MËRGIMTARËT KRIJUES NË MES TË BOTËS PERËNDIMORE DHE VENDLINDJES

0
32

GËZIM AJGERAJ:

Brahim (Ibish) AVDYLI është krijues i mirëfilltë, studius dhe veprimtar i dalluar i mërgatës shqiptare. Ne, në radhë të parë, duam tu përshëndesim.

– Edhe unë ju përshëndes juve që muarët këtë guxim, pastaj të gjithë mërgimtarët dhe opinionin e gjërë mbarëshqiptar!

– Jeni në mërgatë, kryesisht në Zvicër. Punoni mjaft: letërsi, publicistikë, shkencë, etj. Si mund t’i lidhni këto gjëra?

– Mërgata është e lidhur ngushtë me fatin e hidhur të të qenit shqiptarë. Të jesh shqiptar në mërgatë, në njëfarë mënyre, do të thotë të jesh edhe i përbuzur. Çdo ditë të bie ndonjë rastësi, që një njeri bie ndesh me ndjenjat tuaja dhe me vet argumentet që i jep. Të kujtosh thënien e dijetarit Dhimitri Pilikës, i cili, në veprën voluminoze “Pellazgët, origjina jone e mohuar” thotë: “Shqiptarët janë pasardhësit e pellazgëve, popullit më të vjetër të Evropës… Pellazgë, ilirë, arbër, alban, shqiptar, janë pesë emra të ndryshëm, por që bartin të njëjten vijimësi etnike, gjuhësore, kulturore, historikisht të pandërprerë…”. Kjo do të thotë shumë. Bota ku jetoj e përplasem, mërgata dhe Zvicra, pra Evropa dhe Bota, nuk e përfillin sa duhet kombin shqiptar, sepse përpara nesh vrapojnë serbët, sllavët, bullgaro-maqedonët, grekët dhe turqit. Ne jemi shqiptarë dhe me krenari i mbrojmë të dhënat tona. Ne përpiqemi ta themi të vërtetën, sado e hidhur që të jetë ajo. Opinioni i gjërë dhe botëror nuk i pranon këto argumente apo rrëfime artistike dhe publicistike. Ndonjëren, me vështirësi të mëdha e pranon, ndërsa shkencën tonë pothuajse nuk e pranon.

– Këto argumente, të cilat vinë nga gjeneza e popujve, përpiqemi t’ua japim në dorë, nga leximet e vjetra, nga shkencat, që janë të mbuluara me pluhur, por që ne i shfletojmë për t’i argumetuar interpretimet tona. Ndërsa rrëfimet tona artistike, qoftë prozë, poezi, dramë, etj, përpiqen të thonë diçka nga aktualiteti; përpiqen t’i japin përjetimet më të zgjedhura e të hidhura të bashkëkohësisë, apo edhe nga e kaluara. Mërgata shqiptare është mbushur me këto trauma, me dhembje, me përplasje, me konfrontime, me vetmi, me përbuzje, me ironi, me injorim, me mendimet, me mall të pashuar, etj. Kur shkruajmë diçka, është kthimi jonë në Atdhe, në mënyrë simbolike; është kthimi i jonë i befasishëm në tryezën e ditëve. Ndonjëherë, mbetemi jashtë lojës, për arësye të ndryshme. Ndonjëherë, kthehemi në qendër të vemendjes. Pothuajse jam kudo. Jam anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Zvicrës (AdS); anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptar të Zvicrës (SHKSHZ); anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Mërgatës (LSHM); delegat i Kuvendit Shqiptar të Zvicrës; etj. etj…

– Bëj përpjekje që ti ndërlidhë më së miri këto aktivitete dhe shkrime, sado që janë në një shtrirje të gjërë, qoftë në gjini të ndryshme, qoftë në gjerësinë e tyre. Mendoj se po bëj një punë të madhe, pa asnjë fjalë, qoftë në publicistikë, letërsi, artikuj shkencorë, etj. Besoj se i lidhi ato…

-Ka kohë që nuk e keni dhënë një intervistë në shtyp. Pas sa kohësh, më në fund, e keni pranuar. Ju jeni shkrimtar i mirëfilltë, publicist e shkencëtar. Më pare, nuk e dime pse i keni ndërprerë intervistat. A mund të na e thuani këte?

