Mercenarizëm pervers

0
51


BLEDAR H. PRIFTI, 13.04.2011

Lexova para disa ditësh një shkrim të një “mendimtari” të pushtetit, titulluar “Miqtë e Lulzim Bashës”. Nuk e di, por sa herë që lexoj këtë soj mendimtari të pushtetit, më vijnë ndër mend mendime të lidhura me mercenarë dhe figura pseudo-intelektuale/politike që për moral kanë hipokrizinë dhe perversitetin dhe për vlerë humane kanë mercenarizmin dhe ambicien perverse për pushtet dhe plaçkë.

Kjo klasë e sotme mendimtarësh të pushtetit nuk ka as më të voglin ndryshim nga “intelligentsia” e regjimit komunist të instaluar për 45 vite me radhë. Ashtu si hipokrizia dhe perversiteti që e karakterizojnë pjesën dërrmuese dhe dominuese të klasës intelektuale Shqiptare, edhe shkrimi i këtij mendimtari të pushtetit për pushtetarin Basha është një shkrim i mbushur plot hipokrizi dhe perversitet.

Por sa më shumë kërkon mendimtari i pushtetit të lartësojë figurën e Lulzim Bashës, aq më shumë fundoset ai në llumin e mercenarizmit pervers. Ka një sërë faktesh që nxjerrin në dritë hipokrizinë dhe perversitetin e mendimtarit të pushtetit.

Së pari, mendimtari i pushtetit deklaron se nuk ekziston asnjë miqësi apo lidhje midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Mendimtari shkon më tej kur deklaron se Basha ka përmbushur me sukses çdo detyrë/mision të ngarkuar nga Sali Berisha. Por, cilat janë sukseset e Lulzim Bashës të pretenduara nga mendimtari i pushtetit? E para ka të bëjë me hyrjen e tij në Partinë Demokratike.

“Mendimtari” deklaron se Basha ka avancuar në PD bazuar në aftësinë e tij. Kjo deklaratë e tij është tejet hipokrite, pasi të gjithë e pranojnë që Lulzim Basha nuk do të kishte ecur asnjë ditë në politikë pa mbështetjen e fuqishme të shoqes së tij, Argita (Berisha) Malltezi, vajzës së Sali Berishës. Bile, Lulzim Basha, si shok dhe njëri i besuar i vajzës së Berishës, konsiderohet nga vet familja Berisha si personi më i besueshëm që do të ruante/trashëgonte direkt dhe indirekt influencën dhe interesat e familjes edhe pas largimit të Sali Berishës nga politika.

Gjithashtu, mendimtari i pushtetit tregon hipokrizinë dhe mercenarizmin e tij të tejskajshëm kur i referohet si sukses vjedhjes pasive/aktive të 250 milionë eurove nga ana Lulzim Bashës gjatë punimeve në rrugën Durrës-Kukës. Për të mbuluar vjedhjen, Lulzim Basha u fsheh pas imunitetit dhe strehës së përhershme/fundit të hajdutit pushtetar-patriotizmit.

Mendimtari dhe mercenari i pushtetit e di shumë mirë që Lulzim Basha nuk është shpallur i pafajshëm për vjedhjen e shekullit. Basha vazhdon të konsiderohet nga drejtësia si ministër hajdut, i cili i shpëtoi drejtësisë duke manipuluar procedurat e hetimit. Gjithashtu, nuk ka asgjë patriotike kur vjedh qindra/miliona euro të popullit tënd. Nuk mund të jetë patriot një ministër, i cili përdor një vepër patriotike për të vjedhur popullin e tij.

Për më shumë, patriotizmi i Lulzim Bashës, Sali Berishës, Ilir Metës dhe mercenarëve të pushtetit u duk fare e qartë në rastin e ndërtimit të varrezave Greke në territorin shqiptar dhe tentativat e tyre për të shitur sovranitetin e kombit shqiptar tek Greqia përmes pazarit me ujërat territoriale. Gjithashtu, asnjë nuk mund të harrojë bisedat e zjarrta, të shpeshta dhe të shpejta të Lulzim Bashës me ministren e Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, në lidhje me aferën e varrezave greke në territorin Shqiptarë dhe të paktit detar të hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese.

Asnjë nuk mund të harrojë deklaratat e Sali Berishës që e konsideronte Kolonel Myslym Pashën një “sharlatan” për faktin se koloneli ishte kundër marrëveshjes detare me Greqinë, ashtu siç asnjëri nuk mund të harrojë deklaratat e Ilir Metës, i cili e konsideronte opozitën socialiste si një forcë “ekstremiste” dhe “ksenofobe” që nuk pranonte paktin detar Berisha-Basha-Meta për dhënie e një hapësire detare shtetit grek.

Se sa patriote dhe se sa e do Shqipërinë familja Basha këtë e tregon edhe fakti që para afro shtatë vitesh, gruaja e Lulzim Bashës ka hedhur poshtë shtetësinë Shqiptarë, duke marrë atë Holandeze, në një kohë kur ligji ia lejon asaj mbajtjen e dyshtetësisë, pasi shtetësia Shqiptare ka qenë e fituar përmes lindjes natyrale.

