Nga Mero Baze, 7 Shtator 2012
Bugajski duket se nuk ka shkruar pa pasur një plan disa muaj më parë, kur paralajmëronte Berishën të largonte duart e rusëve nga Albpetroli. Në shitjen e Albpetrolit kemi nje çmim anomalish të lartë dhe një konkurrent tjetër anomalish në konflikt interesi. E thënë më qartë ka vetëm dy oferta reale, fondi i investimeve amerikane, i cili ka krijuar një konsorcium për blerjen e Albpetrolit dhe kompania kanadeze Bankers.
Oferta e renditur e para, e ardhur nga një fond investimesh amerikan, duket se ka partner të përzgjedhur në Shqipëri Rezart Taçin. Çmimi që ata kanë ofruar dhe pozita reale e Taçit në tregun shqiptar na bën të besojmë se paret do të vijnë nga SHBA. Në këtë mes nuk janë shumë larg të vërtetës as lobimet politike amerikane, dhe personazhe të njohur të gjeopolitikës amerikane për rajonin tonë që kanë sugjeruar një shitje të Albpetrolit tek kompani amerikane.
Bugajski, djali i Brzhezhinskit, Pushkari, etj, janë personazhe që janë shfaqur dendur mes biznesit, gjeopolitikës dhe politikës rajonale në vitet e fundit. Biles as Filip Riker, zyrtari më i rëndësishëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin, nuk ka pasur ndonjë shqetësim nga lajmet paraprake se vizita e tij përkon me shitjen e Albpetrolit.
Nga ana tjetër rivali i vetëm i kësaj kompanie mbetet Bankers, një kompani kanadeze, e cila ka aktualisht në koncesion rreth 25 për qind të territorit naftëmbajtës të vendit. Çmimi që ajo ka dhënë është tri herë më i ulët se sa ofertuesi i parë, por nga ana tjetër ajo është në një konflikt të pastër interesi pasi praktikisht Albpetrolit i është dhënë e drejta sovrane mbi nëntokën e naftës dhe nuk mund të kemi një blerës, i cili do të kontrollojë vetveten në këtë biznes duke krijuar një supermonopol. Një komision normal tenderi duhet ta kishte përjashtuar atë nga gara.
Oferta e fundit, ajo e rusëve, as që vlen të diskutohet, pasi ishte anomalish e ulët.
Atëherë debati mbetet mes çmimit të lartë të amerikanëve ballkanas dhe çmimit të ulët të kanadezëve, që synojnë monopolin mbi naftën vendase. E ngushtuar në këto dy opsione, duket se ky ankand nuk është një histori suksesi. Ai ka arritur të zhdukë alternativa të tjera, çmime reale dhe kompani me biografi të njohur në historinë e shfrytëzimit të vendburimeve.
Berishës natyrisht që i duhen shumë 1 miliard dollarët e amerikanëve ballkanas, që kanë lënë pa frymë opinionin publik. Unë personalisht dyshoj se ata mund t’i gjejnë 1 miliard dollarë, por nëse munden, do të ishte një betejë e humbur për Berishën refuzimi i kësaj oferte dhe një pikëpyetje e madhe për të, për të shkuarën e raporteve me të njëjtit personazhe.
Bankers nga ana tjetër është një kompani me këmbë në tokë. Me njëfarë përvoje në vendburimet shqiptare, por me një prirje të frikshme për të qenë monopolistja e vetme e naftës shqiptare, përpos kësaj duke na ofruar tri herë më pak lek.
E futur mes dy alternativave të ashpra, ky privatizim tregon se Shqipëria ose duhet të zgjedhë lekët dhe tua japë amerikanëve ballkanas, ose duhet të zgjedhë një monopolist të përjetshëm me shumë më pak lek se ata siç është Bankers. Po të isha lider i opozitës do kisha kërkuar ndërprerjen e procedurës dhe një prokurim të ri në një kohë më të mirë për operatorët seriozë të naftës, së paku pas zgjedhjeve. Por kjo është ëndërr në sirtar.
Pyetja është ç’duhet të bëjë kryeministri, të cilit i duhen edhe lekët, edhe amerikanët, edhe kanadezët që u ka premtuar, edhe suksesi i privatizimit. Jam duke pritur të flasë qartë. Më thanë se TV Klani ishte gëzuar me një koment të çuar aty me sms. Edhe pse Frangaj nuk gëzohet pa leje, ka diçka që zien mes nevojës për 1 miliard dollarë dhe varfërisë së alternativave për të liberalizuar dhe privatizuar tregun e naftës shqiptare.







