Mes nostalgjisë dhe vrullit

0
95

Kim Mehmeti

Kim Mehmeti

Prishtina e paszgjedhjeve vendore është po ajo e përhershmja që i ngjan një barku tej mase të fryrë, i cili i bluan të gjitha ambiciet e Kosovës. E shikuar ditën nga lartësitë e Çagllavicës, ajo të duket edhe si një zemër e zhurmshme, së cilës nga dita në ditë Fatmir Lima ia shton dhe ia zgjeron arteriet, bën “bay-pase” nga më të pamundshme, vetëm që damarët e këtij qyteti sa më lirshëm të lidhen me vendbanimet e tjera të shtetit më të ri të Ballkanit. Nëse arrini natën dhe kryeqendrën kosovare e shikoni po nga e njëjta lartësi e Çagllavicës, ajo të ngjan në një gropë ku janë grumbulluar xixëllonja gjigante që e kanë humbur malin e tyre dhe mundimshëm nguten të ngjiten nëpër lartësitë përreth, që të vazhdojnë fluturimin nëpër rrafshnaltat përtej asaj grope.

Dhe posa të zbresësh poshtë në atë gropë e të bëhesh pjesë e kolonave të makinave të drejtuara nga vozitësit nevrikë, posa të të rrëmbejë tollovia e bulevardit “Bil Klinton”, nuk ka si mos të të bjerë në sy se Prishtina e ditëve pas votimit ndryshon nga qendrat e tjera shqiptare, se ajo nuk e ka egërsinë e paszgjedhjeve të Tiranës, ku me muaj priten rezultatet e votimet, e që pastaj askush të mos e pranojë humbjen dhe euforinë e Shkupit, ku partitë shqiptare thuajse paraprakisht e dinë rezultatin që ua kanë premtuar mbushësit e kutive të votimit.

Kur del të shëtisësh më këmbë nëpër rrugët e Prishtinës së paszgjedhjeve vendore, nuk ke si mos ta ndjesh se ky qytet jeton mes vrullit rinor dhe nostalgjisë së të moshuarve për vitet e tyre studentore. Pra, nuk ke si mos ta vëresh se ky qytet jeton mes dëshirës së gjeneratave të reja që duan ndryshime këtu dhe menjëherë dhe orvatjeve të “pensionistëve” politikë të ardhur nga e djeshmja, që të lejojnë ta ndërrosh gotën, por jo edhe pijen në të. Andaj edhe fillon ta kuptosh pse ky qytetet mbetet bastion i LDK-së dhe pse PDK-ja në këto zgjedhje vendore e humbi betejën përballë konformistëve të Fatmir Sejdiut: sepse kandidati i PDK-së nuk e përfaqësonte as vrullin rinor, as nostalgjinë e pleqve të këtij qyteti për vitet e tyre studentore, sepse ai nuk simbolizon as të kaluarën, as të sotmen e Prishtinës, se ai nuk të rikujton as stinët e dikurshme të Prishtinës, kur disa shkrimtarë bëheshin politikanë dhe e stërvitnin popullin t‘i sforconte muskujt e durimit, as atë të viteve kur studentët e provincës, të lodhur nga pritja që dikush t‘ua sillte lirinë, braktisnin studimet dhe ngutshëm mësonin si përdorej kallashnikovi, me çka suksesshëm dhanë provimin më të rëndë të atdhetarisë.

Andaj kandidati i PDK-së i erdhi LDK-së si tabletë vitaminoze e llojit të “Bedoksinit”, që njëherazi të qetëson, ta shton apetitin e humbur dhe ta ripërtërin motoriken e të menduarit. Me çka “pleqtë e urtë” të LDK-së s‘kishte si mos ta besonin se ka shumë të vërtetë në thënien se lejlekut të verbër, vetë Zoti i ndërton folenë. Pra, s‘kishin si mos ta shfrytëzonin “folenë” e fitores, që me dorë të vet ua ndërtoi PDK-ja, e cila doli me kandidat që me të vërtetë kishte zë të lartë, aq të nevojshëm për mitingje dhe i dinte gjithë dështimet e kundërshtarit të vet, por të cilit askush nuk i kishte treguar me kohë se politika të lejon që kundërshtarin ta shohësh me syrin e keq dhe nënçmues, por vetëm nëse vetveten nuk e merr mësysh duke e shikuar me syrin e vetëpëlqimit dhe të mbivlerësimit.
Prishtina e paszgjedhjeve vendore nuk është gjithaq e ngarkuar me analizat e humbjeve dhe fitoreve partiake. Dhe nëse hasni në analistë të tillë, do vëreni se analizat e tyre i përshkon një qetësi dhe humor, i cili mbase shpreh atë më të rëndësishmen: urtësinë e njerëzve që kanë kaluar shumë beteja që të vijë dita kur vetë do zgjedhin dhe do vendosin për fatin e tyre. Pra, këto analiza nuk kanë egërsinë e Tiranës dhe euforinë e Shkupit shqiptar, ku gjithmonë fajtori kërkohet larg vetvetes. Pastaj, Prishtina e paszgjedhjeve u lejon edhe të ardhurve nga trojet e tjera shqiptare ta thonë të vetën. Mbase shkaku se ajo e ka ruajtur atë shpirtgjerësinë shqiptare që e kanë humbur disa vise të tjera tonat. Apo mbase shkaku se aty ende vlen parimi: Partinë mund të ma shash e njollosësh, por burrërinë nuk guxon të ma prekësh e të ma përbuzësh. Dhe duke iu përmbajtur këtij parimi, jo vetëm Prishtina, por e tërë Kosova, votoi më qetë se në cilën do hapësirë tjetër shqiptare.

