Mero Baze: Frika ime më e madhe? Pasiguria për fëmijët

0
23

Mero dhe Regi Baze

Shekulli Online, 24.01.2010

Dje ishte numri i fundit i gazetës Tema. Mbyllja e një gazete, e veçanërisht e një zëri kritik, është një lajm i trishtuar për çdo komunitet gazetarësh, por është njëkohësisht një këmbanë e fortë alarmi për çdo shoqëri. Në këtë intervistë, shoqëruar me Pyetësorin tonë të zakonshëm të Prustit, një version i së cilës është botuar në prillin e një viti më parë, Baze flet për marrëdhëniet e tij me profesionin e gazetarit dhe me atë që rëndom sot quhet “Familja” duke pasur parasysh qeverisjen ‘Berisha’.

Z. Baze, ju njiheni si një gazetar që “nxirrni zjarr” nga goja. Po kush është Mero jo-gazetar, jashtë këtij këndvështrimi në jetën e përditshme?

Nuk kam shumë aftësi të vizatoj vetveten në punë apo jashtë saj. Besoj se as në shtyp nuk jam aq i ashpër sa dukem, por përpjekja për të shkuar tek e vërteta në Shqipëri, të detyron të përdorësh shpesh ashpërsinë si mjet shprehje. Për ata që më njohin në jetën private jam njeri jo i mërzitshëm, racional dhe shumë i drejtpërdrejtë. Kjo gjë më ka shkaktuar më pak humbje në jetën private se sa në atë publike.

Ju keni pasur një karrierë do të thosha të çuditshme në jetë. Mund të ishit një inxhinier gjeologjie, sepse punuat edhe disa vjet në minierë. Përse e braktisët për t`iu kushtuar medias?

Unë i përkas gjeneratës që u diplomuam vitin e fundit të komunizmit. Në atë kohë dega nuk zgjidhej, por të caktohej dhe mua pas disa ndërrime degësh, nga elektronika, tek inxhinieria e ndërtimit më në fund më përplasën në Gjeologji. I pasionuar qysh në gjimnaz pas letërsisë dhe gazetarisë, unë përfundova qysh vitin e parë në gazetën “Studenti” dhe më pas si redaktor i saj dhe gjatë gjithë viteve si student kam qenë një gazetar aktiv dhe në organet e tjera të shtypit.
Fakulteti më ndihmoi për të njohur një Shqipëri që nuk e njihja dhe nuk e njohin ende sot shumë njerëz. Pedagogët e atij fakulteti në shumicë të shkolluar në shkollat ruse dhe ato perëndimore, ishin emblema të vërtetësisë dhe antikonformizmit. Ata ishin biblioteka lëvizëse, që të edukonin qoftë dhe shembujt e jetës së tyre, me përplasjet e tyre me diktaturën, me paranojat e Enver Hoxhës për të zbuluar naftë dhe krom, atje ku shikonte ai ëndrra natën etj.
Ishte një Shqipëri që nuk zbulohej për të gjithë por vetëm për ata që fitonin besimin e tyre. Unë kisha fat të isha një mik i pedagogëve të mi, dhjetëra emblema të gjalla të një Shqipërie që po vdiste e heshtur. Unë më shumë se sa për të zbuluar minerale mësova të zbuloj një pasion të madh timin që lidhej me kulturën, historinë dhe antikomunizmin në Shqipëri.
Në atë fakultet i kam gjetur të gjitha dhe ndihem me fat që nuk shkova të mësoja diku tjetër banalitetet e propagandës së fund komunizmit në Shqipëri. Në këtë pikë nuk mund të them se braktisa diçka nga profesioni im. Përfundova fakultetin dhe mora dy emërime, një si gazetar në shtypin e Tiranës nga Bashkimi i Gazetarëve të Shqipërisë dhe një si inxhinier gjeolog në Martanesh. Për arsye biografike, më lanë në fuqi të dytin dhe më “shpëtuan” nga puna një vit pranë gazetës “Bashkimi”, në vitin 1990.

A është media shqiptare sot ajo që kishit menduar ju në fillimet tuaja?
Shtypi i fillim viteve 90-të ishte i ashpër, jo cilësor, bardhë e zi, por më i vërtetë. Tani je i lirë të flasësh diku, por jo gjithkund, je i lirë të kritikosh dikë, por jo gjithandej, je i lirë të denoncosh, por jo doemos të ndëshkohet e keqja, je i lirë të ngresh zërin, por jo doemos të dëgjohesh…

Emri juaj është lidhur prej shumë vitesh me PD-në dhe kryetarin e saj Berisha. Si ka evoluar në syrin tuaj prej vitit 1992 dhe deri më sot PD-ja dhe udhëheqësi i saj?
Kam një lidhje historike me PD pasi kam qenë pjesë e atyre që e kanë themeluar atë. Në Dhjetor të vitit 1990 Azem Hajdari më ka nisur në Burrel të themeloj degën e PD-së atje, me një autorizim nga Komisioni Nismëtar i PD-së. Është i vetmi dokument që ruaj nga përfshirja ime në politikë. Pesë vitet e para të qeverisjes së Sali Berishës ishin një eksperiment që dështoi. Nuk funksionoi autoritarizmi, nuk funksionoi opozita, nuk funksionoi as disidenca pasi u detyrua të ekstremizohet dhe mbi të gjitha nuk funksionoi demokracia pasi në fund përfundoi ndërrimi i pushtetit me armë.
Pas vitit 1997 Berishën e braktisën të gjithë dhe unë besoja se ky ishte një mësim i madh për të. Sulmi i paprincipt i shtetit ndaj tij, përpjekja për ta izoluar dhe poshtëruar, i dhanë atij një kartë të fortë morale, për të qenë përfaqësuesi i njerëzve që po poshtëroheshin në emër të tij. Dhe mbijetoi. Mposhti anti-opozitarizmin, shmangu përpjekjet për eliminimin politik dhe fizik dhe nisi pak nga pak të ndryshonte imazhin pas vitit 2001.
Askush nuk e ndryshoi PD në vitin 2005. PD ndryshoi historinë e saj, duke bërë atë që bëri. Dhe ja doli të fitonte. Periudha e tij në pushtet pastaj është një histori e përsëritur por në mënyrë shumë më të keqe se ajo e vitit 92- 97 dhe shpresoj mos të ketë të njëjtin fund.

