MERITA GJONI: SI NA RRETHON AJO, “ME DUAR DASHURIE”, NË POEZITË E SAJ…

0
39

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

1.
“Njohja” me mësuesen poete, Merita Gjoni (Gjoka), ka të veçantën e saj…Si herë të tjera, shkova në zyrën e mikut tim, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), Jaho Margjeka. Ai është drejtor departamenti në Radio-Tirana dhe jorrallë kam bashkëpunuar, si me atë dhe moderatoren e gazetaren Kozeta Hoxha, në emisionin “Dritë e diturisë”, kushtuar ngjarjeve dhe figurave të shquara të arsimit kombëtar shqiptar. Kështu, në një rast, në emër të autores, ai më dhuroi librin me titullin “Me duar dashurie” (Tiranë, 2014), të cilin e kishte redaktuar vetë. Por kishte dhe një arsye tjetër, pse e mora librin në fjalë. Pra, Merita Gjoni është mbesë e kusheririt tim, Pashko Gecaj dhe, njëkohësisht, e imja.

Më pas, jemi lidhur disa herë përmes Internetit e celularit, por e kam mbajtur “sekret” për Meritën, që një ditë do të shkruaja pak radhë, për këtë libër të ri të saj, pas atij të parit, që ajo ka botuar, “Abazhur zemre” (Tiranë, 2011).

2.
Ja, tani e kam në dorë librin e dytë të poetes Merita Gjoni dhe po nisim ta shfletojmë së bashku…
Në tre cikle, të shtrira në 124 faqe të këtij vëllimi, janë tubuar gjithësej 99 poezi.(Nuk di nëse autorja e ka paramenduar a zgjedhur vetë këtë shifër apo është e rastësishme?).Megjithëse nuk e kam në praktikën time të “huazoj” mendime nga ato, që shkruhen në hyrjet ose mbylljet e librave të ndryshëm, kësaj here po riprodhoj vetëm një fjali të J.Margjekës, në parathënien e tij: “Merita Gjoni e ka vargnuar marrëdhënien simbolike, që universi dhe njeriu kanë me njëri-tjetrin; ka vargnuar shkëlqyeshëm simbolikën dhe alegorinë, që shfaqen ose shpallen në mënyra të ndryshme”.

Pa bërë një analize të hollësishme e profesinale të këtyre poezive, për të cilën nuk jam specialist, por dhe nuk është vendi këtu për ta bërë këtë gjë, mund të shprehem përmbledhurazi që, në këtë libër, kjo autore del me veçoritë dhe individualitetin e saj të krijimeve poetike. Ngarkesat emocionale, që përjeton nga përditëshmëria, ajo i ka hedhur në letër në mënyrë të natyrshme e spontane.

Dashurisë i këndojnë me pasion, në poezitë e tyre, pothuajse, të gjithë krijuese(i)t. Kësaj “sëmundjeje” nuk i ka shpëtuar as Merita. Kështu, vargjet e saj janë të sinqerta, të natyrshme, njerëzore: “Pesë shqisat e e mia,/ mirë e dinë,/ ti je stoli/ e zemrës sime” ose “Në buzëqeshjen tënde,/do të shtrihem pa cak,/pa mbyllur sytë,/ kot ashtu do të rri…”. Ndrësa, në një poezi tjetër, nga është marrë titulli i librit: “Si zgjatimë degësh/ shtriji duart drejt meje,/rretho prerë shtatin e bardhë,/ nga qafa deri në bel”(“Me duar dashurie”)
Pra, autorja shkruan për dashurinë, direkt ose jo, në mjaft poezi të saj, si: “Dashurisë”,”Ekstazë gëzimi”,”Fjalët e tua”, “Grindet dashuria”, “Lundrim çastesh”, “Zë dhe frymë” etj. Poetja e pëlqen optimizmin për jetën dhe e fshikullon pesimizmin, duke nxitur guximin, në kapërcimin e çdo pengese, që del përpaara: “Në dyzime, mos u derdh i pashpresë,/jeto e ditët vishi me t’ artën shkëlqesë”(“Pesimizmi”).Prandaj edhe kur ka dallgë në shpirt e i rrjedhin lotë të valë, ajo thotë: “Ndërtoj trimërisht prita themelforta,/ për lotët, që s’do brejnë më shpirtin tim”.

Natyrshëm, ashtu si në jetën e përditëshme, kjo poete është e përfshirë ose e rrëmbyer edhe nga “dallgët” e dashurisë, si te: “Shpërthimi” e ”Riciklim” ose “Portë mashtrimi” dhe ndalet te: “…xhelozia e vajit,/ nëpër histori të grisura”(“Simetri e prishur”). Po në këtë linjë, ajo shkruan te poezia “Tretja dhe durimi”, ku thotë: “U tretën të gjitha,/ u tret dhimbja dhe gëzimi,/por ja, mbetën përherë të gjallët,/ nuk u tretka veç durimi!…”.Ndërsa thërret me zë të fortë, duke nisur nga vetja, që të godasim me ashpërsi veset e këqija dhe “gjurmët e mëkatit”, për të qenë të dlirët në ndërgjegje: “Vetes t’i thirrim,/ në centrifuge larëse,/ duke u përvjedhur,/ t’i largojmë çdo ves!”

Me ndjeshmëri dhe frymëzim janë shkruar edhe poezitë e ciklit të tretë, “Elipsi i ditës”, të cilat meritojnë shënime të tjera. Por po ndalem vetëm te njëra prej tyre, që më tërhoqi vëmendjen, pasi brezat nuk duhet t’i harrojnë kurrë paraardhësit e tyre: “Ata ishin/ një, dy…gjashtë,/ të flenë/ ranë të gjithë…(“Në gji toke”-Familjarëve të mi, që s’jetojnë më). Dhe, synimi i jetës sonë është që, gjatë udhëtimit të pandalshëm, të arrijmë sa më shumë e më mirë : “Rendim/ në ulje-ngritje/ ne…/që vetëm/ rendim/ për të zënë/ të paarritshmen”. Se autorja mendon e dëshiron të jetë përherë syzgjuar, që: “…ëndrrat mos t’ më vidhen,/ në gjumin trupvdekur,/ gardhe mos të ketë/ drejt syrit tim të çelur!”(Poezia “Zgjim”).

E urojmë Merita Gjonin për krijimtarinë e saj poetike dhe kemi besim që, në botime të tjera, do të shënojë lartësi të reja.

Tiranë, 10 dhjetor 2014