– Atëbotë, kur i ndërpreva intervistat, kam qenë në parti politike. Kjo është UNIKOMB-i. Unë, kurdoherë jam përpjekur për çështjen e përgjithshme shqiptare. Ju i dini këto gjëra, madje prej vitit 1981. Sa i përket kësaj partie, mendoj se UNIKOMB-i ka bërë çmos të thotë fjalët e veta për tërë kombin shqiptar…

– Pastaj, ne u bëmë krah i luftës çlirimtare të Kosovës e gjetiu, sepse populli shqiptar në trojet e veta etnike nën Jugosllavinë ishte shtypur tmerrshëm, deri në asgjësim. Kjo dihet…

– Erdhi Marrëveshja e Rambujesë. Unë e pashë karakterin e saj dhe i ndërpreva daljet publike. Me dhembje iu përvesha krijimtarisë, publicistikës dhe shkencave, aq sa kishte mundësi…

– Shumica e këtyre veprave është përmbysur me PC; është vjedhur e plaçkitur, si psh. libri i shkrimeve politike në dy vëllime, nga duart e redaktorit Akademik Prof. Dr. Bedri Dedja, e të tjera, apo ka mbetur pa u botuar. Jeta ime eci nëpër traumet e fatkeqësisë, të cilat sot duhet të shkojnë njëherë e përgjithmonë larg meje. Nëpër të gjitha këto, veprat e mia, sa janë botuar deri më tani, kanë mjaft porosi, sepse këtë çështje e kanë veprat si cilësi, përgjithësisht. Shkrimtari shkruan mbi diçka të veçantë dhe këte e përjeton si veçanti. Dëshiron t’u thotë lexuesve çka duhet të bëjnë, respektivisht çka nuk duhet të bëjnë…

– Unë i pata ndërprerë intervistat, sepse nuk kisha se çka t’u them, por tërthorazi, d.m.th. me alegori, me simbolikë, me metafora, etj., në përgjithësi, përmes letërsisë. Gazetarët dhe gazetat, të themi shkurt, kishin kaluar “përtej Akerontit”. Unë isha kudo; pare tyre e nëpër botë; por nuk më shihnin dhe nuk dëshironin të dijnë më shumë, vetëm ato që i kishin nëpër duar…

– Megjithate, unë u dhashë disa vepra. Ato duhet t’i lexojnë dhe t’i kuptojnë, sepse kanë mjaft rëndësi…

-Ndër shumë përmbledhjet poetike, prozë, dramë, artikuj, artikuj shkencorë, publicistikë, etj. prap iu keni kthyer intervistës. A mund të na e sqaroni këtë punë?

– Ka disa arësye personale, psh. kam pasur një “fatkeqësi” fatale, e cila ka zgjatur tetë vite, derisa u mjekova dhe arrita të flas, por edhe arësye të tjera, pro e cotra, siç i thonë. Unë nuk kam dashur t’u kthehem intervistave. Ishte koha kur kam shkruar më shumë e kam lexuar deri në pafundësi. Për disa arësye jam nxjerrë nga bota e komunikimit. Koha ka lëvizur me zhdërvjelltësi dhe gjërat na janë kthyer prapë te fillimi, por në formë tjetër. Meqë gjërat janë kthyer prapa, edhe na kanë shtypur me pahir. Kjo nuk mund të durohet lehtë, prandaj kam folur me veprat e mia. Tani, bota e ka bërë veshin e shurdhët. Është koha të merret vesh kush kemi qenë; kush jemi dhe kah do të shkojmë. Prandaj, po ua themi një pjesë të vërtetës, edhe me gojë, që mundësisht, të dalë e vërteta.

-Vitin e kaluar, dikund në nëntor apo në dhjetor, e keni botuar një dramë, relativisht të madhe. Ne i kemi shikuar veprat tuaja dhe biografinë. Na intereson të dimë, si e keni shkruar dhe botuar këtë dramë?

– Po, e kam botuar me mjaft vështirësi, pasi nuk më ndihmoi askush dhe kisha mbetur pas fatkeqësisë sime, me pak të holla. E kam shkruar një dramë të veçantë. Ka një temë historike, që nxitet nga aktualiteti.

