu vijmë te pyetja se, a ka të bëj diçka ligji për ndërmjetësim i Republikës së Kosovës me këtë traditë zakonore të pashkruar?

mediacioni në vendet e ndryshme
Mediacioni në kontekstin e sotshëm, në formën si e njohim sot, në Evropë ka ardhur nga SHBA. Arsyejet e rritjes së pranimit nga shoqëria e mundësisë së procedurës së mediacionit në fushat e ndryshme janë të ndryshme. Në SHBA arsye e kësaj alternative për zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve ka qenë struktura dhe sistemi gjyqësor amerikan. Në këtë vend shpenzimet për ndonjë proces në gjykatë palët në proces duhet t`i paguajnë parimisht vet, por edhe ngarkesat tjera psikike për palët gjatë procesit ka ndikuar që të krijohet një proces, përkatësisht një mundësi e re për zgjidhjen e konflikteve dhe problemeve. Mediacioni është zhvilluar në kuadër të ashtuquajturës “Alternative Dispute Resolution (ADR)” si kategori e veçantë. [9] Dhe me punën hulumtuese shkencore për mediacionin në vitet e 70-ta të shek. 20-të del edhe koncepti i njohur i quajtur koncepti i Harward-it, që trajton se si duhet të bisedohet. [10]
Në Gjermani mediacioni sillet nga Amerika në vitet e tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta të shek. 20. Në kuadër të kthesave të ndryshme, sidomos në vitet e `90-ta, kishte një tendencë shoqërore që vendimet shtetërore të kalojnë sa më shumë në vetpërgjegjësi të qytetarëve, pra një lloj mundësie e decentralizimit, por që nuk bien e ndeshin me ligjet e detyrueshme. Mediacioni shikohet si mundësi për të lehtësuar gjykatat nga lëndë të tilla të thjeshta nga e konfliktet dhe problemet e ndryshme të përditshme të qytetarëve. Si arsye tjetër është edhe përpjekja që konfliktet sociale të kenë një zgjidhje të qëndrueshme, paqësimin e qëndrueshëm. [11]
Edhe në Zvicër mediacioni ka filluar të zë rrënjë diku nga fundi i viteve të `80-ta. Këtu metoda e mediacionit për zgjidhjen e konflikteve dhe problemeve mes njerëzve nuk ka qenë e kuptuar si lëvizje kundër sistemit juridik zviceran, por si alternativë për palët e prekura që nëpërmjet dialogut dhe pjesëmarrjes aktive të drejtpërdrejtë të kërkojnë zgjidhje. Besimi në sistemin gjyqësor në Zvicër është mjaft i madh, dhe qytetarët ende nuk e kanë pranuar mediacionin si alternativë në zgjidhjen e konflikteve siç do të dëshironin profesionistët. [12] Megjithëqë në ndryshimet që pretendohen të bëhen në ligjin e procedurës civile është arritur mediacioni të bëhet pjesë e këtij ligji si mundësi procedurore për zgjidhjen e konteksteve të ndryshe me karakter civil.
Mediacioni është bërë pjesë e mundësive për zgjidhjen e konflikteve në shumë vende të Bashkimit Evropian. Në një mënyre, apo një tjetër mediacioni njihet në: Belgjikë, Francë, Angli, Itali, Holandë, Austri, Spanjë, Gjermani, Danimark, Finland, Suedi. Meqenëse kjo mundësi për zgjidhjen e konflikteve është pranuar si mundësi alternative, edhe Bashkimi Evropian ka nxjerrë Kodeksin e (mirë)sjelljes së mediatorëve, [13] po ashtu kemi edhe një rekomandim për mediacion (2008/52/EG) nga Parlamenti Evropian. [14] Me gjithë këtë mundësi, semantika e mediacionit nuk është identike me ato nacionale. Edhe më i madh është dallimi kurë bëhet falë për një pikëpamje ndërkombëtare. Në BE arsye për dhënien e mundësisë për t`i zgjidhur konfliktet me procedurën e mediacionit ka qenë shtrenjtësia e madhe e procedurave gjyqësore e përkatësishtngadalshmëria e procesit gjyqësor. [15]
Pra, arsyet janë nga më të ndryshme që arsyetojnë pranimin e mediacionit në rregullimin e konflikteve dhe problemeve në shoqëri, si: kursimi i shpenzimeve, mënjanimi i ngarkesave psikike, zgjidhjet me qëndrueshmëri afatgjate, procedurat e stërzgjatura në kuadër të gjykatave brenda BE-së, mundësia e të dy palëve për të dal fitues, ndërsa para gjykatës kemi fitues dhe humbës etj. etj.
