Mentaliteti berishian, integrues apo dezintegrues?

0
32

Nga Besnik Baraj, 22 Mars 2013

Rëndom pas viteve 2005, në takime të ndryshme, me të majtë apo edhe të paangazhuar, pohohet ideja se “PD të mban” e “ajo nuk të hedh poshtë”. Le t’i hedhim një vështrim të shpejtë disa ngjarjeve dramatike në 2 dekadat e fundit.

Tashmë dihet kush janë njerëzit që fshihen prapa zhdukjes së Remzi Hoxhës. Akuzat nisin për kreun e shtetit e përfundojnë te punonjës të zakonshëm të shërbimit sekret. Çuditërisht, fati i tyre pas vitit 2005 ishte promovues. Gjyqësori nuk i dënoi, përkundrazi, i shpalli të pafajshëm. Më tej, ngjarjet e dhunshme të vitit ‘97, përplasjet e policisë dhe të shërbimit sekret me popullin kishin si protagonistë Agim Shehun, kryetarin e SHIK-ut, Gazidede dhe, mbi të gjithë,qëndronte presidenti i asaj kohe.

Këta njerëz ishin të gatshëm që ta kthenin përplasjen edhe me ngjyrime të një lufte civile, gjë që për fat nuk u realizua, pasi njerëzit e thjeshtë, qoftë në Tropojë, Lezhë apo Shkodër, e refuzuan. Ata nuk rrëmbyen armët për të vajtur në jug të vendit. Pas ngjarjeve, protagonistët e kësaj historie, që s’kishin imunitet, u detyruan të arratisen. Në 2005, ata rifituan jo vetëm status të privilegjuar, por morën edhe dëmshpërblim. Në vitin 98 u sulmua e u dogj Kryeministria. Përsëri në krye të tyre i njëjti njeri, por tashmë si kreu i opozitës. Disa protagonistë u detyruan sërish të arratisen.

Në 2005 u rikthyen e u privilegjuan, duke marrë poste të rëndësishme. Ndodhi Gërdeci. Askush nga rrethi i Berishës nuk u penalizua edhe pse ata ishin protagonistët e asaj tragjedie. Viktima u bënë njerëz të Ministrisë së Mbrojtjes, thuajse të pafajshëm, ose shumë më pak fajtorë se njerëzit e afërt të Berishës. Të afërmit e kryeministrit janë shëndoshë e mirë, pa ju prekur një qime nga “gjykatat tona të pavarura”. Vriten qytetarë të pafajshëm në 21 Janar. Në krye të kësaj ngjarje është përsëri Berisha e Basha. As urdhëruesit e këtij krimi, por as ekzekutorët nuk u dënuan nga gjykata. Vrasësit u lanë të lirë. Vidhen zgjedhjet në dritën e diellit, rasti më i fundit ai i 8 majit në Tiranë. Shohim shkelje skandaloze, të dëshmuara edhe nga faktori ndërkombëtar. Përsëri shërbëtori i komisionit qendror promovohet dhe avokat i tij bëhet kreu i qeverisë.

Shembujt mund të shtohen pa fund dhe kanë një përfundim, po i shërbeve Berishës në çfarëdo lloj krimi, je i imunizuar. S’të prek ligji, s’të dënon gjykata. Natyrshëm lind pyetja: kjo ndodh sepse ai mbron vetveten, apo është mentalitet i tij? Personalisht mund të mendoja se më shumë ky qëndrim i tij lidhet me mbrojtjen e vetvetes, por vë re se në publik ky qëndrim ka marrë statusin e një mentaliteti, të një psikologjie. Të adoptohet ky mentalitet tejet i papranueshëm për një shoqëri civile demokratike dhe moderne, është i rrezikshëm. Ky mentalitet do të ishte i zakonshëm e dominues në fise primitive, ku mungojnë institucionet civile, pushtetet e ndryshme dhe të pavarura, ku mungon reagimi i shoqërisë civile. Por a është kjo Shqipëria që ne duam?! Edhe pse “integrimi në BE” është shprehja më e konsumuar në retorikën politike të Berishës, a është ky mentaliteti që e nxit dhe çon vendin realisht në BE?

E quaj fatkeqësi që shoqëria shqiptare ta bëjë të vetin këtë mentalitet, pasi do të na zhysë më tej në regresin ku jemi futur. Mungesa e standardeve dhe kritereve, ku secili para ligjit të përgjigjet pavarësisht nëse është mik, bashkëpunëtor apo pjesë e familjes së kryeministrit, presidentit apo deputetit me influencë, përbën një rrezik të madh për ne. Nëse dikush mendon se ky mentalitet është i drejtë dhe se PS duhet ta adoptojë, gabon rëndë.

Për të qenë më realist në gjykime, duhet vendosur vetja në vend të viktimave. Të vihet në rolin e të afërmve të 4 viktimave të 21 Janarit, apo atyre që humbën familjarët në Gërdec, të atyre që u plagosën, të atyre fëmijëve që mbetën jetim, apo prindërve që humbën fëmijët nga ajo tragjedi. Duhet vendosur vetja në rolin e djalit të Remzi Hoxhës apo gruas së tij të ve. Të vërë veten në rolin e atyre që dhunohen çdo ditë nga krimi ordiner dhe ai i organizuar, që ka zaptuar të gjithë Shqipërinë.

Ndryshe nga kjo psikologji rrënuese, Partia Socialiste është për një shoqëri moderne, demokratike, ku ligji është mbi të gjithë, ku gjykatat lihen të punojnë të pavarura, ku mësuesi apo punonjësi i administratës nuk kërcënohet me bukën e fëmijëve të tij, thjesht për bindjet politike.

Ekipi që ofron PS përbëhet nga njerëz të suksesshëm në fushat përkatëse, që vlerësojnë ligjin e që vlerësojnë meritokracinë. Ne jemi për një realitet të ndryshëm nga ky që servir zoti Berisha. Ne jemi për atë që shkolla realisht të jetë shkollë e të mos blihet me para, që shërbimi shëndetësor të jetë një e mirë publike dhe, si e tillë, duhet të sigurohet nga shteti, që mjedisi të mos shpërdorohet e degradohet, ashtu siç i intereson familjes së kryeministrit apo pushtetarëve në përgjithësi, që korrupsioni të luftohet me forcën e ligjit dhe në të gjitha nivelet. Ne jemi për atë që gjakmarrja si fenomen të ndjejë peshën e forcën e shtetit për t’u ndalur, që qytetarët të rifitojnë sigurinë e jetës.

Koncepti berishian se kushdo që më shërben mua, qoftë ai vrasës, vjedhës apo abuzues nuk e dënon ligji, e nxit shoqërinë shqiptare rreth zhvillimeve tipike për xhunglën dhe anarkinë, ku fiton më i egri, më i dhunshmi, ku fiton servili. Ne, si popull duhet ta refuzojmë qartazi këtë mentalitet dhe të ndërtojmë të kundërtën e tij, të ndërtojmë shtetin ligjor, ku të gjithë janë të barabartë para tij, të ngremë sistemin e vlerave dhe të meritokracisë. Vetëm kështu do mund të dalim nga gropa ku jemi zhytur, do të mund të ngremë vlerat morale të një shoqërie të emancipuar e do të integrohemi në BE.