– Kjo nuk është drama e parë që e kam shkruar, por është drama e parë që e kam botuar. Kam edhe drama të skicuara, drama të tjera në redaktim, etj. të cilat, duhet të presin botimin për arësye financiare.

– Drama e pare e gatshme, “Gremina”, është marrur apo është djegur nga autoritetet serbe apo është marrë prej ndonjërit të Njësisë Speciale të Beogradit, me rastin e rënies së njësitit të Morinës, ku ishte vëllau i im, Sadri Avdyli, “Baca i Maleve”, Komandant i Morinës. Shtëpia ime ishte bazë e UÇK-së. Është djegur biblioteka, me të gjitha dokumentet e vlershme të arkivit; dokumente të shtëpisë dhe fotografitë. Pa mbaruar lufta jam futur ilegalisht në Morinë, për ta parë vendin zbrazët, me të gjitha dhimbjet e mëdha të Atdheut e humbjet e luftës; shtëpitë e djeguara e strehimoren nëntokësore, nën dysheme, ku ka qenë dhoma e ime e fjetjes.

– Kisha vështirësi të mëdha të shkoi deri te shtëpia ime; prej ushtarëve dhe njësive speciale të milicisë; rrezikun e minave të shumta nëpër kalime, fushë e mal, anë e përtej. Arrita që ta shoh Morinën, ashtu të robëruar; të shkatërruar; të humbur; dhe shtëpitë e djeguara rrafsh me tokë. E pashë si e kishin gjetur stehimoren nëntokësore; si i kishin djegur mjaft vepra, madje e kishin lënë një shufër të gjatë e të trashë hekuri, në gropën e djegur. Nuk e di çka kanë djeguar apo marrë me vete. Në mesin e tregimeve, prozës e poezisë, me 500 faqe të formatit A4, d.m.th përafërsisht 1000 faqe të botuara, kanë qenë dy romane, prej të cilave “Mjegulla…” i ka patur dy vëllime…

– Këtë dramë, e kam botuar në vrazhdën e veprave të mia, edhe pse disa më kanë humbur, dëmtuar, djegur apo marrë nga armiqtë e përbetuar të kombit tonë, pra kombit shqiptar, që nuk e ka krijuar ende “të lire” atdheun e vet, apo nuk e lejojnë të krijojnë një atdhe të tillë, për tërë terrtorin autoktonë të shtrirjes së tij. Janë edhe disa vepra të miat që janë dërguar direkt në Beograd…

– Kështu është fati i ynë: ndjekje, përndjekje, ndjekje me zjarr e flakë, edhe nëpër botën perëndimore, dhe të tendosur, e cila, ka qenë më shumë e orientuar kundër atyre që i ruajnë me shpirt ato që i kanë sjellur nga bota tjetër, për t’i lënë para jush.

– Mendoj se tani e kam botuar një vepër tjetër, dramën, që thotë shumë prej vetes…

-Çka u ka shtyrë të shkruani një dramë në një temë tillë?

– Në realitet, duke e parë me kohë se çështja e gjithëmbarshme e shqiptarëve nuk ka gjasa reale të kuptohet, dhe nuk kuptohet drejtë; madje nuk ka gjasa të shqyrtohet drejtë dhe të zgjidhet drejtë; duke e vërejtur edhe se për çfarë arësye lihet kontretisht kështu, si p.sh. na mbetet ne “kombësia kosovare”, edhe pse 80% jetojnë shqiptarë, pra ilirë, d.m.th. konkretisht dardanë, në këtë tokë shqiptare autoktone; etj. e pashë të arësyeshme se është e domosdoshme që bëja një dramë televisive, në kuadrin e disa dramave të mia dhe skenarit, që edhe ato i kam të hartuara apo të skicuara dhe pëpunohen më tej, por ia lash kohës dhe kushteve të mia, edhe prozën, të pëpunohen e të botohen më vonë.

– Kjo dramë televisive e mbërthen këtë temë madhështore, me gjithë larminë e saj.