Sado që mediacioni të jetë gjithnjë e më i popullarizuar kemi hezitim të madh në nxjerrjen e ligjeve të veçanta për mediacion për shkak se praktika ka hedhur në dritë shumë çështje të hapura etike dhe juridike, se duhet të harmonizohen shumë pika në sistemin e drejtësisë. Austria ka një ligj për meditacionin [16] që rregullon edhe atë se, çfarë edukimi duhet të ketë përfunduar një person për të pas të drejtë të ushtroj detyrën e mediatorit. Në Gjermani dhe Zvicër, me gjithë mundësitë e ndryshme për kualifikim profesional që ofrojnë shkollat, institutet dhe universitetet e ndryshme, si dhe me gjithë përvojës tejet të madhe, ende nuk kanë ligj për mediacion. Aty ku mungon ligji, rregullimi i shumë fushave që lidhen me mediacionin dhe ushtrimin e tij, janë të rregulluara nga shoqatat kombëtare të profesionistëve – mediatorëve.
ndermjetesimi tradicional shqiptar
Populli shqiptar njihet për shumë karakteristika tradicionale. Njëra nga këto është e drejta zakonore shqiptare e njohur si Kanun. Kjo e drejtë zakonore bazën e vetë e ka shumë herët. Disa thonë se ajo ka ekzistuar qysh në kohën e ilirëve, e disa të tjerë thonë se Kanunet shqiptare bazën kryesore, ashtu siç i njohim sot, e kanë në mesjetë. Invazioni Otoman në vendet e banuara me shqiptarë, kishte ndikuar që shoqëria shqiptare të vetorganizohet. Dhe si element përbërës i vetorganizimit ka qenë edhe e drejta zakonore shqiptare, e cila ka qenë sa element rezistues kundër sistemit okupues otoman, po aq ka qenë edhe element që ka mundësuar rregullimin e raporteve sociale në shoqërinë shqiptare. Kanuni, pra, si sistem paralel dhe refuzues ndaj pushtuesit, dhe si pjesë e kulturës juridike shqiptare.
Konfliktet dhe problemet shoqërore kanuni i rregullonte me, mbase në kanun ka disa emërime për ndërmjetësuesit, duke fillua te pleqnia (me karakter gjyqi), dorëzanët e gjakut (bestari), pajtimi , gjindja e urtë, pastaj si ndërmjetës ka qenë edhe ai që ka hy “për me da fjalët e kqia”, pastaj prifti si ndërmjetësues në emër të “Famullis a n`emër të flamurit”. Kjo traditë e ndërmjetësimit ka mbetur aktual (si habitus – krahaso teorinë e habitus-it, vër. e autorit) deri në ditët e sotshme. Sot, padyshim, nuk bëhet ndërmjetësimi krejt konformë kësaj të drejte zakonore. Mbase tani si ndërmjetësues veprojnë persona që vijnë nga shtresat dhe gjinitë e ndryshme, pra nuk është veprim i rezervuar apo i preferuar për disa njerëz të caktuar. Meqenëse ka ende njerëz që ndërmjetësimin sot e ushtrojnë konformë rregullave tradicionale, siç e lypë kanuni.
