Mendimi këshillëdhënës i GJND-së, fillim i një rruge të re

0
24


Veton Surroi, 11.10.2010

Dy vjet më parë, Serbia i bëri kërkesë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që ajo të kërkojë një mendim këshillëdhënës prej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) rreth pyetjes: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë, në pajtim me ligjin ndërkombëtar?”.


Referimi i kësaj çështjeje nga Beogradi te qeveritë perëndimore linte që të kuptohej se Serbia donte që ta largonte çështjen e Kosovës prej domenit politik në atë ligjor – një gjest ky që u interpretua si manovër taktike për ta përbirë dalëngadalë pavarësinë e Kosovës. Kjo u shoqërua edhe me një fushatë të menduar mirë nga Serbia, për bllokimin e njohjes së Kosovës nga shtetet e painkuadruara (që zakonisht janë skeptike në lidhje me gjithçka të pazakonshme në OKB), si dhe nga pesë shtetet e BE-së, që nuk donin ta pranonin pavarësinë, ndonëse ajo ishte produkt i një procesi të ndërmjetësuar nga BE-ja nën Martti Ahtisaari-n.

Ideologia kryesore e këtyre pesë shteteve të BE-së kundër njohjes, Spanja, pohonte se pavarësia ishte shpallur në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe se për këtë arsye ajo do të duhej ta priste mendimin e GJND-së. 
Dy vjet më vonë, GJND-ja kumtoi opinionin shumë të qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte ligjin ndërkombëtar. Kështu, pasoja e parë faktike në terren e këtij verdikti ishte se u kuptua që çështja e Kosovës kurrë nuk ishte bartur në sferën ligjore, mirëpo gjithnjë kishte mbetur në atë politike.

Serbia, e cila e kishte parashtruar këtë pyetje, menjëherë refuzoi që ta pranonte përgjigjen, duke thënë se pyetja e saj kishte mbetur pa përgjigje dhe pastaj paraqiti një projektrezolutë tjetër në Asamblenë e Përgjithshme. Shtetet dyshuese të lëvizjes së të painkuadruarve kishin një arsye tjetër për ta pritur vendimin e radhës. Ngjashëm, asnjë nga pesë shtetet e BE-së nuk ndërroi mendje, me gjithë mendimin e qartë të GJND-së. 
Pasoja e dytë e mendimit të GJND-së ka qenë një betejë e vogël – e luftuar nga Serbia në një anë dhe BE-ja e SHBA-ja në tjetrën – rreth asaj se si duhet interpretuar më tej opinioni në bashkësinë ndërkombëtare; me fjalë të tjera, si të gjendet një kontekst i përshtatshëm për të ardhmen e kontestit Serbi-Kosovë.

Serbia zgjodhi që ta paraqesë një projektrezolutë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me kërkesën për negociata të reja rreth statusit të Kosovës (duke e hedhur poshtë aspektin e ligjshmërisë së opinionit). BE-ja, që tani po bënte politikë të jashtme në kontekstin e pas-Lisbonës, u mundua ta bllokojë këtë përpjekje. Rezultati përfundimtar ishte një rezolutë e përbashkët BE-Serbi, e pranuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me emëruesin më të ulët të përbashkët (thirrjen për një dialog i cili “në vete do të ishte faktor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”).

Mbase rezultati më i rëndësishëm i tërë kësaj është fakti se Serbia u pajtua që çështjen e Kosovës ta zhvendosë nga sfera e OKB-së në sferën e BE-së. Në atë që ka mundur të jetë hap strategjik, Serbia e zgjodhi Brukselin në vend të Managuas si vend ku do të negociohet për të ardhmen e Kosovës. Duke vendosur që dialogu i ardhshëm rreth Kosovës të mbahet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, Beogradi mund ta ketë pranuar kontekstin europian të çështjes së Kosovës dhe mekanizmat politikë e ekonomikë brenda fushëveprimit të BE-së.