– Të gjitha personazhet, Zoti i Madh; I panjohuri apo Burri; Engjulli; Shkrimtari Florian Meta, etj, si dhe macet, qeni, zogjtë, sorra apo njerëzit e tjerë të veçantë janë futur në këtë dramë televisive në rrjedhën e saj. Vetë natyra e ka domethënien e saj të veçantë. Sipas dijetarëve të mëdhenj, si Sami Frashëri e Dhimitër Pilika apo Homeri i lashtë, me thëniet e veta, është prirë vepra, që janë dhënë si parafjalë e këtij libri. Pastaj, me tërë veprimin e dramës na ndriçohet lashtësia shumë e hershme pellazgo- shqiptare dhe lë porosi si duhet të shikohet ajo, pra si duhet të trajtohet ajo.

– Me këtë dramë televisive besoj se ia kam arritur t’ia dëshmoj kësaj bote, se kemi qenë që prej gjenezës së hershme në botë, madje edhe në Evropë, prej pellazgëve hyjnorë, me njerëzimin e parë po të këtij kontinenti, kudo, me plisa të bardhë në kokë.

– Evropa nuk na njeh; nuk na sheh dhe nuk na vlerëson si të tillë, ndonëse i merr fjalët tona kudo, prej gjenezës së Evropës e deri te emri i saj, duke na “harruar”, si “të paqenë”, si “të pamerituar”, etj. Ne ngritemi e udhëtojmë (pjesërisht me paditurinë tone) ashtu siç duan pseudoshkecëtarët dhe gënjeshtarët e paskupullt serbo-grekë, sllavo-bullgarë dhe turqit sunitë, pra turqit, në krye të gjithë kësaj “godine” të praptë dhe bëjnë mija dredhi të paskrupulta, për ta gënjyer botën…

– Në këtë formë dramatike ua sjellë tërë botës në skenë ta shoh e kuptojë tekstualisht se kush kanë qenë dhe janë shqiptarët; kush është mitologjia, që ata i thonë “greke”; kush ka qenë dhe është gjuha shqipe, që ata e quajnë kot “gjuhë barbare”,… kur janë krijuar prej kësaj “gjuhës barbare” gjuha angleze, greke, gjermane, latine e sllave; kush kanë qenë me të vërtetë hartuesit e mësimeve të vjetra fetare, katolike, ortodokse e islamike etj., etj…

– Aty e gjenë spektatori apo shikuesi çka është poezia lirike, prej Homerit e këndej, të cilën, në Prolog të dramës apo në Pamjen e Katërt, njëra palë e konteston, madje insiston se ajo ka vdekur kaherë; ndërsa tjera pale, si p.sh. Profesori, Gazetari apo Florian Meta e ngrehin lartë si kulturë, e cila është gjallë, edhe sot, dhe duhet njohur.

– Polemika e ngjashur për poezinë dhe lirikën e hapin dramë, ndërsa Epilogu është një ringjallje positive.

– Besoj se lexuesit do ta kuptojnë…

-Cili është qëllimi i juaj këtu, si autor?

– Ka qenë dashur me kohë ta ndiçojmë më shumë dhe më konkretisht këtë të vërtetë të hidhur. Edhe shkencëtarët tanë notojnë nëpër këtë kanal të hapur qëllimisht, dhe pas tyre futen edhe shqiptarët nëpër këtë kanal, pa pyetur kush e ka bërë këtë kanal dhe përse e kanë bërë, sepse katër armiqtë më të mëdhenj përreth nesh i bëjnë për të na bllokur jashtë fakteve dhe për të na frikësuar, në radhë të parë ne- shqiptarëve, sikur ata paskeshin pikur nga qielli para nesh dhe se ne nuk paskemi gjuhë të trashëguar prej të parëve të hershëm, prej pellazgëve hyjnorë…

– Qëllimi im si autor është të nxjerr në një dramë, mundësisht një dramë që xhirohet në television, sepse ate e shohim më shumë, medje me një temë të madhe, dhe ta shtroj prej fillimit e deri në fund, pamje pas pamje. Ta pasuroj me thëniet e personazheve dhe karaktereve të ndryshme. Që ata të jenë të larmishëm, të mëdhenj, të denjë, të shtrojnë çështje të atilla…

– Drama thekson thënien e Zotit të Madh, Zotit pellazg, “prej jush ka filluar kultura e lavdia, dhe një ditë prapë te ju do të kthehet”, sepse ata që vendosin për fatet e popujve, për rregullimin e fatit apo fatkeqësisë sonë, u besojnë tërësisht pranë nesh popujve artificial. “I verbër nuk është ai që nuk sheh, por ai që nuk dëshiron të shikojë”- thotë Dhimitri Pilika, në fillim të veprës.