Pra ndërmjetësimi si i tillë ka qenë përherë prezent në shoqërinë shqiptare. Sot ky ndërmjetësim ka mbet aktual edhe për shkak të mosbesimit përballë sistemit gjyqësor, prezencës së korrupsionit në gjykata, por edhe për shkak se, paraqitja në gjykatë të një konflikti ka mundësi të nxisë urrejtje edhe më të madhe mes palëve, apo edhe fakti se shpesh vendimet e gjykatave në aspektin juridik kanë dhënë vendimin sipas ligjit, porse vendimi i tillë ka nxitur edhe më shumë konfliktin. Ndërsa ne përfaqësojmë mendimin, se instituti i pajtimit në të drejtën zakonore shqiptare më së shumti i ofrohet mediacionit. [17]
Filozofi gjerman Christian Wolf (1679-1754) ka dhënë një përkufizim për ndërmjetësuesin [18] i cili i ofrohet botë-kuptimit të ndërmjetësimit sipas të drejtës zakonore shqiptare. Sipas Wolf për ndërmjetësim duhet të plotësohen këto kritere: Të gjithë e pranojnë ndërmjetësuesin. Nëse dhe vetëm një i vetëm e refuzon ndërmjetësuesin, ai nuk mund ta bëj punën e tij; nëse njëherë të gjithë e pranojnë ndërmjetësuesin, ata nuk janë të obligueshëm për ta shfrytëzuar këtë të drejtë, dhe se ata kanë mundësi ta tërheqin porosinë pa ndonjë arsyetim; edhe ndërmjetësuesi ka mundësi të tërhiqet, nëse ai përpjekjet e tija i vlerëson si të pafrytshme e të padobishme. Në këtë rast ai ka mundësi t`iu propozoj palëve thirrjen e një gjyqtari arbitrar; sa i përket ecurisë ndërmjetësuesi është përherë prezent; ai në njërën anë ka mundësi të jap propozim, që sipas mendimit të tij mund ta përfundojnë konfliktin, si dhe në anën tjetër të shpreh mendimin e tij në pikat kontroverse gjatë ndërmjetësimit apo ata t`i këshilloj që të pranojnë propozimin për zgjidhje të dhënë nga ai apo nga pala tjetër; megjithëkëtë ai duhet të sillet dhe të marrë qëndrim shumë të paanshëm, që të jetë e qartë se si propozimet e tija janë në të mirë te të dyja palëve dhe se propozimi më së shumti iu ofrohet pikëpamjeve të tyre. Dhe nëse ndonjërës palë nuk i pëlqen propozimi, ai ka mundësi ta refuzoj.
mediationi dhe ndërmjetësmi tradicional shqiptar
Për ta kuptuar dallimin mes ndërmjetësimit tradicional shqiptar dhe mediacionit mbase nuk do t`i jepte përgjigje të kënaqshme ndoshta as një disertacion. Andaj kjo që po e themi këtu është vetëm një paraqitje e shkurtër e pikëpamjes sime përkitazi me temën.
Për ta bërë edhe më të qartë qëndrimin, duhet që tash këtu t`i japim disa shpjegime të përgjithshme për mediacionin. Ne këtu nuk dëshirojmë të japim definicion, por po e paraqesim drejtimin e kësaj procedure.
Si qëllime të përgjithshme të mediacionit konsiderohen: zgjidhja e konflikteve në mënyrë të qëndrueshme – paqësimi; arritja e një marrëveshje përfundimtare duke u mbështetur në një liri të barabartë dhe informim të palëve; dhe arritja e një zgjidhje që për palët mundësisht të sjellë më shumë fitim se humbje (jo vetëm materiale, por edhe psikike), pra arritja e një rezultati winer-winer (fitues-fitues).
Si principe të mediacionit kemi: pjesëmarrja me vetë dëshirë në procedurën e mediacionit; mediatori e udhëheqë procedurën; mediatori kujdeset dhe përpiqet të ndërmjetësoj një kulturë komunikimi, e cila mundëson që palët të kuptojnë njëri tjetrin; palët e prekura duhet të jenë krejt autonom në vendimet e tyre; mediatori është i gjithanshëm në kuptimin se ai është prezent në të mirë të të dy palëve, kemi rregullin e detyruar për mediatorin që t`i ruaj në fshehtësi gjithë atë çka flasin palët në procesin e mediacionit. Përveç të tjerash mediatori duhet të jetë i aftë të balancoj pushtetin e njërës apo tjetrës palë në procedurë, të mos lejoj teknikat manipuluese, të mënjanoj eskalimin e situatës, të ndihmoj që palët të kuptohen mes veti, të ndihmoj që të zbardhet konflikti nga perspektivat e ndryshme, si dhe të nxisë palët që të propozojnë sa më shumë mundësi për zgjidhjen e konfliktit të tyre. [19]
Sot mediacioni vlersohet si procedurë për zgjidhjen kooperative të konflikteve dhe tejkalimin e tyre që përbëhet nga një tufë-metodë e përmbledhur në dhjetëvjetëshat e fundit para se gjitha me përdorimin e njohurive nga psikologët, hulumtues të sjelljeve të njerëzve, teorikëve të lojërave dhe bisedimeve. Pra një procedurë që nga njohuritë e disiplinave të ndryshme, ka arritur të ngritet në një procedurë në vete. Mediatori duhet të ketë njohuri për komunikimi verbal dhe jo verbal, të kuptoj gjuhën dhe lëvizjet e trupit dhe gjesteve, të kuptoj situatat kur duhet shtruar pyetje njërës a tjetrës palë, si të sillet me paanshmërinë, çka nëse emocionet eskalojnë etj. etj.