Madje edhe kur atyre ua përmend incizimet nga Gjakova, ku shihen votuese të cilave nuk u mjafton vetëm një fletëvotim, kur u thua se mijëra gjakovarë kanë protestuar në shenjë revolte për manipulimin e zgjedhjeve, prishtinasit mbase e kuptojnë dëshirën e të ardhurit që edhe zgjedhjeve kosovare t‘ua veshë petkun e atyre të “shqipërive” të tjera, andaj përgjigjen: Po, ndoshta edhe ka pasur raste të tilla në Gjakovë, por nga filmimet e fshehta shihet qartë se edhe gjakovarët nuk lejuan ta njollosin burrërinë kosovare dhe Mimozës votat nuk ia vidhnin burrat e partisë, por gratë e burrave të partisë kundërshtare. E kur bëhet fjalë për Gjakovën, thuajse të gjithë pajtohen se atë e gjunjëzoi LDK-ja, e cila gjatë dy mandateve sa drejtonte këtë komunë, mbase veproi sipas bindjes se kur udhëheqësit hanë mish e populli lakër të tharët turshi, mesatarja del se të gjithë ushqehen me sarma.
Se Prishtina jeton mes vrullit rinor dhe nostalgjisë së të moshuarve, mund ta vëreni edhe nëse i vizitoni kabinetet qeveritare të Kosovës. Në ato kabinete do shihni plot të rinj të shkolluar që u asistojnë ministrave të PDK-së dhe plot të ardhur nga e djeshmja që i këshillojnë ata të LDK-së. Dhe pasi ta vëreni këtë, nuk ka si mos ta pyetni veten se si ia del Kryeministri i Kosovës t‘i harmonizojë vrullin dhe nostalgjinë. Apo, si i ardhur nga Maqedonia, nuk ke si mos thuash: pse Ali Ahmeti nuk i viziton ish-bashkëluftëtarët e vet, që ta kuptojë se ku qëndron dallimi mes PDK-së të dalë nga lufta e 1999-ës dhe BDI-së që e polli konflikti i 2001-shit. Pra të sheh se duke i hapur dyert për vrullin rinor, udhëheqësit e PDK-së dëshmuan se bëjnë parti për gjithë kosovarët e jo vetëm për ish-komandantët e luftës, përkundër Ali Ahmetit, i cili e bëri të kundërtën: partinë e shndërroi në pronë të atyre, të cilëve askush nuk mund t‘ua mohojë trimërinë, por që u mungon mençuria politike.
Është mirë që Prishtinën e paszgjedhjeve vendore ta vizitojnë të gjithë ata që duan ta kuptojnë se kur çiftohet vrulli rinor me nostalgjinë e të moshuarve, lind një racionalitet politik që të çon të kuptosh se ka diçka që qëndron mbi interesin dhe përfitimin partiak: interesi i shtetit dhe ai i gjithë qytetarëve. Mbase këtë Kosova e ka kuptuar më mirë se të gjitha “shqipëritë” e tjera, gjë të cilën do e dëshmojë vetëm nëse edhe në rrethin e dytë zgjedhor çdo gjë do kalojë ashtu siç i ka hije një populli të civilizuar. Dhe pasi ta kalojë edhe këtë sprovë, Prishtinës zyrtare do i mbetet edhe detyra ta lajë borxhin ndaj atyre qindra mijëra mërgimtarëve kosovarë që e mbajtën gjallë Kosovën deri sa ajo ëndërronte të votonte për vetvete. Pra t‘ua mundësojë votimin edhe atyre që me dekada investuan djersën e vet dhe e ushqyen shpresën pa të cilën Kosova nuk do mund ta ecte rrugën e gjatë që e solli këtu ku ndodhet sot.