– Fati i jonë ende nuk përfillet nga popujt e botës…

-Pse poeti thuhet se dëshiron që të bëje “vetëvrasje”?

– Sepse ai është poet e luftëtar i denjë i popullit dhe i kombit të tij. Ai nuk kuptohet drejtë nga njerëzit e tij; nga rrethi; nga familja; nga kombet e tjera, që janë të përfshirë në mosnjohjen e kombit të tij; edhe nga kombi i vet, të ngulfatur nga gënjeshtarët dhe fetë e ndryshme…

– Ata bëjnë çmos për lënë mënjanë; për ta shukatur; për ta zhdukur; për ta shpifur dhe deomos për ta vrarë, për çka u shpëton për mrekulli, derisa erdhi koha që ai vendosi që ta heqë veten me qëllim; që të vrasë simbolikisht, dhe me vrasje e shumëfisht inteletuale, qindra armiqë përreth. Ai nuk ka çka të bëjë! Nuk i mbet tjetër, pos që të vrasë vetveten, pasi i ka lënë të gjitha dëshmitë në arkivat e shtetit ku jeton. Por, Zoti i Madh dhe Ndihmëszoti nuk e lënë të vrasë veten, sepse nuk është koha që bëjë një gjë të tillë, në një Intermeco të veçantë. Ai duhet t’i përfundojë veprat…

-Na e thuaj me pak fjalë, çka kryqëzohet në këtë dramë?

– Në këtë dramë kryqëzohen në formë diakronike dhe sinkronike linjat kryesore të idesë. Ajo fillon nga polemika e letërsisë dhe poezisë lirike në nivelin Evropian; nga mosjeta dhe jeta e Kryepersonazhit, shkrimtarit Florian Meta; polemikat me Burrin apo Të Panjohurit e Tregëtarin e Tregut të Zi; te Kryezoti e Ndihmëszoti; e deri te Epilogu, mjaft pozitiv i dramës…

– Në vepër kryqëzohet historia e hidhur dhe realiteti; e veçanta dhe e përgjithshmja; mitika dhe realja…

– Aty merr ndriçim historia; faktet e mirëfillta historike; dhe lexuesit duhet të nxjerrin nga kjo qartë mësimet e veta…

-Në libër shkruan dramë, por në përmbajtje dhe personazhe duket diçka tjetër. P.sh. dialogjet janë më të gjata…
A mund të na e shpjegoni këtë çështje?
– Po, sigurisht, është e vërtetë se nuk është thjesht dramë, si dramat që i keni lexuar apo i keni parë në teatrot tona dhe rajonale. Është një dramë e veçantë…
– E kam kryer edhe një kurs të veçantë, në Zvicër, madje për skenare filmash, dhe kam qenë mësimdhënës në Studion e Teatrit dhe të Filmit “Aleksander Mosisiu”, për disa kohë, në Kantonin e Cyrihut.
– De facto, kjo dramë ka qenë dhe mbetet një dramë televizive, edhe pse gjinia e dramës njëjsohet. Drama është dramë. Emri “dramë televisive” është reduktuar disa herë radhazi në “dramë” nga ata që e përgaditën për botim. Unë nuk e kam shikuar këtë vepër gjatë botimit dhe pa dijen time është botuar vetëm “dramë”…
– Pra, ajo bënë pjesë në llojin e dramës, por personazhet nuk mund të luhen në skenë, psh. shqiponja, sorra, zogjtë, macja dhe qentë… Edhe personazhet i kanë dialogjet pak më gjata, por jo shumë të gjata. Ato nuk mund të luhen në teatrot tona rajonale, aq më pak në Kosovë, sepse aktorët i harrojnë fjalët. Unë, edhe si autor, e kisha të qartë se sa lejon gjinia e dramës për television, prandaj kështu e shkrova këtë vepër. Disa skena mund të luhen para kamerës, por jo në teatër…
– Në ralitet, i kam menduar të gjitha personazhet që do të marrin pjesë në dramën televisive. Po u kujtoj se dijetari i famshën, Sami Frashëri, thoshte se “pellazgët kishin një besë të bukur e vjershëtore. Besonin gjithë shenjat e natyrës e trupat e qiellit… etj.” Këto thënie i kam vendosur në hyrje të veprës.
– Pra, disa pamje, luhen në natyrë, e jo në teatër. Edhe natyra e ka domethënien e vet në këtë vepër…
– Kjo duhet të kuptohet kështu.