“Në mediacion nuk behet fjale për te gjetur „të“ vërtetën, por për koordinimin e të vërtetave të ndryshme.” [20] Ndërmjetësimi tek shqiptarët nuk mund të thuhet se është i njëjti produkt si procedura e mediacionit, megjithëse kanë pika të përbashkëta.
Ndërmjetësimi tek e drejta zakonore shqiptare është pjesë e një sistemi juridik të pashkruar. Ky sistem i pashkruar i përcakton ndërmjetësuesit të drejta dhe detyrime të cilat janë të sanksionuara sipas kësaj të drejte. Veprimet e ndërmjetësuesit në vendimet e tija duhet të pasojnë sipas kanunit, ato duhet bazuar në normat që rregullon kanuni. Pra edhe rregullimi i një konflikti duhet të pasoj sipas normave për rregullimin e konflikteve sipas kanunit. Andaj ndërmjetësuesit kanë vepruar sipas sistemit të së drejtës zakonore shqiptare.
Mediacioni sot nuk është rezultat i refuzimit të gjyqësisë shtetërore, përkatësisht rebelim kundër gjyqësisë. Ajo është mundësi alternativë për të cilën palët vendosin vet për t`i zgjidhur kontekstet a konfliktet mes tyre, por që çdo marrëveshje që bie dhe ndesh me të drejtën e detyrueshme (psh. vrasja, dhunimi, në të drejtën civile psh. e drejta e fëmijëve) me marrëveshje nuk lejohet të bien ndeshë me normat ligjore të detyrueshme. Mundësia për të kaluar në gjykatat e rregullta është përherë e mundshme.
Përderisa në procedurën e mediacionit prezent apo vendimmarrës duhet të jenë vetë palët e prekura drejtpërdrejtë, sipas ndërmjetësimit tradicional shqiptar është i “zoti i shpisë” apo kryeplaku që ka vendosë në procesin e një ndërmjetësimi. Në të drejtën familjare sipas mediacionit, për shembull në një konflikt martesorë, duhet të jetë çifti ai që vendos për ardhmërinë e tyre, e në rast konflikti a problemi, në procesin e ndërmjet-ësimit nuk ka vendos bashkëshortja e prekur nga konflikti, por në emër të saj ka vepruar dikush nga familja e saj, fenomen ky që është prezent edhe sot.
Duke pasur parasysh se, mediacioni është i fokusuar për të rregulluar të ardhmen, e jo të konstatoj a gjykoj të kaluarën, ai dallon nga natyra e ndërmjetësimit tradicional shqiptar, i cili parimisht pretendon t`i japë të drejtë njërës apo tjetrës palë, çka në mediacion nuk e gjejmë, si dhe merret shumë për ta rregulluar atë që ka ndodhur, ndërsa në mediacion e kaluara luan rol për aq sa nevojitet për ta rregulluar të ardhmen. Procedura alternativë e meditacion përpiqet t`i ikë të së kaluarës, sepse ajo me gjasë të madhe pengon shumë mundësin për të gjetur konsensusin mes palëve.
disa vlerësime për fund
Dhe për fund duhet theksuar se, për ta ushtruar mediacioni (apo ndërmjetësimi sipas përkthimit në shqip) nevojitet njohja e procedurës, pra aftësimi profesional. Ligjvënësi ka miratuar një ligj për implementimin e të cilit mungojnë kuadrot. Për të pasur sukses kjo procedurë për zgjidhjen e konflikteve dhe problemeve duhet të shkollohen shtresat e ndryshme të shoqërisë, duke filluar nga gjykatësit e deri te avokatët, institucionet e ndryshme shkollore, vetë profesorët, sociologët, psikologët e të gjithë të tjerët që kanë interesim ta ushtrojnë këtë veprimtari.
*Autori ofron shërbime në mediation (ndërmjetësim në konflikte) dhe coaching.
Vizito faqen e internetit: www.mediation-beratungen.ch.