Duke mbetur në këtë lidhje, juve ju kanë cilësuar “eminenca gri” e z. Berisha si një këshilltar i tij. Për çfarë e keni këshilluar Berishën dhe sa i ka përfillur ai ato?
Kam qenë një mik i Sali Berishës dhe jo një këshilltar i tij. Nuk njoh akoma ndonjë të tillë.

Njohësit tuaj dhe të PD-së, thonë se shmangia juaj filloi kur Doktori gjeti këshilltarë të tjerë. Si po e këshillojnë atë?
Mes meje dhe Berishës ka hyrë një “Berishë tjetër”, por jo njerëz të tjerë.

A ishit edhe ju një ndër ata që prisnin një dorëheqje të Berishës pas Gërdecit?
Berisha është dorëzuar shumë përpara Gërdecit. Ai nuk ka fuqi as të dorëhiqet, as të ringrihet. Ai ecën i detyruar në korridoret që i hapin ata që e kanë marr peng. Për këtë arsye nuk pres asgjë prej tij veçse ta shtyj si në lëngatë pushtetin…

Çfarë reagimi kishit menduar kur nisët serinë e shkrimeve denoncuese për korrupsionin qeveritar? Me sa kujtojmë denoncimet kanë nisur me aktivitetin e mbesës së bashkëshortes së kryeministrit?
Nuk e kam parë kurrë si mbesë të gruas të kryeministrit, por si një zyrtare e korruptuar që kishte kapur shtetin duke e përdorur për interesa private.. E prita me qejf përplasjen me të se ishte ndërkohë dhe një “lakmus” për të testuar vullnetin e kryeministrit për të mbajtur distancë nga korrupsioni.
Në fakt ajo u trajtua si pjesë e paprekshme e familjes. Unë kisha zemëruar në të vërtetë “Familjen”. Prej atëherë nuk kam pasur asnjë kontakt me ta. Berisha thërriste shpesh miq të mi dhe thoshte se do më sqaronte për korrupsionin, por nuk guxoi ta bënte kurrë.
Dhe kur konstatoi se unë kisha në dorë dhe dosjen e Gërdecit, më sulmoi publikisht në grup parlamentar në fund të Dhjetorit dhe më pas publikisht në Kuvend pas ngjarjes së Gërdecit u mor tre orë me mua.
Ndoshta u kujtohet që më quajti “kapter të Gramoz Ruçit” se kisha bashkëpunuar me gazetën “New York Times” etj. Por kulmi i cinizmit ishte se disa ditë më parë, ky kryeministër i kishte dhënë licencë për Universitet privat, një prej banditëve që desh më morën jetën në vitin 2005, në Kardhiq të Gjirokastrës.
Pra nën drejtimin e S. Berishës banditët po bëhen intelektualë dhe po e pastrojnë biografinë e tyre, kurse intelektualët që mbështetën Berishën po etiketohen si kapterë. Këto janë gjeste shumë burracake..

PYETSORI I PRUSTIT

“Frika ime më e madhe?

Pasiguria për fëmijët”

Çfarë është lumturia absolute për Mero Bazen?
Kur i shkoj në fund një beteje ose objektivi.

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Ajo që kam lënë për gjysmë në mbrëmje

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Sa herë jam bashke me të dy djemtë

Tipari kryesor i karakterit tuaj?
I drejtpërdrejtë

Defekti juaj kryesor?
I drejtpërdrejtë

Ndaj cilave gabime jeni më tolerantë?
Ndaj gabimeve njerëzore.

Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
Me politikanë dhe gazetarë të viteve 30-të

Shkrimtarët tuaj më të dashur?
Kadareja, Markezi, Hajnrih Bwl

Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Të arrij të dojë gruan.

Tek një grua?
Të dijë të mbrojë martesën

Kompozitori juaj i preferuar?
Vagner

Libri që ju la mbresë të pashlyeshme?
Libri i At Zef Pëllumbit, “Rron vetëm për me tregue”

Piktori juaj i dashur?
Edouard Manet

Ngjyra juaj e preferuar?
Vërtitem mes bezhës dhe lejlasë

Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
Mbetjen gazetar

Pija juaj e preferuar?
Remy Martin

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
Kur më ikën dita pa shkruar

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Nevojën e vazhdueshme për para

Kur nuk shkruani çfarë ju pëlqen të bëni?
Të udhëtoj

Udhëtimi juaj i preferuar?
Arratisja natën për në jug

Frika juaj më e madhe?
Pasiguria për fëmijët

Cila është motoja juaj?
Të mbetem në gazetari