-Tashmë e keni promovuar librin e 11 origjinal, dramën e juaj, “Vetëvrasja e një poeti”, në Gjakovë.

Si keni kaluar apo si e ndier veten tuaj në këtë promovim?

– Pas të gjitha veprave që janë botuar në Kosovë, Shqipëri e Zvicër, gjatë kësaj periudhe të kohës së vuajtjeve, unë si autor i tyre, nuk i kam promovuar askund, dhe aq më pak në Zvicër, sepse pas promovimit të përmbledhje së pare “Në hijen e Alpeve”, në Gjakovë, nuk kisha mundësi dhe dëshirë t’i promovoj nëpër mërgatë. Gjakova më ishte “mbyllur”, apo më mirë të themi më ishte pamundësuar nga policia e Serbisë dhe Jugosllavisë për të udhëtuar në Kosovë. E pastaj, edhe nga arësyet e mia personale dhe të mjeteve. Kësaj drame, tani, i erdhi koha.

– Unë kam pasur në Dhjetor të vitit të kaluar një takim publik, që është dukur sikur një promovim, madje të të gjitha veprave poetike dhe veçanërisht të 4 librave të parafundit poetik, përveç përmbledhjes së mbramë poetike, të botuar me 2012, në Prishinë, librit “Qiellli i pa prekur”, në Bilbliotekën Pestalozzi, në Cyrih, me kritikun dhe mikun tim, Mr. Nexhat Maloku.

– Këtë promovim e kam bërë me të vërtetë në mënyrë të veçantë. Faleminderit prej anëtarëve të familjes sime, dashamirëve, kritikëve të mire, prej miqëve të mi, shokëve të shkollës dhe shokëve të mi të përjetshëm e pjesëmarrësve të tjerë, që më kanë ndihmuar e nderuar me punën dhe pjesëmarrjen e tyre.

– Kam kaluar mjaft mirë; kam qenë mëse i gatshën ti ndëgjoj kritikat e mirëfillta si të organizatorëve ashtu edhe të recensentëve, si psh. Mr. Muhamet Rogovës; të Prof. Halil Haxhosaj; të Ilam Berishës, madje të Sylejman Lokajt, dhe në veçanti mysafirëve, si psh. Vera Istrefi, poete e njohur nga Shqipëria, e ardhur me qëllim që ta begatojë promovimin e veprës sime si Kryetare e LSHA të Shqipërisë, Dega në Kukës; dhe Isa Breçani, nga Tropoja, apo disa organizatorë të tjerë, si p.sh. Dr. Masar Rizvanolli e Prof. Xhevat Koshi.

– Tubimi ka kaluar shumë mire; ka pasur mjaft pjesëmarrës-përkundër 2 tubimeve të partive në Gjakovë, në të njëjten kohë; dhe kam mbajtur në referim, që mund të them se nuk i kanë dëgjuar ndonjëherë prej dikujt apo prej meje, si kurorëzim i atij takimi…

-Në lidhje me çka keni referuar ju?

– Kam patur shkurt dy tema të veçanta; njëra për kategoritë e kritikave dhe tjetra për pjesët kuptimore të tekstit, dhe nuk kam folur për veprën time, d.m.th. dramën, të cilën, sikurse veprat e tjera, i lë ti kuptojnë aq sa mund të kuptojnë lexuesit, sado që ua solla këto forma të përmbajtjes dhe kategoritë e kritikave, që t’i ndihmojnë lexuesve të kuptojnë edhe më shumë veprat…

-Dhe, në fund të kësaj interviste, a keni ndonjë porosi para lexuesve? Cila do të jetë ajo?