Mirëpo, gjërat mbase ende nuk e kanë arritur atë stad. Së pari, BE-ja e ka të pamundur që ta luajë rolin e ndërmjetësueses pa e zgjidhur problemin brenda vetes. Pesë nga 27 shtetet anëtare kanë mendim ndryshe rreth çështjes së pavarësisë së Kosovës (me njërën prej tyre, Spanjën, si kundërshtare aktive). Emëruesi më i ulët i përbashkët (dialogu është i mirë) i rezolutës së përbashkët BE-Serbi që u votua në Asamblenë e Përgjithshme, nuk pasqyron vetëm vështirësinë e arritjes së një gjuhe të përbashkët me Serbinë, mirëpo mbase edhe arritjen e gjuhës së përbashkët përbrenda BE-së.

Me këtë problem të brendshëm do të jetë shumë vështirë që BE-ja të luajë rol në më shumë se fazën e parë të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe fjala është për bisedimet rreth bisedimeve. Është e vërtetë se Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme parasheh se duhet të ketë dialog – BE-ja e ka ftuar Beogradin dhe Prishtinën që ta zhvillojë në Bruksel – mirëpo deri tani askush nuk është informuar se për çfarë duhet të flasin palët.

Beogradi, në anën tjetër, ende është duke u mbështetur te dy faktorë “jo-BE” që ta diktojnë më tej rrjedhën e ngjarjeve. Një është prania e paligjshme e autoriteteve të veta brenda Kosovës, në komunat me përqindje të lartë të banorëve serbë (prej administratorëve të tatimeve e deri te policët). Një ndarje “de facto” apo gjendje e “konfliktit të ngrirë”, e kontrolluar prej Beogradit, bie ndesh me dialogun e bazuar mbi stimujt ekonomikë dhe politikë të BE-së.

Faktori tjetër “jo-BE” është varësia te Rusia dhe/apo shtetet e tjera me ndikim që nuk e njohin Kosovën. Me një gjendje të tipit kaukazian të “konfliktit të ngrirë” dhe varësi te fuqitë jotransatlantike, Serbia do të përdorte një gjuhë tjetër në këto bisedime.
Dhe pastaj është Kosova, e cila vetë nuk është e gatshme për këtë dialog. Po qe se dialogu mbahet midis dy të barabartëve, me BE-në si një ndërmjetësuese të vërtetë, atëherë Prishtina nuk është kompetente për një proces të tillë. Duke mos u njohur nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, Kosova nuk është palë e barabartë në këtë dialog dhe nuk mund ta perceptojë BE-në si një ndërmjetësuese krejtësisht e sinqertë.

Serbia dhe Kosova kanë natyra të ndryshme të marrëdhënieve me BE-në: Serbia është partnere kontraktuese e BE-së, Kosova është subjekti i protektoratit të “butë” të BE-së.
Me gjithë fillimin e ngatërruar, kjo mund të bëhet një rrugë drejt normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Në të vërtetë, kjo mund të jetë e vetmja rrugë, po qe se kuptohet se si Kosova ashtu edhe Serbia e kanë të ardhmen si shtete anëtare të Bashkimit Europian. Kjo mund të zgjasë një kohë, mbase tërë dhjetëvjetëshin e ardhshëm.

Apo, dialogu mund të mos fillojë fare tani. Pengesa e parë për rrafshin e parë është: për çfarë të flitet? E dyta: si të flasim, po qe se nuk jemi të barabartë? Apo madje e treta: si të flasim para zgjedhjeve? Krahas këtyre mund të dalin edhe pengesa të tjera. 
Pyetja megjithatë është nëse Prishtina dhe Beogradi e shohin këtë si të ardhmen e tyre europiane. Dhe, nëse Brukseli e ka të qartë për vete të ardhmen europiane të Kosovës dhe Serbisë si shtete anëtare?

Me kohë së shpejti do të dalë sprova e radhës. Tani që Presidenti i Kosovës ka dhënë dorëheqjen, pasi që u vendos se shkeli Kushtetutën (një tregues pozitiv në aspektin e sundimit të ligjit), Kosova po shkon nëpër procesin e vendosjes se kur do të mbajë zgjedhje të parakohshme. Edhe Serbia do t’i mbajë zgjedhjet e veta në pranverën e vitit 2012. Për të dyja palët duhet të gjendet koha për mbajtjen e bisedimeve pa ndërhyrjen e politikave të brendshme. Kjo është periudha për përgatitjen e një axhende europiane për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, dështimi i të cilës do të rezultonte me pritjen e ciklit të ardhshëm të mundësive.