Kjo nuk është çështje personale/familjare, siç do të donin ta portretizonin disa mendimtarë dhe mercenarë të pushtetit. Kjo është një çështje e pastër politike, pasi pas vendimeve të një pushtetari sado të pushtetshëm qëndron ngaherë pushteti i padukshëm i gruas së pushtetarit. Si mund të jetë patriote një familje politikani, e cila nuk gëzon/ka as respektin më minimal për Shqipërinë dhe shtetësinë Shqiptare?

Nëse dje shitën shtetësinë Shqiptare për hir të një shtëpie apo lëvizje të lirë nëpër Europë, jam i sigurt se nesër këta soj “patriotësh” janë të gatshëm ta shesin Shqipërinë për hir të një plaçke edhe më të shtrenjtë.

Gjithashtu, sa mijëra shqiptarë të tjerë të thjeshtë/varfër kanë dyshtetësi dhe nuk e kanë përçmuar dhe hedhur poshtë shtetësinë shqiptare, por e mbajnë atë me krenari edhe pse qeveritë e Lulzim Bashës, Sali Berishës, Fatos Nanos dhe Ilir Metës i kanë vjedhur/vrarë dhe po i vjedhin/vrasin rregullisht çdo ditë?

Nëse na qenka në rregull kjo hedhje poshtë e Shtetësisë Shqiptare nga ana e gruas së Lulzim Bashës, atëherë përse merremi me ata shqiptarë të varfëruar dhe masakruar nga regjimet e pushtetarëve shqiptarë, të cilët duan të ndërrojnë kombësinë për bukën e gojës? Përse duhet të investigojnë shërbimet sekrete për besueshmërinë/patriotizmin e diplomatëve të rinj në një kohë kur vet ministri i Jashtëm dhe familja e tij duhet të jenë objekt hetimi në lidhje me besueshmërinë që ka ky ministër përkundrejt vendit të tij?

Përse kjo hipokrizi dhe perversitet i tejskajshëm nga pushtetarët, mendimtarët (midis të cilëve edhe naiv opozitarë) dhe mercenarët e pushtetit?
Dhe le të vijmë tek masakra e 21 janarit kur pesë protestues të pafajshëm u ekzekutuan nga forcat qeveritare nën drejtimin e Lulzim Bashës dhe me bekimin e Sali Berishës. Si mundet mendimtari i pushtetit ta konsiderojë masakrën e 21 janarit një sukses të Lulzim Bashës? Kjo është absurde, hipokrite dhe e pështirë, si në aspektin intelektual edhe në atë human!

Përpara se të garonte për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha duhet të pastronte duart nga gjaku i shqiptarëve që ai dhe forcat e komanduara prej tij vranë në 21 janar.
Personalisht, kjo mbështetje e mendimtarit dhe sojit të tij për Lulzim Bashën nuk më suprimon, pasi ky soj mendimtari është pjesëtar i asaj organizate të quajtur LSI, administrimi dhe operimi i së cilës bëhet përmes praktikave dhe mentalitetit filomafioz të krimit të organizuar.

Veprimet e kësaj force nuk kanë lidhje as me neo-Marksizmin si dukuri e forcave të majta dhe as me neofashizmin si dukuri e forcave të djathta ekstremiste. LSI nuk ka asnjë bosht ideologjik dhe është thjeshtë një organizatë filomafioze që operon vetëm për hir të plaçkës. Nuk më surprizon apo shqetëson fakti se për ngjarjet e 21 janarit ministria e udhëhequr nga kjo organizatë filomafioze lëshon qarkore baronësh që fyejnë intelektin dhe nderin jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të ndërkombëtarëve.

Nuk më surprizon, apo shqetëson fakti që kjo organizatë filomafioze mund të tentojë të intimidojë, apo edhe të ekzekutojë kundërshtarët e saj, ashtu siç ishte rasti i atentatit ndaj kreut të inspektoratit ndërtimor të Bashkisë së Tiranës. Mentaliteti dhe qëllimi, mbi të cilin është krijuar dhe operon kjo organizatë dikton edhe veprimet e saj në arenën politike.

Duke qenë e drejtuar nga hipokrizia, perversiteti dhe babëzia për plaçkë, kjo organizatë ka karakteristikat e një tufë mercenarësh në shërbim të një klani mafioz të pushtetit të radhës që prodhon plaçkë. Si rrjedhim, nuk ekziston asnjë marrëdhënie ideologjike/humane midis mendimtarit mercenar dhe kandidatit Lulzim Basha, i cilësuar gjithashtu edhe si “ministri në kërkim” për shkak të masakrës së 21 janarit.

Por, pozitat e Bashës janë shumë më komode në krahasim me pozitat e atyre që e rrethojnë atë në këtë fushatë perverse. Pavarësisht rezultatit, Basha do të mbajë nderin dhe dinjitetin e një ushtari besnik dhe të bindur të Sali Berishës. Nga ana tjetër, soji i mendimtarit mercenar do të ngelet ngaherë një soj pa kurrfarë nderi apo dinjiteti intelektual, politik dhe human.