– Po, sigurisht se kam disa porosi. Secila vepër e imja i ka disa prej këtyre. Por, u lutem më së pari lexuesve që të lexojnë më shumë dhe t’i kuptojnë më mirë veprat, sepse libri do tu kthehet edhe atyre pasi ua ka larguar dëshirën për të lexuar inteneti, me lojëra të shumta. Kështu nuk e njohin të vërtetën e kombit të vet, madje, në shqyrtimet e tyre nisen prej gënjeshtarëve serb, grek, turk, bullgar, sllav, etj. dhe vetëm thëniet e tyre t’i përsërisin.

– Ata veprojnë kësisojit me vetëdije apo pa vetëdije. Shkojnë kundër vetes; kundër kombit; kundër historisë; kundër të vërtetës. Në antikitet, ka aq shumë gurë të shkruar, skulptura, gafika, freska, piktura, gërmadha të lashtësisë, që flasin si me gojë. Njerëzit tanë, fëmijët tanë, sado që na dhembë shpirti, na i përsërisin pikërisht ato gjëra që i kanë “mësuar” me dhunë e dredhi prej armiqve tanë dhe shqipfolësve.

– E gjithë historia botërore duhet të rishikohet dhe të korigjohet, sepse ka shumë pseudoshkencëtarë nga historia botërore dhe shqiptare dhe të rinjtë tanë nuk kanë kohë t’i shohin apo nuk duan t’i shikojnë.

– Në qoftë se historia është mësuesja e jetës, ata duhet të mësojnë nga historia, nga faktet e padiskutueshme, dhe jo prej pseudohistorisë, sepse ajo është gënjeshtër. E vërteta duhet t’i tërheqë nga vetja, derisa ta mësojnë. Duhet të mos pushojnë derisa ta gjëjnë të vërtetën. Do të vie koha kur edhe bota intelektuale do ta pranojë pellazgjinë, sepse aty është fillimi, jo grekët.

– Këtë do ta mësojë dikur edhe historia…

-Do tu kishim bërë pyetje të tjera, me rëndësi. Por, po e lëmë këtu. Juve, ju dëshirojmë vepra të tjera, edhe më të rëndësishme. Ju dëshirojmë shëndet, gjendje edhe më të mirë shëndetësore, pas fatkeqësisë suaj. Ne ju faleminderojmë përzemërsisht, për gadishmërinë tuaj.

– Edhe unë ju faleminderoj përzemësisht për vullnetin e madh. Më vjen mire që arritëm t’ua themi një pjesë të së vërtetës lexuesve të mediave tona. Le ta lexojnë më pare këtë dramë. Ua lë këtë porosi.

– Më në fund, ju e keni bërë një intervistë të plotë, me njëmijë e njëqind vuajtjet tuaja të mëdha. Por, ndonjë gazetë apo organ i media tona apo internet, mund ta shkurojë ndonjë pjesë. Unë do ta vë të plotë vetëm në faqen time…

– Dhashtë fati e takohemi shpesh dhe këmbejmë mendime të mira për të ardhmen tone!…

Maj, 2014



Shënime biografike për autorin:

Brahim (Ibish) Avdyli (1960), është poet i cili i takon plejadës së krijuesve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). I lindur dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, në këtë vend me tradita të njohura kulturore dhe kombëtare, që në vitet e hershme të rinisë së tij u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar.

Pas përfundimit të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Gjakovë i filloi studimet në Fakultetin Teknik, dega e arkitekturës, të cilat nuk i përfundoi, ngase, për shkaqe ekonomike, por edhe politike u detyrua të emigrojë në Zvicër. Dy herë ka qenë me vendim federal i përjashtuar prej Zvicrës. Më vonë, si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik i kreu studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë së madhe shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet postdiplomike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike- Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, ku në tetor të vitit 2010 ka mbrojtur temën e magjistraturës.

Ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 ka udhëhequr revistën „Qëndresa“ në Zvicër.

