Nga Tema
Sa herë shkon në Itali, tregon kujdes që të bjerë në sytë e medies. Edhe pse shumë prej tyre tashmë e kanë marrë me humor punën e tij, Rezart Taçi e ka me shumë merak imazhin në vendin fqinj.
Për shembull, kur shkon në Bolonja, ish-kamerieri merr nga pas një shpurë truprojash për të treguar se është një njeri i fuqishëm dhe shëtit në rrugët kryesore, ndërsa gorillat i hapin vend, duke larguar njerëzit e tromaksur. Pasi shkakton habi në rrugën “Indipendenza”, “sheiku” shqiptar merr pas vetes dhe ndonjë gazetar lokal, që i bën ndonjë shkrim për mënyrën se si e sheh ai qytetin, si shijon ushqimin dhe verërat. Dhe kolonjari Taçi lëshohet: “Më pëlqen Bolonja. Edhe ushqimi”. Pasi lëshon këto batuta, pasaniku lë gojëhapur gazetarin bolonjez: “Kam 7 miliardë euro pasuri. Dua të marr dhe Milanin, mëkat që ai nuk e shet!” Kështu flet për mikun e tij, Berluskonin.
Pasi ushqehet, përpiqet të shfajësohet se i ka “mashtruar” pak bolonjezët, kur u tha që do të blinte ekipin e tyre. “Unë vij, nëse më doni akoma”, – thotë si i zënë në faj. Më pas shton si i familjarizuar mirë me gjithçka ndodh në vendin fqinj: “Si po i komentojnë tifozët këto ngjarjet e fundit?”
Njeriu që ka “kohë” që ka hyrë në botën e pasanikëve italianë, e njeh dhe nëntokën e Serisë A në Itali. “Është e vërtetë që njerëzit e Moxhit kanë futur hundët këtu?” – pyet “me takt” Taçi.
Është e qartë, jeta e ish-kamerierit ka ndryshuar krejtësisht si Liza në Botën e Çudirave. Gjërat rrjedhin mirë në botën e tij italiane, derisa mediet nisin të merakosen për pasurinë e më pas për sulmin makabër që ai i bën një gazetari. “Ky është njeriu që donte të na blinte Bolonjën”. “Personi që do u merrte italianëve Milanin”, – tallen mediet spanjolle.
E kështu, i merakosur se mos ndoshta sulmi që i ka bërë gazetarit Mero Baze, po dëmton imazhin e tij prej pasaniku sqimatar në vendin fqinj, Taçi përgatit dhe një deklaratë në italisht dhe ua nis medieve atje. Disa prej tyre e botojnë të plotë, s’kanë as nerva të bëjnë raport për të. Por Taçi kërkon me ngulm të mos i dëmtohet imazhi në vendin e madh. Ajo ka rëndësi. Këtu i zë në dru kush i del përpara. Duke përdorur dhe truprojat. Ata që “i hijeshojnë” rrugën, kur ecën në rrugën “Indipendenza”.