Pos botimeve në periodikun shqiptar, ka publikuar këto libra:
– “Në hijen e Alpeve”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983,
– “Buka e kuqe”, poemë, Atdheu, Cyrih, 1990,
– “Kur zgjohet Dodona”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992.
– “Pasqyrë e përgjakur”, poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994,
– “Klithje nga fundi i ferrit”, poezi, Onufri, Tiranë, 1997,
– “Gjuha e dheut tim”, poezi, Albin, Tiranë, 1999,
– “Klithje nga fundi i ferrit”, botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000,
– “Baraspesha e humbur”, poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003,
– “Vragat e një kohe”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005,
– “Lëvozhga e vdekjes”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007,
– “Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë”, Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008,
– “Zogu i këngës”, poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009.
– “Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj”, politikë-publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011.
-“Qielli i paprekur”, poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012.
-“Vetëvrasja e një poeti”, dramë, Shoqata e Intelektualëve “JAKOVA”, Gjakovë, 2013…

Është i prezantuar edhe në këto libra:
– “Rrjedhë e lë gjurmë”, poezi e studentëve të Kosovës, Bota e Re, Prishtinë, 1983,
– Nebil Duraku, “Shkrimtarët e Kosovës, 1945-1985”, Rilindja, Prishtinë, 1985,
– “Poezia dal Kossovo”, Antologji e poezisë kosovare, Besa Editrice, Nardò, (Lecce), Itali,1999,
– Hasan Hasani: “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptar, 1501- 2001”, Faik Konica, Prishtinë 2003,
– “Vulcanul răbdării/Vulkani i durimit”, Poeme traduse în limba română de Baki Ymeri, Editura Do-Minor, Bukureşti (Bukuresht), 2008.
– Halil Haxhosaj: “Përkushtime/Poezi kushtuar Din Mehmetit”, KL “Gj.N.Kazazi”, Gjakovë, 2009,
– Agim Vinca: “Muza e Mëmëdheut/Njëqind poetë për Atdheun”, Antologji, Shtëpia Botuese “Eugen” Tiranë dhe “Botomet Artini” Prishtinë, 2012,
– Betti Fichtl, “Bahnhof der Träume”, Edition Wendepunkt, Weiden/D, 2013,
– Lulzim LOGU, Muharrem KURTI: “Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës”, Klubi Letrar “Gjon N. Kazazi”-Gjakovë dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve-Tropojë, Gjakovë, 2013, etj…

Libri i tij i parë poetik „Në hijen e Alpeve“ ka hyrë në zgjedhje të ngushtë për shpërblimin “Hivzi Sulejmani“ që filloi të jepej në vitin 1983 për librin më të mirë të autorëve të rinj.

Është fitues i vendit të dytë në konkursin letrar me rastin e 28 Nëntorit, më 1997, të organit të LPK „Zëri i Kosovës“; i Penës së Artë në takimet pranverore të krijuesve shqiptarë të Diasporës, më 2001. Me 25 prill 2009 ka marrë shpërblimin e parë “Agim Ramadani” në Konkursin e hapur pranë Qendrës Kulturore Shqiptare për poezi në Cyrih të Zvicrës. Shpërblimin e dytë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin Letrar dhe të lexuar me 1.5.2010, si dhe Shpërblimin e parë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin Letrar, të lexuar me 25.4.2011, e ka marrë në Orët e mëdha Tradicionale Letrare për Pavarësinë e Kosovës, të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarëve të Gjermansë, në Koblenz të Gjermanisë. Nga e njëjta “Lidhje…”, në të njëjtin vend, e ka marrë Çmimin e e parë për poezitë e konkuruara dhe të lexuara atje, më 23.03.2013 në të cilën e ka prezentuar edhe Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës.

Shpërblimin e tretë “Azem Shkreli” për librin më të mirë të poezive “Qielli i paprekur”, të ndarë për tërë mërgatën shqiptare, e ka marrë poeti në Eneppetal të Gjermanisë, me 1.06.2013.

Poezia e tij është përkthyer në italisht, gjermanisht, rumanisht, anglisht. etj.

Shkrimi i parë që e ka shkruar ky autor ka qenë një dramë. Ajo nuk është botuar. Nga vendstrehimi nëntokësor në shtëpinë e tij në Morinë të Gjakovës është marrë apo është djeguar drama e tij e veçantë “Gremina”, e cila ka pasur si temë fundosjen e Jugosllavisë, së bashku me 1500 faqe prozë A4. Vepra e parë i është botuar më 1983, me dy vite vonesë, nga Ali Podrimja. Tani po mbushen 30 vite nga botimi i veprës së parë.

Brahim Avdyli është njëkohësisht anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); anëtar i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës (SHKSHZ), anëtar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës (LKSHM), dhe i disa organizatave të tjera.